Homazh, u nda nga jeta më 31 tetor 1991/ Simon Gjoni dhe himni “Lule bore”

0
157

Flora Nikolla

Simon GjoniEshtë një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike Himn të muzikës lirike shqiptare.

Është kënga “Lule bore”…(!)

Po të pyesësh njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh, tkurrin supet për të thënë : “se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se “është një këngë e popullit…”.

Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paaritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni.

Pavarësisht se ka  60 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të   qënë paskësaj e pranishme, së bashku me gëzimin e shqiptarëve, në të gjitha pikat e globit.

I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve te ndryshme orkestrale dhe vokale te qytetit te tij. Me nje sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara, që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si ,” Lule bore”, “Sy larushes”, “Syte e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë, të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane ndërsa u përhapën me shpejtesinë e dritës në   Shqipëri.

Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetem tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj. Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën Lule bore, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e Lule Bore . E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me hymnin e kënges shqiptare Lule-bore.

Në ish- Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin : “a…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.

I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si Lule bore, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij, Hermira Gjoni  në një album të veçantë.

Pak vite më parë, në një Festival këngë në Radio-Televizion , kur dueti i arrirë artistikisht, Vikena Kamenica dhe Kastriot Tusha, interpretoi këngën “Vajzë e vogël”, e interpretuar vetëm një herë nga Llukë Kaçaj, u duk se publiku e harroi konkurrimin e këngëve-shkak i organizimit të festivalit të fund-vitit.

Salla ishte ngritur e gjitha në këmbë në duartrokitje… Në fakt çmimi i ishte dhënë këngës përshëndetëse, sepse kënga që është këngë, ja që di t’i rezistojë kohës, sistemeve, doktrinave, mentaliteteve, snobizmit…!

Është pikërisht kjo këngë që  aktualisht është një këngë hit në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency