Buxheti 2015/ Ankesa e biznesit: Këtë vit qeveria nuk po na pyet

0
159

Ervin Kaduku

Buxheti2–  Shifra tejet ambicioze për të ardhurat buxhetore vitin e ardhshëm. Por, sa të realizueshme janë pa rritur barrën e taksave?

–  Ja gjithë taksat që mendohet të rriten

–  Ankesa e biznesit: këtë vit nuk po kontraktohemi nga qeveria

Në një kohë që Ministria e Financave thuajse është në fund të hartimit të draftit të paketës fiskale, që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm, biznesi akoma nuk është njohur me të. Komuniteti i biznesit të huaj që aderon pranë Dhomës Britanike të Tregtisë, por dhe asaj Amerikane, është shprehur për median se diskutimi për ndryshimet ligjore që do të përfshihen në paketën fiskale kanë qenë sporadike dhe se ata nuk janë konsultuar me qeverinë për këtë çështje. Kështu që, rezulton praktikisht që qeveria i dikton biznesit paketën fiskale që ajo vetë ka hartuar dhe që pritet ta miratojë së shpejti.

Nga ana e tij, kreu i sipërmarrjes kryeqytetase, Nikolin Jaka, u shpreh se, për të krijuar një klimë sa më të favorshme për zhvillimin e biznesit, qeveria duhet të krijojë një dikaster vetëm për mbarëvajtjen e tij. Edhe pse u premtua lehtësim i barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset, duket se qeveria nuk mund ta realizojë, të paktën edhe për vitin e ardhshëm, këtë premtim. Kështu gjendja jo e mirë financave publike dhe niveli i lartë i borxhit publik, nuk mund të përmirësohen pa një “shtrëngim” të politikës fiskale, çka do të thotë se qytetarët dhe bizneset pritet të paguajnë më shumë taksa për vitin e ardhshëm.

 

Buxheti

Edhe pse ende nuk ka një draft përfundimtar për paketën fiskale 2015, sipas të dhënave paraprake, ajo që është e qartë tashmë, është se viti i ardhshëm do të jetë më i vështirë për xhepat e qytetarëve. Ky vit vjen me një sistem të ri taksash, i cili këtë radhë do të prekë më shumë qytetarët. Do të rritet tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi për fitimin nga interesi i depozitave dhe po ashtu do të rritet edhe taksa e qarkullimit të automjeteve, që i bashkëngjiten rritjes së njoftuar tashmë të tarifave të energjisë elektrike.

Sot një qytetar i cili ka kursime në bankë paguan aty në formën e tatimit në burim taksën 10% për interesat që fiton, tashmë kjo taksë do të bëhet 15%. Taksa tjetër e cila do të rritet është ajo e qarkullimit të makinave, e cila mblidhet përmes shitjes së naftës dhe benzinës në treg. Dikasteri i Financave po diskuton variantin që të rrisë me 10 lek për litër taksën e qarkullimit për benzinën dhe naftën, gjë që do të japë efekt direkt edhe në rritjen e çmimit të karburanteve. Aktualisht taksa e qarkullimit është 17 lek për litër për të dyja lëndët. Rritje do të ketë edhe taksa e akcizës, çka pritet të ketë ndikim tek biznesi por edhe te konsumatorët.

Por ajo që është më e ndjeshme për të gjithë qytetarët gjatë vitit të ardhshëm do të jetë heqja e fashës tarifore të energjisë elektrike, çka do të thotë automatikisht rritje e këtij çmimi. Sipas të dhënave paraprake, efekti financiar i paketës fiskale në buxhetin e shtetit pritet të jetë 10 miliardë lekë. Rekomandimet e mësipërme janë bërë për qeverinë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që buxheti të sigurojë më shumë të ardhura.

 

Ekspertët

Për pedagogun e ekonomisë Olti Rrumbullaku, projektbuxheti është shumë ambicioz. Të ardhurat e parashikuara deri tani nga ministria janë 410 miliardë lekë, ose 4.1 miliard dollarë. Rreth 400 milionë dollarë kjo, më shumë se sa viti që po mbyllet. Ky është një ndryshim shumë i madh.

“Këtë vit parashikohet rreth 90 miliardë lekë deficit, ndërsa vitin tjetër është rreth 60 miliardë lekë. Duhet të kemi parasysh se në një ekonomi si jona ka gjithmonë deficit, problemi është që deficit të jetë shumë i kursyer, të jetë i kufizuar dhe në momentin që është i kufizuar dhe ka disi dhe rritje ekonomike, ai deficit nuk e shton borxhin. Pra, në qoftë se ne kemi një rritje ekonomike 3% dhe një deficit 3%, borxhi qëndron në vend, sepse rriten të dyja njëkohësisht. Kam përshtypjen se qeveria e ka parashikuar 3.7 ose 4% deficitin, shumë më ndryshe se sa deficit i këtij viti që është diçka rreth 6% apo 6.5%”, – tha Rrumbullaku.

 

 Nis procesi i përzgjedhjes në Këshillin Mbikëqyrës të BSH

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur nga dita e djeshme procedurën paraprake të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas fazave të mëposhtme:

  1. a) Shërbimet e Kuvendit shpallin dhe bëjnë publike vakancën e organit kushtetues nga Kuvendi (në faqen zyrtare të Kuvendit dhe mjetet e informimit publik). Në shpallje përcaktohet edhe dokumentacioni që duhet të shoqërojë CV-në e kandidatit për përmbushjen e kritereve ligjore, si dhe pëlqimi i kandidatit me shkrim. Afati i dorëzimit të dokumentacionit është brenda 10 ditëve nga publikimi.
  2. b) Në përfundim të afatit të përcaktuar në shpallje, lista me kandidaturat e vetofruara u bëhet e njohur anëtarëve të Kuvendit.
  3. c) Shërbimet e Kuvendit, brenda 5 ditëve nga dërgimi i njoftimit te deputetët i listës së kandidaturave të vetofruara, organizojnë dëgjesën publike në mjediset e Kuvendit. Shërbimet e Kuvendit, njoftojnë të gjithë deputetët/grupet parlamentare për ditën, orën dhe mjediset ku do të kryhet dëgjesa publike dhe prezantimet e çdo kandidati në këtë proces të hapur.

ç) Pas dëgjesës publike, të paktën 28 deputetë përzgjedhin kandidatin/kandidatët, të cilët do të mbështesin për t’ia paraqitur Kuvendit, sipas cilësive profesionale dhe performancës gjatë prezantimit.

  1. d) Kandidaturat që do të marrin mbështetjen e jo më pak se 28 deputetëve depozitohen zyrtarisht në protokollin e Kuvendit dhe vazhdojnë procedurat e parashikuara në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit.

Procedura paraprake nuk është e detyrueshme për t’u ndjekur nga deputetët, si dhe nuk përjashton në asnjë rast që të paktën 28 deputetë t’i paraqesin Kuvendit një kandidat që është përzgjedhur prej tyre jashtë procedurës së sipërcituar.

 

Kush zgjedh?

Sipas relacionit të Komisionit të Ekonomisë, janë dy anëtarë që propozohen nga Kuvendi dhe një vend vakant që i përket Këshillit të Ministrave dhe që pritet të dërgohet në Kuvend pas procedurës përzgjedhëse që ka zhvilluar kryeministri Rama. Sipas kryetarit Erjon Braçe, qeveria tashmë ka propozuar emrin e saj: Denada Prifti.

Sipas procesverbalit të mbledhjes së fundit të Komisionit, Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë si më poshtë vijon: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, zëvendëskryetari i Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë, si edhe 6 anëtarë të tjerë.

Që të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë vijon: Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorin, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Për të nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë propozimet vijnë nga Këshilli i Ministrave, nga Kuvendi dhe vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe nga askush tjetër.

Me paraqitjen e kandidaturave kryetari i Kuvendit ia kalon atë menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit të tyre dhe ndërkohë në pikën 7 shkruhet qartësisht: “Në të gjitha rastet, komisioni përkatës brenda afateve të përcaktuara në këtë nen shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature.

Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për plotësimin e tyre. Kur asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedurave fillon me kandidaturat e tjera nga e para sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.

 

 OSHEE sërish blen energji nga importi, në lojë mbetet Serbia

Pavarësisht nga fakti që moti është treguar bujar me rezervat hidrike në Shqipëri, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) njoftoi se sërish doli në tregun e importit të energjisë dhe siguroi importin e energjisë elektrike për periudhën 1-mujore, 1-30 nëntor për sasinë 228 milionë kilovat-orë energji elektrike me çmimin në total, 12.212.596 euro.

Sipas një njoftimi zyrtar të OSHEE, 5 kompani u shpallën fituese në tenderin e hapur ndërkombëtar të 29 tetorit. Fituesit janë EFT, GEN-I Athinë, GEN-I Tiranë, GEN-I Beograd dhe AXPO Beograd. Kompanitë, në bazë të kontratës, me OSHEE-në do të nisin lëvrimin e energjisë nga data 1 nëntor në linjat e transmetimit Serbi, Mal i Zi, Greqi-Shqipëri.

 

 Rusia dhe Ukraina bien dakord për furnizimin e gazit

Rusia është pajtuar me kushtet për t’i rikthyer eksportet e gazit natyror Ukrainës, duke parandaluar që banorët të vuajnë të ftohtit teksa temperaturat vijojnë të bien.

Negociatat e gazit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë ardhur teksa kryengritësit pro-ruse shtuan sulmet ndaj forcave qeveritare në Kiev. Udhëheqësit evropianë u shprehën se shpresonin që marrëveshja të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

28-vendet e BE-së u përpoqën të shmangin një përsëritje të vitit 2006 dhe 2009, kur mosmarrëveshjet midis ish-republikave sovjetike mbi borxhet e gazit dhe çmimet çuan në ndërprerjen e transitit të karburantit dhe mungesave të gazit Evropë në periudhën e kulmore të temperaturave tepër të ulëta.

Marrëveshja erdhi pasi BE qortoi Rusinë për njoftimin e Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov se vendi do të njohë zgjedhjet separatiste të planifikuara në 2 nëntor në territoret e Ukrainës të zotëruara nga rebelët.

Sipas marrëveshjes së ditës së djeshme, Rusia tha se do të rifillojë dërgimin me gaz natyror në Ukrainë – të cilin e ndali në qershor – pasi të sigurojë këstin e parë të shlyerjes së borxhit dhe pagesat paraprake për dorëzimet e ardhshme.

 

 Çereku i familjeve shqiptare kanë një linjë interneti

26% e familjeve shqiptare kanë një lidhje interneti në shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, penetrimi i shërbimeve të telefonisë fikse është rritur me ritme të shpejtë në vitet e fundit. Në fundin e vitit 2013, lidhje interneti zotëronin 22% e familjeve, ndërsa në fund të vitit 2011 vetëm 17%. Numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse, sipas shifrave më të fundit, arriti në afro 189 mijë, në rritje me 3.3% që nga fundi i vitit 2013. Ofruesit e shërbimit të internetit në vitet e fundit kanë shtuar investimet në linja fikse me ADSL ose fibër optike, sidomos në qytetet me përqendrim të lartë të popullsisë.

Kjo ka rritur ndjeshëm aksesin e familjeve në shërbim. Shtimi i abonentëve të internetit është nxitur edhe nga konkurrenca e fortë mes operatorëve, që ka sjellë edhe ulje të çmimeve. Pajtimi mujor për shërbimin e internetit ka zbritur në çmime edhe më të ulëta se 10 euro.

Rritje të përdorimi të internetit po sjell edhe teknologjia 3G përmes rrjeteve të lëvizshme. Sipas AKEP, në fund të qershorit rreth 136 mijë përdorues merrnin internet nga operatorët celularë me pajisje USB Modem, ndërsa 922 mijë kishin akses në internet përmes telefonave celularë. Shërbimet e internetit 3G ofrohen nga tre operatorë celularë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency