Standard.al

Vendimi i Gjykatës së Kurbinit / Vrau për pronësi të afërmin, dënohet 30 vjet burg nga gjykata

court-hammer

Sonila Mesareja

Gjykata në vendimin përfundimtar: Letra e dërguar viktimës Ramazan Lama pak orë para krimit, reagimi i tij dhe fjalët e të pandehurit Fatmir Lama drejtuar familjes para se të kryente krimin

Vrasja e të afërmit do t’i kushtojë 30 vite të jetës së tij të pandehurit Fatmir Lama nga Miloti i Kurbinit. Gjykata e Kurbinit e ka dënuar me 30 vjet burgim shtetasin Fatmir Lama, i cili akuzohet nga Prokuroria për “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ngjarja për të cilën akuzohet ky shtetas ka ndodhur në 5 Mars të këtij viti në fshatin Shullaz, Komuna Milot, Kurbin, në të cilën i pandehuri ka vrarë me armë zjarri shtetasin Ramazan Lama. Ndërmjet dy personave, të cilit kishin lidhje të largëta familjare, ka pasur probleme pronësie dhe ky ka qenë shkaku i vrasjes. Gjykimi i kësaj çështjeje është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, pasi autori ka pranuar veprimin e tij kriminal dhe, menjëherë pas ngjarjes, ka njoftuar strukturat e Policisë për kryerjen e krimit dhe është dorëzuar. Procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Fatmir Lama ka përfunduar në pak seanca pasi gjykimi i çështjes, me kërkesën e të pandehurit, u bë me procedurë të shkurtuar. I pandehuri ka deklaruar para trupit gjykues se është ai personi që ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Lama për të cilën ai është akuzuar.

 

Vrasja

 

Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se më datë 7 mars të këtij viti, ndaj të pandehurit Fatmir Lama janë ngritur akuzat e “Vrasjes me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. I pandehuri akuzohet se në orët e mbrëmjes së datës 5 mars, në fshatin Shullaz të Komunës Milot të rrethit Kurbin, tek porta e jashtme e oborrit të banesës së shtetasit Ramazan Lama, ka vrarë me armë zjarri automatik këtë shtetas. Menjëherë pas ngjarjes, autori i vrasjes, Fatmir Lama, është larguar disa qindra metra nga vendi i ngjarjes dhe më pas, ka njoftuar me telefon Komisariatin e Policisë Kurbin se donte të dorëzohej në polici, pasi kishte kryer një krim të rëndë. Pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e policisë gjyqësore, kanë shkuar në vendin ku po qëndronte autori i vrasjes, Fatmir Lama, ku ky i fundit u është dorëzuar forcave të policisë. Aty ai u ka shpjeguar efektivëve blu se kishte vrarë Ramazan Lamën dhe iu ka dorëzuar atyre edhe armën automatike me të cilën kishte realizuar vrasjen. Në këtë armë ishin të vendosura dy karikatorë; njëra në kutinë e tytës, dhe tjetra e lidhur me të, brenda të cilave kishte gjithsej 52 fishekë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në afërsi të portës së banesës së viktimës, policia ka gjetur dhe sekuestruar makinën tip “Mitsubishi” me të cilën po lëvizte viktima Ramazan Lama në momentin e ngjarjes, në të cilën është konstatuar thyerja e xhamave anësore të saj, te krahu i majtë i mjetit.

 

Dëshmia e autorit dhe fjalët drejtuar familjes para krimit

 

I pyetur rreth ngjarjes, si para policisë gjyqësore ashtu edhe para prokurorit, i pandehuri Fatmir Lama, ka pranuar faktin se ka vrarë me armë zjarri automatike shtetasin Ramazan Lama, duke dhënë edhe shpjegime mbi rrethanat e kryerjes së veprës. Për sa u përket motiveve të vrasjes, i pandehuri Fatmir Lama pretendoi se këtë veprim e kishte kryer për shkak të padrejtësisë që sipas tij, i kishte bërë viktima, duke e përjashtuar atë nga e drejta e përfitimit nga toka e fisit Lama apo shitja e skorieve të fabrikës, të cilat kanë qenë të depozituara në tokën pronë e këtij fisi, tek ish-uzina e superfosfatit Laç. Ai ka hedhur poshtë akuzën se e kishte paramenduar krimin, duke u shprehur se ishte veprim i çastit dhe shkak të një çekuilibrimi mendor. Ndërsa djali i autorit të vrasjes ka shpjeguar se rreth orës 20.00 të natës së ngjarjes, e ka marrë në telefon babai i tij, i arrestuari Fatmir Lama, dhe i ka thënë: “Ikni të gjithë tek gjyshi në Fushë-Milot”, duke lënë të nënkuptohej se diçka e rëndë kishte ndodhur.

 

Dëshmia e vëllait të viktimës

 

Gjatë shpjegimeve të tij rreth kësaj ngjarje, vëllai i viktimës, shtetasi S. Lama, i cili banon brenda të njëjtit oborr me viktimën Ramazan Lama, shpjegoi se pak minuta para ngjarjes, në kohën që ai ishte duke qëndruar në shtëpi duke parë televizor, ka dëgjuar borinë e makinës së vëllait dhe në këtë moment, fëmijët kanë dalë jashtë të hapin portën, e cila gjendet rreth 50 metra larg banesës. Por, para se të shkonin fëmijët aty, janë dëgjuar krismat e armëve. Menjëherë, shpjegon deklaruesi, ai dhe familjarët e tjerë kanë dalë jashtë dhe kanë parë makinën e Ramazanit në një kanal afër portës dhe Ramazanin të vdekur, sipër timonit. Vëllai i viktimës shprehet se nuk di si ta shpjegojë shkakun e kësaj vrasje, pasi sipas tij, Fatmiri, nuk ka nuk ka pasur ndonjë arsye për ta bërë një gjë të tillë.

 

Dëshmia e djalit të viktimës

 

I pyetur rreth kësaj ngjarje, djali i viktimës, shtetasi A. Lama, shpjegon se në momentin e vrasjes ka qenë në Patok dhe është njoftuar nga familjarët e tij për ngjarjen, dhe kur ka ardhur në Laç, e ka gjetur babain e tij në spitalin e qytetit të vdekur. Deklaruesi shpjegoi se mes familjeve të tyre nuk ka pasur konflikte, dhe nuk kishte si ta shpjegonte shkakun e kësaj vrasjeje, madje shprehet deklaruesi, të pandehurin, Fatmirin e kemi mbajtur me buke. Deklaruesi shpjegoi se me autorin e vrasjes është kushëri i katërt.

 

Dëshmia e bashkëfshatarit

 

Letra e Fatmirit për viktimën, para krimit

 

Një tjetër dëshmi në interes të çështjes ka qenë ajo e shtetasit Fatmir Haxhiu. Sipas tij, ditën e ngjarjes, në orët e pasdites, i pandehuri Fatmir e ka takuar atë dhe i ka dhënë një letër për t’ia dërguar vëllait të viktimës, shtetasit S. Lama, që ky i fundit, t’ia dërgonte Ramazanit. Përmbajtja e saj kishte të bënte me disa probleme pronësie që ka pasur mes familjes së të pandehurit me familjen e viktimës, të ndjerit Ramazan Lama, dhe kështu është bërë. Deklaruesi F. H., bashkë me vëllain e Ramazanit, po atë ditë, rreth orës 17.00, e kanë takuar viktimën Ramazan Lama, dhe i kanë dhënë letrën e të pandehurit, ku, Ramazani, pasi e ka lexuar letrën, e ka hedhur në tokë dhe është larguar duke i thënë Fatmir Haxhiut: “Ti çun, shiko punët tua dhe merru me familjen tënde”. Menjëherë pas këtij momenti, Haxhiu i ka marrë këto letra dhe rreth orës 18:00, ia ka kthyer të pandehurit Fatmir Lama, duke i shpjeguar rrethanat e takimit me Ramazanin. Nga shpjegimet e deklaruesit Fatmir Haxhiu, rezulton se vitin e kaluar, i pandehuri Fatmir Lama, ka patur një konflikt me viktimën, pasi i ka prerë këtij të fundit disa pemë në bahçe.

 

Somario

 

I pandehuri Fatmir Lama pretendoi se këtë veprim e kishte kryer për shkak të padrejtësisë që, sipas tij, i kishte bërë viktima Ramazan Lama, kushëriri i tij i largët…

 

…duke e përjashtuar atë nga e drejta e përfitimit nga toka e fisit Lama apo shitja e skorieve të fabrikës, të cilat kanë qenë të depozituara në tokën pronë e këtij fisi, tek ish-uzina e superfosfatit Laç

 

 

 

Comments are closed.