Senatori amerikan/ Murphy: Shqipëria, miku më i mirë i SHBA-së. Retorika pas ndeshjes, jo bashkëpunuese

0
91

Gëzim Saliu

senatori amerikan..Senatori: I cova mesazh Vucic që të rikonfirmojë ftesën për Ramën, huliganizmi nuk mund të prekë thellimin e marrëdhënieve mes vendeve

Kryetari i Marrëdhënieve me Jashtë të Nënkomitetit të Senatit për Çështje Evropiane, senatori amerikan Chris Murphy e cilësoi Shqipërinë si mikun më të mirë të SHBA-së në rajon e më gjerë. Në kuadër të vizitës që ai zhvilloi dje në Tiranë, ku pati takime me krerët më të lartë të shtetit, senatori tha në një deklaratë për median se është koha që SHBA të rrisë përkushtimin e saj në Shqipëri. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë një mik më të mirë në këtë rajon se Shqipëria dhe shpresoj që Shqipëria mos ketë mik më të mirë në botë se SHBA. Qoftë nëse ka qenë fjala për përkushtim dhe angazhimin në Afganistan, Lindjen e Mesme, Shqipëria ka qëndruar përkrah SHBA.  Është koha që SHBA të rrisin përkushtimin e tyre në Shqipëri dhe ky është mesazhi që unë do e marr me vete dhe do e çoj në Senatin Amerikan. Por mbeten ende sfida në këtë vend dhe në këtë rajon”,  u shpreh Murphy.

 

Ndeshja

Lidhur me ndeshjen Serbi-Shqipëri të zhvilluar në 14 tetor, senatori amerikan tha se ishte në Beograd gjatë zhvillimit të saj. Sipas Murphy, huliganizmi nuk duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet mes vendeve e në këtë kontekst ai bëri të ditur se i kishte kërkuar kryeministrit serb Vuçiç që të rikonfirmojë ftesën për homologun Rama.  “Unë isha në Beograd më herët gjatë kësaj jave në ditën kur u zhvillua ndeshja e futbollit. Unë besoj se nuk mund të lejojnë huliganizmin e futbollit që të mund të bjerë ndesh me forcimin marrëdhënieve mes vendeve të këtij rajoni. Jam takuar dhe këtë mesazh ja kam përcjellë këtë mesazh kryeministrit Vuçiç dhe shpresoj që kur të ngrihet nesër më mëngjes të rikonfirmojë ftesën që kryeministri jua të vizitojë atë vend”, theksoi  senatori.  Më tej ai bëri të ditur se në rastet kur ndodhin probleme të tilla udhëheqësit e dy vendeve duhet të ngrihen dhe të bisedojnë.  “Kur lindin probleme siç ndodhi me këtë ndeshje është e domosdoshme që udhëheqësit të ngrihen dhe të bisedojnë dhe jo të zënë këndet anash. Është e rëndësishme që nëse vazhdon dialogu në rajon, SHBA do qëndrojë krah. Do kthehem në Senatin Amerikan duke inkurajuar më shumë kolegë të mij në senat që të vijnë në Shqipëri ta vizitojnë”, theksoi senatori. Në këtë kontekst ai pohoi se vlerëson përkushtimin e qeverisë për përfshirjen e grupeve civile për të bashkëpunuar. “Mendova se ishte e rëndësishme të vizitoj Shqipërinë sot. Nga shteti nga vij, kemi mbështetje nga komuniteti shqiptar. Jam i kënaqur nga puna që bën ambasada e SHBA-ve këtu. SHBA nuk ka mik më të mire në rajon se Shqipëria dhe shpresoj qe edhe ju gjithashtu, si për angazhimin në Afganistan që ju keni qëndruar përkrah nesh”, deklaroi Chris Murphy, duke theksuar se Shqipëria ka sfidë kryesore  hyrjen në BE.

 

Takimi në Presidencë/ Nishani, Murphy: Shqipëria, rol aktiv në luftën kundër ekstremistëve në Irak e Siri

Presidenti i Republikës Bujar Nishani siguroi dje senatorin amerikan Chris Murphy se Shqipëria ka marrë masa për të luftuar dhe parandaluar fenomenin e luftëtarëve të huaj në luftimet në Siri dhe Irak. Gjatë një takimit të zhvilluar në Presidencë me senatorin Murphy, kreu i shtetit shqiptar theksoi se Shqipëria po kontribuon përkrah partnerëve në kuadër të koalicionit kundër terrorizmit. Ndërkaq kreu i shtetit shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përcolli mirënjohjen e thellë ndaj SHBA, të cilat kanë qëndruar pranë Shqipërisë në procesin e vështirë të transformimit demokratik dhe në rrugën e integrimit tonë euroatlantik, duke shtuar se Shqipëria ka angazhimin e plotë për të thelluar reformat me qëllim konsolidimin e shtetit ligjor dhe forcimin e demokracisë sipas standardeve evropiane.  Duke folur për zhvillimet rajonale, Nishani vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në funksion të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, duke veçuar njohjen dhe mbështetjen e Kosovës së pavarur si një kontribut të provuar në kuadër të kësaj qasjeje.  Më tej, Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu se,: “Shqipëria mbështet plotësisht zgjerimin e NATO-s në rajon, si një politikë në shërbim të interesave të rajonit dhe të vetë Aleancës, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë”.  Nga ana e tij, senatori Murphy tregoi interes për ecurinë e reformave demokratike ne vend, vlerësoi politikën moderatore rajonale të Shqipërisë dhe rolin e saj aktiv në luftën kundër ekstremistëve në Irak dhe Siri.

 

Takimi me kryeparlamentarin/ Meta: E rëndësishme të fitojmë të ardhmen e përbashkët evropiane, se sa një ndeshje sportive

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu dje mirënjohjen për mbështetjen e  SHBA në kuadër të forcimit të institucioneve në Shqipëri dhe në veçanti në drejtim të reformës në drejtësi. Në takimin me Kryetarin e Nënkomisionit të Jashtëm për Çështjet Evropiane në Senatin e SHBA, Christopher S. Murphy, kryeparlamentari tha se,: “Kuvendi e vlerëson mbështetjen e SHBA dhe inkurajon një prezencë gjithnjë e më të fortë amerikane në Shqipëri e rajon, veçanërisht për avancimin e reformave kyçe që e çojnë Shqipërinë më afër standardeve bashkëkohore të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe në drejtim të rritjes së investimeve amerikane në rajon”.  Duke biseduar për zhvillimet në rajon, Meta e siguroi Senatorin për vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar politikën e saj konstruktive rajonale përmes forcimit të bashkëpunimit me të gjitha vendet fqinje.  Duke u ndalur në veçanti në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, Kryetari i Kuvendit nënvizoi: “Më e rëndësishme është të fitojmë të ardhmen e përbashkët evropiane se sa një ndeshje sportive. Ne e mirëpresim angazhimin e Serbisë në funksion të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të dy popujve dhe qytetarëve tanë, gjë që realizohet vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe qëndrimit larg retorikave të panevojshme nacionaliste që tentojnë të na kthejnë pas në histori. Shqipëria qëndron e hapur për dialog dhe bashkëpunim konkret më Serbinë, ashtu si edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency