Injoron dhunën/ Vendim politik, UEFAi thotë po racizmit serb

0
131

Institucioni evropian më ketë vendim i tha një “Po” të madhe racizmit, që për ironi ka si qëllim të luftojë këtë fenomen

trazirat serbi Ndodhi ajo çfarë të gjithë kishin frikë. UEFA vërtetoi të gjitha spekulimet se është e varur dhe që bie në kundërshtim me ato që thotë. Një vendim që duket se ka një prapaskenë politike dhe si për çudi është në sinkron me atë çfarë tha zonja Kocijançiç që është zëdhënësja e Baroneshës Ashton. Sigurisht që UEFA e ka thelluar gabimin e saj edhe me vendosjen e një arbitri, i cili edhe pse arbitron në një kampionat si Premier Liga angleze, në një ndeshje ndërkombëtare ka provuar që është i paaftë për të drejtuar ndeshje të kësaj specifike. Raportimi i tij para Komisionit të Disiplinës ka qenë i kundërt me atë çfarë u është thënë lojtarëve. A mundet të luani nuk do të thotë do të hyni në fushë. Një pikëpyetje e madhe që me sa duket zgjidhjen e vetme do ta japë Gjykata e Arbitrazhit, e cila ka vërtetuar edhe më parë që ka kthyer gjykime mjaft të rënda të UEFA-s. Skandal i vërtetë që në vend të drejtësisë ka zgjedhur diplomacinë politike, duke shkelur mbi faktet e pakundërshtueshme në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri. Në mënyrë surprizuese për mbarë opinionin ndërkombëtar, Komisioni Disiplinor i qeverisë evropiane të futbollit, në një tentativë të qartë për të ruajtur ekuilibrat në kurriz të së vërtetës, vendosi, në fakt, ta kthejë në nul ndeshjen e turpshme të Beogradit, pasi nga njëra anë vendosi që ndeshja të fitohet në tavolinë nga Serbia me rezultatin 3-0, ndërsa nga ana tjetër për aktet e dhunës në Beograd vendosi t’i heqë 3 pikë Serbisë pra praktikisht është sikur ndeshja të mos ishte luajtur. Përveç humbjes në tavolinë me rezultatin 3-0 Shqipëria është dënuar edhe me një gjobë financiare prej 100 mijë eurosh, ndërkohë që Federata Serbe e Futbollit dënohet me 100 mijë euro gjobë, si dhe zhvillimin me dy ndeshje pa tifozë nga ana e përfaqësueses serbe të futbollit. Pavarësisht nga dhuna që u pa në sytë e gjithë botës nga ana e tifozëve serbë, pavarësisht prej turpit që ndodhi në Beograd dhe precedentëve botërorë të huliganizmit nga ana e serbëve UEFA ka vendosur të mbyllur sytë, gojën dhe veshët, duke zgjedhur balancat politike. Shqipëria tashmë do ta apelojë këtë vendim fillimisht në Komisionin e Apelit dhe pas ezaurimit të këtij hapi, do të synojë që drejtësia të vihet në vend në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

 

Argumenti kryesor i mbrojtjes së Federatës sonë

Vendimi është dukshëm i orientuar, që të ndikojë rezultatet sportive të grupit eliminator, ndërkohë që fokusi kryesor, në këndvështrimin e FSHF-së, duhet të jetë atmosfera ekstremisht e dhunshme dhe ngjarjet që në mënyrë të pakthyeshme. FSHF është plotësisht e orientuar që ta apelojë këtë vendim tek autoritetet kompetente sportive. Detajet e provave të apelit nuk mund të jepen përpara publikimit të argumenteve të vendimit, por disa çështje janë kategorike:

– FSHF nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorit serb, brenda dhe jashtë stadiumit

– Nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Arbitri i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie por sipas raporteve, nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtareve te tjerë të UEFA-s, që siguria u rivendos. Fusha mbeti e pasigurtë.

– Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve, që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendas që hynë në fushë.

– Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë dënimet. Një stadium që ofroi parulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale u ndëshkua në mënyrë të njëjtë, me një baner të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar.

– Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa evidente e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendas. Lojtarët shqiptarë nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi qe takimi te vazhdonte. Ky pozicion është produkt fantazie. Skuadra shqiptare nuk refuzoi kurrë të vazhdonte ndeshjen. Lojtarët shqiptarë deklaruan se ata ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli. Nuk ka referencë, në raportet zyrtare që zbrazja e stadiumit ishte mënyra e përshtatshme për të vendosur kushtet e sigurisë. Në qoftë se në opinionin e zyrtarëve të UEFA-s, kjo ishte gjëja e drejtë që duhej bërë, ata duhet të zbraznin stadiumin dhe më tej të rifillonin ndeshjen dhe të ftonin lojtarët shqiptarë në fushë, nëse ata i konsideronin lojtarët shqiptarë në gjendje për të luajtur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency