Reagimi/ Basha: Kush dhunon jetën dhe pronën e qytetarëve do përgjigjet penalisht

0
141

Gëzim Saliu

“Qeveria e oligarkëve Rama-Meta po shkel standardet e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut”

Lulzim Basha konferenceKryetari i Partisë Demokratike Basha akuzon kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta se po dhunojnë standardet e shtetit demokratik si edhe të drejtat themelore të njeriut. Përmes një deklarate mbrëmë nga selia blu, pas kthimit nga samiti i PPE-vë në Bruksel, kryedemokrati tha se kreu i qeverisë po hakmerret ndaj qytetarëve që kanë denoncuar korrupsionin, duke theksuar se qeveria po shkatërron pronat e qytetarëve të ndershëm.  “Pikërisht këtë fundjavë disa nga qytetarët e Republikës sonë, qytetarë të thjeshtë me halle shumë, sipërmarrës të ndershëm, e të tjerë, janë shoqëruar në komisariate, janë arrestuar, janë vënë në pranga pa vendim prokurorie e gjykate, si në ditët më të errëta të shtetit policor komunist. Nën petkun e reformës së administratës publike, nën alibinë e prishjeve të ndërtimeve pa leje, me pretendimin demagogjik se gjoja po bën shtet, Edi Rama po hakmarret ndaj cdo individi që ka denoncuar korrupsionin dhe pazaret e tij si ish-krybashkiak deri dje, dhe si kryeministër sot. Të frymëzuar e orkestruar prej tij, Policia e Shtetit, INUK, policia tatimore, drejtorët e administratës publike dhe institucioneve shtetërore po shkelin arbitrarisht dhe po dhunojnë në mënyrë flagrante Kushtetutën, ligjet e vendit dhe të drejtat themelore të qytetarëve të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës, në Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, theksoi Basha.

 

Deklarata

Sipas kreut të PD-së, qeveria përmes instrumentave të saj po dhunon dhe kërcënon biznesin, sipërmarrjen dhe median e lirë me gjoba marramendëse dhe mbyllje të aktiviteteve. Në këtë kontekst, Basha bëri të ditur se Partia Demokratike do vazhdojë të denoncojë pseudozyrtarët që shkelin ligjin dhe shkatërrojnë pronat e qytetarëve. “Kanë larguar nga puna dhe po hedhin në rrugë të madhe përditë, në kundërshtim me ligjin e nëpunësit civil, profesionistë të administratës shtetërore për t’i zëvendësuar me klientelë të pushtetit. Qeverisë Rama-Meta mund t’u interesojne shumë gjera, por nuk i intereson as sa fija e flokut, ajo që përbën vetë arsyen e qeverisjes: halli i qytetarit, halli i individit, halli i familjeve. Me një cinizëm dhe paturpësi të skajshme, kjo qeveri po shkarkon mbi kurrizin e qytetareve në nevojë dhe mbarë qytetarëve të ndershëm barrën e stërmadhe njeqindmilion dollarëshe të dështimit të saj të stërmadh në menaxhimin e CEZ-it”, tha Basha, duke shtuar se kreu i qeverisë është përgjegjësi numër një për humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike. “U ka varur ujqërve të tij mëlcitë ne qafë dhe tani shkon dhe ua këkron qytetarëve. Mbi dy milionë shqiptarë po varfërohen përditë, po u merret fryma nga taksat e rritura, nga rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë, nga mungesa e shpresës për të ardhmen. Shumë prej bashkqytetarëve tanë ndihen sot në vështirësi për bukën e gojës. Situata është shumë e rëndë, por jo pa shpresë. Shpresa është kurdoherë në duart tona. Qytetarëve të dhunuar në të drejtat e tyre dhe të mashtruar në shpresat e tyre nga kjo qeveri, u shpreh sot solidaritetin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare në përballimin e vështirësive që po kaloni, mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithanshme në përballjen dhe betejën tuaj të drejtë kundër së keqes dhe abuzimit qeveritar ndaj jush”. Në emër të PD-së, kreu i opozitës premtoi se do të denoncojë të gjithë ata pseudozyrtarë, taksidarë dhe sekserë që guxojnë të shkelin ligjin dhe që abuzojnë me të drejtat e qytetarëve. “Të mos gënjejë mendja askënd! Të gjithë ata që dhunojnë dhe abuzojnë me jetën, dinjitetin dhe pronën e qytetarëve shqiptarë, të gjithë ata që kanë shkelur dhe po shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, nuk do të amnistohen kurrë dhe do të mbajnë përgjegjësi të plotë penale, morale dhe qytetare! Partia Demokratike nuk do të lejojë askënd të dhunojë jetën, lirinë dhe pronën e shqiptarëve, pa marrë dënimin e merituar. Shteti demokratik nuk vendoset por vetëm shkatërrohet duke shkelur liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Shteti demokratik forcohet duke dënuar pa kompromis, sic e kërkon ligji, shkelësit e lirive dhe të drejtave të qytetarëve”, u shpreh Basha, duke i kërkuar mazhorancës qeverisëse t’i përmbahet rigorozisht Kushtetutës dhe ligjit dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

 

Pakësimi i kuotave për master/ PD: Studentët po ngrihen. MAS: Kuotat dhe tarifat në përputhje me kërkesat e universiteteve

Partia Demokratike dënoi dje masat e qeverisë që pakësojnë sipas saj kuotat e masterit dhe rrisin tarifën financiare, duke theksuar së do të dalë në krah të studentëve për të ndryshuar këtë situatë. “Në vend që të lehtësojë jetën e tyre akademike, Edi Rama po u bëhet studentëve barrë e papërballueshme duke ulur me 40 përqind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 përqind kuotat për masterat shkencorë. Po ashtu, vendimi që ai ka marrë për të paguar 30% të shumës që në momentin e parë të regjistrimit, është një tjetër shtrëngesë e papërballueshme për studentët. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt dhe i kërkon Edi Ramës ta kthejë mbrapsht menjëherë vendimin që ka marrë, të rikthejë kuotat e mëparshme dhe ta lehtësojë tarifën e tyre financiare. Ne i bëjmë thirrje studentëve të bashkohen e të kundërshtojnë këto masa represive të Edi Ramës. Ne përkrahim fuqimisht protestën e studentëve, dhe do të jemi me ta në cdo lëvizje që do të bëjnë për të fituar të drejtat që u takojnë. Por qytetarët po ngrihen. Studentët po ngrihen”, theksoi Partia Demokratike. Ndërkaq në reagimin e saj Ministria e Arsimit dhe Sportit theksoi se kuotat dhe tarifat janë vendosur në përputhje me kërkesat e universiteteve publike, duke qëndruar në krahun e studentëve.  “Ndarje mes politkbërjes me kuotat me lojë kungulleshkash dhe ndarjes së kuotave të bazuar në analizë profesionale që kujdeset dhe per mundësinë e të rinjve për t’u aftësuar.  MAS i ka vendosur kuotat dhe tarifat në përputhje me kërkesat e universiteteve publike duke qëndruar në krahun e studentëve, e duke miratuar kuota ne përputhje me kërkesat dhe tarifa ndjeshëm më të ulta se kërkesat. Po ashtu MAS i ka ciëlsuar të padrejta akuzat e PD- duke theksuar se për vitin akademik 2014-15 janë miratuar 6,393 kuota për Masterat Profesionalë, ndërkohë që një vit më parë janë regjistruar në total 5,559 studentë. “Në këtë shifër të fundit  përfshihen dhe jokaluesit që vijnë nga vitet e mëparshme e që janë një numër i konsiderueshëm.  Ndërsa për Masterin Shkencor këtë vit janë miratuar 6,547 kuota, ndërkohë rezulton se vitin e kaluar janë regjistruar në total 5,890 studentë ku edhe këtu janë bashkuar jokaluesit”, thuhej në deklaratën e MAS.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency