Kur harbuan rastësitë

0
120

Nga Elis Buba

redar steward serbi shqiperiA ka diplomaci në diplomaci?! A ka një logjikë të rregullt në arsyetimin mbi drejtësinë! Të jetë vallë e vërtetë që diplomacia është çështje lobingjesh, shifrash, krerësh dhe perdesh të ngurta ithtarësh të vegjël ruajalistë të hequr për liberalë? A thua të jetë Ballkani i paqtë, vetëm një mendim i bluar dikur nga dikush që i ka kursyer shpenzimet e shqisave në moçale leksionesh historike? Po lypet nga vendi ynë , nga zyrtarët tanë, të ndihen të lumtur nëse nuk e nxjerrin veten fajtor në ndonjë krim të pafalshëm! Kjo është absurde!

 

Konspiracioni që përjashton rastësitë

A thua Shqipëri – Serbi të ketë qenë vetëm një ndeshje futbolli?

Sa shëmtuar e shpifur i fshihen marrëzive duke u mburrur me paudhësitë dhe me plotë gojën komplotet e dënueshme. Nuk mund të ketë qenë një ndeshje futbolli. Nuk mundet kurrsesi të jetë ideuar si një ngjarje e zakonshme sportive. Dikush mund të thotë se kalamajtë veprojnë pa mend, e ata që veprojnë si kalamaj, janë po pa mend. Por a thua të jetë vërtet ky skenari. Më mirë u thyejmë brinjët shqipëtarëve se sa t’i lëmë të na mundim. Mendoj se jo. Fijet e mrekullueshme të koiçidencës, me gjithë mrekullinë e tyre nuk mund të sjellin mes fatalitetesh një seri ngjarjesh, që përvetësojnë frymën e taktit të ligjeve ndërkombëtare, brenda fare pak ditësh. Fill mbas teatrit të marionetave provokuese, në stadiumin e Beogradit, që me sa duket është vetëm kapitulli i parë, i dekretit të një sipërmarrje të dytë Milosheviçjane, me aprovim të vërtetuar Putinian tashmë, filloi banketi i ksenofobisë i mbrehur në qerren e parrudhës “Ndihemi të provokuar.”. Ndihemi të provokuar ndaj dhe në këtë pikë dhuna jonë është e justifikuar. Po dhuna para “provokimit”? Jo miq! Nëse ka vërtet diçka që të mëson jeta, është që të lexosh mes rreshtave. Jeta na mëson që në të ri, se disa duhet të punojnë vërtetë shumë, për të marrë një kothere për të ndryrë nevojat e ngutshme. Ndërsa disa të tjerë pretendojnë se bota i ka borxh gjithçka dhe të tjerët u kthejnë borxhe që nuk u takojnë, thjeshtë për tu mbushur mendjen që të rrijnë urtë. Kush na qenkan të parët dhe kush na qenkan të dytët? Të parët janë fillikat të vetëm dhe pa kurrfarë përkrahje. Të vendosur në binarë nga pasioni, aspiratat, talenti dhe aftësitë e tyre. Të dytët janë protezhetë e miqve të mëdhej, ata që të urojnë mirseardhjen në botën plotë përvojë të peripecive që duhet të kapërcejë i drejti drejt drejtësisë. Ata hedhin gurin e fshehin dorën. Fshihen mbas kryqit të ortodoksisë si përligjës i shejtanllëqeve të tyre të pafalshme. Reagimi i tyre zyrtar, lë të kuptosh shumë. E quajta teatër marionetash jo më kotë. Në atë stadium realisht dikush i tërhiqte fijet. Dikush realisht dëshironte që ngjarjet të shkonin saktësisht kështu. Sigurisht që ky dikush nuk ishte askush nga sportistët, që luajtën rolin e personazhit të dorës së dytë në një shfaqje me titull emrin e tyre.

Nëse marrim në analizë të gjitha elementet e teatrit që po na luhet pas shpine, mund t’i biem fare qartë në të se në ç’prolog, po kërkohet te dilet.

Kemi një ndeshje futbolli, për të cilën, për hir të së vërtetës, sportdashësit serbë u duk sikur nuk shfaqën ndonjë interes të jashtzakonshëm. Aq sa federata serbe pranoi të humbiste në vlerë monetare, duke ulur më shumë se një herë çmimin e biletave, në mënyrë që stadiumi të mbushej në kapacitet të plotë. Arsyeja pse sportdashësit druanin të ishin të pranishëm, qe shumë e thjeshtë. Ishin të vetëdijshëm edhe pse pjesërisht, se do të kishte trazira dhe këtë dieni e kanë shfaqur në mënyra të ndryshme edhe nëpër rrjetet sociale. Fakti që prania e përkrahësve të ekipit shqiptar do të qe minimale, për të mos thënë inekzistente, është një gafë e detyruar e FSHF-së. Flitet për një shifër që nuk i kalon 200 persona, të shtetësive të ndryshme, por normalisht të së njëjtës kombësie, gjithsesi jo të sjellë nga FSHF-ja. Vend pra kishte për plot 30 mijë serbë që mesa dukej ishin në një mendje në “çështjen delikate” të vrasjes së shqiptarëve deri tek i fundit, që të mos gjendej më gjurmë shqiptari. Kjo është pohuar me shkrim dhe me gojë. Në lidhje me këtë çështje delikate mesa duket nuk u është dashur të diskutojnë gjatë, kanë gjetur unanimitet të menjëhershëm.

 

Prania e dronit rastësi, apo dorë e dikujt që do të korrë diçka?

Me një vështrim të mprehtë dhe gjakftohtë në ç’do hap, mund të vetkuptohet që droni, nuk qe deseri i vërtetë i ndeshjes. Edhe pse garnizonë të pafundmë të opinionit dhe llaçbëries së politikës fqinje po përpiqen me të gjitha pafytyrsitë e mundshme, të nxjerra nga gremina e pafytyrësive shekullore, ta shesin si provokacion dashamirësinë tonë uloke, për të vajtur në stadium, pa gojë, veshë, sy identitet dhe simbole. Më konkretisht. Në organizim të këtij mishmashi gjenial, është kërkuar nga përfaqësuesit përkatës të federatës serbe, që të mos kishte prani tifozësh shqipëtar në stadium. Krejtësisht e papranueshme. Një çfardolloj shteti me vetrespekt, nuk duhet ta pranonte këtë. Por mjeshtrat e sportit tonë, me në krye Dukën e futbollit, fillimisht pranuan, duke u nënshtruar. Por sportdashësve shqipëtarë normalisht, ende nuk u ka zënë truri dhjam, ndaj dhe ju kërkua zyrtarisht federastës, nga klube të ndryshme tifozësh, që të siguronte minimalisht 1 mijë bileta. Me të mësuar këtë fakt pala serbe kërkoi që për të pranishmit të dorëzohej një listë emërore dhe numrat përkatës të pashaportave. Improvizime të shkalluara të ksenofobise shkel e shko, se paska rrugë! Tanët pohuan se një mundësi e tillë ishte e pamundur teknikisht, dhe pranuan mundësinë që fillimisht kishin refuzuar. Një ndeshje e ekipit kombëtar, pa tifozeri të kurrfarëlloji. Serbët e panë që delet e federatës sonë qenë fare të urta dhe shumë lehtë të gostitshme në dhjamin e tyre. Atëherë vendosën, frymëzuar nga shofinizmi in petto, që i karakterizonka ende çuditërisht, të recitojnë edhe një kërkesë të fundit në veshin e lavdishëm të gomerëve që nuk na dalin dotë për zot. Asnjë symbol shqipëtar nuk duhet të ekspozohet askund. Për qëllimin e tyre final, mund të gjykoni vetë, ofendimi me zor, si shpërblin i tolerancës fërgëlluese, që deri diku ndoshta edhe e kuptoj, por asesi nuk e justifikoj. Fqinjësia e mirë fitohet me respekt, jo me përulësi dhe frikë. Para atij që më shfaqet si armik, frika është ndjenja më antifisnike që mund të shplajë hesapet. Tanët pranuan gjithsesi. Opinioni u shkund, por jo sa në vendin fqinj. Ku që me marrjen vesh të shortit mes dy vendeve ballkanike, është brohoritur verbalisht, një propagandë anti- sportive, anti-politike, anti shqiptare. Mesa duket, media serbe, ka mbetur atje ku ka qenë para 40 e kusur vitesh media shqiptare. Tek imperializmi amerikan, europa plak, shembja e bllokadës…Përpjekje miope që quibuscumque viis të diskreditohej gjithçka shqipëtare. Në fund të marrjes në shqyrtim të vetëm disa parantezave të ngjitshme pas ballit të fakteve. Mund të pohoj me plotë gojës se atë flamur të nënës tonë, të atit tonë, të dheut tonë që e përzien e mbron simbolikisht me dashurinë e tij bujare, nga fëmijëria deri gur të varrin, shpirtin tonë, kurr nuk ka për ta penguar askush të valvitet. Kurrë! Atë simbolike dhe atdhedashuri e thithim me qumështin e nënës dhe s’e pështyjmë as me frymën e fundit, kur na del shpirti. As në atë gropë, shqipëria nuk del nga shqiptari. Është instikti fisnik i gjithë shqipëtarëve, të urojnë flamurtarin (…edhe pse nuk kemi të bëjmë me një flamur të mirfilltë) me disa fjalë që i kapërcejnë shekujt. Të qoftë hallall qumështi i nënës!

Asgjë e keqe nuk ka ndodhur, asnjë provokim, asnjë sharje, ofendim apo kërcënim. Ndeshja fare mirë mund të kishtë vijuar. Kemi asistuar edhe në ngjarje më të rënda nëpër stadiume dhe megjithatë ndeshja nuk është ndërprerë. Pse kjo frikë serbe nga flamuri i shqipërisë etnikë. Mos kini frikë nga shqiptarët. Ne nuk urrejmë askën, veç urrejtjes.

Prania e dronit në stadium, për këdo që nuk mund ta kuptojë, është vetëm një shprehje e hapur e liridashjes së popullit tonë. Ne nuk na pengon, imponon dhe detyron më asnjeri. Jemi të lirë kudo, brenda të drejtave tona, pa cënuar të drejtën e tjetrit. Shqiponjën e shqipes dhe shqipëtarit e lidh liria. Është e kapërcyer koha kur nën hyqmin e shkjaut dridhej foshnja në barkt të nënës. Asnjë foshnjë nuk është dridhur kurrë nën hyqmin e shqiptarit. Nuk presim urdhra nga ju, mbi simbolet tona, siç edhe nuk i japim për tuajat. Nëse ndeshja e radhës do të qe një invers emrash pra Shqipëri-Serbi, do të zhvillohej një ndeshje normale futbolli, me tifozeri të të dyja shteteve, në një atmosferë paksa më të ndezur se zakonisht presupozohet. Kjo për shkak të kompeticionit, që kthen në eshtrat ballkanase kazuistikën fëmijënore e jo për ndonjë urrejtje të mundshme patologjike. Pra shkurtimisht, asnjë platformë ose plan anti-serbë apo asnjë projekt për realizimin e Shqipërisë etnike, nuk është valvitur në atë stadium turpesh. Përveç vetëdijes kombëtare, që gjithnjë na është represuar e ndrydhur. Por mesa duket dora e dikujt, do të korrë diçka…

 

 

Shfrytëzimi politik i një turme…

…për të njësuar qëndrimin anti-shqipëtar të masave, me qëllim përmirësimin e pozitave elektorale.

Po sikur t’i ndodhte ekipit të serbisë e gjithe kjo?! Serbisë, kësaj dame të shquar për kryesimet e saj në sallonet mondane të influencave mbi vogëlsirat që vetëm rëndësia i mungon, por aspak pompoziteti, prezenca apo edhe interesi i përzier me pohime pseudonaive. Shembull konkret është edhe banderola me Shqipërinë etnike, nën flamurin shqiptar e në krahë dy nga figurat më të shqyara të kombit tonë. Që në rastin e një politike të qetë e normale e mbi të gjitha që nuk ka asgjë nga se të druhet, nuk i duhet dhënë kaq shumë rëndësi një simboli nga shteti fqinj. Për më tepër nuk ka pse të pretendohet me një këmbëngulje patetike, vëmendja ndërkombëtare. Ata 22 lojtarë u kërcënuan e rrezikuan jetën, ndërsa sot po luftohet nën rrogoz që për këtë rrezik ata të shpallen vetë fajtor. E ndoshta ja dalin qëllimit, ku i dihet. Por duhet theksuar diçka, për hir të retorikës, jo më sportive që morri kahja e ngjarjes. Harta e shqipërisë etnike, për ata që e njohim mirë prejardhjen ilire të shqipëtarëve, figuron në të gjithë atlasët didaktikë të ballkanit të hershëm. Në veri, kufijtë e Ilirisë, kanë qenë degët e Danubit, Sava dhe Drava, ndërsa në jug, gjiri i Ambrakisë, (Preveza). Kurse në gjerësi shtrirja gjeografike shkonte nga Dalmacia e Adriatikut në Dardanele të Detit të Zi. Vetë emërtimet e ditëve të sotme të inponojnë të kuptosh këtë shtrirje. Dalmaci, toponim që rrjedh nga emri Dalmat i fiseve ilire, të këtyre anëve. Po e njëjta gjë edhe në Dardanele, që është toponim me prejardhje nga emri Dardan që mbanin ilirët e brigjeve të Egjeut dhe Detit të Zi. Pra nga këto fakte nuk ka pse të emocionohet më shumë seç duhet askush. Ku e gjejmë shfrytëzimin politik të një turme të pafajshme injorashtësh, ose ndoshta thjesht fajtore për injorancën e saj? Serbia mund të jetë ndoshta një ndër shtetet me një standard të shtrembëruar e të keqinterpretuar të historisë, mes gjithë shteteve të rajonit e ndoshta edhe të europës. Mund të bëj një përjashtim të posatshëm Greqia, e cila lundron po në të njëjtët llume hovesh mosdije e mosnjohje. Në rast se kjo mosdije e mosnjohje, ka qenë me kast nga ana e atyre që kanë ditur e kanë njohur dikur, por ndryshe kanë shkruar, tashmë ky distorcion përbën fakt për qindra breza që kanë lexuar përralla me mbret në vend të shkencës së pamohueshme e  pacënueshme. E përfshiva jo më kotë Greqinë në këtë arsyetim. Sa i përket kësaj të fundit, ka një pikë shumë domethënëse kontakti me interpretimet e historisë sipas serbëve. Kjo pikë kontakti është fare e vogël në dukje dhe aq elementare si aksiomë, sa asnjë herë nuk është vënë në dyshim. Për grekët, ashtu si edhe për serbët, të dhënat dalluese të një kombi ose kombësie janë feja, gjuha dhe tradita. Ndërsa në interpretimin perëndimor dhe predominant në kulturën e përgjithshme skencore, konotacionet dalluese jane, e para gjuha, më pas traditat dhe zakonet. Në vazhdë të paragjykimit dhe mosnjohjes së kombësisë autoktone, të popullsisë së trojeve, ku siç shkruante i papërsëritshmi Kuteli, “…nga njëri det, në tjatrin det, isha zot vetë!”, na quajtën ndryshe nga ç’ishim e jemi. Në bazë të fesë islame, që na u imponua për shekuj të tërë nga okupimi osman, krerëve fqinjë u leverdisi të na identifikonin si turq. E kështu u dokumentua për qindra e qindra vjetë. Ndërkohë ne rronim me në gji, një gjarpër mëkati të pafalshëm, për të cilin na kanë cilësuar barbarë për shekuj me rradhë. Edhe pse kishim një gjuhë të folur, krejtësisht të dallueshme jo vetëm nga turqishtja, por edhe nga ç’do gjuhë tjetër e ballkanit, ne na mungonte gjuha e shkruar. Kjo për shkak të shtypjes së dhunshme dhe moslejimin osman të asokohe. Pra ne filluam të shkruanim tepër vonë për t’ju kundërvënë versioneve zyrtare të ngjarjeve përbaltëse, mbi shpinën e kombit tonë. Dhe filluam të lexonim dhe arsimoeshim në shqip edhe me vonë se kaq, për faj të raprezaljeve xhonturke dhe influencës së klerit ortodoks greqizues. Për shekuj me rradhë në sytë e botës ne mbetëm të quheshim turq. Dhe turqit, dihet se i kanë përgjakur pa mëshirë trojet serbe dhe greke, në një sërë masakrash mizore. Faj për këto masakra u bintë pjesërisht edhe shqipëtarëve, që rekrutoheshin nizamë, për fushatat gjaksore në rajon. Ja dhe pseja e kësaj urrejtje gërryese panballkanike. Nëse dikur shfrytëzohej një turmë shqipëtarësh që nuk dinin shkrim e këndim, sot shfrytëzohem një turmë serbësh, që shkruajnë e këndojnë gabim. Gjendja politike në Serbi është transparente falë Zotit dhe problemet e pafundme, si në të gjithë ballkanin, janë prezente edhe në këtë vend. Për fare pak elektorat dhe për një kapriço tipike ballkanase, bëhet një çorap diplomatik tejet poshtërues dhe denigrues i të gjitha vlerave që kërkohet të preken nga të gjitha vendet e ballkanit. Në këtë mënyrë nuk bëhet asgjë përveçse zmadhojmë pengesat dhe pamundësitë tona. Vetëm kaq. Konflikti dhe kryeneçësia janë dy mënyra se si shtetet e mëdha ballkanike influencojnë botën. Cënimi i balanceve dhe ekuilibrave, është si një karikator rezervë për shtete që as ligjin e luftës nuk e heqin me shtetin tonë. Pra diplomacia nuk është ajo shkencë ekzakte që heq mënjanë konfliktet. Por është vetëm një imazh korruptiv interpretimesh që vjen fare dukshëm në trajta skandaloze, arrogante, ofenduese dhe përçudnuese, kur dëgjojmë disa vemje të nginjura me para, që nuk ngjallin aspak respekt të cilët në emër të KE-së ose UEFA-s prononcohen zyrtarisht.

Si mund ta quajmë rastësi deklaratën e Platinisë për bombë, kur ajo është e njëjtë me atë të presidentit Serb?! Sikur Platini të ishte vetë i dhunuar, a do t’i stoliste bukur, me gjethe hardhie hallatet e Nikoliçit, që po i dalin nga goja. Pse duhet t’i rikthehemi për rishqyrtim shprehjes së famshme “Serbia është maja e heshtës frënge në Ballkan”?

E vërteta është se diplomacia nuk mund të dalë kurrë nga konturet e një koncepti filozofik. Për aq kohë sa edhe drejtësia përbën atë siguri dhe saktësi shkencore që jo rrallë dikush thjesht nuk ka dëshirë ta besojë. Vetë ligjet juridike janë si një hekatomo interpretimesh dhe perceptimesh. Të voglit drejtësia i përket e fundit. Madje edhe ne shqipëtarët e dime dhe e përkrahim këtë fakt. Për ata mosbesues e mospajtues kam gati një shembull: Nëse ju do të shihnit një goxha zotëri, të larë e të shplarë, të hekurosur e kollarisur, që godet pa mëshirë një lypsar, leckaman, çfarë përjetimi do të kishit? Varfanjaku do ketë bërë diçka dhe e meriton dajakun! Apriori ne nuk japim drejtësi, ne supozojnë drejtësi, në bazë të paragjykimit. Pra e gjithë kjo retorikë me pozitivizëm të shtirur, është thjesht një jashtqitje për të mbyllur gojët e kopilave që duan të na ngecin në derë.

Vizita e pritshme e Ramës, përjashton rastësitë. Vizita e Putin përjashton rastësitë. Parada ushtarake, që nuk ndodhte në Beograd që prej 29 vjetësh përjashton rastësitë. Deklarata e Putin për Kosoven, përjashton rastësitë. Mund të gjenden analogji me Krimenë madje. Dëshira galopante për  shfrytëzimin e politikave kombëtare, të paqëndrueshme, në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, përjashtojnë rastësitë. Dendësimi i një acarimi rajonal, banal dhe torollak, në formate të pashpresuara gjoja, përjashton të gjitha rastësitë.

Dhuna e përbindshme, adhuron rastësinë, për mundesitë e arta që i servir, por nuk mund të jetë vetë një e tillë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency