Samiti evropian: S’kemi qenë kurrë më parë kaq të bashkuar rreth sportit

0
130

Alba Kepi

alba-kepi“Evropa nuk ka qenë kurrë më parë kaq e bashkuar rreth sportit”. Ky është konkluzioni i sapodalë nga samiti informal i mbajtur më 20-21 tetor në Romë, në selinë e Ministrisë së Jashtme e nën Presidencën Italiane të Këshillit të Evropës.

Ministrat e Sportit të 28 vendeve anëtare dhe Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, kanë marrë pjesë në një tavolinë dyditore pune për festuar paktin historik mes UEFA-s e Bashkimit Evropian, nënshkruar një javë më parë në Bruksel, si dhe për të diskutuar mbi vlerën sociale të sportit e problematikat e lidhura në këtë qëllim.

Marrëveshja me BE-në arritur pikërisht në 60-vjetorin e krijimit të UEFA-s konsolidoi impenjimin e këtij institucioni për të bashkuar organizma të rëndësishëm politikë në vizionin mbi të ardhmen e futbollit evropian e në iniciativat e tij kryesore. Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, deklaroi se “është përshkruar një rrugë e gjatë në raportin e UEFA-s me Komisionin Evropian e pakti i nënshkruar është prova se kjo lidhje është më e fortë se kurrë”.

Me mbështetjen më të madhe të Komisionit Evropian do të intensifikohet puna e UEFA-s për të shpëtuar etikën e sportit dhe duke promovuar një qeverisje e drejtim sa më të mirë. Puna e përbashkët mes UEFA-s e BE-së do të synojë një futboll evropian të aftë për të kapërcyer sfidat e tij, si kur bëhet fjalë për diskriminimin, ashtu dhe për ndeshjet e trukuara, dhunën, merkaton e futbollistëve e administrimin financiar të përkatësisë profesionale të tyre.

Edhe pse me ide e opinione të ndryshme, 28 ministrat e Sportit të vendeve të BE-së kurrë më shumë se tani janë bashkuar rreth politikës së sportit, duke marrë në diskutim problematikat aktuale të futbollit, por edhe vlerën ekonomike të tij, si në edukimin e një stili të shëndoshë jetese ashtu dhe si një faktor zhvillimi e inovacioni.

Tri temat kryesore të debatuara në samitin e Romës e të deklaruara publikisht nga kreu i UEFA-s si betejat e tij të ardhshme qenë:; 1- ndeshjet e trukuara; 2- administrimi financiar i merkatos së profesionistëve nga palë të treta; 3- java evropiane e sportit.

 

Match fixing – Ndeshjet e trukuara. Është gati nënshkrimi i një konvente të re evropiane.

UEFA konsideron ndeshjet e trukuara si një nga rreziqet kryesore të mirëqenies dhe integritetit të futbollit. Në bashkëpunim me rezolutën e miratuar më parë nga Parlamenti Evropian, UEFA ndjek politikën e tolerancës zero ndaj kujtdo, klub o individ që kryen akte të tilla.

Është përllogaritur se ndeshjet e trukuara gjatë garave të UEFA-s janë rreth 2000 e mbi 30000 gjatë kampionateve e kupave kombëtare në 53 federata të anëtarësuara nga ky institucion. “E nëse rezultatet e ndeshjeve dihen paraprakisht, – tha Michel Platini, -atëherë as fëmijët nuk do të luajnë më futboll e as njerëzit nuk do të shkojnë më në stadium”.

Për komisioneren evropiane të Sportit Androulla Vassiliou, çështja e ndeshjeve të trukuara cenon integritetin e sportit e për ta fituar këtë betejë Komisioni Evropian ka bashkuar forcat me Këshillin e Evropës, në nisjen e negociatave për nënshkrimin e një konvente tashmë për t’u firmosur nga vendet anëtare. Aktualisht shërbimi juridik i Komisionit Evropian po vlerëson përputhshmërinë e normativave të BE-së me konventën e hartuar kundër “match fixing”.

 

Financial Fair Play. Merkatoja e profesionistëve dhe administrimi financiar i futbollistëve nga palët e treta (prokuratorët).

Trekëndëshi “futbollist-klub-prokurator” kohët e fundit është nën shënjestrën e analizave të specialistëve të UEFA-s, duke u konsideruar si një kërcënim për të drejtat e profesionistëve të sektorit, madje deri në limitet e kufijve të të drejtave njerëzore.

Platini ka kërkuar një strukturë juridike të përshtatshme ndaj temës së përkatësisë financiare të futbollistëve nga palë të treta, duke e konsideruar këtë fenomen si përdorues të metodave të pamëshirshme e të fshehta e që shfaqin hapur një mospërfillje flagrante ndaj dinjitetit njerëzor. Ky fakt dëmton, sipas tij, jo vetëm integritetin e futbollit, ndeshjet e garat sportive, por dhe financimet bazë të kësaj kategorie.

Agjentët e sipërmarrës blejnë kuotat e një futbollisti të ri e reklamojnë përqindjen vetëm pasi konkretizohet transferimi i tij nga një klub në tjetrin. Ky fakt për numrin një të UEFA-s është i turpshëm e i papranueshëm për dinjitetin njerëzor.

“Çdokush duhet të jetojë me krahët e tij, me mjetet e fuqitë që disponon. Kjo linjë nuk duhet kapërcyer, – u shpreh Presidenti i UEFA-s, Michel Platini. – Kemi nisur ta drejtojmë sportin në rrugën e drejtë. Borxhet e klubeve evropiane arritën gjatë vitit 2011 në 1.7 miliardë euro e falë procesit “Fair Play Finaciar” adoptuar së fundmi nga UEFA, më 2013 u ulën pothuajse në 800 milionë euro, pra me gati 50%”.

Të 28 ministrat evropianë të Sportit sollën në këtë samit një mendim të përbashkët se “përkatësia financiare e lojtarëve është një temë me shumë pak transparencë e që mund të sjellë pasoja negative etike dhe sportive”.

Nuk ka hapësirë për fenomenin e “third party ownership” në sportin evropian, e gjitha kjo është kundër dinjitetit human e deklaratës së BE-së për të drejtat themelore të njeriut. Kjo praktikë ekzistonte dikur vetëm në Amerikën e Jugut e tashmë është përhapur në të gjithë Evropën. Samiti i Romës deklaroi idenë e nevojës urgjente për të vepruar e reaguar kundër këtij fenomeni si në rrugë politike ashtu dhe në atë juridike. Të gjitha vendet anëtare duhet të bashkojnë politikat e tyre për të luftuar këtë të keqe, drejt një administrimi financiar sportiv të drejtë e të barabartë, e nën një mbështetje të vazhdueshme të Evropës ndaj UEFA-s.

 

Java evropiane e sportit

Marrëveshja e nënshkruar mes UEFA-s e Komisionit Evropian ka një jetëgjatësi trevjeçare. Ky pakt impenjon të dy institucionet të punojnë së bashku për integritetin e sportit, dinjitetin njerëzor, respektin e të drejtave të njeriut, luftën kundër çdo diskriminimi, kundër dopingut e korrupsionit, pa harruar mbi të gjitha solidaritetin financiar mes sportit të elitës e sportit të masës.

Sporti është pjesë integruese e kulturës që bashkon vendet e Evropës dhe miliona qytetarë të kombësive të ndryshme. Çdo vit e më shumë merr një vend të rëndësishëm në shoqërinë evropiane, në sektorin e arsimit, në integrimin social e në shëndetin publik. Por sporti po fuqizon dhe rolin e tij ekonomik në kontributin e dhënë me krijimin e vendeve të reja të punës në Evropë e në zhvillim.

Për këto qëllime UEFA e Komisioni Evropian impenjohen të kontribuojnë aktivisht në Javën Evropiane të sportit, edicioni i parë i të cilës është parashikuar në muajin shtator të 2015-ës.

Gjatë samitit informal të sapombyllur në Romë, kreu i UEFA-s, Michel Platini, ka bërë publik objektivin e tij të ardhshëm: ruajtjen e një stabiliteti në botën e sportit profesionist evropian, duke i vlerësuar specifikën e në respekt të plotë me të drejtat komunitare.

“Pakti me Bashkimin Evropian, – tha ai, – është një hap historik në politikën e sportit evropian e vjen në një moment të rëndësishëm. Në këto ditë e në këtë kohë futbolli tenton të vetëkënaqet. Të mos mjaftohemi me kaq, duhet të na lini ta dashurojmë e t’jua shërbejmë siç duhet sportin”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency