Skandali i drejtësisë /Tahiri, Nishanit: Ja 25 të arrestuarit në flagrancë, të liruar nga gjykata

0
101

ministria-e-drejtesise

Sonila Mesareja

Letra e ministrit të Brendshëm i dërgohet Presidentit të Republikës në cilësinë e kreut të KLD-së. Sugjerohet marrja e masave ndaj gjyqtarëve, të cilët akuzohen për afera korruptive

Për të dytën herë që nga koha kur ka marrë funksionin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i dërgon letër Presidentit të Republikës Bujar Nishani në cilësinë e kreut të KLD-së, ndërsa në dijeni në këtë letër ka vënë edhe ministrin e Drejtësisë, z. Nasip Naço. Ministri i Brendshëm i ka kërkuar kreut të KLD-së që të marrë masa ndaj gjyqtarëve të disa gjykatave në vend, të cilët përmes vendimeve të tyre kanë lënë të lirë, persona që siç thekson ai, janë me rrezikshmëri të lartë, pavarësisht pretendimeve të Prokurorisë për burgosjen e tyre. Në letrën e dërguar kreut të shtetit, Tahiri i shpreh zotit Nishani shqetësimin lidhur me këto vendime, ndërsa kërkon prej tij marrjen e masave ndaj këtyre gjyqtarëve. Bashkangjitur me letrën, Tahiri i ka përcjellë edhe 25 raste të lirimit të personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, mes të cilave, “Plagosje me dashje”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, “Shfrytëzim prostitucioni”, “Armëmbajtje pa leje”, Kundërshtim me dhunë i forcave të policisë” apo edhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”. Për të gjitha këto vepra penale, Tahiri thekson se togat e zeza kanë marrë masa lehtësuese ndaj të akuzuarve, ndërsa ngre pyetjen, se si është e mundur që të gjitha këto vendime nuk përbëjnë shqetësim, apo të jenë marrë në shqyrtim nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Sot që flasim, KLD nuk ka marrë asnjë masë edhe për raste flagrante, të cilat jua kam bërë me dije më parë. Nuk besoj në të gjithë, por mbi ne, publiku, të ketë mundësi të kuptojë si është e mundur që KLD nuk merr masë ndaj një gjyqtari që liron në sallën e gjyqit përdhunuesin e një minoreneje, disponuesin e një arsenali armësh, agresorin që ka plagosur me armë qytetarë dhe goditur punonjës policie, vjedhësin e përsëritur, e shumë raste të tjera të ngjashme, të cilat KLD ende nuk i ka marrë në shqyrtim”, – thekson ministri i Brendshëm.

Akuza

Sipas ministrit Tahiri, fakte të tilla ulin besueshmërinë e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, duke ngritur aludime për afera korruptive brenda gjyqësorit. Duke vijuar më tej, Tahiri shprehet se kjo është streha e kriminelëve, ku pavarësisht krimeve, dhe arrestimeve nga ana e policisë, ata sërish lihen të lirë me vendimin e gjyqësorit. Në këtë kontekst, Tahiri nënvizon se këta gjyqtarë nuk duhet të ndjehen të pandëshkueshëm, e ndërsa shton se vendime të tilla nuk duhet të mbeten më të pakontrolluara. “Gjyqtarë të tillë nuk duhet kurrsesi të mbeten të garantuar se të tilla vendime, pas të cilave qëndron më së paku paaftësia e po kaq edhe korrupsioni kapilar në dyert e gjykatave, mbeten të fshehta, pa iu nënshtruar asnjë lloj vlerësimi. Gjyqtarë të tillë, nuk duhet të ndjehen të pandëshkueshëm për vendime që haptazi shkelin çdo parim të së drejtës. barazinë para ligjit kapacitetin për të dhënë drejtësi penale dhe për të ndëshkuar kriminelët, por mbi të gjitha, pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi”, – thuhet në letrën e Tahirit.

 

Thirrja

Ministri Tahiri bën thirrje në letrën e tij se vendime të tilla lehtësuese kthehen në rrezik për komunitetin dhe jetën e qytetarëve. Më konkretisht, ministri i Brendshëm shprehet se nga 1796 persona të arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur, vetëm 1% e tyre janë lënë në qeli nga gjykatat, çka, sipas Tahirit, është edhe arsyeja kryesore e aksidenteve me pasojë vdekjen. Në këtë mënyrë, sipas ministrit, puna e policisë, nuk mund të jetë kurrë e plotë, nëse siç shprehet ai, sistemi i drejtësisë nuk funksionon. “Kërcënim më të madh për sigurinë sesa kriminelë që arrestohen nga policia e pastaj lihen të lirë nga gjykata, nuk ka. Për t’ju marrë një shembull, në 9 muajt e parë të këtij viti, policia ka arrestuar 1796 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur, por thuajse vetëm 1% e tyre është mbajtur në burg sipas ligjit nga gjykata. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore përse vijojnë aksidentet me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Ndaj, duke konsideruar se puna e policisë nuk mund të jetë kurrë e plotë në rast se i gjithë sistemi i drejtësisë penale nuk funksionon, por mbi të gjitha, duke konsideruar që edhe Ju jeni po aq i interesuar për të iniciuar verifikimin dhe ndëshkimin për gjyqtarët që tregohen të butë me krimin në kurriz të ligjit dhe qytetarëve”, – shton më tej Tahiri.

 

Kërkesa

Në fund të letrës, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që një kërkesë e tillë i drejtohet Presidentit Nishani, ministri Tahiri shpreh bindjen në marrjen e masave të kreut të shtetit, duke shtuar që raste të tilla, që ai i etiketon flagrante, të mos tolerohen më “për çdo shkelës ligji e mbi të gjitha asnjë gjyqtar të pandëshkueshëm”. “Me shpresën se bashkë me rastet që Ju kam nisur më parë, KLD dhe Ju personalisht do të angazhoheni për verifikimin dhe shqyrtimin e rasteve flagrante bashkëlidhur, duke synuar marrjen e masave drastike për të mos lejuar asnjë shteg për çdo shkelës ligji e mbi të gjitha asnjë gjyqtar të pandëshkueshëm”, – përfundon letra e ministrit të Brendshëm. Reforma në drejtësi është një nga nismat dhe premtimet më të rëndësishme të mazhorancës aktuale, si dhe një nga shqetësimet kryesore të ndërkombëtarëve, lidhur me korrupsionin në gjyqësor, e shfaqur kjo edhe në progres-raportin që u publikua në tetor të këtij viti.

 

Disa nga rastet

Fier, B. B. dhe K. J. arrestohen për plagosje, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë me detyrim për t’u paraqitur;

Shkodër, G. Ç. arrestohet për armëmbajtje pa leje, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”;

Dibër, E. K. arrestohet për armëmbajtje pa leje, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”;

Krujë, B. I. arrestohet për armëmbajtje pa leje, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”;

Gjirokastër, A. R. i shpallur në kërkim për veprat penale “Organizim i jashtëligjshëm i lojërave të fatit”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”; është përsëritës;

Pukë, E. T., dhe F. Z. kapen në flagrancë për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, lirohen nga Prokuroria;

Fier, B. Ç, arrestohet për armëmbajtje pa leje, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”;

Shkodër, R. H., dhe E. M., të arrestuar për veprën penale “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitjeje”;

Përmet, Xh. M., arrestohet për veprën penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësve të Policisë”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”; është përsëritës;

Përmet, E. Xh. arrestohet për veprën penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësve të Policisë”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”; është përsëritës;

Tiranë, A. B. arrestohet për “Pastrim parash”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Tiranë, I. M. arrestohet për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”; është përsëritës;

Tiranë, B. H., E. U. dhe S. K. janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Vjedhje në bashkëpunim, mbetur në tentative, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata i lë në “Arrest shtëpie” dy prej tyre B. H. dhe S. K.;

Tiranë, H. Gj. arrestohet për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Tiranë, J. Ç. arrestohet për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Përmet, K. L. dhe Ç. M. arrestohen për veprën penale “Vjedhje, me pasoja të rënda” e kryer në bashkëpunim, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata i lë në “Arrest shtëpie”;

Përmet, A. B. arrestohet për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”;

Librazhd, A. K. arrestohet për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Fier, S. Xh. arrestohet për “Vjedhje në bashkëpunim”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Fier, Sh. K. arrestohet për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Korçë, R. Sh. dhe E. X. arrestohen për “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata i lë në “Detyrim paraqitje”;

Dibër, B. C. arrestohet në flagrancë për “Vjedhje”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest shtëpie”;

Dibër, M. K. arrestohet për veprën penale “Falsifikim i monedhave” dhe “Ruajtje apo depozitim i mallrave kontrabandë”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Detyrim paraqitje”;

Kurbin, F. Ç. arrestohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit”, Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, gjykata e lë në “Arrest me burg për 15 ditë”;

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency