Mjeku i kombëtares / Merepeza: U thamë nuk mundemi, jo nuk donim

0
143

ja-incidenti-i-plot-euml-n-euml-ndeshjen-serbi-ndash-shqip-euml-ri-video_2_2_hd

Pjesëtari i stafit të kombëtares ka thënë se situata ka qenë e frikshme dhe se kur janë futur në dhomat e zhveshjes janë pyetur nga përfaqësuesi i UEFA-s për t’u rifutur në fushë, ka thënë që nuk mundemi

Mjeku i kombëtares kuqezi, Alban Merepeza, ka komentuar në një intervistë ndeshjen e së martës Serbi-Shqipëri. Ai ka shpjeguar për “Zërin e Amerikës” se ndeshja u ndërpre jo prej dronit, por prej fishekzjarrëve që u hodhën në fushë. “Ndeshja u ndërpre, se po hidheshin gurë e sende të ndryshme. Kur u hodh një fishekzjarr në fushë, ndeshja ishte ndërprerë. Kur u fut droni, ndeshja ishte e ndërprerë dhe ai që e bëri, që futi dronin, nuk mendoi pasojat ndaj skuadrës së tij”, – ka deklaruar Merepeza. Më tej, mjeku i kombëtares thekson se Serbia nuk kishte marrë masat e duhura ndaj tifozerisë së dhunshme. “Dhuna nga tifozët është e shpeshtë në Serbi dhe them se nuk kishin marrë masat e duhura. “Ivani i tmerrshëm” hyn e del në fushë si i do qejfi, qenka normale kjo atje, ndaj nuk e kanë marrë seriozisht zgjidhjen e çështjes së tifozëve të dhunshëm. Kurse tifozët shqiptarë në mbarë botën njihen vetëm se janë të zjarrtë, por jo se jemi të dhunshëm”, – ka treguar ai. Kurse pyetjes nëse ekipi refuzoi të kthehej se nuk dëshironte, mjeku i kombëtares kuqezi tha: “Skuadra nuk mund të kthehej, jo se nuk deshi të kthehej. Delegacioni ynë ia bëri të qartë UEFA-s. Kur përfaqësuesi i UEFA-s hyri në dhomat e zhveshjes, i treguam shenjat e dhunës. Ai na tha: ‘Nuk doni apo nuk mundeni të ktheheni në fushë?’ U thamë se nuk mundemi”.

Repka: I mundshëm edhe përjashtimi i skuadrave nga eliminatoret

Një prej anëtarëve të Komisionit të Disiplinës në UEFA ka pranuar të flasë për të përditshmen serbe “Kurir”, duke theksuar se vendimet përfundimtare për ndeshjen Serbi-Shqipëri do të merren rreth muajit nëntor. Ai është sekretari i Përgjithshëm Federatës së Futbollit të Republikës Çeke dhe anëtar i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, Rudolf Repka, sipas të cilit, Serbia dhe Shqipëria mund të mos përballen me masa ndëshkimore të rrepta pas tensionit dhe dhunës së shfaqur në fushën e stadiumit të Partizanit të Beogradit. “Mediat shpesh shkruajnë se vendimi do të merret më 23 tetor. Ajo është një periudhë shumë e shkurtër për vepra të tilla të rënda. Të enjten do të vendoset vetëm për fatin e ndeshjes së ndërprerë”, – ka deklaruar Repka për “Kurir”. “Nuk dua të bëj asnjë spekulim në lidhje me vendimet që do të merren, pasi në tavolinë janë disa opsione, duke nisur që nga dënimi i fushës deri tek përjashtimi nga kompeticioni. Gjithsesi, nuk besoj se Shqipëria dhe Serbia do të ndëshkohen me dënimin maksimal, atë të përjashtimit nga eliminatoret. Dua të ritheksoj se një opsion i tillë, gjithsesi, nuk mbetet jashtë vëmendjes sonë”, – ka deklaruar zyrtari i UEFA-s.

 

 

 

Stankoviç: Ngjarjet shkatërruan futbollin

Ish-kapiteni i Serbisë, Dejan Stankoviç, ka thënë se incidentet në duelin mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë një ngjarje e tmerrshme që e prishën spektaklin e futbollit. Stankoviç komentoi ngjarjet në ndeshjen e ndërprerë kundër Shqipërisë të martën mbrëma në Beograd në kuadër të grupit i të eliminatoreve për Euro 2016. “E tmerrshme. Në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë ndodhur gjëra që nuk e kanë vendin në fushë. Kjo e shkatërroi spektaklin e futbollit. Ajo ishte një çmenduri e madhe që mund t’i kushtojë shtrenjtë këtij brezi, që ka talent dhe kualitet. Shpresoj që askush të mos i ndalojë ata që të dëshmohen në Kampionatin Evropian”, – deklaroi Stankoviç për një televizion serb. Stankoviç lavdëroi sjelljen e futbollistëve serbë gjatë incidentit në stadiumin e Partizanit. “Janë pjekur. Kanë treguar fytyrën e vërtetë, duke parandaluar incidente më të mëdha. Jam krenar me ta”, – u shpreh ai.

 

 

 

Kategoria Superiore

Laçi merr tri pikët ndaj Elbasanit, Tirana i tregon muskujt Kukësit

Janë luajtur dje dy nga ndeshjet të vlefshme për Superligën Shqiptare. Kështu, pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare, është kthyer edhe kampionati, që është në një pikë mjaft të rëndësishme. Kjo, pasi shumë skuadra janë në luftë për pozicionin e parë dhe ka shumë lëvizje në tabelë. Dy nga sfidat e luajtura dje kanë qenë ajo midis Elbasanit dhe Laçit, ndërsa në Tiranë bardheblutë kanë pritur Kukësin. Të dyja sfida që premtonin emocion, pasi vinin pas ekipet riktheheshin në formë të mirë. Laçi nuk ka lënë vend për dyshime dhe ka mundur Elbasanin në impiantin e ri të ndërtuar “Elbasan Arena”. Pas Vllaznisë kurbinasit arritën të kalonin me rezultatin 2-0 Elbasanin, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë të klasifikimit që e ndajnë me Flamurtarin. Verdheblutë zbritën kështu me këmbë në tokë pas atij suksesi ndaj Apolonisë, duke e inauguruar në mënyrën më të keqe stadiumin e ri pasi përveç se nuk arritën të bënin rezultat nuk prodhuan as lojë duke parë që kjo e fundit nuk u kishte munguar në takimet e mëparshme. Ndeshja nisi e qetë me dy skuadrat që kishin si qëllim kryesor të studionin lojën e njëra-tjetrës. Në minutën e 33-të kurbinasit patën dy mundësi shumë të mira brenda pak sekondave. Fillimisht Xhejms u ndal nga një mbrojtës ndërsa goditja e Bilibashit ishte shumë e lehtë për ta vënë në vështirësi Kotorrin. Gjithsesi, bardhezinjtë e Cungut arritën të gjenin rrugën e rrjetës vetëm 6 minuta më pas me Stipe Buljan. Krosim i Veliajt nga këndi topi nuk u largua mirë nga Kotorri dhe nga brenda zone kapiteni kroat i Laçit nuk fali duke realizuar golin e tij të parë sezonal. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të Laçit ndërsa fraksioni i dytë nisi më mirë për Elbasanin. Supermacia në fushë e Laçit u shpërblye në minutën e 75-të. Cetkovic pasi vallëzoi mes mbrojtjes së Elbasanit u pengua në zonë nga Shazivari, për arbitrin kryesor Beqiri kishim të bënim me penallti. Nga 11-metrat malazezi Marko Cetkovic nuk gaboi duke realizuar golin e qetësisë për Laçin. Në Elbasan Arena sfida u mbyll me fitoren 0-2 të ekipit të Cungut që me këtë sukses tregoi se i ka mundësitë për të rivalizuar edhe skuadrat pretendente për titull.

 

Tirana, më e fortë se Kukësi

Në “Qemal Stafa” luhej sfidë shumë e rëndësishme. Kjo, pasi ndesheshin dy nga pretendentet kryesore për fitimin e titullit. Një sfidë, e cila pritej të dhuronte spektakël dhe gola. Një lojë, e cila pati ritme të mira dhe Tirana është treguar edhe një herë në “Qemal Stafa”, duke fituar me rezultatin 3-1, në një sfidë që dhuroi gola spektakolarë, edhe pse munguan emocionet nga shkallët e stadiumit. Një fitore e merituar e formacionit të Gugash Maganit, që me këtë sukses arrin të ngjitet sërish në krye të renditjes. Takimi nisi menjëherë me gol për Tiranës, por në fakt në këtë rast bardheblutë i ndihmon një ish, pikërisht mbrojtësi Erjon Dushku, që e dërgon topin në portën e skuadrës së tij në zhvillimet e një goditjeje dënimi. Goli për formacionin e Artim Shaqirit do të vinte në minutën e 39-të pas një harkimi të Hallacit nga e majta devijohet nga Lushtaku aq sa për të nxjerrë jashtë loje Frashërin. Pjesa e dytë nis menjëherë me gol për Tiranën, që pa dyshim është ndër më bukurit e këtij kampionati. Elis Bakaj me një veprim spektakolar thuajse në pikën e bardhë të penalltisë e detyron Kukësin ta nisë topin nga mesi i fushës. Në momentin më të mirë të bardhebluve Gentian Muca bën një veprim të pakuptimtë, duke prekur topin me dorë pas një harkimi pa shumë pretendime nga e djathta. Për kryesorin është një 11-metërsh i pastër, ndërsa futbollisti bardhelbu ndëshkohet me të verdhë. Goditjen nga pika e bardhe e merr Pejic, që shënjestron vetëm traversën, duke humbur kështu mundësinë të rikthyer baraspeshën.

Kukësi nuk arrinte të dilte në lojën që donte, kështu që Tirana arriti të mbyllte llogaritë me një gol të rrallë, të denjë për të mbetur në histori. Debatik Curri, pasi sheh daljen e portierit Halilaj, gjuan drejtpërdrejt në portë nga mesi i fushës. Trajektorja nuk kontrollohet dot nga portieri vlonjat, që thjesht e devijon paksa topin, por pa mundur të shmangë golin e 3-1. Në minutat e mbetura bardheblutë arritën të menaxhonin lojën, duke marrë tri pikë të rëndësishme për kreun e klasifikimit.

 

 

Gjetan Keta shpallet kampion euroaziatik

Suksesi për shqiptarët në sport vazhdon. Kësaj radhe kuqezinjtë kanë arritur të ngrejnë lart flamurin në boks. Në Bulqizë, Gjetan Keta është shpallur kampion euroaziatik, duke arritur kështu një sukses historik. Mike Gjetan Keta arriti që të fitonte që në raundin e 3-të kundër rusit Marat Khuzeev. Ndeshja e zhvilluar në Bulqizë ishte e ndjekur nga shumë sportdashës që kishin ardhur në mbështetje të boksierit shqiptar, i cili nuk zhgënjeu me performancën e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency