Dëshmia/ Gruaja, personit që Bitraj i rrëfeu për herë të parë supervjedhjen

0
120

Sonila Mesareja

 Nerida Bitraj: Më tregoi se kishte vjedhur para në bankë një natë para se t’i rrëfehej eprorit. Nuk dija ku i gjente paratë që luante në baste, unë punoja gjithë ditën

bsh 2 Ardian Bitraj nuk i rrëfeu te eprori për herë të parë vjedhjet e kryera në departamentin e Emisionit në Linzë, por te gruaja e tij një natë më parë. Fakti bëhet i ditur nga burime hetimore, të cilat kanë marrë në pyetje gruan e këtij të fundit, e cila ka dëshmuar si mësoi për vjedhjet e kryera nga bashkëshorti, jetën që bënte ky i fundit dhe mënyrën se si mund t’i ketë shpenzuar paratë. Hetuesit janë përpjekur se mos bien në gjurmë të destinacionit të parave përmes kësaj dëshmie, por në fakt nuk kanë arritur shumë. Gruaja ka dëshmuar se e mësoi një natë para se të takonte eprorin e tij i shoqi, ndërkohë që rrëfeu se vetë punonte gjithë ditën, ndërsa Ardiani shpenzonte para nëpër lojëra fati. Në përfundim të dëshmisë së 35-vjeçares Nerida Bitraj, grupi hetimor nuk është se mori më tepër informacion nga sa vetë kishte deklaruar për ta i pandehuri Bitraj.

 

Dëshmia

Po çfarë ka deklaruar Nerida Bitraj para hetuesve, e pyetur rreth bashkëbisedimeve me të shoqin për vjedhjen e kryer në Thesar. “Unë jam vënë në dijeni të faktit se bashkëshorti im Ardian Bitraj kishte përvetësuar shuma të mëdha parash dhe këto para më tej i kishte luajtur në baste sportive, kur ai vetë më ka thënë një natë përpara se të shkonte dhe të raportonte te eprorët e tij. Ka qenë një moment në shtëpi, kur ai më ka kërkuar të ulesha pasi kishte diçka serioze për të diskutuar me mua dhe më ka thënë që kishte marrë shuma të mëdha parash nga arka e shtetit. Më tha që do të kërkoj që këtë t’ia them Guvernatorit nëse do kem mundësi ta takoj, në rast të kundërt do të flas me eprorët”. Më tej, 35-vjeçarja tha në Prokurori se miliona euro nuk u përdoren për shpenzimet e familjes. Sipas dëshmisë së saj, ndërsa bashkëshorti luante miliona në baste, ajo punonte nga mëngjesi deri në orën 18 të pasdites, pa bërë asnjë ditë pushim edhe gjatë muajit korrik. “Gjatë gjithë javës jam në punë. Punë të cilën e filloj nga ora 9:30 minuta e deri në ora 18 të pasdites. Kështu që gjatë muajt korrik nuk kam bërë pushim, asnjë ditë” ka dëshmuar ajo për hetuesit.

 

Loja në bixhoz

Gruaja e Ardian Bitrajt ka mbështetur deklarimet e të shoqit se luante në baste gjithë kohën dhe aty ka shpenzuar paratë e vjedhura. Në përgjigjet e saj për hetuesit, bashkëshortja e të akuzuarit kryesor të vjedhjes së 713 milionë lekëve tha në prokurori se Ardian Bitraj ishte një njeri i vetmuar, pa miq dhe çdo pasdite qëndronte nëpër lokale bastesh. “Unë e dija që ai lunte në këto lloj lojërash sportive, por asnjëherë nuk kam ditur se sa ka qenë shuma që ai luante. Ai qëndronte gjithmonë poshtë tek lokalet e lagjes ku ishin edhe këto lokalet e basteve. Periudhën kur ka qenë kampionati botëror, ai ka qëndruar kryesisht poshtë në lagje ku edhe shihte ndeshjet me dy çunat e mëdhenj. Kjo i ishte kthyer në një rutinë të përditshme, pasi ishte shumë i apasionuar pas futbollit dhe kishte qejf edhe të luante baste”. Më tej, 35-vjeçarja i ka thënë prokurorit se bashkëshorti nuk shoqërohej me persona të tjerë, përveç nipit të tij i arrestuar tashmë, Klevis Bejtaj. Para prokurorit të çështjes, Nerida Bitraj ka treguar se bashkëshorti, kohët e fundit merrte mjekime për tension, por në asnjë rast nuk kishte vërejtur ndonjë gjë të pazakonte tek ai apo të ketë parë shuma të mëdha parash nëpër shtëpi.

 

Vijon hetimi për Fullanin, Bitrajn, Bruzinë dhe Bejtajn, 15 zyrtarë në gjyq

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për pjesën më të madhe të të arrestuarve për supervjedhjen e ndodhur në Thesarin e Shtetit, ndërkohë që është veçuar dosja për ish-guvernatorin Ardian Fullani, të vetëdeklaruarin për vjedhjen Ardian Bitraj, si dhe të akuzuarit si bashkëpunëtorë të tij Mimoza Bruzia dhe Kleves Bejtaj. Prokuroria e Tiranës ka depozituar për gjykim në Gjykatën e Tiranës kërkesën ndaj 15 ish-zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Ndërkohë, ende po vijojnë hetimet për 4 të pandehurit e tjerë. Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të vjedhjes së 713 milionë lekëve, 15 ish-zyrtarët janë çuar në gjykatë me akuzën “Shpërdorim detyre” dhe që do të gjykohen nga gjyqtari Martin Deda.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency