Përse ju shërben një buxhet personal

0
741

budget calculationShumë njerëz nuk janë plotësisht të bindur që kanë nevojë për një buxhet. Mënyra se si ata arsyetojnë është diçka e tillë: “Ajo që praktikisht më duhet të bëj është të shpenzoj më pak sesa fitoj. Atëherë përse më duhet një buxhet?” Në qoftë se kjo ngjan me diçka që edhe ju mendoni, pikërisht ju keni më tepër nevojë për të mbajtur një buxhet. Të tjerë njerëz e ndjejnë nevojën e buxhetit por nuk dinë nga t’ia fillojnë. Megjithëse disa njerëz e shohin të nevojshme të krijojnë një buxhet personal, ekzistojnë të tjerë të cilët thjesht nuk kanë dëshirë të kufizojnë shpenzimet e tyre. Shumë njerëz kryejnë blerje emocionale dhe të pamenduara mirë. Në mënyrë që kjo të shmanget, njerëzit duhet të jenë më të përgjegjshëm me shpenzimet e tyre. Një prej mënyrave më të mira për të ndihmuar dikë të arrijë këtë qëllim është buxheti personal. Buxheti personal përfshin një strukturë të detajuar të të ardhurave dhe të shpenzimeve tuaja, e cila tregon gjendjen reale të situatës tuaj financiare.

 

Buxheti

Buxheti mund të konsiderohet si hapi i parë për të arritur qëllimet tuaja financiare. Ai ju ndihmon të kontrolloni shpenzimet tuaja, duke krijuar mundësi që të shtoni kursimet. Në një farë mënyre buxheti është ndërgjegjja juaj financiare. Ai tregon se sa fitoni dhe sa jeni duke shpenzuar. Për shumë njerëz buxheti është diçka shumë e vështirë për t’u mbajtur dhe për t’i qëndruar besnik. Pikërisht, ata që kanë një mendim të tillë për buxhetin e kanë tepër të nevojshme të kenë një të tillë. Mungesa e entuziazmit të mbajtjes së një buxheti, zakonisht nënkupton mospëlqimin e rezultateve që ai mund t’ju tregojë. Po cilat janë të mirat që na sjell buxheti? Sigurisht që përgjigjja e kësaj pyetjeje është e ndryshme për çdo individ, por më poshtë mund të gjeni disa prej avantazheve që njerëzit vënë re kur fillojnë të mbajnë një buxhet:

Jeni gjithmonë në dijeni të gjendjes tuaj financiare. Buxheti personal ju jep mundësinë të dini me saktësi se sa të ardhura keni. Për më tepër, ai është një mënyrë për të edukuar veten tuaj dhe ju tregon se si kategorizohen të ardhurat tuaja, a ju mjaftojnë ato dhe sa kohë ju duhet për të arritur qëllimet tuaja.

Ju mund të kontrolloni më mirë financat tuaja. Pasi të jeni njohur me buxhetin, ju do të jeni në gjendje të dini më mirë se çfarë ndodh me fitimet tuaja. Shpesh fitimi i të ardhurave është i vështirë ndërsa shpenzimi i tyre është gjëja më e lehtë. Kështu, mbajtja e një buxheti personal ju jep mundësinë që të kontrolloni paratë tuaja në vend që të ndodhë e kundërta.

Ju mund të jeni më të organizuar. Edhe pse mund të jetë i formave më të thjeshta, buxheti i sistemon ose i organizon të ardhurat tuaja në disa kategori shpenzimesh dhe kursimesh. Përveç kësaj, buxheti mund të ofrojë më tepër organizim pasi siguron të dhëna për të gjitha veprimet tuaja me para.

Ju mund të përmirësoni aftësitë tuaja të komunikimit. Në qoftë se jeni i/e martuar, keni një familje ose i ndani paratë me dikë tjetër, të kesh një buxhet, të cilin (të dy ose të gjithë) e keni krijuar së bashku, është një mundësi më shumë për të gjetur gjuhën e përbashkët në lidhje me shpenzimin e parave. Buxheti është një mjet komunikimi nëpërmjet të cilit diskutohet se ku dhe në çfarë duhet të shpenzohen paratë.

Ju mund të përfitoni nga mundësi të favorshme. Duke ditur gjendjen e saktë të situatës tuaj financiare, dhe duke qenë në kontroll të saj, buxheti ju ndihmon të përfitoni nga mundësi që ndoshta po të mos kishit një buxhet mund t’ju humbisnin. Shpesh ju është dashur të mendoni nëse keni mundësi të blini diçka. Në qoftë se keni mbajtur një buxhet personal nuk keni pse t’ia bëni më këtë pyetje vetes.

Ju jep mundësinë të keni më tepër kohë të lirë: të gjitha veprimet tuaja financiare organizohen automatikisht për çdo lloj pikëpyetjeje që ju mund të keni rreth çështjes se, ku dhe si do t’i shpenzoni të ardhurat. Duke pasur këtë lloj informacioni i kurseni kohë vetes.

Ju jep mundësinë të kurseni dhe të keni më shumë para në xhepat tuaj: e kush nuk do ta dëshironte këtë? Të jeni të sigurtë që buxheti “do të prodhojë” para shtesë për ju. Mund të shmangen shpenzime të panevojshme, pasi ato të identifikohen. Kursimet, edhe ato më të voglat, mund të grumbullohen dhe të vihen në shërbimin tuaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency