Si të kontrollojmë të ardhurat dhe shpenzimet

0
238

llog paraTë gjithë keni në pronësi sende të ndryshme ose pasuri të mëdha apo të vogla, por shpesh doni të keni gjëra të reja, të ndryshme nga të parat. Në disa raste, këto janë gjëra të vogla dhe në raste të tjera, më të mëdha. Shpeshherë e dëshironi diçka menjëherë, por ndodh që edhe mund të prisni për ta pasur atë. Për të përcaktuar nëse këto dëshira janë të realizueshme ose jo, fillimisht ato duhen shkruar e renditur në letër. Dëshira për t’i realizuar ato mund të shndërrohet fare mirë në objektivat tuaj financiarë. Mënyra më e mirë është që këta objektiva financiarë të hidhen në letër dhe pastaj të përcaktohen afate kohore sipas të cilave dëshironi t’i realizoni. Pasi të keni llogaritur shumën që ju duhet për të plotësuar kërkesat tuaja financiare mujore dhe të zbrisni prej saj shpenzimet e përditshme, atëherë do të kuptoni se sa para ju mbeten.

 

Si të kontrollojmë shpenzimet

Fillimisht duhet të identifikoni të ardhurat vetjake dhe/ose ato të familjes tuaj. Kjo nuk nënkupton vetëm pagat apo shpërblimet e ndryshme që merrni nga punëdhënësi, por edhe të ardhurat nga qiratë, ndihmën financiare nga të afërmit, ndihmën sociale, të ardhurat nga emigracioni dhe, në rast se keni kursime, edhe të ardhurat nga interesat e tyre etj.. Kështu, do të zbuloni se të ardhurat tuaja mund të ndryshojnë nga njëri muaj në tjetrin. Këto ndryshime do të ndikojnë në sasinë e përgjithshme të të ardhurave që ju keni vendosur të shpenzoni për përdorim të përditshëm.

 

Renditja e shpenzimeve fikse

Shpenzimet mund të ndahen në shpenzime fikse dhe në shpenzime të ndryshueshme. Arsyeja për këtë është fare e thjeshtë: shpenzimet fikse janë shpenzime të domosdoshme, të cilat kanë një ndikim të përhershëm në buxhetin mujor dhe nuk ka mundësi të shmangen, pasi janë thelbësore për jetën e përditshme. Shpenzimet fikse zakonisht përfshijnë: qiranë e shtëpisë, detyrimet mujore të energjisë elektrike ose të telefonit, sigurimet shëndetësore apo shoqërore, pagesat e kësteve të kredive, pagesat për abonime të ndryshme etj.

 

Llogaritja e buxhetit mujor për shpenzimet e ndryshueshme

Një formulë e thjeshtë është: Të ardhurat mujore – shpenzimet fikse mujore = buxheti mujor për shpenzimet e ndryshueshme. Si buxhet mujor për shpenzimet e ndryshueshme mund të konsiderohet shuma e lekëve që ju përdorni krahas shpenzimeve fikse, për të plotësuar nevojat e përditshme. Këto shpenzime mund të shkojnë për ushqime, veshmbathje apo edhe argëtime të ndryshme, si një kafe me miqtë, bileta për kinema, një drekë me gjyshen etj. Shpenzimet e ndryshueshme janë të një natyre tjetër nga ato fikse dhe kjo bën që shuma e tyre të ndryshojë nga muaji në muaj. Për të krijuar një ide të përgjithshme mbi shumën e këtyre shpenzimeve, ju mund të caktoni një shifër mesatare, e cila herë do të tejkalohet, herë do të jetë më e vogël dhe herë të tjera do të respektohet.

 

Shënoni shpenzimet e ndryshueshme!

Ajo që duhet të bëni është të gjeni mënyrën e regjistrimit të shpenzimeve tuaja të ndryshueshme. Sa më mirë të jetë ndërtuar sistemi, aq më i thjeshtë do të jetë identifikimi i sjelljes tuaj si konsumator. Për rrjedhojë, do ta keni më të lehtë të filloni ta ndryshoni atë kur është e nevojshme. Duhet të bëhet dallimi midis kategorive të ndryshme të shpenzimeve: shpenzime banese, ushqimi, veshjeje, komunikimi, argëtimi, edukimi, transporti, familjare etj.. Sigurisht që jeni të lirë të përcaktoni edhe kategori të tjera shpenzimesh dhe, në varësi të situatave të ndryshme, mund t’i shtoni apo t’i pakësoni ato.

 

 Llogaria rrjedhëse, çelësi për të hyrë në botën e financës

Transaksionet e biznesit të ditëve të sotme do të ishin të pamundura pa llogarinë rrjedhëse bankare. Kjo vlen si për kompanitë, ashtu edhe për individët. Llogaritë bankare përbëjnë shtratin për transaksionet e pagesave dhe në të njëjtën kohë janë çelësi për të hyrë në botën e shërbimeve financiare. Të gjitha bankat tregtare që ndodhen në Shqipëri ofrojnë llogari rrjedhëse. Këto llogari kanë shumë përparësi në krahasim me kryerjen e pagesave me para në dorë, nga ana juaj: Ndryshe nga paratë cash, në një llogari rrjedhëse paratë janë të sigurta ndaj vjedhjes. Ato nuk mund të humbasin, nuk mund të digjen nga zjarri dhe nuk mund të dëmtohen nga përdorimi. Paratë që i janë besuar një banke, janë të sigurta edhe në qoftë se ky institucion financiar gjendet në vështirësi. Agjencia e Sigurimit të Depozitave, është institucioni që e bën të mundur këtë gjë. Pagesat që bëhen me llogari rrjedhëse janë shumë më komode se sa ato që kryhen me para në dorë, veçanërisht kur bëhet fjalë për distanca të largëta apo shuma të mëdha. Nëse paguani sistematikisht nëpërmjet llogarive rrjedhëse, janë të shumta bankat që ju ofrojnë shërbimin overdraft apo shërbimin financiar me anë të të cilit ju mund të kryeni pagesa dhe të tërhiqni përkohësisht më shumë para nga sa ju lejon gjendja e llogarisë suaj bankare. Ky shërbim është një lloj huaje, që banka u jep klientëve, për të cilën mbahet një komision në varësi të shumës së tërhequr dhe të kohës pas të cilës ju e ktheni overdraftin. Megjithëse kushton, ky shërbim ju krijon mundësinë të kapërceni vështirësitë financiare afatshkurtra. Nëse jeni të interesuar të hapni një llogari bankare, këshillohet që së pari të njiheni me të gjitha llojet e ofertave në treg.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency