Në një vit / Procedimet disiplinore, 21 gjyqtarë iu nënshtruan procesit në KLD

0
166

buxhi2

Sonila Mesareja

Procesi i vlerësimit të gjyqtarëve, brenda vitit 2015 përfundon raundi i dytë për vitin 2007-2009

Procedimet disiplinore, vlerësimi i gjyqtarëve apo dhe ligji për funksionimin e KLD-së kanë qenë fokusi i mbledhjeve të zhvilluara përgjatë kësaj këtij viti nga ky Këshill. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë janë dërguar 34 relacione në KLD nga të cilat 22 janë vetëm kërkesa për procedime gjyqtarësh, ndërsa të tjerat për çështje të ndryshme. Lidhur me procedimet disiplinore, Këshilli bën me dije se nga 22 kërkesat e dërguara pranë tij për procedime nga Ministria e Drejtësisë, vetëm 1 kërkesë është me iniciativë të inspektoratit të këtij institucioni, ndërsa të tjerat janë konstatuar nga inspektorati i KLD-së. Sipas këtij institucioni, në një vit kanë përfunduar së shqyrtuari 21 kërkesa për 20 gjyqtarë, ndërkohë që në mbledhjen e radhës pritet të merret në shqyrtim një tjetër kërkesë e ardhur na Ministria e Drejtësisë për procedimin e një gjyqtari. Ndërkohë që të pyetur mbi procesin e vlerësimit të gjyqtarëve nga KLD, ky institucion bën me dije për “Standard” se brenda vitit 2015 do të përfundojë edhe vlerësimin profesional të gjyqtarëve për vitet 2007-2009.

 

Kërkesat

Ministri i Drejtësisë ka kërkuar përgjatë këtij viti nga KLD shkarkimin e 12 gjyqtarëve, ulje në detyrë apo transferim nga 1-2 vjet për 7 gjyqtarë, si dhe “Vërejtje me paralajmërim” për 2 gjyqtarë. Sipas KLD-së, ka qenë vetë ministri që përpara votimit ka ndryshuar masën disiplinore për 9 gjyqtarë, duke e zbutur atë krahasuar me masën e mëparshme të kërkuar prej vetë atij. Për tri nga rastet kishte kërkuar masën “shkarkim nga detyra” dhe për një rast është tërhequr fare nga masa e procedimi disiplinor. Për rastet e dërguara për masë, në mbledhjet e saj KLD ka vendosur shkarkimin e 2 gjyqtarëve, vërejtje me paralajmërim për 8 gjyqtarëve, transferim të një gjyqtari në një gjykatë të nivelit të ulët për 2 vjet, 2 gjyqtarë me vërejtje, për 6 gjyqtarë rrëzohet kërkesa e ministrit për masë disiplinore dhe vetë ai nuk kërkoi një masë tjetër, ndërsa për një gjyqtar ministri ka kërkuar pushimin e procedimit disiplinor.

Vlerësimi profesional i gjyqtarëve

Për herë të parë në sistemin gjyqësor është aplikuar vlerësimi i punës së gjyqtarëve. Ky proces është detyrë kushtetuese e KLD-së, e cila duhet të evidentojë vlerat profesionale të gjyqtarëve për efekt të karrierës së tyre, si dhe të identifikojë gjyqtarët që rezultojnë me pamjaftueshmëri profesionale dhe gjyqtarët me cilësi të lartë në punën e tyre. Vlerësimi ka dhënë një impakt tek procesi i promovimit të gjyqtarëve. Sipas KLD-së, asnjë gjyqtar nuk është promovuar pa u vlerësuar më parë dhe asnjë konkurrim nuk është bërë pa u pikëzuar paraprakisht të gjithë kandidatët konkurrues, pikërisht bazuar në vlerësimin etiko-profesional të tyre. Sistemi i vlerësimit, i përfunduar tashmë, ka gjeneruar edhe Listën e Përgjithshme të Renditjes së Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, listë që u përfundua dhe publikua në dhjetor të vitit 2013. Gjithashtu, sistemi i vlerësimit profesional, përmes mekanizmave të tij, konstaton problematikat që ndeshen në gjykata gjatë verifikimit të veprimtarisë së tyre profesionale, si dhe identifikon nevojat për trajnim vazhdues të gjyqtarëve në shërbim të rritjes së profesionalizimit të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë de apelit, si dhe të kryetarëve të këtyre gjykatave, bazuar dhe realizuar në kriteret dhe procedurat e parashikuara në të. Procesi i vlerësimit të veprimtarisë profesionale dhe etike të gjyqtarëve për vitet 2005-2006 ka pasur një prioritet të posaçëm nga Këshilli gjatë vitit 2013 dhe për këtë arsye ka shtuar edhe mbledhjet plenare të zhvilluara prej tij përgjatë këtij vit. Aktualisht ka përfunduar procesi i vlerësimit të gjyqtarëve për vitin 2005-2006 dhe ka filluar vlerësimi profesional për vitet 2007-2009. Për këto vite ka përfunduar vlerësimi për 53 gjyqtarë. Gjithashtu, inspektorati ka përfunduar edhe vlerësimin e përshpejtuar për 4 gjyqtarë për vitin 2013, pasi ata kanë konkuruar për promovimin në pozicionin e kryetarit të Gjykatës. Këto akte të vlerësimit të përshpejtuar janë shqyrtuar dhe miratuar nga KLD në mbledhjen e datës 12 shtator 2014. Brenda vitit 2015 përfundon raundi i dytë të vlerësimit të gjyqtarëve për vitet 2007-2009.

 

 

 

Lezhë

Maskat terrorizojnë dhe grabisin familjen Preka, marrin bizhuteri

Një familje është dhunuar dhe më pas është grabitur në fshatin Balldren të Lezhës. Burime policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 9:00 të mëngjesit të djeshëm, kur tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë brenda në banesën e Luxhe Prekës, duke dhunuar të zonjën e shtëpisë, e cila u ka bërë rezistencë agresorëve, e cila është përleshur me ta. Në momentin e ngjarjes në banesë ishin kryefamiljarja Luxhe Preka dhe nusja e shtëpisë, si dhe fëmija i mitur. Grabitësit nën kërcënimin e armëve ata kanë marrë një sasi bizhuterish dhe sende të tjera me vlerë dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Pak orë pas denoncimit të grabitjes, mësohet se uniformat blu kanë gjetur një automjet të braktisur vetëm 2 km larg vendit të ngjarjes në superstradën Lezhë-Shkodër. Policia ka dyshime se mjeti i gjetur tip Opel me targa të falsifikuara u përket grabitësve. Ndërkohë janë shoqëruar në polici dy të rinj, por ende nuk ka asnjë të arrestuar. Pritet që të sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë të një servisi automjetesh, i cili ndodhet në afërsi të banesës së grabitur.

 

 

Zbatimi i vendimit të qeverisë

Ndalohet dhe kufizohet lëvizja e mjeteve në sheshin “Nënë Tereza”

Drejtoria e Policisë së Tiranës, në zbatim të vendimit të qeverisë dhe urdhrit të firmosur nga tri ministritë, njofton se ndalohet dhe kufizohet qarkullimi i automjeteve dhe parkimi i tyre në zonat e sheshit “Nënë Tereza” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pjesë e Ansamblit Monument Kulture të qendrës historike së Tiranës deri te ura e madhe Lanës. Ndërsa ndalohet në mënyrë kategorike kalimi i mjeteve të transportit në zonën për rreth sheshit “Nënë Tereza” nga ora 19 deri në 24:00 të darkës. Policia kërkon nga Bashkia e Tiranës të pajisë me sinjalistikë rrugore këtë zonë, të ndërhyrë në rregullimin e sistemit semaforik në zbatim të këtij vendimit të Këshillit të Ministrave, që synon kthimin e këtij aksi rrugor në një qendër historike të kryeqytetit.

 

 

Elbasan

Dy persona në pranga, një për drogë dhe një për përndjekje

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim për trafikim të narkotikëve. Sipas burimeve policore, 33-vjeçari, Arjan Gaçe, lindur dhe banues ne fshatin Shushicë, kërkohej nga policia pasi gjykata e kishte dënuar me 7 vjet burg për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, po dje Policia e Elbasanit arrestoi edhe shtetasin Enea Panxhi, 21 vjeç, lindur e banues ne Elbasan. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur shtetasen S. Q. Ndërkohë gjatë kontrollit të policisë, të riut iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri karabinë Simonov, një pistoletë sportive, si dhe një sasi prej 2 gr lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Materialet lidhur me dy të arrestuarit iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency