Kthimi në Kuvend/ Basha: S’kemi garanci, marrëveshje me praninë e ndërkombëtarëve

0
143

Kryeopozitari për dekriminalizimin e Kuvendit: Rama vazhdon të fshihet pas gjethes së fikut, promovon trafikantë në politikë

Basha kuvendit Basha me kreun e KEKryetari i opozitës, Lulzim Basha, kërkon garanci të plota për përmbushjen e kërkesave të bëra nga e djathta, në të kundërt Partia Demokratike nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kuvendit. Në një reagim pas votimit nga ana e mazhorancës të dy komisioneve hetimore të kërkuar me kohë nga opozita, Basha deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje pa siguruar garanci nga ndërkombëtarët.

 

Ndërkombëtarët si garantë

Sipas kryedemokratit Basha, vendimi i mazhorancës nuk ofron asnjë garanci, duke marrë parasysh veprimet e mëparshme të të majtëve. Në këtë kontekst, Basha i cilësoi deklaratat e Kryeministrit si “ligjërim demagogjik”. “Qeveria dhe shumica kanë qenë prej disa muajsh në shkelje flagrante të këtij detyrimi. Sot (dje) vendosën të zbatojnë Kushtetutën! Po çfarë garancish ka se nuk do t’i shkelin prapë, siç kanë bërë kur kanë shkelur e grisur konsensusin për ligjin e nëpunësit civil dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje? Asnjë garanci”, – shkroi Basha në rrjetin social “Facebook”. Kreu i të djathtëve u shpreh se opozita ka arsye të forta që nuk është pjesë e Kuvendit dhe është e vendosur në qëndrimin e saj për zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës dhe dekriminalizimin e Kuvendit. “Dua të ritheksoj se opozita ka ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin e jo për t’i vënë njolla, siç tha sot në ligjërimin e tij sërish demagogjik zoti Rama, por për të mos u pajtuar me njollat, për të mos iu bërë fasadë njollave dhe për t’i hequr njollat e pashoqe që i ka venë Kuvendit shumica Rama-Meta me shpërfilljen skandaloze të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe me kriminalizimin e tij”, – theksoi kreu i forcës politike më të madhe opozitare. “Opozita, – thekson Basha, – ka propozuar marrëveshje me garanci ndërkombëtare për dy çështjet shqetësuese. Ne kemi propozuar një marrëveshje me garanci ndërkombëtare për të dyja këto çështje”, – pohoi kreu i PD-së. “Si opozitë ne kemi vështirësi të pranojmë që zbatimi i vendimeve të gjykatave prej qeverisë të varet nga humori i saj, nga dhe koniunkturat e ditës, ndaj kemi kërkuar e ngulmojnë për një marrëveshje me garancinë e miqve dhe partnerëve më të mirë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Për të dyja çështjet madhore të konfliktit”, – vijon deklarata e Bashës.

 

Dekriminalizimi i Kuvendit

Një ndër akuzat e vazhdueshme të Partisë Demokratike adresuar mazhorancës, veçanërisht Kryeministrit Edi Rama, ka qenë ajo se kreu i qeverisë mban dhe promovon në Kuvend persona më precedentë penale. Lidhur me këtë çështje, Basha tha se Rama vazhdon të mos reagojë ndaj akuzave që ka bërë PD-ja. “Në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit, zoti Rama vazhdon të mos e shohë të vërtetën drejt në sy. Vazhdon të fshihet pas gjethes së fikut, vazhdon të bëjë dorëjashtin, kur është ai autori dhe përgjegjësi numër një i promovimit të trafikantëve në politikë, në administratën e lartë dhe brenda në Kuvend”, – deklaroi Basha duke vijuar se “Rama ka detyrimin të flasë hapur me shqiptarët për këtë fenomen nga më të shëmtuarit që ka njohur jeta politike e vendit gjatë dy dekadave të fundit”.

 

Konferenca në Serbi/ Bushati në Beograd: Vizita e Ramës të mos ju shqetësojë, hap i kapitullit të ri

Vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd më 10 nëntor i ka paraprirë ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Kryediplomati, bashkë më ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, morën pjesë dje në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme dhe ministrave të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aktivitet që u zhvillua në kryeqytetin serb. Bushati në një prononcim për mediat serbe ka folur për vizitën e Kryeministrit. “Vizita e Kryeministrit nuk duhet t’ju shqetësojë, është një praktike normale në të gjitha vendet evropianë”, – ka thënë Bushati. “Takimi ndërmjet dy kryeministrave është pa asnjë dyshim një hap pozitiv. Në vetvete ky takim është një kapitull i ri apo një fillim i ri, në të cilin fokusi do të jetë ajo që të dy vendet duhet të bëjnë në të ardhmen në favor të bashkëpunimit dypalësh, paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon”, – tha kreu i diplomacisë shqiptare. Po të njëjtën përgjigje Bushati e ka dhënë edhe për vizitën e Kryeministrit Rama në Preshevë. “Edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë të cilët kanë vizituar Beogradin në mënyrë rutinore kanë vizituar edhe Preshevën. Unë me të vërtetë çuditem se pse e bëni këtë pyetje (vizita në Preshevë). Bushati është pyetur edhe për “projektin Shqipëria e Madhe”. Për fat të keq, kjo ide ka qenë gjithmonë një makth i Serbisë, ajo kurrë nuk ka qenë pjesë e projektit tonë politik dhe qëllimeve tona politike. Pavarësia e Kosovës është një realitet evropian dhe ndërkombëtar. Kjo është një çështje që na ndan me Serbinë, por jo vetëm, ndan dhe Serbinë me Perëndimin”, – ka sqaruar Bushati. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka kërkuar mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian për zhvillimin ekonomik, për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe për krijimin e vendeve të reja të punës në rajon. Në takimin e djeshëm në Beograd morën pjesë edhe dy ministra nga Kosova, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, dhe ai i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, edhe pse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur. Po, ashtu i pranishëm në konferencë ka qenë edhe zv.presidenti i KE-së për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Jyrki Katainen, dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

 

 Denoncimi/ Ndërtimet pa leje, PD: Prishjet, selektive, qytetarët s’janë të barabartë para ligjit

Partia Demokratike ka denoncuar dje tri raste të prishjeve selektive që bën mazhoranca në aksionin e saj për prishjen e të gjitha objekteve pa leje. Sipas PD-së, për Kryeministrin Rama qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit. Ndërtimet pa leje që i ka lejuar qeveria janë: “Një lokal përballë Inxhinierisë së Ndërtimit, një shtesë përballë Maternitetit të Ri, është pa leje dhe ka zënë hapësirë publike. Nuk është shembur sepse pronari i saj është i lidhur me Edi Ramën dhe ligji nuk bën më efekt. Një lokal hedh shtat në një zonë të qytetit të Shkodrës, ku nuk është ndërtuar asnjëherë. Po lejohet sepse është marrë në mbrojtje nga një deputet i mazhorancës, mik me Edi Ramën”, – denoncoi deputeti demokrat Luciano Boçi. “Ndaj kësaj padrejtësie PD fton qytetarët të protestojnë dhe të kundërshtojnë me çdo mjet “aktet e bandës së zuzarëve, që u heqin bukën e gojës të pamundurve”. Ndërkohë, pas deklaratave, reagoi INUK-u që shpreh keqardhje për denoncimet e PD-së, të cilësuara si të pabaza, ndërsa shtoi se ky autoritet “nuk anashkalon asnjë objekt të paligjshëm”.

 

Kërkesa e PD-së/ Shtyhet votimi i ndryshimeve në rregullore

Në përfundim të seancës, Kryeparlamentari Meta bëri të ditur se ndryshimet në rregullore, të kërkuara nga PD-ja, do të shtyhen për votim në një kohë të përshtatshme. Lidhur me këtë vendim, nga vendi pa mikrofon, deputeti socialist Bashkim Fino kërkoi të dinte arsyen e kësaj shtyrjeje: “Po pse po shtyhet”, – pyeti ai. Në përgjigje të tij, Meta tha se për arsye teknike të disa anëtarëve nuk u zhvilluar mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, e cila do të bënte të mundur më pas edhe votimin e ndryshimeve në seancë. “Propozimet për ndryshimin e rregullores do të bëhen në një kohë më të përshtatshme pasi për arsye objektive nuk u realizua mbledhja e këshillit të rregullores”, tha ai. Po ashtu edhe votimi i ndryshimeve në nenin e përbërjes së komisioneve të tjera parlamentare u la për një kohë të dytë. Ky propozim kërkon që një deputet mos jetë më shumë se në një komision. Sipas kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, aktualisht komisionet e kanë të vështirë të mblidhen për shkak të zhvillimit të mbledhjeve në të njëjtën orë si dhe ka rritur shpenzimet e parlamentit. “Propozimi i dytë që ka grupi i PS-së, është që të kthehet formulimi i pjesëmarrjes së deputetëve në komision sic e ka pasur rregullorja e vitit 2004, që do të thotë se deputeti merr pjesë vetëm në një komision parlamentar”, – tha Ruçi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency