Standard.al

Shkresa/ Prokuroria, KMSH-së: Merr në administrim xhaminë e Unazës së Re

Kërkesa e organit të akuzës, pas informacioneve të riaktivizimit të celulave ekstremiste në këtë xhami, e drejtuar më parë nga Genci Balla

 xhamia ne unaze te re

Tiranë

 Pas marrjes së informacioneve se në xhaminë e Unazës së Re janë riaktivizuar celulat ekstremiste, e cila më herët është drejtuar nga Genci Balla, tashmë i arrestuar, Prokuroria i kërkon Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të marrë nën administrim këtë xhami. Nga burime pranë akuzës mësohet se kjo kërkesë ka ardhur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në këtë xhami janë riaktivizuar celulat ekstremiste, që predikojnë rrymën radikale të fesë islame. Kërkesa i është drejtuar edhe Komunitetit të Kulteve, pranë Këshillit të Ministrave, për t’i ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme Komunitetit Mysliman për të marrë në administrim xhamitë e ndërtuara nga vullnetarë apo të financuara nga burime të dyshimta. Por, ndërkohë mësohet se vetë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë menjëherë pas arrestimit të imamit të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, ka tentuar ta administroje këtë xhami, por pa sukses. Kjo, pasi besimtarët myslimanë që kryejnë ritet fetare aty, nuk kanë pranuar varësinë nga Komuniteti. Ndërkohë, KMSH dhe Komuniteti i Kulteve janë shprehur se nuk e disponojnë ende zyrtarisht këtë kërkesë.

 

Hetimi

Lidhur me hetimet për grupin e arrestuar për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë në Siri, burime nga akuza bëjnë me dije se hetimet ndaj të dyshuarve për terrorizëm vazhdojnë nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ky institucion, bashkë me organet ligjzbatuese, prej muajsh po punon për të zbardhur rrjetin e të dyshuarve, që dërgonin besimtarë myslimane pranë grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Deri tani është provuar se janë rreth 80 persona, që u janë bashkuar grupeve terroriste fillimisht kundër regjimit të Al-Asadit, por që tashmë po luftojnë për krijimin e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.

 

Urdhri

Urdhri i dalë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ngritur strukturën antiterror, e cila do të jetë nën varësi të drejtpërdrejtë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërkohë që u përshtatet të gjitha vendeve euroatlantike. Parimi i përgjithshëm edhe i shteteve të mëdha evropiane “Gjej – Fikso – Godit”, do të jetë parimi edhe i policisë shqiptare. Urdhri ka dalë pak ditë më parë, ndërsa në relacionin shoqërues të tij shkruhet se Drejtoria Antiterror u ngrit pas vlerësimit të situatës në vend, rajon e më tej, si dhe faktin që Shqipëria është një pjesëmarrëse në koalicionin ndërkombëtar antiterror. Në përpunimet e fundit të informacioneve që janë bërë nga ekspertët e Policisë Shqiptare në terren konstatohet sipas tyre një tendencë gjithmonë e në rritje të radikalizmit me theks fetar, nacional, etnik e politik. Në relacion thuhet se një nga detyrat imediate që i del përpara kësaj strukture mbetet fakti për frenimin e të rinjve shqiptarë për t`iu bashkangjitur forcave të ISIS-it. Ndalimi i rekrutimeve, si edhe arrestimi i personave që përgatisin luftëtarë për ISIS-in mbetet detyrë parësore e kësaj strukture, së cilës i është 8-fishuar numri. Por, edhe shpërthimet me eksploziv, të klasifikuara si akte terroriste, do të jenë gjithashtu objekt i punës së kësaj drejtorie të re. “Për të përmirësuar cilësisht, – thuhet në relacion, – hetimin e akteve terroriste, u pa e udhës të rikompozohet krejt struktura në Drejtori, duke e rritur numrin e saj në 104 efektivë”. Bashkë me krijimin e Drejtorisë Antiterror, do të ngrihet një sistem i sigurt transmetimi informacioni për hetimin e akteve terroriste. Gjithashtu, do të ketë identifikim përmes metodave analitike të situatës së grupeve kriminale. Drejtoria Antiterror do të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga drejtori i Policisë dhe për shkak të specifikës nuk do të ketë seli në ndërtesën aktuale të Policisë. Drejtoria do të jetë e shtrirë në 12 qarqet e Policisë, ku përqendrimi më i madh do të jetë në Tiranë.

 

Luftë korrupsionit/ Rrugorët prangosin një tjetër shkelës ligji që ofroi ryshfet

Një 43-vjeçar ka rënë në pranga të policisë, pasi tentoi t’u jepte ryshfet punonjësve të policisë. Task-Forca e Policisë Rrugore e Tiranës arrestoi në flagrancë Maksim Gegën, ndërsa mbi të rëndojnë akuzat e “Korrupsionit aktiv ndaj funksionarëve që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtim i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi”. Shërbimet e Task-Forcës ishin duke kryer kontrolle në zonën e Unazës së Madhe në kryeqytet, kur kanë konstatuar se mjeti me targa TR 16 28 U, tip “Renault”, i drejtuar nga Maksim Gega, shkeli semaforin e kuq. Policia u vu në ndjekje të mjetit dhe e ka ndaluar atë pak metra larg kryqëzimit ku kreu shkeljen. Punonjësit e Task-Forcës i kërkuan drejtuesit të mjetit dokumentet e makinës dhe lejen e drejtimit, por Gega i ka futur në xhep njërit prej policëve 500 lekë të reja, për të shmangur ndëshkimin administrativ. Ai u arrestua në flagrancë dhe materialet hetimore për të do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

 

 Fier/ Hetim dy punonjësve të Postës Shqiptare, nuk derdhën lekët e faturave të dritave

Policia e Fierit ka nisur procedimin penal ndaj dy ish-punonjësve të Postës Shqiptare, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Sipas burimeve policore mësohet se dy ish-punonjësit e Postës dyshohet të kenë përfituar shuma të mëdha parash, duke mos derdhur në postë paratë e faturave të dritave që paguanin qytetarët. Sipas policisë, 38-vjeçari T. D., ish-punonjës i Postës në Komunën Verri, ka përfituar duke shpërdoruar detyrën mbi 10 milionë lekë, ndërsa Hysen S., ish-punonjës i Postës në Ballsh, dyshohet se ka përfituar mbi 30 milionë lekë.

 

Lufta kundër trafikut të drogës/ Ministri Tahiri merr letër falënderimi nga homologu spanjoll

Ministri i Brendshëm i Spanjës, Jorge Fernandez Diaz, i ka cilësuar si mjaft pozitive shifrat në luftën kundër trafikut të drogës, si dhe heqjen e Shqipërisë nga lista e origjinës së narkotrafikut. “Shifrat janë shumë pozitive, si për vendin tuaj ashtu edhe për Bashkimin Evropian dhe jam i bindur që i përgjigjen një pune të strukturuar, serioze dhe këmbëngulëse, në një sektor kaq të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e një vendi”, – thuhet në një letër që ministri i Brendshëm i Spanjës, i ka dërguar ministrit Tahiri. Ndërsa thekson se për Spanjën lufta kundër trafikut të drogave është një prioritet, Diaz punën e bërë nga ministria e Brendshme “për shifrat e konfiskimeve, arrestimeve dhe gjyqeve që rezultojnë me dënime, frut i operacioneve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit Shqiptar”. Ministri spanjoll e mbyll letrën e tij duke shprehur dëshirën për t’u takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

 

 

 

Comments are closed.