Ngjarja makabre në Gjirokastër/ Djali me nusen vret nënën, bashkëshortët zbulohen 15 ditë pas vdekjes

0
131

Alma Çuka

policia gjirokaster Dy vëllezërit dyshohet se vranë nënën e tyre të moshuar dhe më pas korruptuan infermieren, duke e raportuar si vdekje natyrale. Policia arreston të dyshuarit dhe bashkëpunëtoren

 Vrasje makabre në Gjirokastër. Djali në bashkëpunim me bashkëshorten vret nënën e moshuar dhe më pas e raporton si vdekje natyrale. Vdekje tragjike për një nënë, e cila rrit fëmijën dhe më pas detyrohet nga nusja t’i japë fund jetës, duke u varur në litar. Lajmi tronditës konfirmohet nga Policia e Shtetit, e cila është vënë në alarm menjëherë pas denoncimit të vajzës së viktimës. Policia e Gjirokastrës ka dhënë me hollësi gjithë skenën makabre të krimit. Po kështu janë dhënë detaje edhe për mënyrën se si ka vepruar djali i viktimës së bashku me bashkëshorten e tij për të mbuluar ngjarjen dhe për ta deklaruar atë si vdekje natyrale, duke shfrytëzuar moshën e madhe të nënës së tij.

 

Ngjarja

Policia njofton se 92-vjeçarja është raportuar e vdekur në dhjetë tetor. Pikërisht në këtë ditë, djali i viktimës, Sharaf Aliko, 66 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Donika Aliko, 59 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë njoftuar të afërmit për ndarjen nga jeta të nënës së tyre të dashur. Gjithçka atë ditë ka kaluar sipas zakoneve. Viktima është përcjellë për në banesën e fundit. Miqësia është shpërndarë. Dy ditë më vonë, pra në 12 tetor, Sharaf Aliko ka vajtur në spitalin rajonal dhe ka kërkuar nga mjeku i rojës çregjistrimin e nënës, duke deklaruar vdekjen e saj për shkaqe natyrale dhe si pasojë e moshës së madhe. Policia shprehet se mjeku i rojës me inicialet E. H. ka besuar tek deklarimi i djalit të dyshuar për vrasje dhe ka bërë çregjistrimin e 92-vjeçares. Në kartelë policia ka zbuluar se vdekja është shënuar për shkaqe natyrale. Por historia nuk përfundon këtu. Kur kishin kaluar disa ditë nga ngjarja e rëndë, autori i vrasjes së nënës i tregon motrës së tij për gjithçka kishte ndodhur.

 

Rrëfimi i djalit

Sharaf Aliko i tregon motrës së tij se nëna nuk kishte vdekur nga shkaqe natyrale, por ajo, sipas tij, kishte varur veten. Tragjedia këtu është bërë edhe më e madhe. Vëllai i ka shpjeguar motrës se nuk kishte qenë në banesë kur nëna kishte varur veten dhe se një gjë të tillë e kishte mësuar nga bashkëshortja e tij. Motra, sipas policisë, ka dyshuar për rrëfimet e vëllait të tij dhe i ka kërkuar atij të thotë të vërtetën për nënën, duke kërkuar llogari edhe nga bashkëshortja, e cila pretendonte se nuk kishte dijeni për sa kishte ndodhur në banesën e saj. Pas shumë debatesh në familje, vajza e viktimës i drejtohet policisë së Gjirokastrës. Ndërsa nuk gjeti gjuhën dhe mirëkuptimin e vëllait, i cili i kërkoi motrës të heshtte për vdekjen e nënës, duke u mbrojtur me moshën e saj të madhe, vajza denoncoi në polici vëllain dhe bashkëshorten e tij. Gjatë ballafaqimit në polici, djali i viktimës është shprehur se e ka gjetur nënën të varur në litar dhe se ai nuk kishte asnjë dijeni për këtë fakt. Por vajza e viktimës dhe motra e tij ka këmbëngulur në dyshimet e saj. Ajo i ka treguar policisë se bashkëshortja e vëllait të saj nuk ka pasur marrëdhënie të mira me nënën, duke e akuzuar direkt për shtytje në vetëvrasje.

 

Zhvarrimi

Denoncimi i vajzës së familjes detyroi policinë e Gjirokastrës të niste menjëherë hetimet. Pas dyshimeve se e moshuara ishte varur nga nusja e djalit, u vendos zhvarrimi i kufomës. Nga këqyrja e kufomës rezultoi se në pjesën e qafës kishte shenja të theksuara të litarit, gjë që vërtetonte dyshimet e vajzës se ndaj të moshuarës ishte kryer një akt makabër. Ajo ishte varur me litar dhe më pas ishte deklaruar se kishte vdekur nga shkaqe natyrale. Policia e Gjirokastrës deklaroi se po heton në mënyrë intensive për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Sipas saj, Policia Shkencore është duke kryer aktin e ekspertimit mjekoligjor, i cili do të përcaktojë me qartë shkaqet e vdekjes. Burime nga Policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se rezultatet e aktit të ekspertimit dalin pas tri ditësh. Ndërkohë, bashkëshortët Aliko ndodhen në gjendje arresti që prej mbrëmjes së të dielës. Çifti i bashkëshortëve pritet të dalë sot para Gjykatës së Gjirokastrës për t’u njohur me masën e arrestit personal. Ndërkohë, policia bën me dije se ka në dorë të gjitha provat që fajësojnë të dyshuarit për këtë ngjarje të rëndë në familje. Në rast se vërtetohen dyshimet e vajzës për vrasje me paramendim të nënës së tyre, bashkëshortët rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm. Kjo, pas ndryshimeve të fundit të Kodit Penal, ku krimi në familje hetohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda dhe dënimi për një krim në familje shkon nga 35 deri në burgim të përjetshëm.

 

Mashtronte me shitjet e banesave, procedohet administratori

Policia e kryeqytetit ka nisur dy ditë parë procedim penal në gjendje të lirë për një 51-vjeçar me inicialet I. J., administrator i një kompanie private, për mashtrim me shitjet e shtëpive. Sipas policisë, shtetasi i lartpërmendur në mënyrë të vazhdueshme mashtronte qytetarët në shtijën e banesave. Një banesë ai e shiste dy herë, duke falsifikuar dokumentet, ndërsa më pas zhdukej pa lënë gjurmë. Procedimi ndaj tij është bërë nga dy qytetarë të cilët kanë rënë pre e mashtrimit. Dyshohet se 51-vjeçari në vitin 2008, me anë të mashtrimit, i ka vjedhur 35.000 euro R. Z., 50 vjeç, banues në Tiranë, për blerjen e një apartamenti. Me të njëjtën skemë ai dyshohet se i ka vjedhur 42.000 euro shtetasit I. T., 71 vjeç. Dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërkohë që në këtë institucion ka edhe raste të tjera ku administrator të firmave të ndërtimit akuzohen për mashtrime në shitjen e shtëpive më shumë se dy herë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency