Standard.al

Debatet për gjobat/ Stërkaj, Brahos: Baba Taku, mos më bëj ironi! Batutat në mbledhje: Gjoba më shumë se rroga

Gëzim Saliu

komisioni i sigurise foto gezimi tetor 2014 (1)Rrëzohet propozimi i Brahos për kthimin mbrapsht të ligjit, miratohet në parim

 Aqif Rakipi: Po më iku patenta, si të vij në punë? Ndreu: Arresti për mos pasje patente, i ashpër

 Ndryshimet në Kodin Rrugor, të propozuara nga qeveria, janë shoqëruar dje me debate në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, i cili diskutoi në parim projektligjin e sjellë nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Brendshme. Pasi u prezantua drafti nga specialistët e dy ministrive, deputetët e mazhorancës, Paulin Stërkaj, Paulin Ndreu dhe Shkëlqim Selami, kundërshtuan masat e ashpra. Ndërkaq, kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, u shpreh kundër këtyre ndryshimeve, duke i cilësuar si arnime, pasi, sipas tij, qeveria duhet të vijë me ndryshimin e plotë të Kodit Rrugor.

 

Debatet

Ndërkohë që përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve deklaroi se do të 10-fishohen gjobat për ata që bëjnë ndërhyrje të paautorizuar në rrugët kombëtare urbane dhe interurbane, ka ndërhyrë deputeti Paulin Stërkaj, i cili ka kërkuar sqarime se cili do të jetë subjekti që do të zhdëmtojë dëmin, drejtuesi i mjetit apo kompania e siguracionit. Ndërhyrja dhe këmbëngulja në këtë pikët e Stërkajt nuk u prit mirë nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Braho, i cili i kërkoi deputetit të PS-së që të mos bëjë shpikje. “Unë përfaqësoj një komunitet këtu dhe kërkoj shpjegime. Mos më merr mua referencë këtu, kur nuk jemi ne të qartë si mund të jenë qytetarët. Baba Taku, mos përdor ironi me mua”, – tha Stërkaj. Ndërkaq, deputeti Shkëlqim Selami kërkoi të dinte nëse është bërë ndonjë studim për efiçencën e ndryshimit të gjobave, të cilat, sipas tij, janë 10-fishuar. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili tha se masa e rritur e gjobave është e papërballueshme nga ana e qytetarëve, të cilët, sipas tij, duhet të shpenzojnë gjithë rrogën që marrin për të shlyer gjobën. Nga ana tjetër, deputeti tjetër i mazhorancës, Pjerin Ndreu, tha se vërehet një prirje për ta çuar peshën e masave nga individi. Në përfundim të mbledhjes, kreu i Komisionit të Sigurisë hodhi në votim fillimisht propozimin e tij për të kthyer mbrapsht projektligjin. “Ky ligj kërkon 84 vota, që do të thotë që nuk bëhen kollaj 84 vota për të miratuar më pas ndryshimet e tjera. Personalisht mendoj që projektligji të mos miratohet në parim dhe të kthehet mbrapsht”, – tha Braho. Propozimi i tij u rrëzua nga anëtarët e Komisionit, pasi mori vetëm 6 vota. Në këto kushte, Komisioni vendosi me shumicë të miratonte në parim projektligjin e qeverisë që ndryshon disa pika të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

 

Debatet në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë

 Paulin Stërkaj: Sa për saktësim, ju thatë që duhet të riparojmë rrugën e damtume, nga kush? Nga shoferi apo figuracioni? Ky është një detaj që nuk funksionon kurrkund në botë në këtë mënyrë.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve, Ilmi Culli: Kur parashikohet risjella e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, e kemi për ata persona apo subjekte që bëjnë çarje e hyrje, dalje të padrejta të rrugës.

Paulin Stërkaj: Nuk jam i qartë, duhet me e sanksionu më mirë. Ju thatë që mjeti kur është i pasigurum apo i kolaudum. Në çfarë pikëpamje e shifni ju që ai duhet ta çdëmtojë 10-fish.

Spartak Braho: Të lutem, mos bëjmë shpikje këtu!

Paulin Stërkaj pa mikrofon: O zotni, nuk është shpifje kjo…

Spartak Braho: Po shpikje pra, thuaje si të duash.

Paulin Stërkaj: O zotëri, edhe një herë, se unë nuk po baj shpikje, po du me e sqaru më qartë, sepse mu duk evazive në relacionin që i bani kolegu jem dhe zotëria.

Ndërhyn Braho: O Pjerin (ngatërron emrin e Stërkajt me atë të Pjerin Ndreut), mos majmë pozicionin sikur këtu një pjesë janë kundër masave dhe një pjesë janë për t’i zbut masat. N.q.s. ai nuk e thotë mirë, më thuaj mua se ta them unë si duhet, ta thotë kolegut jot që ke.

Paulin Stërkaj: Baba Taku mos përdor ironi me mu!

Spartak Braho: Jo mo, unë s’po përdor ironi.

Paulin Stërkaj: Shprehu për diskutim, po mos më merr mu për referencë.

Spartak Braho: Dakord, dakord.

Paulin Stërkaj: Edhe një herë në qëndrimin që u dha. Relacioni ishte i dobët, qoftë i kolegut tem, qoftë i zotnisë.

Spartak Braho: Edhe një herë, dakord, më fal!

Paulin Stërkaj: Unë po baj një pyetje, do paguajë drejtuesi i mjetit apo siguracioni, se ne këtu baba Taku jemi të gjithë drejtues mjeti, edhe përderisa jemi të tillë, duhet të menojmë edhe për drejtues të tjerë që të jena qartë. Kështu mos më merr më në referencë, se më ofendon.

Spartak Braho: Dakord, në qoftë se ti e merr për ofezë…

Paulin Stërkaj: Më ofendon kur ti më përdor ironi.

Përfaqësuesi i Ministrisë: Zoti deputet, në rastin e një aksidenti kur është fajtor drejtuesi i mjetit, detyrimin për likuidimin e dëmit e ka drejtuesi i mjetit. Në qoftë se ky drejtues mjeti është i siguruar për çdo lloj dëmi që shkakton, kuptohet që e paguan shoqëria e sigurimit

Armando Prenga: Në rast se ndodh aksidenti dhe shoferi vdes, kush e dëmshpërblen rrugën?

Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola: Në lidhje me shqetësimin, rruga është palë e tretë. Kur infrastruktura rrugore, dëmtohet ajo është e mbuluar nga kompania e sigurimit.

Aqif Rakipi: Po kur është rruga e prishun ose mungon sinjalistika, ose heqja e pusetave dhe dëmtohet makina ose shoferi, kush e paguan dëmin? Ne kemi raste që kanë vdek edhe njerëz dhe nuk kemi pa ndonjëherë të marrë ndonjëri dëmshpërblim deri më sot.

Spartak Braho: Pse nuk vjen një Kod i ri, pse në bëjmë arnime dhe nuk bëjmë punë me themel për të sjellë Kodin e ri?

Përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve, Ilmi Culli: Ne kemi ngritur një grup të ri pune për të bërë një Kod të ri Rrugor, por masat që janë në këtë projektligj janë masa që nuk presin.

Shkëlqim Selami: Në këto nene shikoj që masën e dënimit e keni çuar mesatarisht 10-fish. A keni bërë ndonjë studim për efiçencën e kësaj lëvizjeje?

Aqif Rakipi: Ne dimë që kur ka shkel semaforin, iu ka heq patenta drejtuesit të mjetit. Edhe në drejtim të gjobave, duhet t’i referohesh i çik sa e kanë rrogën shqiptarët mo vlla. Se këtu i bi që me këto gjoba që vini ju, rrogën shqiptarët ta kenë 5000 euro e 6000 euro, kur këtu nuk marrin më shumë se 300 a 400 mijë lekë rroga. Ti i ve një njeriu 300 mijë lekë gjobë, ai njeri s’ka ku t’i marri ato lekë me pagujt. Plus që thu për semaforin, deri më sot ne na rezulton ka hy direkt me semafor dhe direkt iu ka heq patenta. Unë kam qenë me i rast vetë. Unë nuk hyna me semafor të kuq, dhe nuk hyna me gjith men, dhe u bind polici vetëm në saj të asaj që unë isha deputet. Edhe polici ka i her i thotë kot tjetrit që ishe me të kuq. Ore jemi deputetë vetë, jemi shofera, të më heqi mu ai patentën me çe të vij në punë unë. Unë kaq kisha (salla qesh).

Paulin Stërkaj: Pse duhet të përgatisim një Kod Rrugor….

Ndërkohë, përballë Stërkaj, Ndreu, Qefalia po bisedojnë nën zë.

Paulin Stërkaj: Të lutem a ka mundësi me fol, ha pra se po na humb menimin… (qeshin në sallë). Vjen një propozim me gjoba drastike, kur e diskuton jo teknologji, po polici. Pse me kenë kaq ekstrem, komunizmin e kena pas ekstrem, edhe kapitalizmin ekstrem.

Pjerin Ndreu: Ka tendencë për ta çuar peshën e masave nga individi. Në qoftë se pesha është gjithmonë nga individi, qeveria çfarë bën për t’i zbatu kushtet individit? Cilat janë masat për ta rregulluar infrastrukturën? Ai sistemi që të marrësh drejtues motorash t’i fusësh në burg, kot së koti, është një masë që edhe ju e keni verifiku që nuk jep rezultat. Nuk mund të barazohet një i ri që del pa patentë, të marrë arrest, është masë e ashpër.

Comments are closed.