Takimi/ Basha, Murphy-t: Mazhoranca t’i jap fund shkeljeve të Kushtetutës

0
148

Erneta Shevroja

basha 2“Opozita e vendosur në qendrimin për të ndërtuar një histori të re marrëdhëniesh  mes vendeve fqinje, shkeputje nga e kaluara konfliktuale”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje senatorin e SHBA-ve për shtetin e Konektikatit, të cilit i shprehu shqetësimet e opozitës në marrëdhënie me mazhorancën qeverisëse. Kryeopozitari i ka thënë Christopher  Murphy se qeveria nuk pyet për Kushtetutë dhe ligje dhe po përdorë praktika oligarkike dhe autokratike të drejtimit të vendit. Në këto rrethana, është shprehur Basha, opozita ka ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin për një afat të pacaktuar. Kryetari i opozitës ndau me Senatorin Murphy shqetësimin për “vendosjen në vend të praktikave autokratike dhe oligarkike, në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë dhe shtetit ligjor.  Shkelja e Kushtetuetes dhe ligjeve nga ana e qeverise dhe mazhorances, moszbatimi i vendimeve te Gjykatës Kushtetuese e gjykatave te tjera, kapja e institucioneve të pavarura, infiltrimi i krimit në strukturat shtetërore, eleminimi i hapësirave institucionale të opozitës dhe skenarët e dhunës fizike kundër opozitës nga individë me rekorde kriminale të sjellë enkas në parlament nga kryeministri Rama, janë të papajtueshme me standartet e demokracisë euro-atlantike”.

 

Marrëdhëniet me Kuvendin

Basha ka shpjeguar edhe marrëdhëniet e kufizuara që ka opozita më Kuvendin. Ai është shprehur se mazhoranca duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për situatën parlamentare dhe t’i krijojë mundësi opozitës të bëhet pjesë e punimeve të parlamentit. “Në këto kushte Partia Demokratike ka ndërprerë marrëdhëniet e saj me Kuvendin derisa shumica të reflektojë për përgjegjësitë e saj për këtë situatë të rëndë të demokracisë parlamentare, dhe të angazhohet publikisht për t’i dhënë fund shkeljes së Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatës Kushtetuese, si dhe për të nisur një bashkëpunim shumicë-opozitë për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në parlament dhe strukturat shtetërore”,- ka thënë kreu i PD-së në bisedën me senatorin e SHBA-ve për shtetin e Konektikatit. “Partia Demokratike është e vendosur për të qendruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave dhe dinjitetit të individit, si vlera të ndara me demokracinë e madhe amerikane, dhe si rruga e drejtë për të ecur përpara për mirëqënien dhe sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ka vijuar Basha.

 

Marrëdhënie të reja mes vendeve fqinje

Ndërkaq kreu i opozitës nuk ka anashkaluar edhe dhunën që ndodhi në ndeshjen Shqipëri-Serbi në Beograd dhe deklaratat provokative të politikanëve serbë. Basha është shprehur se opozita është e vendosur në qendrimin e saj për të ndërtuar një histori të re marrëdhëniesh  mes vendeve fqinje, ndërsa ka kërkuar shkeputje nga e kaluara konfliktuale. “Opozita mbështet pa asnjë rezervë çdo investim drejt një historie të re marrëdhëniesh mes fqinjve në rajon, me shikim nga e ardhmja europiane e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit”,- ka thënë Basha. “Kjo kërkon shkëputje nga stigmat e racizmit dhe fobive dhe që ky investim të shkojë drejt konsolidimit të vlerave dhe standarteve demokratike në të gjitha vendet e rajonit dhe jo flijimit të tyre nën petkun e një stabiliteti të rremë antidemokratik”, ka thanë Basha. Gjithashtu, ai ka falënderuar senatorin Christopher  Murphy për mbështetjen dhe ndihmën që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këto dy dekada si për konsolidimin e demokracisë ashtu edhe për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian.

 

Marrëdhëniet me Serbinë/ Bushati ambasadorit:Retorika nuk i shërben bashkëpunimit

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati priti dje senatorin amerikan Murphy me të cilin ndau mendimin se situata e krijuar pas ndeshjes së 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë është një retorikë që nuk i shërben bashkëpunimit, dhe prosperitetit të vendeve të rajonit. Gjatë pritjes që Bushati i bëri senatorit në Ministrinë e Jashtme, të dy zyrtarët vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së dhe vlerësoi rolin e saj të rëndësishëm për prosperitetin e të gjitha vendeve të Ballkanit. Ndërkohë. senatory Murphy vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si për kontributin e dhënë për forcat e armatosura të Irakut, renditjen në krah të aleatëve në luftë kundër terroristëve të ISIL, ashtu dhe mbështetjen për krizën në Ukrainë. Ai vlerësoi, gjithashtu, përqasjen e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në planin politik, ekonomik dhe në kuadër të NATO-s.Ministri Bushati, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA, falënderoi Senatorin Murphy për kontributin e tij personal në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

 

Kreu i grupit parlamentar të LSI/ Vasili: Futbollistët folën gjuhën e së ardhmes, jemi fqinj, duhet bashkëpunim

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u shpreh dje se ka ardhur koha që mes vendeve të Ballkanit  të mbizotërojë bashkëpunimi. Mbrëmja e 14 tetorit, tha Vasili, do të mbahet mend gjatë për vetë ngjarjet politike që e pasuan. “Një ndeshje sportive u shndërrua në një shfrim mërish të vjetra e të kalcifikuara në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Sjellja e djemve tanë të shkëlqyer të kombëtares ishte një shembull i përkryer i vetëpërmbajtjes dhe europianizmit që kontrastonte fort me atmosferën e egërsuar dhe anakronike të stadiumit,”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së. Sot dy vendet, Shqipëria dhe Serbia janë aspirante për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian dhe këtë nuk duhet ta zhbëjë asnjë ngjarje sado e rëndë qoftë ajo. “Këto duhet të na bëjnë të mendojmë seriozisht se si duhet të flasim e të komunikojmë, sepse çdo ngjarje, sado e rëndë qoftë, nuk mund dhe nuk duhet të na rikthejë në modelet e vjetra dhe të prapambetura të komunikimit, ku printe urrejtja dhe hakmarrja, modele që kanë prodhuar aq shumë prapambetje kritike dhe krijimin e shembëlltyrës së të keqes. Shembulli i djemve të zgjuar e të fortë të kombëtares dhe e gjuhës së kapitenit tonë Lorik Cana janë dhe gjuha e të ardhmes: “Jemi fqinjë dhe kështu do të jemi gjithmonë, ndaj duhet të bashkëpunojmë”,- u shpreh Vasili.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency