Tërmet te Flamurtari, shkarkohet trajneri me stafin, pezullohen titullarët

0
139

Skuadra vlonjate pas rezultateve zhgënjyese ka nisur edhe rrugën drejt ndryshimit të gjerave. Sipas drejtuesve të rinj, si zgjidhje është parë dorëheqja e stafit bashkë me trajnerin dhe pezullimi i 5 lojtarëve, për shkak të performancës së ulët të tyre

 teuta flamurtariRevolucioni te Flamurtari fillon. Një ndryshim surprizues që do të sjellë edhe emra të rinj te skuadra vlonjate. Ekipi pati një fillim jo të mirë të kampionatit, megjithëse arriti të përmirësonte në disa ndeshje, duke marrë edhe statusin e pretendentes, por tashmë ka filluar zbritjen dhe për momentin gjendet në kuotën e 13 pikëve në vendin e gjashtë. Kjo formë që duket se një virus, i cili ka kapluar labët që këtë vit kanë shumë synime dhe nuk mund të tolerojnë gabime. Duke u nisur pikërisht nga ky fakt, drejtuesi e klubit kanë vendosur që të marrin masa drastike për të shkundur skuadrën që duhet menjëherë të rimarrë veten. Sipas vendimeve të firmosura nga administratori i klubit Ardi Behari, është shkarkuar i gjithë stafi teknik, me përjashtim të trajnerit të portierëve Luan Birçe. Ndërkohë me arsyen e rendimentit të ulët janë pezulluar futbollistet Franc Veliu, kapiteni i skuadrës, Gjergji Muzaka, Nijaz Lena, Glendi Mici dhe Polizoi Arbri. Këto vendime vijnë menjëherë pas humbjes se fundit me Teutën, të cilat pasuan një seri rezultatesh jo të mira. Gjithashtu, këto vendime nuk mund të konsiderohen si një rrufe në qiell të pastër, pasi prej ditësh përflitej për ndëshkime për futbollistët dhe stafin teknik. Menjëherë pas barazimit 1-1 me Skënderbeun, në klub u zhvillua një mbledhje me tone të larta, ku për shkak të paraqitjes jo të mirë ndaj korçarëve pati paralajmërime për futbollistë të veçantë, ndërsa pas humbjes në Kukës. Skuadra u urdhërua të shkonte urgjent në Vlorë për një tjetër mbledhje analizë, por që u shty në kohë për të konkluduar me vendimmarrjet e fundit, të cilat pritet të tronditin jo thjesht objektivat e kësaj skuadre, por mbi të gjitha themelet e gjithçkaje të ndërtuar në muajt fundit. Vendimi i klubit të Flamurtarit për shkarkimin e trajnerit dhe pezullimin e pesë futbollistëve duket paksa i rëndë, për një skuadër që kërkonte të ndërtonte një projekt madhor për të ardhmen.

 

Gjoka, i përgatitur për masat

Vendimi i bordit drejtues nuk e ka gjetur të papërgatitur Ernest Gjokën, që deklaroi se e priste këtë vendim, pasi në mbledhjet e fundit ishte diskutuar jo pak për rezultatet negative dhe pasojat që ato do të kishin. “Prej dy javësh kishim diskutuar dhe na ishte dhënë kohë që të ndryshonim ecurinë e ekipit, ndaj isha i ndërgjegjshëm se kjo gjë do të ndodhte. Sigurisht që ndjej keqardhje për këtë largim, por gjëra të tilla ndodhin”. Gjoka pranoi se u përpoq të bënte më të mirën me Flamurtarin, por gjithsesi e pranon vendimin, duke qenë se është pjesë e një profesioni, në të cilin e ardhmja varet gjithmonë nga rezultatet. “Profesioni i trajnerit është një profesion i tillë, ku varesh gjithmonë nga rezultatet. Trajnerët janë gjithmonë me çantë në dorë, dhe në këtë profesion është e natyrshme që shkarkimet ndodhin. Gjithsesi unë mendoj se dhashë maksimumin për ekipin”. Sa i përket të ardhmes së Flamurtarit dhe projekteve të klubit vlonjat, Gjoka theksoi se ato do të vazhdojnë, tashmë me një tjetër trajner. “Projekti i Flamurtarit do të vazhdojë, është një projekt afatgjatë dhe nuk përfundon te unë. Unë uroj që klubi të ketë sukses, ashtu si dhe trajneri që do të më pasojë në këtë post shpresoj që të bëjë sa më mirë të jetë e mundur”. Bashkë me Gjokën u pezulluan dhe pesë futbollistë, Muzaka, Mici, Lena, Arbri dhe Veliu. Një vendim, që sipas Gjokës, i cili nuk kërkon të bëjë polemika erdhi dhe ai për shkak të rezultateve. “Nuk dua t’i komentoj këto largime, por mund të them se deri diku dhe lojtarët ishin paralajmëruar që varej gjithçka nga rezultatet”. Me Flamurtarin, Gjoka mori dhe titullin e parë në karrierë, teksa sezonin e shkuar fitoi Kupën e Shqipërisë, pasi mundi në finale Kukësin. Arritje jo të lehta në një kampionat si ky yni, por ndeshjet e fundit i ka dhënë fund gjithçkaje.

 

Shkarkimi i stafit dhe pezullimet me kosto

Shkarkimi i një trajneri apo të gjithë stafit teknik është gjeja me normale ne ecurinë sportive te një klubi, por ne rastin e Flamurtarit tregon mes rreshtave një nxitim dhe emocion te madh. Kjo pasi është shkarkuar i gjithë stafi, por jo trajneri i portierëve, madje këtij te fundit i lihet skuadra ne drejtim, pavarësisht se Luan Birçe në rastin konkret u largua me karton të kuq në ndeshjen e fundit, duke nënkuptuar se nuk është i disponueshëm për të drejtuar në sfidën e radhës. Me motivin e rendimentit të ulët, janë pezulluar 5 titullarë të skuadrës Franc Veliu, Gjergji Muzaka, Nijaz Lena, Glendi Mici dhe Polizoi Arbri. Ata që konsideroheshin deri dje futbollistët më të rëndësishëm të kësaj skuadre, tanimë me motivin e rendimentit të ulët,janë të detyruar të qëndrojnë jashtë ekipit. Për të dëshmuar se sa evaziv është ky vendim dhe ky motiv mjafton të përmendim vetëm një emër, Gjergji Muzakën, i cili jo vetëm për golat e shënuar, por me freskinë fizike ishte shndërruar në një pikë referimi për skuadrën dhe habi për opinion sportive që nuk e kishte parë asnjëherë në të tilla nivele 30-vjeçarin kryeqytetas. Venidme këto që mund të ndikojnë shumë ën ecurinë e ekipit që gjendet në një pozicion mjaft kritik edhe në kampionat dhe sot më shumë se kurrë i duhej një besim. Mirëpo vendimet e fundit tentojnë që të krijojnë një metamorfozë te Flamurtari që tashmë duhet të nisë të ndërtojë shumë gjëra nga fillimi.

 

Merkatoja e fuqishme

Afrimi i sponsorëve turq në fillim të këtij sezoni bëri që klubi t’u jepej atyre në administrim. Kjo u konsiderua si një epokë e re për bregdetarët, por ecuria rezultative e skuadrës nuk ishte e pritshmja dhe nuk përmbushte objektivat. Në funksion të titullit, që është naltuar si objektivi kryesor i kuqezinjve këtë edicion futbollistik, u bë edhe një merkato e fuqishme. Kështu, Flamurtarit, që ruajti grupin e sezoneve të kaluara, iu bashkuan elementë të tillë si Ilion Lika, Muzaka u rikthye, Gëzim Krasniqi, braziliani Mendes, Shkodran Metaj, Erjon Vucaj, braziliani Gilberto Fortunat dhe gjeorgjiani Nikolas Gelashvili.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency