Tirana dhe Partizani, pas shumë vitesh bashkë në krye të kampionatit

0
164

Bardheblutë dhe të kuqtë kanë marrë historinë dhe e kanë kthyer edhe një herë në skenë, kur pas 10 javësh kampionat, gjenden bashkë të konsoliduara dhe pretendentë për titull

tirana-partizani_7Dy nga ekipet që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar, Tirana dhe Partizani, janë dhe pretendentet e momentit për të fituar titullin kampion. Pas 10 javësh të dyja skuadrat gjenden në një pozicion mjaft komod dhe bindshëm qëndrojnë në krye me pikë të barabarta. Projektet e mëdha të dyja ekipeve që kanë investuar shumë duket se tashmë po japin frytet dhe po e kthejnë emocion në origjinë. Derbi midis Tiranës dhe Partizani njihet edhe si më i zjarrti dhe që ka më shumë mbështetje nga tifozeria. Partizani është më i fortë se ai i para një sezoni, por trajneri i të kuqve Duro është shprehur se nuk mund të bëhen krahasime mes dy sezoneve pasi historia e kampionatit të vjetshëm është ndryshe nga sezoni 2014/2015. “Historia nuk hyn shumë në punë, pasi nuk mund të bëhen krahasime mes sezoneve të fundit. Dihet që vjet Tirana dhe Flamurtari ishin për mbijetesë, Kukësi kishte probleme, kështu që Skënderbeu ishte i qetë në betejën e tij dhe titullin e siguroi thuajse që në fund të fazës së parë. Ndërsa këtë vit ka një investim nga të gjithë ekipet dhe është një kampionat i gjatë e me plot rivalitet, ku fati i tij do të mësohet vetëm në fund”, – ka thënë tekniku i të kuqve pak kohë më parë. Një deklaratë që tregon se ekipet nuk kanë shumë diferenca dhe dy skuadrat kryeqytetase po arrijnë të krijojnë një epërsi në krahasim me skuadrat e tjera duke parë edhe lojën që zhvillojnë.

 

Derbi që shembi “Qemal Stafën”

Arena më e rëndësishme e futbollit shqiptar për vite ka pësuar edhe dëmtime gjatë një ndeshje midis dy skuadrave. Derbi solli një numër shumë të madh tifozësh të cilët shkaktuan edhe shembjen e shkallët portative të tribunës përkarshi, çka solli edhe zëvendësimin me shkallë prej betoni, në mesin e viteve `60.

 

Titujt e fituar

Tirana dhe Partizani kanë fituar respektivisht 24 dhe 15 tituj kampione, Dinamo (aktualisht në kategorinë e parë) 18. Historia e tri skuadrave të Tiranës, siç shpesh ndodhte në vendet lindore, ka ecur paralelisht me politikë gjatë kohës së komunizmit, por tashmë të dyja skuadrat kanë investitorë privatë që këtë sezon ka plotësuar pritshmëritë me blerjet dhe investimet e bëra duke krijuar projekte që janë afatgjata dhe shërbejnë për të mirën e futbollit shqiptar.

 

Përjashtimi nga kampionati

Në një Ngjarje të vitit 1967në javën e 19-të (24 qershor), derbi mes Partizanit dhe KF Tiranës, që atëherë quhej “17 Nëntori”, mbyllej 2-1 për këta të fundit, me parregullsi në fushë dhe përplasje në tribuna. Kjo nuk e pengoi Ministrinë e Brendshme, e cila kontrollonte Dinamon, të anulonte rezultatin e fushës dhe të përjashtonte dy skuadrat nga kampionati: 17 Nëntori ishte në prag të fitimit të titullit të tretë radhazi, një turp i papranueshëm për Byronë Politike.

 

Histori dhe shifra

Ishte viti 1947, ai që fiksoi edhe “ditëlindjen” e derbit më të madh shqiptar, atij mes Partizanit dhe Tiranës, që më pas do të bënte historinë e futbollit tonë, duke dhuruar emocione të mëdha për breza të tëra. Vetëm një vit pas krijimit të klubit Partizani (1946), në mars të 1947 vjen edhe u luajt edhe derbi i parë me bardheblutë, që u fitua nga të kuqtë 4-2. Që nga ajo kohë e deri më sot janë zhvilluar në total në rreth 62 vite plot 135 ndeshje mes tyre, ku shifrat flasin në favor të Partizanit. Dominimi i Partizanit, por edhe i Dinamos në kohën e diktaturës, ishte i dukshëm, dhe pavarësisht tentative të vazhdueshme të bardhebluve në vitet 60 dhe në vitet 80, statistikat në këtë periudhë flasin për një dominim të dukshëm të Partizanit në përballjet direkte me Tiranën. Bardheblutë kanë dominuar ndjeshëm, pas viteve ’90, ku kanë rikuperuar një pjesë të mirë të diferencës në përballjet me rivalin historik. Në gusht të 1947-s shënohet edhe fitorja më e thellë e Partizanit ndaj Tiranës, me shifrat 8-0, statistikë që mbeti e pathyeshme për dekada me radhë. Më 22 shtator të vitin 1985, Tirana e një brezi të artë futbollistësh shënoi fitoren më të thellë ndaj Partizanit, me rezultatin 7-3, takim që ka mbetur në kujtesën e tifozëve të shumtë bardheblu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency