Dosja tek UEFA/ FSHF: Të tregohet objektive

0
129

Federata ka nisur një dosje drejt institucionit të futbollit evropian ku i kërkon që të gjykojë me objektivitet çështjen

uefaZhurma e madhe për sfidën Serbi-Shqipëri është gati për të shkuar drejt fundit. Kjo, pasi edhe pala jonë ka dërguar ditën e djeshme dosjen me mbrojtjen për atë çfarë ndodhi në atë përballje. Një punë mjaft e madhe, nga e cila varet fati i kuqezinjve. Federata Shqiptare e Futbollit, se pas një pune intensive njëjavore, në bashkëpunim me ekspertë vendas dhe të huaj, ka dorëzuar në UEFA gjithë dokumentacionin për Komisionin e Disiplinës, në lidhje me ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Presidenti Armand Duka, së bashku me juristë të studiove juridike shqiptare dhe të huaja, ndodhen në Zvicër, për të mbrojtur çështjen e kombëtares së Shqipërisë, e cila u dhunua që para fillimit të ndeshjes deri në ndërprerjen e saj, në stadiumin “Partizani” në Beograd, prej koreve raciste, sendeve të forta, fishekzjarrëve, grushteve dhe goditjeve të lojtarëve tanë nga tifozë dhe forca të sigurisë të pranishme në impiant. Takimi, i pambyllur zyrtarisht, pas minutës së 41-të të ndeshjes, është bërë objekt i komisioneve të UEFA-s. Dy studio ligjore ndërkombëtare, përfshi edhe atë që FSHF ka në dispozicion, për të gjithë aktivitetin e saj juridik, do të jenë prezente me materialet e tyre, për të mbrojtur të drejtat e FSHF, në këtë qëllim. FSHF shpreson që më datë 23 tetor, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s do të gjykojë me objektivitet, atë që ndodhi në fushën e lojës dhe jashtë saj, për shkak të mosmarrjes së masave dhe të një organizimi të pamjaftueshëm të ndeshjes nga ana e vendit organizator. Në dosje, përfshihen pamje të rrugës që ka përshkuar delegacioni i kombëtares shqiptare për në stadium, ku një turmë njerëzish thërrisnin “Kosova është Serbi”, ndërsa në momentin që përfaqësuesja kuqezi hyri në stadium, u dëgjuan dhe koret “Vdekje, vdekje shqiptarëve”. Kjo gjë madje vazhdoi dhe në tunel, por edhe gjatë fillimit të takimit e në vazhdimin e tij. Ndërsa në lidhje me fyerjet ndaj Himnit Kombëtar Shqiptar, si provë janë ofruar pamjet e transmetuara në sinjalin ndërkombëtar. Gjithashtu hedhja e sendeve të forta në fushë, si në rastin e minutës së 40-të në drejtim të Balës, apo dhe ndërprerja provizore e mëparshme e takimit nga kryesori Atkinson, janë dy pika të forta me të cilat FSHF pritet të luajë në Komisionin e Disiplinës, për të vërtetuar se droni nuk ishte shkaku kryesor i asaj që ndodhi, por përkundrazi klima agresive dhe aspak miqësore në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Gjithashtu do të ofrohen edhe foto të dhunës dhe pasojave të saj ndaj futbollistëve kuqezi apo dhe kontrolli i paprecendentë që i është bërë lojtarëve shqiptarë në dhomat e zhveshjes nga ana e policisë serbë, ku rregullorja parashikon edhe ndalimin e hyrjes së delegatit të ndeshjes. Shqipëria kërkon tre pikët në tavolinë nga kjo përballje dhe provat e faktet e paraqitura nga FSHF, duket se krijojnë terrenin e përshtatshëm për dhënien e një vendimi të tillë nga ana e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, që në fakt habiti me përgjigjen e anëtarit të saj, Rudolf Repka, se nuk kishte pasur asnjë raportim nga ana e delegatit të ndeshjes Bin dhe gjyqtarit kryesor Atkinson, për kore me karakter diskriminues nga më shumë se 30 mijë tifozë serbë të pranishëm në stadium.

 

Ançeloti: Khedira nuk lëviz nga “Bernabeu”

Tekniku i galaktikave, Karlo Ançeloti, ka deklaruar se Sami Khedira nuk do të largohet nga Real Madridi deri në fund të sezonit. Gjermani do të jetë pa kontratë verën e ardhshme dhe nuk po arrin marrëveshje për vazhdimin e saj, derisa po lidhet me një kalim në Ligën Premier në merkaton e janarit. Megjithatë, Ançeloti thotë se ai nuk do të largohet në janar dhe se shpreson të arrijë marrëveshje për rinovim. “Ne kemi kohë deri në qershor për të arritur një marrëveshje. Nëse ai dëshiron ta vazhdojë kontratën, klubi do të rinovojë me të. Nëse jo, ai do të largohet për një ekip tjetër në fund të sezonit”, – ka thënë madrileni.

 

 Rojshi mendon Realin e Madridit

Marko Rojsh është i vendosur që të kalojë te Reali i Madridit, pas largimit nga Borusias së Dortmundit që pritet të ndodhë në verën e ardhshme. Gjermani është një prej lojtarëve më të kërkuar në futbollin evropian dhe ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave elitare. Mirëpo, sipas “Merca Futbol”, ashtu siç ka deklaruar edhe në të kaluarën, 25-vjeçari preferon një kalim në “Bernabeu”. Dortmundi nuk do që ta shesë Rojshin, por fillimi i dobët në Bundesliga mund të shkaktojë largimin e shumë yjeve nga skuadra. Mesfushori sulmues shënoi 23 gola në 43 paraqitje për Dortmundin sezonin e kaluar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency