Standard.al

Kthim në Kuvend?! Opozita me kushte, PD: Me garancinë e ndërkombëtarëve

Gëzim Saliu

Kërkesat: Sovranitet i Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave si dhe bashkëpunim me opozitën për të çmontuar krimin në Kuvend dhe në shtet. Nëse s’ka reflektim, protesta popullore

seanceparlament Opozita i ka propozuar një marrëveshje mazhorancës së majtë, e cila do të mundësonte rikthimin e Partisë Demokratike në jetën parlamentare. Kështu bëri të ditur dje kreu i grupit parlamentar të forcës më të madhe opozitare Edi Paloka përmes një deklarate nga selia blu, ku tha se me rëndësi parësore është që marrëveshja të mbikëqyret nga faktori ndërkombëtar. “E vetmja zgjidhje është rikthimi i Parlamentit në normalitet. Për këtë arsye opozita ka propozuar një marrëveshje shumicë-opozitë me garanci dhe mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtar ku shumica të angazhohet të mos vërë më kurrë në pikëpyetje sovranitetin e Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave si dhe të punojë bashkë me opozitën për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në Kuvend dhe në strukturat shtetërore”, – tha ai.

 

Deklarata

Sipas numrit një të grupit kuvendor të PD-së, ndërprerja e marrëdhënieve me Kuvendin nga ana e opozitës është pasojë e asgjësimit të debatit parlamentar nga dyshja Rama-Meta. “Me qëllimin e vetëm për të ndalur transparencën dhe llogaridhënien parlamentare para qytetarëve, Rama-Meta shkelin Kushtetutën dhe ligjin, refuzojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por për të shuar fjalën e lirë në Kuvend nuk janë mjaftuar me kaq. Edi Rama ka instaluar në Kuvend individë me rekorde kriminale të cilët i përdor për skenarë dhune kundër opozitës”, – tha Paloka. Në këtë kontekst, ai shtoi: “Opozita mund të përballet fizikisht me këta horra dhe urdhëruesin e tyre Rama, por skenarët e gjakderdhjes nuk janë zgjidhje por përshkallëzim drejt një konflikti civil me pasoja të pallogaritshme për vendin. As nënshtrimi i Partisë Demokratike para krimit dhe aleatëve të tij politikë nuk ka për të ndodhur kurrë!” Ndërkaq deputeti demokrat bëri të ditur se PD është më e vendosur se kurrë të paguajë çdo çmim në mbrojtje të demokracisë dhe lirive themelore. “Papunësia në rritje, varfëria, pasiguria dhe depresioni ekonomik si dhe arroganca e paligjshmëria qeveritare janë prodhim i drejtpërdrejtë i degradimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare nga dyshja Rama Meta. Kush mbyll sytë apo e shikon me syze rozë këtë realitet gabon rëndë dhe gënjen veten. Nëse nuk ka reflektim, Partia Demokratike do të udhëheqë qytetarët në protestat më masive dhe popullore deri në rrëzimin e atyre që mendojnë se janë mbi ligjin dhe Kushtetutën”. Ndërkohë, Kryeministri Rama ka deklaruar në fund të muajit shtator se mazhoranca është e gatshme të votojë çdo kërkesë të opozitës për komision hetimor, duke theksuar nga ana tjetër se të majtët ende nuk po kuptojnë se çfarë po kërkon opozita për të mundësuar rikthimin e saj në Kuvend.

 

 Debati te Komisioni Ligjeve/ Xhafaj, Totozanit: Zotrote, solle vërdallë stafin për tri ditë. Ndoka: Fino duhej të ishte te PD!

Diskutimi i ndryshimeve në ligjin “Për Avokatin e Popullit” u shoqërua dje me debate në Komisionin e Ligjeve mes kreut te Komisionit Fatmir Xhafaj dhe Igli Totozanit. Ndërsa Avokati i Popullit kërkoi më shumë kohë për tu konsultuar me ndryshimet e propozuara, Xhafaj shprehu kritikën e tij. “Unë nuk mund të rri në çdo mbledhje që vini kërkoni të shtyhet. Ka tri ditë që të vijmë vërdallë zotrote gjithë stafi i Kuvendit”, – tha ai. Në përgjigje të tij, Totozani tha: “Do t’ju lutesha që mos kemi këtë lloj komunikimi si qytetar dhe avokat populli”. Ndërkaq në diskutimin nen për nen të projektligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” nuk munguan batutat mes anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Deputeti Bashkim Fino duke folur jashtë mikrofonit lidhur me afatin kohor që i shtohet palëve të interesuara për të dërguar pranë organit publik vendimmarrës komentet dhe reagime e tyre shprehur kritikën e tij. Ndërkaq, kreu i Komisionit kërkoi që Fino të flasë me mikrofon dhe përgjigjja e këtij të fundit nuk nguroi të shoqërohej me batutë: “Me mikrofon të shkatërroj, zgjatja e afatit do jetë pa fund”. Në këtë mes ka ndërhyrë edhe kreu i PDK-së Nard Ndoka, i cili tha se me këto kundërshtime që bën deputetit Bashkim Fino duhet të jetë në grupin parlamentar të PD-së. “Ndaj është nga krahu juaj që t’u mbështesë”, – iu përgjigj Xhafaj.

 

Debatet 

Për Avokatin e Popullit

 Xhafaj: Në diskutim dy nenet e mbetura për ligjin e avokatit të popullit.

Totozani: Ne po njihemi tani me këtë material zoti kryetar, ndoshta do na duhet të paktën gjysmë ore ta lexojmë.

Xhafaj: Keni ndonjë për nenin 9 të lutem sepse janë diskutuar, janë thjesht riformulime.

Totozani: Ka gjera të reja dhe ne tani po i hedhim një sy.

Xhafaj: Edhe një herë sepse unë nuk mund të rri në çdo mbledhje që vini kërkoni të shtyhet. I dëgjuam me shumë vëmendje dhe respekt vërejtjet dhe sugjerimet tuaja.

Totozani :A mund të flasim më qetë.

Xhafaj: Qetë normalisht.

Xhafaj: Kalojmë nen për nen dhe nëse është e nevojshme e shtyjmë atje. Ka tre ditë që të vijmë vërdallë zotrote gjithë stafi i kuvendit.

Totozani: Do iu lutesha që mos kemi këtë lloj komunikimi si qytetar dhe avokat populli.

Xhafaj: Ka 3 ditë që vijnë vërdallë pranë zyrës suaj. Pse nuk jeni shprehur?

Totozani: Ky draft ka ardhur tani në mëngjes.

Xhafaj: Mirë merrni kohë 30 minuta të shqyrtoni projektin.

 

Comments are closed.