Standard.al

Ish-kryeministri/ Majko: Vizita e Ramës s’është historike, Serbia nuk është Jugosllavi

“Serbët janë po ata që kanë qenë, ripohuan disa gjëra që kanë në marrëdhënie me ne”

pandeli majkoPër ish-kryeministrin në kohën e luftës Serbi-Kosovë, deputetin e PS-së, Pandeli Majko, vizita e kreu të qeverisë, Edi Rama, në Beograd nuk është historike, kjo për shkak të rrethanave të reja, në të cilat ndodhen vendet e Ballkanit dhe veçanërisht ato sllave. Ai u shpreh se sot Jugosllavia nuk ekziston më dhe Beogradi përfaqëson thjesht një shtet, marrëdhëniet me të cilin, sipas Majkos, janë më të vështira. “Nuk besoj se Edi Rama është duke bërë një vizitë historike, të jashtëzakonshme, e para pas 60 vitesh që nga koha kur Enver Hoxha udhëtoi drejt Beogradit, për një arsye shumë të thjeshtë: Jugosllavia nuk ekziston më dhe Beogradi është kryeqyteti i një shteti pa dalje në det, kjo për pasojë edhe të luftës çlirimtare të shqiptarëve”, – deklaroi Majko në një intervistë për “TCH”. Megjithatë, Majko vlerëson se kjo vizitë është shumë e nevojshme dhe delikate. “Mendoj se do të jetë përcaktuese për vendosjen e status quo-ve psikologjike dhe shtetërore. Është ende herët për të folur dhe për të dhënë shpjegime shteruese për këtë fakt. Mendoj se definicioni që thashë mbetet një vizitë shumë delikate, por e nevojshme”, – tha deputeti socialist.

 

Serbët, po ata që kanë qenë

Për deputetin Pandeli Majko asgjë e re nuk u shfaq në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë pas dhunës, në atë që ai quan stadiumi naziskin i Beogradit. “Është prishur vetëm një perceptim i asaj, që ne kemi dashur të besojmë në marrëdhëniet mes dy shteteve”, – thotë Pandeli Majko. “Serbët janë po ata që kanë qenë, ripohuan disa gjëra që kanë në marrëdhënie me ne, por kjo s’ka përse të na habisë, apo të na vendosë në ndjenjën e një presioni se duhet të bëjmë diçka, që të jemi në nivelin mental të tyre. Nëse do ecnim me këtë logjikë, që shteti shqiptar të ishte në të njëjtin nivel mental me përgjigjet e dhëna nga Serbia, atëherë do të thotë që ne të binim në lojën e tyre. Kështu që, e përsëris, mënyra se si institucionet e shtetit shqiptar janë përgjigjur kanë prodhuar racionalizëm”, – u shpreh deputeti Pandeli Majko.

 

Këmbëngulja, arsyeja e fortë

Ndërsa retorikën e udhëheqësve serbë e cilëson si po ajo që ka qenë ndër vite, Majko vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për të mos mbyllur kanalet e komunikimit me Serbinë, për të cilën ai thotë se jemi të shtyrë edhe nga një arsye e fortë.
“Ne kemi mbi shpinë fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që herë i kujtojmë dhe herë të tjera në të shkuarën edhe i kemi harruar, por ne jemi përgjegjës për fatin e tyre nën shtetin serb. Pala serbe mund të ketë përfitimet e veta duke bërë rolin e djalit të keq apo garip në rajon, falë edhe ndihmës ruse. Në çdo rast do të kishte faktorë, të cilët për mungesën e komunikimit do të bënin Shqipërinë fajtore. Unë prisja nga Brukseli të kishte një deklaratë më të qendërzuar sa i përket asaj që ndodhi në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Mendoj se pritshmëritë ishin më tepër. Kjo është arsyeja që thashë, se politika amerikane bëri atë që ka bërë gjithmonë, në marrëdhënie me Shqipërinë dhe shqiptarët. Në qoftë se për serbët foli vëllai i madh, që është Rusia, atëherë edhe për Shqipërinë foli një vëlla tjetër, që e kanë emrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë pikë duhet të ndihemi krenarë”, – u shpreh më tej ish-kryeministri Majko.

 

Heronjtë e vërtetë

Ndeshja e futbollit evidentoi jo vetëm marrëdhëniet shumë të brishta Shqipëri-Serbi, por ajo prodhoi edhe heronj që, për Majkon, janë djemtë e kombëtares sonë. “Ata, – tha Majko, – kanë hyrë në historinë e marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Serbisë jo vetëm për mënyrën racionale të reagimit në stadium, por edhe për sjelljen e dy ditëve me pas në ekipin e Lacios. Ata janë heronjtë e vërtetë, askush të mos u marrë pjesë të meritës. Kanë hyrë në historinë e marrëdhënies Shqipëri-Serbi”, – përfundoi Pandeli Majko.

 

Vendimi/ Shqipëria zgjidhet anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së

Shqipëria u zgjodh dje për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ) me 176 vota në zgjedhjet e mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Lajmi u konfirmua nga ministria e Punëve të Jashtme e cila theksoi se ky është vlerësim dhe garanci për angazhimin e përhershëm të Shqipërisë në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet.

 

 Ish-presidenti serb/ Tadiç: Deklarata e Nikoliçit, katastrofike, ndeshja, faktor kthese në zgjidhjen e problemeve

Ish-presidenti serb, Boris Tadiç, e ka cilësuar dhunën e tifozëve serbë “plotësisht të patolerueshme”, ndërsa deklaratat e Presidentit aktual, Nikoliç, se Shqipëria është një vend i prapambetur, si “katastrofike dhe ofenduese”. Në një intervistë për “Deutsche Welle”-n, Tadiç foli për raportet delikate që ekzistojnë mes dy vendeve fqinje, ku një ndeshje futbolli çrregulloi raportet politike dhe diplomatike. “Kemi reagim dhe dhunë plotësisht të patolerueshme nga pala serbe të shprehur në terren. Kjo edhe një herë ka dëshmuar se ne vërtet jetojmë në një rajon delikat, ku një ndeshje futbolli mund të çrregullojë raportet politike dhe diplomatike mes vendeve në Ballkanin Perëndimor. Më në fund kemi pasur edhe sulme plotësisht të papranueshme ndaj shqiptarëve, që mbajnë furra në Serbi, ka pasur djegie dhe dëmtime të objekteve të tyre, si dhe të objekteve fetare në Suboticë. Këto gjëra në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen”, – u shpreh ish-presidenti serb. Ndërsa sa u përket deklaratave iracionale dhe provokuese të Presidentit Nikoliç, Tadiç tha: “Këto janë deklarata katastrofike. Janë deklarata ofenduese dhe burojnë nga një filozofi politike, e cila nuk është fare e dobishme, jo vetëm për raportet tona ndërnacionale, por edhe për vetë Serbinë. Flamuri i Shqipërisë së madhe në qiellin e kryeqytetit të Serbisë, mbi Beograd, është pa dyshim një provokim shumë i madh. Por ky kurrsesi nuk mund të shërbejë si shkak për raporte ofenduese ndaj popullit shqiptar”, – u shpreh ish-presidenti. Ndërkaq, ish-presidenti serb Boris Tadiç situatën aktuale të krijuar pas ndeshjes Serbi-Shqipëri e konsideron si një faktor kthese në zgjidhjen e problemeve. “Ndoshta do të befasoheni, por mendoj se pikërisht kjo ndeshje, e cila ka zhveshur në tërësi raportet mes nesh dhe ka treguar se sa të ndjeshme janë këto raporte, mund të shërbejë si një faktor kthese”. Në lidhje me vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, Tadiç tha se më mirë të shtyhet sesa të anulohet. “Shumë me rëndësi është që kjo vizitë të realizohet dhe që vizita të realizohet në një frymë konstruktive mes dy kryeministrave. Tema më e vështirë natyrisht do të jetë çështja e Kosovës. Por kjo duhet vënë në kontekstin e përgjithshëm në raportet shqiptaro-serbe”, – tha ish-presidenti serb.

 

 

Comments are closed.