Apeli në UEFA/ Serbia do riluajtjen e ndeshjes pa tifozë, Shqipëria kërkon tre pikëshin

0
128

Jurges Veizaj

 Në betejën ligjore midis dy federative, të dy krahët kanë synimet e tyre. Kuqezinjtë kanë si qëllim kryesor që të arrijnë të rikthejnë vendimin e ndeshjes, kurse serbët i kanë hedhur sytë nga përsëritja e ndeshjes pas tifozë

 trazirat serbiVorbulla e madhe në të cilën janë përfshirë Federata Serbe dhe Shqiptare vazhdon. Një telenovelë, e cila tani si skenë ka Apelin, që do të hedhë poshtë pretendimet e UEFA-s apo do të vazhdojë në të njëjtën linjë. Të dyja federatat kanë përgatitur dosjet e tyre, të cila do të paraqesin pranë Gjykatës së Arbitrazhit, duke shprehur edhe pretendimet e tyre. Nga njëra anë, Federata Shqiptare tashmë është duke hartuar strategjinë e saj. Artan Hajdari u shpreh se pas zbardhjes së argumentimit të vendimit do të ndërtohet edhe strategjia e mbrojtjes në Apel. Federata Shqiptare e Futbollit është ende në pritje të argumentimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, në bazë të të cilit Shqipëria e humbet ndeshjen me Serbinë në tavolinë si dhe gjobitet me 100 mijë euro, për të marrë më pas hapat e nevojshëm për plotësimin e dosjes që do t’i paraqitet Komisionit të Apelit. Artan Hajdari, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF si dhe përfaqësuesi kryesor i studios ligjore që mbron interesat e qeverisë se futbollit në vend, sqaron se vetëm pas zbardhjes së argumentimit të vendimit do të ndërtohet edhe strategjia e mbrojtjes në Apel. “Ditën e premte, me anë të studios sonë të avokatisë me qendër në Gjenevë, kemi dërguar kërkesën qoftë me email e qoftë me faks. Presim që të vijë vendimi i arsyetuar. Mendoj që provat që kemi paraqitur janë shumë të forta, megjithatë në varësi të argumenteve që do të ketë në vendimin e arsyetuar, do të hartojmë strategjinë tonë. Ne në çdo rast duam tri pikët në tavolinë”. Pavarësisht nga paragjykimet që ekzistojnë për vendimin që mund të marrë Apeli, si një komision pranë UEFA-s, Hajdari sqaron se ka më shumë hapësira që në këtë institucion, Shqipëria të marrë fitoren në tavolinë. “Komisioni i Apelit mund të them që mund të ketë ndikim, por unë nuk dua të besoj, sepse janë profesionistë ata që punojnë atje. Duke qenë se është një shkallë e dytë, që bën edhe dëgjimin e palëve, mendoj se ajo që quhet indipendencë të rritet dhe vendimi të jetë sa më afër të vërtetës. Ne e kemi artikuluar se beteja jonë ligjore do të vijojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit”. Për sa i përket ndikimit të mundshëm të lobimit politik, Hajdari dha këtë koment. “Vendimet juridike duhet të merren larg ndikimit politik. Gjithsesi, unë mendoj se FSHF ka bërë gjithçka edhe për sa i përket lobingut, duke qenë se çështja mori ngjyra politike”. Kurse nga krahu tjetër serbët e kanë harruar argumentin e provokimit dhe se kanë qenë ata të dhunuarit, duke pranuar edhe kështu në mënyrë indirekte që ishin lojtarët kuqezinj ata që u prekën nga huliganët. Tashmë mendohet se synimi i Federatës Serbe në Apel është që të ketë edhe një herë mundësinë të riluajë ndeshjen, pa tifozë. Një favorizim i madh që mund t’u bëhej serbëve, të cilët, edhe pse treguan paaftësi në organizim, të marrin dhuratë riluajtjen e ndeshjes. Lajmin për synimin e palës serbe e bëri të ditur zv.presidenti i FSS, Goran Milanoviç, i cili në një intervistë për mediat e vendit të tij theksoi se Serbia ka mbetur e pakënaqur nga vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s. Kështu, pala e tyre do të kërkojë në Apel riluajtjen e takimit, nga minuta e 41-të, kur ajo u ndërpre, në një fushë asnjanëse dhe pa tifozë. Por kjo nuk do të jetë e vetmja kërkesë e Federatës Serbe, pasi sipas Milanoviçit, ata do t’i kërkojnë qeverisë së futbollit evropian edhe luajtjen e ndeshjet të kthimit në Shqipëri pa tifozë. Milanoviç pranoi në mënyrë indirekte se ndaj futbollistëve shqiptarë është ushtruar dhunë, teksa u shpreh se nuk është normale që takimi i tetorit të vitit të ardhshëm të luhet me tifozë dhe futbollistët serbë të përjetojnë sërish ato momente si në sfidën e Beogradit, që nuk i shkonin për shtat një stadium që është ekzemplar për këto skena në futbollin evropian.

 

Presidenti i Partizanit të Beogradit fajëson Federatën Serbe për ngjarjet

Një ndër personazhet më të rëndësishme të futbollit serb ka dalë hapur duke bërë përgjegjëse Federatën Serbe të Futbollit për ngjarjet e stadiumit të Beogradit. Presidenti i Partizanit të Beogradit, Dragan Djuriç, i njohur si një nga kundërshtarët më të fortë kreut të qeverisë së futbollit serb, Karaxhiç, sulmoi autoritetet e sigurisë për lejimin e huliganëve në stadium, por edhe për injorimin e paralajmërimeve për dhunë. Sipas bosit të ekipit të Partizanit të Beogradit, fajin kryesor për incidentet që çuan deri në ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri në minutën e 41-të, në dhunë ndaj kuqezinjve, kore raciste, injorim e vërshëllim të himnit kombëtar shqiptar etj. e kanë autoritetet serbe. Djuriç shprehet se organizatorët e kësaj ndeshjeje nuk bënë asgjë për të parandaluar hyrjen në fushën e lojës të huliganëve, të cilët shkaktuan edhe trazirat që bënë xhiron e botës. “Ky është një vendim jashtëzakonisht i njëanshëm nga UEFA, por autoritetet shtetërore duhet të kuptojnë se përse është arritur në këtë konkluzion. Autoritetet serbe duhet t’i thonë publikut serb pse u lejuan ata 100 tifozë të dehur të bënin ç’të donin dhe të prishnin ndeshjen? Pse u lejua një ultras, i cili doli edhe në stadiumin e Xhenovës dhe u shfaq në fushë ndaj Shqipërisë? Mos vallë donit edhe një “Heysel” serb (tragjedia në stadiumin belg, më 29 maj 1985, gjatë ndeshjes mes Juventusit dhe Liverpulit, ku u vranë 39 tifozë dhe u plagosën rreth 600 të tjerë)? Dikush donte që të ndodhte gjakderdhje, siç donin ata në Xhenova. Dhe krijuesit janë të njëjtët”, – pohon Djuriç për mediat serbe, duke pasur parasysh djegien e flamurit shqiptar nga huligani Ivan Bogdanov. Ai shton se komisioneri i sigurisë në Federatën Serbe të Futbollit kishte paralajmëruar në mënyrë të qartë për këtë skenar. Një koment ky që nxjerr hapur edhe më shumë përgjegjësinë e Federatës Serbe që si për të mbuluar fajin bëri një lobim shumë të madh në të gjitha mediat për t’u ushtuar presion edhe mbi UEFA-n.

 

 Evra mungon një muaj

Ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid, Patris Evra, nuk do të paraqitet në fushë rreth një muaj, si pasojë e lëndimit. Francezi nuk luajti në ndeshjen e të dielës ndaj Palermos, pasi ishte lënduar paraprakisht në stërvitje. Dhe pas testeve mjekësore është kuptuar se ai nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjet e radhës, sidomos në atë ndaj Olimpiakosit në Ligën e Kampioneve dhe ndaj Lacios në Serinë A. “Patris Evra nuk ishte pjesë e ekipit si pasojë e lëndimit që mori javën e kaluar. Francezi iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore më herët gjatë ditës, të cilat treguan një dëmtim në muskulin e këmbës ndërsa është caktuar të kthehet pas 30 ditësh”, – shkruhej në deklaratën e klubit torinez.

 

Suarez: Nuk jam racist

Luis Suarez thotë se atë nuk e ka problem kur e quajnë një person që “kafshën dhe mashtron”, por thotë se i dhemb shumë kur e quajnë racist. Ish-lojtari i Liverpulit u përjashtua tetë ndeshje në vitin 2011, për shkak se u akuzua se kishte ofenduar në baza racore mbrojtësin e Mançester Junajtidit,, Patris Evra, kur ishte te Liverpuli. Ai më pas kafshoi Branislav Ivanoviçin në vitin 2013, derisa verën e kaluar të njëjtën gjë bëri me Xhorxho Kielinin. “Më quani njeri që kafshon ose që shtiret, por nuk jam racist. Jam përjashtuar për tetë ndeshje dhe, më e keqja, u quajta racist për jetë. Është një akuzë serioze. Kjo dhemb, për shkak të mënyrës se si më prek mua, dhemb për shkak se edhe gruaja ime duhej të vuante gjatë dëgjimit, duke më parë të akuzohem për diçka të cilën ajo e di se nuk jam dhe kjo dhemb pasi në të ardhmen kjo do të jetë aty kur fëmijët e mi të rriten. Është shpifje në emrin tim, të cilën askush nuk mund ta largojë. A përdora fjalën spanjolle ‘negro’ kur u fjalosa me Patris Evranë më 15 tetor 2011 në ndeshjen në mes të Liverpulin dhe Mançester Junajtid? Po. A është fjala ‘negro’ e njëjta në spanjisht, siç është në anglisht? Jo, absolutisht jo. A jam racist? Jo, absolutisht, jo”, – ka thënë Suarez për “The Guardian”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency