Pazari 100-milionësh i UEFA-s

0
146

serbi shqiperiVendimi i UEFA-s për ta dënuar Shqipërinë dhe për t’i hequr të drejtën e trepikëshit në tavolinë për ndeshjen me Serbinë ka shumë gjasa të provokojë me shumë se “droni” i hedhur nga “askushi” në stadiumin “Partizani” në Beograd.

Ky vendim realisht ka provokuar zemërimin e shqiptarëve dhe ndërgjegjen e shumë mediave ndërkombëtare, të cilat kanë pasur para syve provat e qarta se në stadiumin serb ka ndodhur dhunë, para se të prisnin dronin. Ne po i përsërisim: nuk u lejuan tifozët shqiptarët bashkë me simbolet kombëtare; me të hyrë në fushë futbollistët shqiptarët kanë nisur goditjet dhe thirrjet histerike, në kor, të 32 mijë tifozëve serbë: “Vritini shqiptarët!”; u nëpërkëmb himni shqiptar; në tabelën ku shënohen normalisht skuadrat dhe flamujt përkatës, ai shqiptar ishte “zhdukur” – të gjitha këto, të pamarra në sy nga UEFA, të ndodhura përpara se në fushë të vinte droni nga qielli, një banderolë me simbole shqiptare. Megjithatë, ajo që është ngatërruar prej shumicës së të dyja palëve lidhet me ndërprerjen e lojës e më pas incidenti deri në refuzimin e futbollistëve shqiptarë për të vazhduar lojën. Ky është momenti më i rëndësishëm të cilit i është referuar UEFA për vendimin e saj, si dënim për palën shqiptare.

Të gjithë tashmë e dimë ngjarjen: dhuna para dronit, duke u rënduar me hedhjen e fishekzjarrëve në stadium dhe ajo që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes (e zhdukur si duket nga provat) ishin fishekzjarrë të pasur, hedhur në mesfushën shqiptare. Prej minutash ndeshja ishte ndërprerë. Me ardhjen e dronit u bë realitet “ëndrra” serbe për ta prishur ndeshjen siç e kanë në traditën e tyre huliganët, duke zbritur tifozët në fushë e duke u përleshur me sende të forta e fizikisht me futbollistët shqiptarë. Nga kjo situatë tërheqja e skuadrës shqiptare ka qenë e menjëhershme, si masë mbrojtjeje. Kemi parë të gjithë ç’ngjau ndërsa përpiqeshin t’u shpëtonin lëndimeve fizike, kur po hynin në tunel; kasaphanë! Një fushë futbolli që të kujton ndeshjet kafshërore të epokës antike, skllevër, gladiatorë, që detyroheshin të ndesheshin me njëri-tjetrin ose t’i mbijetonin lëshimit të kafshëve të egra.

S’ka argument që në këto kushte futbollistët të merrnin përsipër riskun, ashtu të lënduar fizikisht e në kushte terrori psikik prej racizmit ekstrem serb, të dilnin sërish në fushë, ku mezi ndoshta pritej spektakli i radhës.

Vendimi i UEFA-s për këtë moment është njëlloj sikur t’u thoshin atyre të rinjve të dilnin në fushë e të vdisnin, së paku referuar thirrjeve dhe dhunës së zbritur në fushë nga tifozët serbë, ku asnjë rezistencë e policisë nuk u pa, përpos ndihmuan në grushtime.

Më shumë se ndeshje, për shumë mund të vazhdojë alibia se në Ballkan ndodhin këto. Por jo, këtë herë nuk ka aq zjarr e mjaltë në Ballkan. Këtë herë është Evropa në mes, prej nga vjen inkurajimi politik, në favor “të drejtësisë”, po si duket, në ironi, e keqkuptuar prej kësaj pjesë të rajonit!

Redaksionale

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency