Rajoni në sfidë/ Në Beograd?! Rama: Shqipëria e Madhe, makthi juaj, jo projekti ynë. Vuçiç: Vendos në fundjavë, nëse e pres ose jo. 

0
105

Gëzim Saliu

Rama_Vucic Kryeministri shqiptar: Vizita, mundësi historike për të ardhmen. Kryeministri serb: Ne nuk kemi frikë të flasim, unë mund të shoh në sy atë dhe këdo tjetër

Edhe pse kreu i qeverisë shqiptare rikonfirmoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e tij për të shkuar në Beograd më 22 tetor, pala serbe, përmes homologut të Ramës, Aleksandër Vuçiç, ka vënë në pikëpyetje këtë vizitë. Në një intervistë për “Reuters”, kreu i qeverisë serbe deklaroi se nuk ka vendosur ende nëse Rama do të jetë i ftuari i tij javën e ardhshme. “Do të vendos deri në fundjavë nëse do të pres apo jo Kryeministrin e Shqipërisë”, – tha ai duke shtuar nga ana tjetër: “Ne nuk kemi frikë nga bisedimet, por mua më duket se dikush nuk dëshiron të flasë, por do që të kërcënojnë Serbinë dhe për të nxitur destabilitet rajonal. Unë mund të shikoj atë dhe këdo tjetër në sy”. Ndërkaq, numri një i qeverisë serbe dënoi valën e sulmeve ndaj bizneseve shqiptare të ndodhura dy ditë pas incidentit në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Vuçiç tha se ata që janë përgjegjës do të dënohen “me ashpërsi maksimale”. “Unë jam duke u bërë thirrje serbëve që të mos veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme. Detyrimi ynë është të tregojmë diferencën midis nesh dhe atyre, për të treguar që ne jemi më të përgjegjshëm, që respektojmë të drejtat e pakicave kombëtare dhe të drejtave të njeriut në vendin tonë”, – deklaroi Vuçiç.

 

Kryeministri Rama

Ndërkohë, në një përgjigje të drejtpërdrejtë drejtuar palës serbe lidhur me akuzat e shprehura së fundmi, Kryeministri Rama theksoi: “Serbia normale do jetë realitet veç kur Serbia reale do kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre, jo projekti ynë”. Nga ana tjetër, ndërsa Kryeministri serb Vuçiç ka vënë në pikëpyetje zhvillimin e vizitës së homologut të tij shqiptar në Beograd, shefi i qeverisë shqiptare vijon t’i qëndrojë mendimit se të dyja vendet duhet të shohin nga e ardhmja e përbashkët evropiane dhe të mos bien në kurth nga një ndeshje futbolli. Në fjalën e tij në Institutin e Politikave të Harvardit, ku ishte i ftuar i posaçëm i Forumit “Kenedi”, Kryeministri Rama theksoi se shqiptarët dhe serbët nuk duhet të rikthehen mbrapa, por kanë një mundësi të mirë për të treguar se janë të gatshëm të shkojnë përpara dhe të jenë partnerë me Evropën. “Rruga e parë është ajo më e lehta e kthimit mbrapa dhe e përgjigjes me të njëjtin ton, me të njëjtën gjuhë të vjetër të politikës. Por, a ia vlen të luftosh për këtë rrugë dhe nëpërmjet saj? Apo është më mirë të luftojmë për të kaluar edhe këtë moment kaq të trishtueshëm dhe zhgënjyes dhe të shikojmë përpara për hir të gjeneratave të tjera dhe për hir të shansit që na është dhënë nga kjo mundësi historike; që të gjithë së bashku të shikojmë drejt së ardhmes. Të cilën, kemi mundësinë fantastike ta shohim si një horizont konkret, në horizontin e Bashkimit Evropian? Unë besoj se kjo duhet dhe kjo do jetë rruga jonë, rruga e Shqipërisë. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë as destabilizues të Ballkanit dhe as agresorë kundrejt askujt, dhe nëse shqiptarët sot janë në një pozitë më të mirë nga ajo e 20, 10 viteve më parë, kjo e ka një kuptim. Unë besoj fort se kuptimi i kësaj është se ne kemi përftuar atë çfarë kemi ndërtuar nëpërmjet rrugëve paqësore dhe aspak të dëmshme kundër askujt për të kërkuar një vend më të mirë në rajon”, – deklaroi Kryeministri Rama. Në këtë kontekst, ai tha se rajoni nuk duhet të humbasë mundësinë për të treguar botës dhe Evropës që ballkanasit janë në gjendje të ecin përpara dhe se ballkanasit nuk e meritojnë të izolohen siç ata kanë qenë të izoluar. “E, duke u kapur të gjithë në kurth nga një ndeshje futbolli, ne mund ta dëmtojmë më shumë veten tonë, vetë, duke e vetizoluar sërish Ballkanin dhe duke bërë që njerëzit të thonë: OK, ata janë të gjithë njësoj”, – theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

 

Sfida e një vizite

Që në kohën kur u diskutua për herë të parë lidhur me mundësinë e një vizite të Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, sigurisht që reagimet ishin të shumta, si nga pala serbe ashtu edhe nga ajo shqiptare. Edhe pse për dy herë kjo vizitë u shtyrë në kohë, me arsyetime axhendash, mundësia e 22 tetorit dukej dhe ende është reale. Incidentet e shumta të ndodhura në ndeshjen eliminatore për Evropianin 2016, Serbi-Shqipëri të martën e 14 tetorit ngritën pikëpyetje të mëdha për mundësinë e zhvillimit të kësaj vizite. Këto pikëpyetje u rrëzuan nga Kryeministri shqiptar, të cilit edhe pse iu deshën dy ditë kohë reflektimi, pohoi se do të shkonte në Beograd për të lënë pas të shkuarën e parë drejt së ardhmes. Përpos pengesave të shumta, si ajo e akuzave “të shfrenuara” të palës serbe, dje vetë Kryeministri Vuçiç tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta presë kreun e qeverisë shqiptare në Beograd. Ndërkaq, Rama nga SHBA-ja, nuk ngurroi të rikonfirmonte se do të vizitojë Serbinë si një mundësi e artë, sipas tij, për rajonin dhe të ardhmen e Ballkanit. Ndërsa i “mbetet në derë” palës serbe përgjigjja përfundimtare nëse vizita do të zhvillohet apo jo, sfida që kjo e fundit paraqet në vetvete është vërtetë e madhe, duke marrë parasysh historikun e marrëdhënies “së acartë” mes dy vendeve. Po ashtu, ajo paraqet një sfidë edhe për vetë dy liderët, Rama e Vuçiç, të cilët në rast të zhvillimit të vizitës dhe konkluzioneve pozitive të saj do të merrnin vlerësimin e ndërkombëtarëve, por me shumë mundësi do të rrezikohej që nga ana tjetër mbi ta të “shfryhej” i gjithë dufi i shtetasve të vendeve respektive, të cilat sidomos pas ndeshjes në Beograd, nuk është se janë në kushtet e duhura për të vendosur “paqen”. Por ndërsa ende nuk dihet nëse vizita do të zhvillohet dhe se cila do të jenë rezultatet e saj, sigurisht që për një fakt bien dakord të dyja palët, si serbët ashtu edhe shqiptarët: zhvillimi me të dy anët e medaljes që përmban vizita, do të jetë historik nëse do të ndodhë, por nuk mund të mohojë atë që edhe ndeshja e tregoi, se jemi ende lag së qeni dy vende fqinje, në kuptimin real të fjalës. Për të vërtetuar se cili ka peshën më të madhe të fajit për këtë, ndoshta ndeshja e 14 tetorit dhe reagimet pas saj janë një e dhënë që nuk mund të neglizhohen.

 

 Vizita e Ramës në Serbi/ Zbardhet axhenda, takim me Vuçiçin e Nikoliçin. Shëtitja në këmbë, në mëdyshje

Zbardhet draft-axhenda e vizitës dyditore të Kryeministrit Rama në Serbi më 22 dhe 23 tetor. Protokolli shqiptar ka propozuar takim me Kryeministrin, Presidentin dhe Kryetaren e Parlamentit Serb në ditën e saj të parë. Fillimisht, Kryeministri Rama dhe delegacioni prej 14 vetash, i përbërë edhe nga ministrat Bushati e Ahmetaj, do të priten, nëse vizita do të ndodhë, në orën 11.00 nga homologu Vuçiç në pallatin “Serbia”, ku këtë herë të dy shefat e qeverive do të jenë të detyruar edhe me protokoll të dëgjojnë himnet e flamurit të dy vendeve. Pas takimit kokë më kokë të dy kryeministrave dhe atyre të delegacioneve, Rama e Vuçiç në orën 12:15 minuta, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Me përfundimin e konferencës, për rreth 45 minuta, Rama do të takojë Presidentin serb Nikoliç, dhe pas tij në radhën e takimeve zyrtare, është ai me Kryetaren e Parlamentit. Po ashtu parashikohet që kreu i qeverisë mund të realizojë edhe shëtitje në këmbë në qytet, të planifikuar ne draft-axhendë, por kjo pikë edhe mund të anulohet pas ngjarjeve të ndodhura me ndeshjen e 14 tetorit në Beograd. Ndërkaq, në mbrëmjen e 22 tetorit, pritet që Rama të marrë nga kryebashkiaku i Beogradit, çelësin e qytetit e në ditën e dytë të vizitojë Preshevën, ku do të mbajë një fjalim në qendër të Komunës së banuar me shumicë shqiptare, si dhe vizitën në Komunën e Bujanocit. Dita e dytë e vizitës, apo 23 tetori, përkon edhe me datën e vendimit të UEFA-s për ndeshjen e shumëdiskutuar Shqipëri-Serbi. Ndërkohë, largimi nga territori serb do të bëhet në rrugë tokësore, përmes pikës së Konculit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency