Standard.al

Buxheti i vitit 2015/ Bizneset, kërkesa: Të tatohen pagat mbi 500 mijë lekë, të rikthehet taksa e sheshtë

Ervin Kaduku

portofoll me para –  Të rikthehet tatimi i sheshtë për të gjithë operatorët që punojnë në kushte konkurrence, por në nivel 9-9.5%

–  Tatimi progresiv mbi 10% të shtrihet mbi pagat 500 mijë lekë/muaj

–  Të hiqet ndarja në kategori biznes i madh/i vogël mbështetur në xhiron vjetore 8 milionë lekë për efekt tatimfitimi dhe përfshirje në skemën e TVSH-së

 Në prag të paraqitjes së paketës fiskale, që duket se do të shoqërojë buxhetin e shtetit për vitin 2015, biznesi ka dërguar paraprakisht kërkesat e veta tek Ministria e Financave. Kështu, Konfindustria ka bërë gati tetë pika me kërkesa konkrete lidhur me paketën fiskale shoqëruese të PB 2015.

Ky grupim biznesi thekson se, mbështetur në analizën e të dhënave dhe kërkesave të ardhura pranë saj nga prodhuesit vendorë, – në vlerësimin e zbatimit të masave të parashikuara në paketën fiskale 2014, – në shqyrtimin e të dhënave makroekonomike kryesore të vitit financiar 2014 në vazhdim, – konsulencës së partnerëve të saj ndërkombëtarë për zhvillimet në tregjet e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian partnere të Shqipërisë, është dalë në kërkesën e 8 pikave të mëposhtme.

1- Rritja e të ardhurave në buxhetin e vitit financiar 2015 të mbështetet në miradministrimin fiskal dhe jo në rritjen e taksave dhe tatimeve përfshi çmimin e energjisë elektrike.

2- Rikthimin e tatimit fitimit të sheshtë prej 9%- 9.5% për gjithë sektorët e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë.

3- Zbatimin e tatim fitimit progresiv në 15% për bizneset e sektorëve, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura/rregulluara me licenca, koncesione, etj. dhe kanë normë fitimi të paktën 10%.

4- Zbatimin e tatimit progresiv deri në 20% për dividendin për bizneset e sektorëve të ekonomisë, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura/rregulluara me ligj (burime natyrore, tregjet monopol, oligopole, etj)

5- Tatimi progresiv mbi 10% (-20%) të shtrihet mbi pagat 500 mijë lekë/muaj

6- Heqjen e ndarjes kategori biznes i madh/vogël mbështetur në xhiron vjetore 8 milion lekë për efekt tatim fitimi dhe përfshirje në skemën e TVSH. Shtrirjen e TVSH për bizneset deri në nivelin e 2 milion lekë/vit xhiro ose përjashtimin nga shtrirja e TVSH vetëm të kategorisë “biznese ambulante”.

7- Të nxitet formalizimi i bujqësisë me mbështetje fiskale për rimbursimin e:- TVSH (prodhime, teknologji, makineri), -akcizës naftës, -subvencione për prodhimin

8- Të shmangen të gjitha pengesat (tarifore dhe jo tarifore) për krijimin e Tregut Përbashkët Shqipëri-Kosovë

Sipas Konfindustrisë, manovrat e mësipërme fiskale dhe institucionale ruajnë fuqinë tërheqëse të vendit për investimet, japin mundësi të prekshme për rritje më të lartë ekonomike, tregojnë seriozitet përballë institucioneve ndërkombëtare, hedhin themelet e luftës sistematike ndaj evazionit dhe korrupsionit fiskal, ndalojnë largimin e paarsyeshëm të parave të shqiptareve jashtë vendit, nxisin përdorimin me efektivitet të pasurive natyrore dhe nuk krijojnë trysni shtesë financiare për biznesin dhe qytetarët.

 

Mbështetja

Qeveria shqiptare njofton ndërkohë se është duke hartuar një paketë të dytë për mbështetjen e sipërmarrjes private. Sektori i bujqësisë është parë si më fitimprurësi dhe që ka marzhin më të lartë të kthimit të investimit. Por pjesë e kësaj pakete do të jenë edhe sektorët e shërbimeve dhe fasonerisë.

Ndërsa për sa i përket fluksit të investimeve të huaja, ky vit pritet të sigurojë një vlerë më të lartë, sipas ministrit Ahmetaj, se viti i kaluar. “Në vitin 2013, investimet e huaja direkte arritën në 1.2 miliardë dollarë, ndërsa këtë vit presim që të arrijë në diçka më shumë se kjo vlerë,” u shpreh dje ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Në vijim të aktivitetit për Ditën e Bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe vendit tonë, i pranishëm në event, ministri i MZHETS Arben Ahmetaj i vuri rëndësi të veçantë partneritetit publik – privat dhe listoi fokuset e qeverisë në sektorët e industrisë fasone, përfshirjen e biznesit në paketa për rritje punësimi, si dhe përmirësimi i klimës së biznesit. “Qeveria po fokusohet tek inovacioni, që do të thotë stabilitet ekonomik në këta sektorë”, tha ministri, që renditi paketën mbështetëse për sektorin e industrisë fason, përfshirjen e biznesit në paketat për rritjen e punësimit, etj.

Ministri renditi si tregues pozitivë vlerën e eksporteve në 9 muaj që arriti 111 milionë dollarë, hapjen e 4300 vendeve të reja pune në sektorin e manifakturës, rritjen e prodhimit të mbyllur vendas dhe për eksporte etj. “Sfidat e ekonomisë nuk përfundojnë kurrë, ndaj duhet ndjekur rruga më e mirë, ku modeli gjerman në zhvillimin e ekonomisë është një shembull shumë pozitiv për t’u ndjekur për vendin tonë”, – u shpreh Ahmetaj.

 

Industria e përpunimit të miellit hidhet në grevë

Unioni i Prodhuesve të Miellit të Shqipërisë është hedhur në grevë nga dita e sotme. Në një komunikatë të tij, Unioni thekson se, nisur nga një vendim i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, të cilin e konsideron si “i papritur, i paargumentuar dhe i pakonsultuar me biznesin” shprehet si më poshtë:

Industria e përpunimit të miellit në Shqipëri përfaqëson një investim më shumë se 150 milionë euro me më shumë se 150 impiante në të gjithë vendin, bazuar në teknologjinë e standardeve më të larta Europiane dhe ka të punësuar më shumë se 3 mijë persona. Investimet e kryera dhe konkurrenca e brendshme bëri të mundur që konsumatorit shqiptar ti afrohet një produkt me vlera ushqyese dhe shëndetësore me standard të lartë.

Udhëzimi i ditës së djeshme i nxjerrë nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, për uljen e përqindjes së proteinës nga 12.5 për qind në 9 për qind, jo vetëm shkatërron dhe mbyll industrinë vendase, por njëkohësisht përbën një rrezik potencial për shëndetin e njerëzve, kjo pasi favorizon futjen e produktit miell me karakteristika jashtë çdo lloj norme, vlere ushqyese dhe shëndetësore për konsumatorin shqiptar.

Theksojmë se mielli i importuar nga pikat kufitare Morinë dhe Hani i Hotit i ka karakteristikat si më poshtë:

 

Standardi            Importi     Prodhimi vendas

w 200-300           134          200-300

hagberg 250          165          250-300

amilografi 350-550      100-270        400-550

Standardi lidhur me proteinën ku është bazuar udhëzimi i dalë nga Ministria i përket Italisë ku konkretisht: 9 për qind (tip 00) përdoret vetëm për ëmbëlsirën. Për bukë masive niveli i proteinës është mbi 12 për qind (tip 1-2).

Standardi për nivelin e përqindjes së proteinës për produktin miell vendoset në mënyrë të pavarur nga çdo shtet duke ju referuar nevojave për proteina dhe mënyrës se si e merr atë konsumatori. Ndërkohë që në vendin tonë proteina merret kryesisht nëpërmjet bukës masive.

“Sa më sipër, ne ndihemi të shqetësuar dhe të befasuar nga vendimi dhe njëkohësisht nga mungesa e komunikimit dhe dialogimit. Si rezultat i këtij vendimi i cili del në mbrojtje të konkurrencës së pandershme dhe produkteve me cilësi të ulët, industria e prodhimit të mielli shqiptar deklaron mbylljen e aktivitetit të saj, duke filluar që nga data 22.10.2014”, – deklarojnë prodhuesit shqiptarë të miellit.

 

Miratohet kredia që siguron depozitat e shqiptarëve

Shtohet një garanci më shumë për depozitat e shqiptarëve. Depozitat do të jenë tashmë edhe më të sigurta, edhe falë një kredie 100 milionë euro që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka akorduar Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Kjo kredi i garanton Agjencisë fondet e nevojshme për të kaluar nga raporti prej 3.7% i mbulimit të depozitave të siguruara në sistemin bankar, në atë prej 6%.

Projektligji u paraqit dje në Komisionin e Ekonomisë, nga zv.ministri i Financave Erjon Luçi. “Është një linjë kredie shumë e dobishme sidomos në situata kur është nevoja të paguhen depozitat e depozitorëve se është në valutë të fortë, siç është euro dhe ul dhe mbështetjen që do të ketë Agjencia e Sigurimit të Depozitave nga ministria e Financave. Me këtë linjë kredie rritet mbulimi nga tre pikë diçka përqind që është për momentin mbi 6 për qind që kalon një nivel që rekomandohet për vendet e rajonit, që është tek 5 përqindëshi. Shuma totale është tek 100 mln euro që përmirëson goxha pjesën e mbulimit të bankave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave”, – tha zv.ministri.

Me sigurimin e linjës së kredisë ulet mundësia e përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit. Linja e kredisë mundëson likuiditet në një kohë të shkurtër (7 ditë) për t’ju përgjigjur depozituesve, në rast ngjarjeje sigurimi. Kompensimi i shpejtë i depozituesve është i një rëndësie të veçantë për të mos lejuar që ngjarje të veçuara sigurimi të shtrijnë efektet e tyre në të gjithë sektorin financiar duke ndikuar në qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Projektligji u votua nga i gjithë Komisioni i Ekonomisë dhe do të kalojë në seancë plenare.

 

 Marrëveshje e biznesit për certifikimin e produkteve

Biznesi shqiptar duhet të jetë pjesë e tregut global dhe certifikimi i produktit shqiptar është shumë i rëndësishëm për të qenë pjesë e këtij tregu. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka dhe drejtori i Përgjithshëm i Akreditimit, Armond Halebi, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve. Kjo marrëveshje do të ndihmojë sipërmarrjen të shmangin certifikimin nga kompani të paakredituara, e cila sjell dhe mosnjohje të certifikatave që këto të fundit lëshojnë, por dhe dëmtojnë imazhin e biznesit dhe produkteve shqiptare në tregun global.

Bazuar në këtë marrëveshje, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit do të mbështesë biznesin me informacione mbi certifikimin, testimin, inspektimin dhe akreditimin, si dhe për çështje që kanë të bëjnë me barrierat teknike në tregëti dhe rolin që luan akreditimi në lehtësimin e këtyre barrierave. Gjithashtu DPA do të ofrojë trajnime dhe seminare, me qëllim informimin e biznesit për të gjithë problematikat që lidhen me këtë fushë.

 

Hyn në fuqi protokolli i dialogut ekonomik me Gjermaninë

Ka hyrë në fuqi Protokolli i Bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane për bashkëpunimin ekonomik dhe për zhvillim.

Bisedimet mes të dyja palëve janë zhvilluar në datën 8 maj ndërsa vendimi për miratimin e protokollit është marrë më datën 8 tetor. Në dokument përcaktohet një mbështetje e konsiderueshme financiare për projekte në Shqipëri, ku palës shqiptare i duhet të japë dëshmi për progres në disa fusha të rëndësishme. “Qëllim madhor për bashkëpunimin për zhvillim është përafrimi i mëtejshëm i Shqipërisë me Bashkimin Europian. Pala gjermane nënvizoi se Shqipëria e përcakton vetë shpejtësinë e përmbushjes së reformave në kuadër të përafrimit me BE-në dhe zbatimin e reformave të domosdoshme në të gjithë sektorët.

Në këtë kontekst pala gjermane vlerëson si domosdoshmëri arritjen e përparimeve të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe uljes së nivelit të borxhit” thuhet në protokoll. Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë merr përsipër që për vitet 2014 dhe 2015 t’i vërë në dispozicion Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkë-punimit dypalësh teknik dhe financiar, një fond të ri në vlerën e 19 milionë eurove. Prej kësaj shume 8 milionë euro janë caktuar për projekte të bashkëpunimit financiar dhe 11 milionë euro për projekte të bashkëpunimit teknik.

Krahas kësaj, 2 milionë euro do të riprogramohen nga fondet e miratuara të bashkëpunimit financiar për vitin 2011. Të dyja palët bien dakord që bashkëpunimi në vitet e ardhshme të mbetet i fokusuar në sektorin e energjisë, ujësjellës-kanalizime, administrimi i mbetjeve, si edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, për të cilët në vitet 2010, 2011, 2012 janë hartuar dokumentet e përbashkëta strategjike.

 

Comments are closed.