Xhejn Er

0
159

Charlotte Bronte

ingre-s-violin-1924 Man RayIshte e pamundur të shëtisje atë ditë. Në mëngjes ishim endur një orë nëpër shkurrnajat pa gjethe, por pas darke (kur nuk kishte të ftuar, Zonja Rid darkonte herët) era e ftohtë e dimrit kishte sjellë me vete re aq të zymta dhe një shi aq shpues, sa tanimë as që bëhej fjalë për të dalë përsëri jashtë.

Kjo më gëzonte. Kurrë nuk më kishin pëlqyer shëtitjet e gjata, sidomos pasditeve të ftohta; më tmerronte kthimi në shtëpi në mugëtirën e ftohtë, me duar e këmbë të mpira, me zemrën të trishtuar nga qortimet e dados Besi dhe e poshtëruar nga vetëdija e inferioritetit tim fizik krahasuar me Elizën, Xhonin dhe Xhorxhiana Ridin.

Eliza, Xhoni dhe Xhorxhiana ishin mbledhur tashmë rreth mëmës së tyre në sallon; ajo ishte mbështetur në një divan pranë vatrës, rrethuar nga të dashurit e vet (që hëpërhë, as nuk po grindeshin, as nuk po qanin) dhe dukej mjaft e lumtur. Mua nuk më kishte lënë t’i bashkohesha grupit duke thënë se i vinte keq që ishte e detyruar të më mbante larg, por derisa të dëgjonte prej Besit, si dhe të zbulonte nga vëzhgimet e veta se unë po përpiqesha me shpirt të fitoja një natyrë më të shoqërueshme dhe më fëmijërore, një sjellje më të hijshme dhe më gazmore – diçka më të hapur, më të sinqertë, më të natyrshme, si të thuash – duhej të më përjashtonte me të vërtetë nga privilegjet e taksura vetëm për fëmijë të kënaqur e të lumtur.

– Çfarë paskam bërë sipas Besit? – e pyeta.

– Xhejn, nuk më pëlqejnë grindavecët apo ata që të mërzisin me pyetje. Veç kësaj, është vërtet e tmerrshme që një fëmijë t’u flasë kështu më të rriturve. Ulu diku dhe mos e hap më gojën deri sa të flasësh si duhet.

Hyra në heshtje në dhomën e bukës që lidhej me sallonin. Aty kishte një raft librash dhe unë mora një vëllim duke u kujdesur që të përmbante figura. Hipa mbi shtalkën e dritares, u ula këmbëkryq si turqit dhe pasi tërhoqa perden prej damasku të kuq, u mbylla në një veçim të dyfishtë.

Palat e perdes ngjyrë alle ma fshihnin pamjen më të djathtë, ndërsa më të mëngjër qelqet e tejdukshme të dritares më mbronin, por nuk më ndanin, nga dita e zymtë e nëntorit. Herë pas here, teksa shfletoja faqet e librit, studioja pamjen e asaj pasditeje dimri. Në largësi shquhej një boshllëk i zbehtë mjegulle dhe resh; në afërsi, pamja e një lëndine të lagësht, një shkorreti fshikulluar nga stuhia dhe shiu i furishëm pasuar nga shkulmat e gjata dhe vajtimtare të erës.

Iu ktheva librit tim “Historia e shpendëve në Angli” shkruar nga Bjuiku, teksti i të cilit përgjithësisht nuk më interesonte, por megjithatë, ishin disa faqe hyrëse që ndonëse isha fëmijë, nuk mund t’i lija pa i parë. Ishin faqet që flisnin për strofkat e shpendëve të detit, për “shkëmbinjtë dhe kepat vetmitarë” që populloheshin vetëm prej tyre, për brigjet e Norvegjisë stërpikur me ishuj që prej skajeve të saj jugore, Lindenesit apo Nazit, deri në Kepin e Veriut: “Aty ku Oqeani Arktik me shtjellat e tij të mëdha, shkulmon rreth ishujve të zhveshur melankolikë të Tulës së largët dhe tallazet atlantike derdhen mes Hebrideve të stuhishme”.

Nuk mund të lija mënjanë as përshkrimet e brigjeve të zhveshura të Laponisë, Siberisë, Spicbergenit, Zemblës së Re, Islandës dhe Groenlandës me “hapësirën e gjerë të Zonës Arktike dhe ato vise të braktisura që shtrihen trishtueshëm, atë rezervuar ngrice dhe dëbore ku fusha të ngurta akulli, grumbulluar ndër dimra shekullorë, veshin me akuj lartësitë alpine, rrethojnë polin dhe përqendrojnë gjithë ashpërsinë e të ftohtit ekstrem”. Unë kisha krijuar mendimin tim për këto mbretëri të bardha si vdekja, një mendim të turbullt, si gjithë nocionet e kuptuara përgjysmë që pluskojnë vagët në trutë e fëmijëve, por çuditërisht mbresëlënës. Fjalët e atyre faqeve hyrëse lidheshin me skicat pasuese duke i dhënë kuptim shkëmbit që ngrihej i vetmuar në një det tallazi dhe spërkash, varkës së thyer që kishte ngecur në një breg të shkretë, hënës së ftohtë dhe të kobshme që vështronte përmes brezave të reve një anije që po mbytej.

Nuk mund të them se çfarë ndjesish faniteshin në varrezën e qetë vetmitare, me gurët e gdhendur të varrit, me portën e saj, dy pemët, horizontin e ulët të rrethuar me një mur të shembur dhe hënën e re që dëshmonte orën e mbrëmjes.

Dy anijet që kishin ngecur në detin e qetë më dukeshin si fantazma detare.

Figurën ku djalli gozhdonte thesin prapa shpinës së hajdutit e kalova shpejt; për mua ishte një objekt tmerri, ashtu siç ishte edhe krijesa e zezë brinare ulur mbi shkëmb, që vështronte një turmë të largët mbledhur rreth një trekëmbëshi.

Çdo figurë tregonte një histori, shpesh të mistershme për njohuritë e pazhvilluara dhe ndjenjat e mia të papërkryera, por gjithnjë mjaft interesante; po aq interesante sa dhe rrëfenjat që tregonte ndonjëherë Besi mbrëmjeve të dimrit, kur qëllonte të ishte me të mira dhe kur, pasi kishte sjellë tryezën e hekurosjes ndanë vatrës në dhomën e fëmijëve, na lejonte të uleshim rreth saj dhe teksa ndreqte jakëzat me dantella dhe mblidhte këndet e skufjeve të natës së zonjës Rid, ushqente vëmendjen tonë të etur me pasazhe dashurie dhe aventurash të marra nga përralla dhe balada të vjetra apo (siç zbulova më vonë) nga faqet e “Pamelës” dhe “Henri, Konti i Morlendit”.

Kështu pra, me Bjuikun mbi gjunjë isha e lumtur, të paktën sipas mendjes sime. Nuk i trembesha veçse ndërprerjes, që nuk vonoi shumë. Dera e dhomës së bukës u hap.

– Oh! Zonja Turivarur! – thirri zëri i Xhon Ridit dhe pastaj heshti ngase iu duk se dhoma ishte bosh. – Ku dreqin është kjo! – vazhdoi. – Lizi, Xhorxhi, – u thirri të motrave, – Xhejni nuk është këtu, thojini mamasë që kafsha e keqe ka dalë jashtë nëpër shi.

Bëra mirë që e mbylla perden, mendova unë dhe dëshirova me gjithë shpirt të mos e zbulonte vendin ku isha fshehur. Xhon Ridi nuk do ta kishte gjetur dot vetë vendin, se nuk ishte i shpejtë as në vështrim, as në mendim, por Eliza futi kokën në derë dhe tha menjëherë:

– Me siguri është ulur pranë dritares, Xhek.

Unë dola sakaq, ngase më ngjethte mendimi se Xheku i sapopërmendur mund të më nxirrte zvarrë.

– Çfarë do? – e pyeta me droje të ngathët.

– Thuaj: “Çfarë do, master Rid”, – erdhi përgjigja. – Dua të vish këtu, – tha dhe pasi u ul në një kolltuk, më bëri shenjë t’i afrohesha dhe të zija vend para tij.

Xhon Ridi ishte një shkollar katërmbëdhjetëvjeçar, katër vjet më i madh se unë, që nuk isha veçse dhjetë vjeçe. Ishte i trupmadh dhe i fuqishëm për moshën e tij, me një lëkurë të zbehtë dhe të pashëndetshme; tipare të trasha në një fytyrë të gjerë, gjymtyrë të rënda dhe anësi të mëdha. E kishte zakon të hante me babëzi në tryezë, çka i jepte një ngjyrim të sëmurë, sy të turbullt dhe të mjegulluar dhe faqe të flashkëta. Në atë kohë duhej të ishte në kolegj, por e ëma e kishte marrë në shtëpi për nja dy muaj, “për shkak të shëndetit të tij delikat”. Mësuesi, zoti Majls, thoshte se Xhoni do të ndihej shumë mirë po t’i dërgonin më pak kekra dhe ëmbëlsira nga shtëpia, por zemra e mëmës nuk e kishte pranuar një mendim aq të vrazhdë dhe kishte parapëlqyer idenë më të rafinuar se verdhësia në fytyrë i vinte nga ngarkesa e madhe dhe ndoshta nga malli për shtëpinë.

Xhoni nuk kishte ndonjë dashuri të madhe për të ëmën dhe motrat, ndërsa për mua kishte antipati. Ai më mujshonte dhe më ndëshkonte, jo dy apo tri herë në javë, jo një apo dy herë në ditë, por vazhdimisht; çdo nerv imi trembej prej tij dhe çdo copëz mishi në kockat e mia tkurrej kur më avitej. Kishte çaste që çoroditesha nga tmerri që më ngjallte, ngase nuk kisha kujt t’i ankohesha për kërcënimet dhe mundimet që më shkaktonte. Shërbëtorëve nuk u pëlqente ta ofendonin zotërinë e tyre të ri duke marrë anën time kundër tij, ndërsa zonja Rid ishte e verbër dhe e shurdhër ndaj kësaj çështjeje, ajo nuk e kishte parë kurrë të më godiste, nuk e kishte dëgjuar kurrë të më shante, ndonëse këto ai i bënte herë pas here në prani të saj, por më shpesh, pas shpinës së saj.

E mësuar t’i bindesha, iu afrova karriges së Xhonit. Për tri minuta resht më nxori gjuhën duke e zgjatur sa mundi; e dija që së shpejti do të më godiste dhe duke iu trembur goditjes, vështroja me vëmendje fytyrën e tij të neveritshme dhe të shëmtuar për të kuptuar se kur do ta bënte. Ndoshta ma lexoi atë mendim në fytyrë, ngase krejt papritur dhe pa folur, më goditi befasisht dhe me forcë. M’u morën këmbët dhe pasi rifitova ekuilibrin, u zmbrapsa nja dy hapa nga karrigia e tij.

– Kjo ishte për pamaturinë me të cilën iu përgjigje mëmës pak më parë, – tha ai, – për zakonin që ke për t’u fshehur tinëzisht pas perdeve dhe për vështrimin që kishe në sy para dy minutash, horre!

E mësuar me sharjet e Xhon Ridit, nuk më shkoi ndërmend t’i përgjigjesha; mendjen e kisha si të duroja goditjen që me siguri do të pasonte fyerjen.

– Çfarë po bëje prapa perdes? – më pyeti.

– Po lexoja.

– Ma trego librin.

U ktheva te dritarja dhe mora librin.

– Ti nuk ke punë të marrësh librat tanë; ti je barrë për ne, thotë mëma; ti nuk ke pará, se yt atë nuk të la asgjë; ti duhet të lypësh dhe jo të jetosh këtu me fëmijë xhentëlmenësh si puna jonë, të hash të njëjtat vakte si ne dhe të veshësh rroba me shpenzimet e mëmës. Tani ta tregoj unë ty si të rrëmosh në raftet e mia, se ato janë miat, e gjithë shtëpia më përket apo do të më përkasë mua pas disa vitesh. Shko rri te dera, larg pasqyrës dhe dritareve.

U binda, pa e kuptuar që në fillim se çfarë synimi kishte, por kur e pashë të ngrinte librin, ta drejtpeshonte dhe të bëhej gati të ma flakte sipër, kërceva instinktivisht anash me një britmë alarmi, por gjithsesi, jo aq shpejt sa duhej; vëllimi fluturoi, më goditi dhe unë rashë duke përplasur dhe çarë kokën pas derës. E çara rrodhi gjak dhe dhimbja ishte e mprehtë, por tmerri im ishte fashitur për t’ia lënë vendin të tjera ndjenjave.

– Djalë i lig dhe mizor! – thashë. – Ti je si vrasës, si tregtar skllevërish, si perandorët romakë!

Kisha lexuar “Historia e Romës” nga Goldsmithi dhe kisha krijuar mendimin tim për Neronin dhe Kaligulën me shokë. Kisha hequr gjithashtu paralele në heshtje, që nuk mendoja se do t’i thosha ndonjëherë me zë të lartë.

– Çfarë! Çfarë! – thirri ai. – Si më quajti? Eliza dhe Xhorxhiana, e dëgjuat? Do t’i them mëmës, por më parë …

M’u turr me vrull dhe ndjeva që më mbërtheu nga flokët dhe supi, por kishte sulmuar një krijesë të dëshpëruar. Unë shihja vërtet tek ai një tiran, një vrasës. Ndjeva nja dy pika gjaku që më rrodhën nga koka nëpër qafë dhe një dhimbje të mprehtë; atë çast këto ndjesi mbizotëruan mbi frikën dhe unë iu sula si e xhindosur. Nuk më kujtohet mirë si i përdora duart, por ai thërriste: “Horre! Horre!” dhe ulërinte me të madhe. Ndihma nuk vonoi. Eliza dhe Xhorxhiana vrapuan te zonja Rid, që ishte ngjitur lart. Ajo mbërriti e ndjekur nga Besi dhe shërbëtorja e saj, Aboti. Na ndanë dhe unë dëgjova fjalët:

– O Zot! O Zot! Ti sulesh kështu master Xhonit!

– Keni parë ndonjëherë tërbim të tillë!

Pastaj foli zonja Rid.

– Çojeni në dhomën e kuqe dhe kyçeni aty.

Katër duar më mbërthyen menjëherë dhe më çuan lart.

(Fragment nga romani “Xhejn Er”, botimet “Pegi”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency