Sonila Mesareja
Qato: Grupet e punës janë ngarkuar të identifikojnë dhe të dërgojnë për miratim në qeveri fondin fizik tokë bujqësore prej 25 mijë ha, si dhe të inventarizojnë ato pasuri prona shtet dhe publike, të cilat do të vihen në dispozicion të fondit fizik për kompensimin
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të Planit të Veprimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 236, datë 23.4.2014 “Për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, ka ndërmarrë hapat e nevojshme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri. Në kuadër të një planveprimi, pjesë e strategjisë së Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e pronave, dje u organizua tryeza e rrumbullakët “Reforma Ligjore dhe Institucionale e AKKP-së”. Kjo tryezë, e cila do të pasohet nga një proces i mëtejshëm konsultativ, ka mbledhur së bashku grupet e interesit dhe kishte si qëllim parësor evidentimin e rëndësisë së një procesi gjithëpërfshirës të reformës ligjore dhe institucionale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Grupet e interesit janë ftuar në këtë tryezë për të qenë pjesë aktive e diskutimit, si dhe për të dhënë kontributin dhe sugjerimet e tyre, në një kohë që Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është në prag të realizimit të një reforme ligjore dhe institucionale. Në këtë kuadër, synimi i kësaj tryeze, i shërben ngritjes së një bashkëpunimi që do të synojë mbledhjen e sa më shumë sugjerimeve dhe rekomandimeve të cilat, do t’i paraqiten Grupeve të Punës në Ministrisë së Drejtësisë, përpara hartimit të ndryshimeve ligjore në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Në këtë tryezë në përbërje të të cilës u ftuan dhe ishin të pranishëm përfaqësues të Shoqatave dhe Organizmave Joqeveritare që mbrojnë të drejtat e pronarëve (subjekteve të shpronësuara), ekspertë të fushës, përfaqësues nga profesionet e lira, përfaqësues nga media, përfaqësues nga shoqata e investitorëve të huaj, shoqëria civile, u bë një prezantim i hapave të ndërmarra nga AKKP, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë si dhe u realizua një diskutim gjithëpërfshirës mbi të gjitha problematikat e konstatuara. Përfaqësuesit e pranishëm të të gjithë grupeve të interesit diskutuan gjerësisht duke bërë prezent shqetësimet e tyre në lidhje me procesin e deritanishëm, si dhe rekomanduan pikëpamjet e tyre, mbi të cilat qeveria duhet të tregojë kujdesin e duhur për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon procesin e kthimit të pronës dhe gjetjen e mekanizmave efektivë të kompensimit të saj.
Risitë në AKKP
Gjatë fjalës së saj, znj. Sonila Qato, drejtore e Përgjithshme e AKKP-së vlerësoi se ky proces reformues do të prodhojë një institucion që do ta trajtojë pronën si element për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, ku pronari të shihet si partner me qeverinë. “Duhet të realizohet një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë, si dhe një proces kompensimi i bazuar në parimet kushtetuese, për një shpërblim të drejtë për pronarët dhe real për buxhetin e shtetit”, – theksoi znj. Qato. Gjatë fjalës së saj, kreu i AKKP-së u shpreh se “jemi shumë pranë nxjerrjes së një fature të detyrimit të shtetit shqiptar ndaj pronarëve të shpronësuar nga regjimi i kaluar. Aktualisht po punojmë për finalizimin e Regjistrit të Vendimeve për kompensim ’93-2013, të ndarë sipas kategorive së tokës, regjistër ky që do të na ndihmojë në përgatitjen e një skeme të qartë për kompensimin e pronarëve, në zbatim të vendimit të Gjykatës se Strasburgut, për të eliminuar shkeljet e konstatuara nga kjo gjykatë të Konventës EDNJ”. Gjithashtu, znj. Qato bëri me dije se duke konstatuar numrin e ulët gjatë 4 viteve të fundit të përfituesve të fondit nga ALUIZNI për kompensimin financiar të pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale në proces legalizimi, Agjencia është bërë iniciatore me propozime konkrete pranë Ministrisë së Drejtësisë, për rishikimin e VKM-së në fuqi për ndarjen e fondit, me qëllim lehtësimin e procedurave që duhet të ndjekin këta pronarë për të marrë kompensimin e caktuar sipas fondit të vënë çdo vit nga Qeveria për këtë kategori. Një tjetër risi ka qenë harta e vlerës së tokës, i cili është parë si një tjetër instrument i reformës që duan të ndërmarrin institucioni i AKKP-së. Rishikimi i metodologjisë për përcaktimet e çmimeve referuese sipas kategorive të tokës, është një nevojë të cilën e imponon jo vetëm tregu por edhe nevoja për zhvillimin ekonomik dhe dhënies së një vlere reale pronës. Paralelisht, Agjencia ka punuar për identifikimin, verifikimin e statusit juridik të pronave shtet të vëna deri më sot në dispozicion të Fondit Fizik të pronarëve, duke kryer veprimet e para procedurale të rezervimit të fondit me status të pastër juridik “shtet” pranë ZVRPP. Sipas kreut të AKKP-së, me urdhër të Kryeministrit janë ngritur dhe po punojnë dy grupe ndërinstitucionale punë, nën drejtimin e zv/kryeministrit. Këto grupe pune janë ngarkuar të identifikojnë dhe të dërgojnë për miratim në qeveri fondin fizik tokë bujqësore prej 25 mijë ha, si dhe të inventarizojnë ato pasuri prona shtet dhe publike të cilat do të vihen në dispozicion të fondit fizik për kompensimin. Grupi i parë i punës e përfundon misionin e tij në fund të këtij muaji dhe do të çojë brenda afatit të përcaktuar në Qeveri për miratim fondin fizik të pronës tokë bujqësore. Në bashkëpunim të ngushtë me ZQRPP, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, do të krijohet për herë të parë një fond fizik për kompensimin e pronarëve, i identifikuar në terren, i materializuar hartografikisht dhe i verifikuar në statusin juridik si pronë shtet pa konflikte.
Problematikat
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, drejtoresha e zyrës së Kodifikimit të Ministrinë e Drejtësisë, znj. Edlira Jorgaqii renditi disa problematika të hasura deri tani. Sipas saj, një ndër problematikat kryesore është niveli shumë i ulët i regjistrimit të pronave në ZVRPP nga njësitë e qeverisjes vendore. Arsyet e vonesave janë tarifat e regjistrimit dhe mospërputhja e hartave, sidomos me transferimin e sipërfaqeve pyjore. Gjithashtu, inventarizimi i pronave troje, tokë bujqësore, sheshe, rrugë, etj në klasa në ato zona ku mungon regjistrimi fillestar. Një tjetër problematikë është konstatuar mospërputhja e përmasave të pronave komunë/bashki dhe ZRPP. Së fundi edhe konfliktet midis njësive të qeverisjes vendore për kufirin ndarës midis tyre. (Rasti i komunës Xarrë, e cila ka bllokuar procedurat e inventarizimit dhe transferimit si dhe komuna Thumanë dhe bashkia Krujë te cilat janë në një proces gjyqësor). Nga vlerësimi i problematikës më sipër, përveç, rasteve të shkaktuara nga ligji ka edhe çështje institucionale të cilat janë tejet komplekse(moskoordinimi komunë qark) dhe jo bashkëpunuese, ndaj edhe duhet parë mundësia e zhvillimit të këtij bashkëpunimi me qëllim identifikimit të çështjeve problematike dhe ofrimin e mundësive për të arritur alternativa të cilat do të sillnin përmirësimin e situatës me të cilën përballen këto institucione, por edhe të kuadrit ligjor mbi të cilin operojnë këto institucione.
Disa nene me probleme
Neni 16 i ligjit me nr 9482, i miratuar në vitin 2006, sipas materialeve të përcjella nga pjesëmarrësit në grupin e punës, shfaqet problematik. Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë sugjeroi rregullim specifik për ata që disponojnë parcelën, sipas një akti të ligjshëm të paregjistruar”, ku përcaktohet se nëse subjekti, që disponon objektin pa leje, posedon kontratën e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore, të lidhur ose të vërtetuar përpara noterit publik, me pronarin e ligjshëm vetë ose nga personi, i cili i ka kaluar të drejtën e pronësisë, pavarësisht nga numri i transaksioneve të kryera, ai i dorëzon ato në drejtorinë rajonale të ALUIZNI-t. Për të gjithë këtë rreth personash, që posedojnë këto kontrata, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore regjistrohet sipas kontratës, duke paguar vetëm tarifën në fuqi për regjistrimin në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pa kamatë vonesë dhe taksa të zbatueshme. Pronari, i cili ka kryer kalimin e parcelës ndërtimore, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, zhvishet nga e drejta e kompensimit të pronës sipas këtij ligji ose sipas ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në kuptim të kësaj dispozite ndodhemi para rastit kur një subjekt i shpronësuar me kontratë shitjeje, ia ka kaluar posedimin / pronësinë (shumë ish-pronarë posedojnë ish-pronat e tyre dhe janë në pritje të vendimeve nga AKKP) një subjekti tjetër, por të pa regjistruar në ZVRPP, i cili nga ana e tij ndërton mbi këtë sipërfaqe një objekt pa leje, për pasojë subjekti i shpronësuar ndonëse e ka tjetërsuar pronën e dhënë nga KKKP-të apo AKKP-ja. Në kushtet, kur ky transaksion nuk është pasqyruar në ZVRPP, rezulton si pronar i sipërfaqes së zënë me ndërtim pa leje, si i tillë ekziston mundësia të kompensohet dhe nga AKKP-ja pas vendimit të Këshillit Ministrave (VKM 383/2010), për tu kompensuar edhe si ish-pronar. Kjo pasi vlerësimi i pronarit për kompensim bëhet sipas çmimit të miratuar mbi bazën e të cilit vepron AKKP i cili është shumë herë më i lartë se çmimi i legalizimit. Nga drejtoria e Kodifikimit vjen si sugjerim i mundshëm që shqetësimi i shprehur nga AKKP, në lidhje me mos regjistrimin e kontratës së shitjes, qëndron dhe si i tillë duhet të regjistrohet nga ana e ZRPP. Ky jo vetëm detyrim i ligjit për AKKP, apo ALUIZNI-t, por edhe vetë ligjit organik të ZRPP. Ndaj edhe duhet forcuar bashkëpunimi institucional në lidhje me çështjet e përbashkëta që kanë këto dy institucione duke kërkuar zbatimin e ligjit, për aq sa e kanë brenda fushës së veprimit të dhënë nga ligji.
Kush e përcakton sipërfaqen për legalizim, ALUIZNI apo AKKP!?
Cili është institucioni që do të përcaktojë sipërfaqen për legalizim është një pyetje që u shtrua në tryezën e djeshme nga drejtoresha e Kodifikimit, znj. Edlira Jorgaqi. Sipas saj, ALUIZNI, subjekti aplikues pranë tij, apo AKKP-ja, në mungesë të këtij përcaktimi AKKP në referim të nenit 28/1, shprehet për kompensim, gjë që çon padrejtësisht në rritjen e vlerës financiare të shtetit ndaj subjektit të shpronësuar, nëse dhe legalizuesi nuk e blen këtë sipërfaqe. Prandaj vjen si sugjerim i mundshëm që për të dy këto nene, është e nevojshme të jenë pjesë e ligjit 9235/2004 të ndryshuar si dhe kërkohet bashkëpunimi me ALUIZNI-n, bashkëpunim ky jo vetëm nga AKKP-ja, por dhe nga vetë ALUIZNI i cili duhet ta ketë si detyrim të tij konfirmimin e një situatë të tillë.