Standard.al

Konferenca/ Rama, model gjerman për rajonin: Të jemi skuadër, pa stërkëmbësha

Erneta Shevroja

Edi Rama em gjermanet “Angela Merkel në raport me ne dhe rajonin është se pikërisht në këtë moment çorodie dhe pasigurie që ka kapluar Evropën, ajo i dha Ballkanit një perspektivë shumë inkurajuese”

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në një takim me partnerët gjermanë se në momentin që ndodhen vendet e rajonit, nuk mund të funksionojnë duke penguar njëri-tjetrin, por duke bashkëpunuar si një skuadër futbolli. Në konferencën kushtuar ditës së bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, Kryeministri Edi Rama foli gjatë për marrëdhëniet e ngushta mes dy shteteve dhe për bashkëpunimin që duhet të kenë vendet e rajonit me njëri-tjetrin. Duke iu referuar termave të futbollit, Rama u shpreh se duhet bashkëpunim si një skuadër, dhe jo të bëjmë autogol dhe më pas të pretendojmë se janë gola ndaj tjetrit. “Jo vetëm që nuk duhet t’i vëmë stërkëmbësha njëri-tjetrit, por as duhet ta imagjinojmë se mund të jetojmë dhe mund të shkojmë larg me njëri-tjetrin, duke bërë autogola dhe duke pretenduar që janë gola ndaj tjetrit”, – tha Rama dje. “Besoj që kombëtarja e Gjermanisë është një shembull tjetër për të kuptuar Gjermaninë dhe për të kuptuar pse Gjermania gjithmonë ka suksesm sepse sado lojtarë të zotë ose më pak të zotë, me yje apo më pak yjem Gjermania të ketë pasur në një kampionat apo në një kampionat tjetër, – edhe Ylli, në këtë rast Manjani, mund të ma konfirmojë këtë gjë si tifoz relativisht “i sëmurë” i Gjermanisë, – përsëri ylli i vërtetë ka qenë skuadra. Kjo është ajo që e ka bërë Gjermaninë që gjithmonë të jetë një hap përpara të tjerëve, pavarësisht se si ka qenë rezultati përfundimtar. Në këtë aspekt, besoj që kemi shumë për të mësuar nga kjo kulturë e skuadrës, brenda nesh, por edhe në rajon, sepse sfida që na është bërë, është që nëse duam të afrohemi më shpejt me Evropën, duhet të funksionojmë si një skuadër”, – vijoi Rama fjalën e tij para të pranishmëve gjermanë.

 

Gjermania

Gjithashtu, ai u shpreh se Gjermania nuk është thjesht një partner strategjik për zhvillimin ekonomik, por edhe një shembull lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të të gjithë rajonit. Rama vlerësoi rolin e lidershpirit që ka sot Gjermania në rajon dhe në Evropë, që, sipas Ramës, është më i gatshëm se kurrë për t’u çoroditur. Ai foli me vlerësim të lartë edhe për Kancelaren gjermane Angela Merkel që “në raport me ne dhe në raport me rajonin, është se pikërisht në këtë moment çorodie dhe pasigurie që ka kapluar Evropën, ajo i dha Ballkanit, u dha shqiptarëve dhe Shqipërisë si pjesë e gjithë rajonit, një perspektivë shumë inkurajuese dhe një shpresë të rilindur tek mundësia për të ecur përpara me projektin evropian, pavarësisht turbullirave dhe lëkundjeve që kalon sot Evropa e Bashkuar”, – deklaroi kreu i qeverisë. “Nga ana tjetër, përveçse udhërrëfyese në ecjen përpara të një Ballkani që është në paqe, por që paqen e ka shumë të brishtë, Gjermania është njëkohësisht edhe një garanci për një Evropë që ndodhet e sfiduar në kufijtë e vet nga ambicie të natyrave të ndryshme”, – vijoi Rama.

 

Ekonomia dhe arsimi profesional

Kryeministri Rama theksoi gjithashtu rëndësinë që ka Gjermania në rrugën e zhvillimit ekonomik të vendit. Ai tha se projektet gjermane në vendin tonë janë më produktivet dhe kjo, sipas tij, falë dialogut. “Në mënyrë të spikatur, vlen pikërisht kur vjen fjala tek bashkëpunimi me Gjermaninë dhe tek Gjermania që për çdo euro që jep dhe që i numëron shumë herë ato eurot që jep, kërkon rezultat dhe duke ndjekur gjithë procesin, garanton që rezultati të vijë në funksion të mirëqenies dhe të shërbimit më cilësor të publikut dhe të qytetarëve”, – deklaroi kreu i qeverisë. Rama përmendi edhe modelin gjerman për të zhvilluar shkollat profesionale në vendin tonë. “Ne e besojmë shumë alternativën e arsimit profesional si një alternativë zhvillimi për vendin, si një alternativë reale punësimi real për vendin dhe si një alternativë baraspeshe sociale për të ardhmen e vendit. E, në këtë aspekt, ne besojmë se jo thjesht modeli gjerman, që është botërisht i njohur si një model suksesi, por kultura që përsëri përcillet edhe në këtë aspekt, edhe në këtë fushë, përmes bashkëpunimit nga ana e palës gjermane, është një bazë shumë e mirë për të besuar se do të mund t’ia dalim”, – tha Kryeministri. Gjatë konferencës “Së bashku drejt BE-së”, Rama u kërkoi investitorëve të tjerë në Shqipëri që të marrin shembull modelin gjerman të investimit. Këta të fundit, sipas Ramës, nuk sjellin thjesht para, por edhe kulturë administrimi.

 

 Shtyrja e vizitës/ Hoffman: Në rrethana fatkeqe, e zgjuar, ndihmon për të vendosur prioritetet

I pranishëm në konferencën për bashkëpunimin mes dy vendeve, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman, komentoi dje vizitën e shtyrë të Kryeministrit Rama në Beograd. Ai e vlerësoi pozitivisht hapin e shtyrjes së vizitës, për shkak të rrethanave aktuale jo të mira mes dy vendeve. Megjithatë, sipas ambasadorit, këto rrethana ndihmojnë për të parë prioritetet strategjike dhe angazhimet. “Shqipëria vlerësohet për rolin e moderuar që ka luajtur për shumë vite në rajon. Në këto ditë jo fort emocionuese mund ta shohësh se asnjë gjë nuk merret gratis, por duhet përpjekje nga të gjitha palët për pajtim. Në rrethana fatkeqe, është e zgjuar të shtysh një vizitë të rëndësishme”, – deklaroi Hoffman. “Është e rëndësishme që të vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë konstruktive. Ditët dhe javët në vazhdim do të përdoren në mënyrë domethënëse. Kjo ngjarje na ndihmon për të parë prioritetet strategjike dhe si do të jemi të angazhuar në të”, – vijoi ambasadori. Më tej, ai vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në projekte të rëndësishme, si ato për energjinë. “Angazhimi gjerman është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme mes dy qeverive që takohen në mënyrë të rregullt. Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm në projekte të përbashkëta. Kemi rënë dakord në shumë marrëveshje me Gjermaninë. Marrëveshja për energjinë dhe ndërtimi i linjës së energjisë me Malin e Zi dhe Kosovën e cila është strategjike. Kjo linjë strategjike u vendos në punë për të furnizuar shumë shqiptarë me energji. Që nga viti 1992 janë rregulluar dhe rehabilituar sistemi i furnizimit me ujë duke shpenzuar miliona euro për qytetarët shqiptarë. Po punojmë shumë afër me partnerët tanë shqiptarë dhe vlerësojmë bashkëpunimin me ta”, – tha ambasadori.

 

Intervista për Frankurter Allgemeine Zeitung/ Rama: Pëlhura e shfaqur, s’është flamuri ynë. Pa konferencën e Berlinit, vizita në Beograd s’bëhej

Kryeministri, Edi Rama deklaroi dje gjatë një interviste për Frankurter Allgemeine Zeitung se,:  “Pëlhura e ngarkuar me simbole kombëtare shqiptare që u shfaq fluturimthi mbi stadiumin e Beogradit nuk është as flamuri ynë, as flamuri i ndonjë Shqipërie që ne kemi në plan”. Për kreun e qeverisë shqiptare, ajo çka ndodhi gjatë dhe pas ndeshjes në Beograd, tregoi se sa e brishtë është paqja e arritur në rajonin. “Përcaktimi i datës 10 ishte një vendim i përbashkët pas një telefonate të gjatë që ne patëm. Fakti që vizita do të mbahet rreth tre javë më tej datës së përcaktuar paraprakisht, nuk tregon refuzim, po vështirësi dhe vullnet për t’i kapërcyer vështirësitë”, tha Rama. Nga ana tjetër, kryeministri bëri të ditur se po të mos kishte ndodhur Konferenca e Berlinit, edhe takimi i tij në Beograd nuk do të ishte zhvilluar. “Për disa ditë rresht, Presidenti e qeveria serbe zgjodhën të sillen si tifozët e tyre përmes retorikës së vjetër ndaj shqiptarëve. Falë procesit të nisur në Berlin, që është një shtysë e madhe drejt shpresës, unë dhe Aleksander Vuçic mundëm të komunikojmë e të merremi vesh për të ecur përpara edhe pse nuk kemi absolutisht të njëjtin këndvështrim për ndodhitë e stadiumit të Beogradit”, u shpreh Rama. Ndërkaq i pyetur për qëndrimin e qeverisë ndaj nacionalizmit mbarëhsqiptar, kryeministri u përgjigj duke thënë se,: “Shqipëria e Madhe është kryesisht një makth i serbëve, që shfaqet hera – herës edhe tek fqinjë të tjerë apo gjen vend në diskutimin mbi rajonin tonë edhe përmes ndonjë gazetari të huaj që kujton se thotë ndonjë të vërtetë të madhe kur e përmend Shqipërinë e Madhe si një projekt të shqiptarëve. Por e gjitha mbaron këtu. Sepse Shqipëria e Madhe nuk është projekti ynë, ashtu sikundër edhe pëlhura e ngarkuar me simbole kombëtare shqiptare që u shfaq fluturimthi mbi stadiumin e Beogradit nuk është as flamuri ynë, as flamuri i ndonjë Shqipërie që ne kemi në plan”.

 

 

Comments are closed.