Samiti i PPE-ve/ Basha: Zhbërja e standardeve demokratike nga qeveria, alarm për KE-në

0
136

Gëzim Saliu

 Basha kuvendit Basha me kreun e KEKryeopozitari kërkon vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve të fundit në vend: Në kundërshtim me standardet evropiane

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në punimet e samitit të Partive Popullore Evropiane, ku ka kërkuar një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, të cilat, sipas tij, janë në kundërshtim me standardet demokratike dhe evropiane. Në samitin e zhvilluara në Bruksel, kryedemokrati theksoi ndër të tjera në fjalën e tij së zhbërja e standardeve demokratike dhe instalimi i praktikave oligarkike ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve në Shqipëri duke përqendruar vendimmarrjen në duart e një grupi oligarkësh me lidhje kriminale. “Kjo ka sjellë rritje të varfërisë dhe papunësisë dhe për rrjedhoje trefishim të azilkërkuesve ekonomikë drejt vendeve të BE-së”, – u shpreh Basha.

 

Samiti

Samiti i parapriu atij të liderëve të Bashkimit Evropian dhe në të u mblodh formacioni më i madh në Bashkimin Evropian, PPE-ja, e cila ka edhe grupin më të madh në Parlamentin Evropian. Zhvillimet politike dhe ekonomike ishin qenë në qendër të diskutimeve në këtë takim, i pari pas miratimit të ekipit te ri të Komisionit Evropian, i cili do të drejtohet nga Jean Claude Juncker. Në këtë samit, ku ishte pjesëmarrës edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe situatës ekonomike në vendet e Evropës Juglindore. Pas takimeve dhe bisedave që zhvilloi me liderë të vendeve anëtare, drejtues të institucioneve të BE dhe Parlamentit Evropian si dhe me Presidentin e Komisionit Europian Juncker, Basha u shpreh i sigurt për një vëmendje të shtuar të Evropës ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve të fundit. “Është një ekip shumë premtues, pa dyshim, nën lidershipin e kryetarit të komisionit, presidentit Juncker, me të cilin pata rastin të takohem e të bisedoj, ta uroj për përgjegjësitë e reja që ka marrë. E njoha me zhvillimet e fundit në Shqipëri, për të cilat është i mirinformuar dhe mendoj se si presidentit Juncker, ashtu edhe krerët e disa qeverive dhe partive simotra në këtë samit, fokusi tek Shqipëria dhe tek Europa Juglindore nuk do u mungojë. Është e qartë se rrëshqitja nga standardet demokratike është një alarm i madh edhe për Komisionin e ri Evropian dhe në këtë kuadër mendoj se angazhimi i komisionit të ri, i komisionerit Hann, i kryekomisionerit, Presidentit Juncker, i Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të PPE në të gjitha këto struktura do të jetë i domosdoshëm dhe frutdhënës për t’i dhënë fund praktikës së zhbërjes së standardeve demokratike në Shqipëri, si një parakusht për të garantuar ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian”, – theksoi Basha. Partia Popullore Evropiane është formacioni më i madh ne Bashkimin Evropian dhe ka grupin më të madh në Parlamentin Evropian. Në përbërje të tij janë liderë të vendeve më me influencë të BE-së, si: Kancelarja Merkel, Presidenti i Komisionit Evropian, Presidenti i Këshillit Evropian dhe komisioneri i ri për Zgjerimin.

 

Denoncimi/ PD: Qeveria, prishje selektive të objekteve pa leje. INUK, bandë zuzarësh

Deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, akuzoi dje qeverinë “Rama” për prishjet selektive të objekteve pa leje. Duke sjellë në vëmendje rastet konkrete, Kruja theksoi se Inspektorati Ndërtimor Urbanistik është kthyer në një bandë zuzarësh, dhe zar i kryeministrit të vendit. “Prishjet selektive të ndërtimeve nga Edi Rama, po lënë pas jo vetëm gërmadha e varfëri, por po nxjerrin në dritë pabarazinë e qytetarëve. Kjo padrejtësi është revoltuese e nuk mund të fshihet. Në rrugën Mine Peza, fadromat e Edi Ramës kanë shembur dyqane e njësi me të cilat ushqehen familjet. Por ka mbetur në këmbë si provë e lidhjeve politike, ndërtesa Kryetarit të Partisë Socialiste për njësinë 10”, – theksoi ai. Më tej ligjvënësi demokrat vazhdoi denoncimin duke pohuar: “Në zonën e “Don Boskos”, Edi Rama e ka përdorur për të bërë propagandë me prishjet që po bën. Po si shpjegohet që nuk preket lokali i drejtorit të Personelit në Policinë e Shtetit, Xhevahir Karaj. Kjo foto është akuzë. Karaj është i paprekshëm pasi njihet edhe si donator i Partisë Socialiste në zgjedhje. Në Kombinat, është një lokal në mes të rrugës, në mes të lulishtes. Kuptohet nga emri se kush e ka. Quhet Dako Kafe dhe e zotëron djali i xhaxhait të kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Prishjet selektive të Ramës e kanë kursyer”, – tha ai. Sipas Krujës, INUK është kthyer në një bandë zuzarësh që vepron sipas urdhrave politike të Kryeministrit. “Ne do të jemi në krah të qytetarëve të vendit dhe i ftojmë ata të përdorin çdo mjet për të kundërshtuar dhunën qeveritare ndaj të pamundurve, dhe paprekshmërinë për ata që kanë lidhje me Kryeministrin”, – përfundon deputeti i PD-së.

 

 Kreu i AMA-s/ Komisioni i Medias përzgjedh katër kandidaturat

Komisioni i Medias në mbledhjen e djeshme me vetëm votat e mazhorancës ka përzgjedhur katër kandidatë që do të shkojnë në votim seancën e ardhshme për të finalizuar kështu procesin për kreun e Autoritetit të Medias Audiovizive. Gentian Sala, Gentian Skënderaj, Anila Basha dhe Bers Hado ishin katër kandidatët e përzgjedhur dje nga Komisioni Parlamentar i Medias për postin e kryetarit të ri të AMA-s. Në fillim të mbledhjes, nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza, i bëri sërish thirrje opozitës që të vijë dhe të ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të eliminuar dy nga katër kandidatët e përzgjedhur. Anëtarët e komisionit, gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura, me shumicë votash përzgjodhën katër anëtarët e mësipërm, ndërsa tre kandidatët e skualifikuar nga gara ishin Zylyftar Bregu (gazetar), Raif Gorana (ekonomist) dhe En Muçi (ekonomist), të cilët morën më pak vota. Në mbledhjen e radhës të komisionit, katër kandidatët fitues do të ftohen në një seancë dëgjimore, ku nënkryetari Peza ftoi të gjithë deputetët e parlamentit që të jenë të pranishëm, duke siguruar për transparencë të plotë në këtë proces. Më pas, do të jetë seanca e ardhshme plenare, e cila do të votojë për kryetarin e ri të AMA-s.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency