Vjedhja e energjisë/ Masat, Rama: 5 ditë kohë të shlyejnë faturat, ndryshe lëshohemi njësoj si në Lazarat

0
160

Kryeministri: Do të ndëshkohen njësoj si vjedhësit edhe gjyqtarët, na e kane sjellë shpirtin në majë të hundës

“Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë, do të hiqet fasha mbrojtëse prej 300 kv”

 edi rama, energjia elektrikeKryeministri Edi Rama paralajmëroi masa të ashpra për të gjitha bizneset dhe familjet që vjedhin energjinë elektrike dhe i shkaktojnë buxhetit të shtetit miliona euro humbje në vit. Kreu i qeverisë tha qartë se pjesë e ndëshkimeve nuk do të jenë vetëm subjektet që vjedhin energjinë, por edhe gjyqtarët që i mbrojnë ose i ndëshkojnë me gjoba të ulëta hajdutët e energjisë. Rama dha ultimatum që brenda 5 ditëve në vijim, të gjitha subjektet që nuk kanë paguar energjinë elektrike, ta bëjnë këtë brenda afatit, përndryshe do të ndëshkohen nga ligji. Gjithashtu, Kryeministri tha se do të hiqet fasha prej 300 kv, por pohoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

 

Afati, ndëshkimet

Kryeministri Rama, në një konferencë ditën e djeshme, bëri të ditur se bizneset janë problemi kryesor ose vjedhësit parësorë të energjisë elektrike, që do të ndëshkohen me arrestime. Ai u dha afat 5 ditë bizneseve dhe familjeve të shlyejnë energjinë elektrike, përndryshe do të ndërhyjnë forcat e Policisë së Shtetit dhe vjedhësit do të përballen me gjyqin. “Do ta fillojmë nga ata që janë problemi kryesor, nga ata që kanë fabrika, kanë biznese të mëdha dhe që paguajë sa një sahat familjar. Nuk do t’u ndahemi. Kanë 5 ditë kohë. 5 ditë kohë, që të rikthehen në binarët e ligjit. 5 ditë kohë përpara sesa trupat e policisë të lëshohen në territor njësoj siç u lëshuan në Lazarat dhe nuk do të kthehen nga beteja deri kur të kenë kapur, të kenë arrestuar, të kenë çuar përpara gjyqit hajdutin e fundit të energjisë elektrike, të kësaj kategorie, në radhë të parë, të lokaleve që punojnë ditë-natë dhe paguajnë sa një familje. Është e pamundur kjo histori. Sepse, nuk e paguan gjithë këtë borxh dikush tjetër për ne, e paguani të gjithë ju, e paguajnë të gjithë ata që, njësoj si ju, që nuk e vjedhin energjinë elektrike”, – paralajmëroi Kryeministrin Rama.

 

Gjyqtarët ndëshkohen njëson si ata që vjedhin

“Shpirti në majë të hundës po na vjen me këta gjykatës”, – deklaroi Kryeministri referuar faktit që ka shumë gjyqtarë që i trajtojnë vjedhësit e energjisë sikur të ishin kalimtarë dhe këta të fundit shpëtojnë duke shlyer një gjobë të ulët prej 2 mijë deri në 3 mijë lekë të vjetra. “Një gjë ta kenë të qartë të gjithë gjykatësit që vazhdojnë lëshojnë pa asnjë të drejtë ata që kapen në flagrancë për ndërtime pa leje apo që trajtojnë hajdutët e energjisë elektrike si kalimtarë, të cilëve madje u kemi rënë në qafë ose marrin përsipër bëjnë edhe sigurime padie, detyrojnë kompaninë e shpërndarjes të rilidhë energjinë për hajdutët, deri sa ata të vendosin nëse hajdutët janë hajdutë apo s’janë hajdutë, dhe jo kompania që shkon dhe pret lidhjen e paligjshme, që do t’i trajtojmë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike dhe nuk do t’u ndahemi”, – theksoi Rama. “Nëse të gjithë janë të barabartë para ligjit, edhe më të barabartë para ligjit janë gjykatësit. E them këtë, pasi shpirti në majë të hundës po na vjen me këta gjykatës që rrëzojnë rregullisht, njësoj si kalanë e Rozafës, – por jo natën, këta e bëjnë ditën, – atë që ditë-natë mundohen të ndërtojnë forcat e rendit së bashku me të gjitha institucionet e tjera që luftojnë për ligjshmërinë në këtë vend”.

 

Do të hiqet fasha 300 kv, jo rrije çmimi

Kryeministri deklaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por do të hiqet fasha prej 300 kv, pasi, sipas Ramës, pas kësaj fshihen hajdutët e 150 milionë eurove në vit. “Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë elektrike. Le të hidhen përpjetë ata që e predikojnë këtë gjë, sa të duan. Ne do të heqim fashën mbrojtëse, pas së cilës fshihen hajdutët e energjisë elektrike. Do të marrim përsipër ne, gjithçka që nga heqja e kësaj fashe do të shkojë në xhepin e çdo të pamunduri, e çdo pensionisti në radhë të parë. Por, ama, këtë do ta bëjmë pasi t’i kemi treguar kujtdo që kjo bëhet, sepse hajdutët nuk do të vazhdojnë të vjedhin. Hajdutët nuk mund të vazhdojnë të vjedhin energjinë elektrike. Si qenka kjo që këtu mund të vidhen 150 milionë euro rregullisht, pa pikën e gajles”, – tha Kryeministri Rama. Ndërkaq lidhur me paratë që humbin (150 milionë euro në vit) për shkak të vjedhjes së energjisë elektrike, Rama tha se mund të ndërtohen vepra të ndryshme publike, si rrugë, spitale, mbështetje për fermerët etj. “Për këtë arsye, hajdutët e energjisë elektrike janë armik i përbashkët i popullit shqiptar, janë armik i përbashkët i Shqipërisë sot, janë armik i përbashkët i të ardhmes së të gjithë fëmijëve tanë”, – bëri të ditur kryeqeveritari. Po ashtu përmes konferencës Rama bëri të ditur gjithashtu, se aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike do të udhëhiqet nga Kompania e Shpërndarjes dhe Policisë së Shtetit, ashtu siç strukturat policore kryen aksionin e prishjes së ndërtesave pa leje.

 

 Reagim/ PD: Rama mashtron, do të rritet çmimi i energjisë elektrike

Partia Demokratike i cilësoi “mashtrim” deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Sipas PD-së, heqja e fashës prej 300 kv detyron të gjithë qytetarët të paguajnë më shumë. “Kryeministri konfirmoi se fasha mbrojtëse e çmimit të energjisë do të hiqet. Me zë e me figurë, Edi Rama pohoi se të gjithë shqiptarët do të paguajnë më shumë”, – deklaroi Enno Bozdo. Sipas PD-së, “çdokush e di se heqja e fashës mbrojtëse do të detyrojë të gjithë shqiptarët të paguajnë më shumë. Të gjithë, pa asnjë përjashtim, përveç atyre që e vjedhin energjinë dhe që do të vazhdojnë ta vjedhin, sepse qeveria është e paafte t’i kontrollojë. Realitetit të faturave amorfe dhe të faturave të mbifryra, tashmë i shtohet edhe rritja e çmimit. Çdo familje dhe çdo familjar do të paguajë më shumë, pikërisht në një kohë krize ekonomike, të papunësisë së ulur këmbëkryq, të humbjes së vendeve të punës dhe rritjes së ndjeshme të numrit familjeve qe kanë borxhe të pashlyera. Çdo biznes do të paguajë edhe me shumë, sikur të mos mjaftojë kriza ekonomike dhe pamundësia e tyre për të shlyer kreditë”, – vijon deklarata e PD-së. Nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, sipas Partisë Demokratike, do të ndëshkohen më shumë shtresat e varfra dhe ato në nevojë.

 

 Denoncimi/ Ristani: Mafia ka kapur shtetin, deputetë të lidhur me krimin bëjnë ligjin

Partia Demokratike denoncoi dje përfshirjen e deputetëve të mazhorancës në trafikun e drogës dhe e akuzoi shumicën se mbron persona të përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale. Përmes deputetit Arben Ristani, PD akuzoi se të besuarit e Kryeministrit Rama, deputetë të lidhur me krimin, bëjnë ligjin në veri të Shqipërisë. Fakte tronditëse po zbulohen çdo ditë për përfshirjen e disa deputetëve në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Evropës. Policia e Shtetit, pas informacioneve që erdhën nga Italia dhe Mali i Zi, kreu para pak ditësh një operacion në zonën e Vilunit në Shkodër dhe arriti të ndalonte disa persona. E vërteta e dhimbshme është se policia nuk arriti të arrestonte kreun e organizatës”, – bëri të ditur deputeti demokrat Arben Ristani. “Kreu i organizatës, një person me precedent të rëndë penalë, i njohur për gjithë zonën për aktivitetin kriminal, u mor në mbrojtje nga një deputet i mazhorancës në Shkodër. Këtë fakt që e bëri të ditur ditën e aksionit të policisë një e përditshme pranë qeverisë, e dinë tashmë edhe Prokurorët e krimeve të rënda, dhe drejtuesit e policisë”, – vijoi akuzuan Ristani duke shtuar se personi u fsheh në një makinë të një deputeti të mazhorancës “makinë, e cila përdoret edhe nga përfaqësues të tjerë, njerëzit më të besuar të Edi Ramës në zonën e veriut”. Sipas Ristanit, shteti është i kapur nga krimi dhe kjo realizohet nga të besuarit e kreut të qeverisë Rama. “Deputetët e lidhur me krimin dolën përsëri mbi ligjin. Të besuarit e Edi Ramës, në të vërtetë bëjnë ligjin në veri, dhe drejtojnë trafikun kriminal me anë të ushtarëve të tyre. Publiku shqiptar duhet të jetë i qartë se tërheqja e Policisë para këtyre fakteve, tregon se mafia ka kapur shtetin”, – deklaroi deputeti demokrat duke mbyllur deklaratën me frazën: “Mafia sundon sot në Shqipëri dhe ka një Kryeministër, Edi Ramën”.

 

 Reagimi/ Tahiri: S’ka të fortë që t’i bëjnë bisht ligjit, qoftë djathtas e qoftë majtas

“Përpara ligjit janë njësoj të gjithë, nuk ka ndarje majtas ose djathtas, për Policinë e Shtetit nuk ka të paprekshëm e të fortë”. Kështu deklaroi dje ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një reagim ndaj akuzave të vazhdueshme të opozitës se në mazhorancën qeverisës bëjnë pjesë edhe persona që kanë kryer krime të ndryshme. “Policia e Shtetit ka treguar e do vazhdojë të tregojë se nuk ka më të paprekshëm dhe as të privilegjuar. Nuk ka më të fortë që mund t’i bëjnë bisht ligjit, as me pushtet dhe as me para, as me mandat deputeti, qoftë djathtas e qoftë majtas dhe as me imunitet familjar të cilitdo lloji e kategorie. Askush qe shkel ligjin, nuk gëzon dot trajtim të ndryshëm nga çdo shkelës ligji”, – theksoi Tahiri. “Policia e Shtetit nuk është redaksi gazete dhe as tribunë partie që të japë lajme për operacione në zhvillim dhe hetime që janë ende në vazhdim”, – vijoi ministri i Punëve të Brendshme. Sipas tij opozita “akuzon për krime të imagjinuara apo të prezumuara deputetët e shumicës, një deputet që ka bërë burg për mashtrim, kjo e ul shumë besueshmërinë e akuzave”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency