Zbardhen tri orët e komisionit hetimor/ Debati mes Çefës e deputetëve të PS-së, nga çështja e 100 mln eurove tek emërimet e gjyqtarëve

0
135

Gëzim Saliu

komisioni per hetimin e kld (1) Komisioni mbyll hetimet për dy anëtarët e KLD-së, raporti përfundimtar të shtunën. Paralajmërimi i Subashit: Nishani do të mbajë përgjegjësi në rast shkeljesh

Me seancën e djeshme dëgjimore me dy anëtarët e KLSD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, komisioni hetimor për shkarkimin e tyre mbylli punimet, duke bërë të ditur se raporti përfundimtar do të zbardhet ditën e shtunë. Në mbledhjen e djeshme, e cila nisi në orën 15:20 minuta dhe i mbylli punimet rreth orës 18:35 minuta, u thirrën nga komisioni për dëgjesë dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në seancë nuk munguan debatet, akuzat dhe replikat mes deputetëve socialistë, anëtarë të komisionit dhe nënkryetarit të KLD-së Elvis Çefa e pak më pak me anëtarin Lulçaj. Për më shumë se dy orë, Çefa ishte i pranishëm në komision, ku pasi bërë një rezyme në formë reagimi ndaj gjetjeve paraprake të raportit të komisionit, iu kundërpërgjigj të gjitha pyetjeve të anëtarëve të komisionit. Përballjet më të vështira Çefa i hasi me deputetin socialist Taulant Balla dhe kreun e komisionit, Armando Subashi, si edhe me ligjvënësin e LSI-së, Spartak Braho. Ndërkaq anëtari tjetër i KLD-së, Lulzim Lelçaj, i cili seancën dëgjimore e zhvilloi më pak të shkurtuar në kohë se ajo e Çefës, deklaroi se nuk është njohur me gjetjet e komisionit, duke theksuar se nuk i kanë bërë verifikimet e mandateve të anëtarëve të KLD-së dhe se Ministria e Drejtësisë po merr kompetencat për vendet vakante. Në përfundim të takimit, kreu i Komisionit Hetimor Armando Subashi paralajmëroi edhe kreun e shtetit.  “Padyshim që presidenti, do të ketë dhe ai, të themi, rolin e tij në gjithë konstatimet që ne do të kemi për këtë problem pasi nëse konstatohet shkelje nga një institucion në vendimmarrjen e tij sigurisht qe kjo nuk përjashton në radhë të parë titullarin e këtij institucioni”, tha ai.

 

Mbledhja

Në fillim të mbledhjes, Çefa ka kërkuar përjashtimin nga komisioni të kryetarit të komisionit, Armando Subashi, dhe deputetit të LSI-së, Spartak Braho, me argumentin se nuk janë të paanshëm në gjykimin e tyre. Sipas tij, përmes fakteve në kohën kur Subashi ishte në KLD nuk u bë vlerësim i gjyqtarëve dhe se kishte gjykata pa kryetar, të njëjtat akuza, theksoi Çefa, për të cilat ai po gjykohet nga komisioni. Ndërkohë, për Brahon, nënkryetari i KLD-së iu referua akuzave të shprehura më parë nga deputeti i LSI-së në shtyp lidhur me çështjen e pronave. Duke iu referuar kërkesës së Çefës, e cila u rrëzua, Braho theksoi: “Nuk e bëre nga padija këtë, kjo ishte një lëvizje taktike, do të përjashtosh 2 anëtarë të komisionit hetimor për të mos pasur kuorumin e nevojshëm, sepse në mungesë të kolegëve tanë që të emëruan atje, komisioni nuk do kishte kuorumin. S’ka të bëjë fare prononcim im, ku unë të kam thënë hajdut, është e vërtetë që të kam thënë hajdut, 10 milionë m2 nëse vërtetohen është një vjedhje kolosale me shqyrtimin e sotëm”. Nga ana tjetër, deputeti Balla ka akuzuar Çefën se ka shkelur dekretin e Presidentit. “Ke favorizuar të afërmit kur ishit kreu i AKKP-së. Keni menduar që kur nisi hetimi, të jepni dorëheqjen?”, – i është drejtuar Balla Çefës, ku ky i fundit s’ka pranuar asnjë nga akuzat e bëra. Ndërkaq, Çefa e ka quajtur komisionin hetimor antikushtetues, duke i kujtuar kryetarit Armando Subashi se në 2006-ën vetë Subashi e quante të paligjshëm shkarkimin nga Parlamenti të anëtarëve të KLD-së. Në kundërpërgjigje, Subashi  pohoi se të dy rastet nuk kanë asnjë ngjashmëri me njëri-tjetrin.

 

Debati 3-orësh me pyetje-përgjigje

 Çefa: Unë dhe z. Lelçaj sot akuzohemi për shkelje të ligjit që kanë të bëjnë kryesisht me veprimtarinë e KLD-së si një organ kushtetues kolegjial. Po kërkohet shkarkimi ynë, sepse kemi vepruar në një mënyrë të caktuar, kryesisht të detyruar nga situata në të cilën ishte sistemi gjyqësor dhe vetë KLD në momentin e marrjes së detyrës nga ana jonë. Ne sot mendojmë se po akuzohemi për një punë që, në fakt, KLD-të paraardhëse nuk e kanë bërë, me gjithë detyrimin ligjor që kanë pasur. Në këtë kontekst nuk mund të anashkalojmë faktin se pikërisht kryetari i këtij komisioni të nderuar, z. Armando Subashi, ka qenë anëtar për 5 vite i KLD-së, konkretisht nga data 20.5.2004 deri në datë 11.6.2009. Gjatë kësaj periudhe janë bërë nga KLD shumë emërime e transferime apo edhe promovime gjyqtarësh, përfshi këtu edhe emërime të drejtuesve të gjykatave, në fakt me një procedurë aspak transparente dhe të pakrahasueshme me procedurën e ndjekur nga KLD aktuale, për të cilën po akuzohemi ne. Në këto kushte, duke i vlerësuar se veprimet apo mosveprimet për të cilat ne po akuzohemi sot, janë pasojë direkte e veprimeve apo mosveprimeve të kryera nga KLD e mëparshme dhe për rrjedhojë edhe nga z. Subashi, mendojmë që anëtarësia e z. Subashi në këtë komision hetimor është e papërshtatshme dhe vjen në kundërshtim me një nga elementët thelbësorë të procesit të rregullt ligjor, që është ai i paanësisë së gjykimit. Po ashtu: është një fakt i ditur botërisht se edhe anëtari tjetër i këtij komisioni të nderuar, z. Spartak Braho, është në fakt në të njëjtat kushte. Kjo, për arsye se z. Braho para disa muajsh dhe konkretisht në korrik të këtij viti në thëniet e tij publike në media ka shfaqur bindjen e tij personale për personin tim. Për këto arsye, duke pasur bindjen se dy anëtarët e sipërpërmendur të këtij komisioni hetimor nuk plotësojnë kushtin e “paanësisë” në gjykimin e tyre ndaj nesh, kusht që është një kërkesë thelbësore e procesit të rregullt ligjor, kërkojmë përjashtimin e tyre nga ky komision hetimor.

Balla: Jam shumë i fyer që nuk më keni përfshirë dhe mua në kërkesë, sepse dhe unë kam shprehur, madje më shumë se zoti Braho, vlerësimin negativ ndaj jush edhe në publik. Doja të thosha se kuvendi nëse ju jeni informuar, ka pasur një tjetër komision hetimor për nënkryetari paraardhës të KLD-së dhe përmes tij e ka shkarkuar zotin Spahiu, që ju akuzuat sot, për mosveprim dhe çështjet që ju renditët. Në rastin në fjalë Kuvendi ka gjetur fajtor zotin Spahiu. Tani të vini këtu dhe të bëni teatër me shprehjen se dy zotërinjtë e nderuar, anëtarë të Kuvendit, deputetë për disa mandate, jo vetëm që nuk e zhvillon normalisht punën e komisionit, madje do ta konsideroja fyerje nga ana juaj. Të vini dhe të thoni se zoti Braho nuk ka folur mirë për ju dhe kjo përbën anësi në gjykim kjo nuk është fare relevante. Në asnjë komision hetimor, unë jam një nga anëtarët më prezentë në komisionet hetimore, s’më ka ndodhur të vinte një përfaqësues i një institucioni të vendos në hetim që të bënte këtë kërkesë.

Braho: Zoti Çefa, ju jeni juristi, por këtë radhë çeduat rëndë. Ligji për komisionet hetimore ka 24 nene, shikoje kur të mbarojë seanca, nuk ka asnjë parashikim për përjashtim. Iu referove Kushtetutës por ajo e ka në një sens tjetër, për një proces gjyqësor dhe jo komisionet hetimore. Nuk e bëre nga padija këtë, kjo ishte një lëvizje taktike, do të përjashtosh 2 anëtarë të komisionit hetimor për të mos pasur kuorumin e nevojshëm, sepse në mungesë të kolegëve tanë që të emëruan atje komisioni nuk do kishte kuorumin. Kjo lëvizje taktike juaja është e destinuar të dështojë. Së dyti, lidhur me akuzat që unë paskam bërë ndaj jush, ato nuk lidhen me çështjen në hetim. Unë akoma nuk kam folur për veprimtarinë tuaj si nënkryetar i KLD-së. Dikur në korrik kam shprehur një opinion lidhur me veprimtarinë tuaj si kryetar i AKKP-së. Ju e dini se unë ua kam thënë ballazi dhe këtu se mbi bazën e denoncimit që kanë bërë me dhjetëra qytetarë të Shqipërisë, aktiviteti juaj si drejtues i AKKP-së konsiderohej me shkelje të rënda shtetërore. Në një rast nga 220 ha janë kthyer 1220 hektarë, pra 10 milionë m2 më shumë për baxhanakun tuaj që është dhe ai anëtar i KLD-së. Megjithatë, kjo është një çështje që e ka prokuroria, ishalla dhe unë atë dua që të dalësh në rregull. Por s’ka të bëjë fare ky prononcim ku unë të kam thënë hajdut. Është e vërtetë që të kam thënë hajdut, 10 milionë m2 nëse vërtetohen është një vjedhje kolosale. Sa i përket përjashtimit të zotit Subashi, ju keni qenë nga 2005-2013 në pushtet, ia vinit në dukje marifetet edhe zotit Subashi dhe ashtu siç shkarkuat Kreshnik Spahiun që u doli nga vatha, edhe zotin Subashi, por ju se keni bërë dhe tani hidhni baltë.

Manja: Nuk ka ligji një dispozitë të tillë, por edhe nëse do të kishte nuk duhet të ngatërrohet hetimi me gjykimin. Ne hetojmë mbi kërkesën e 39 deputetëve, vendimin lidhur me gjetjet tona e jep kuvendi.

Braho: Dhe diçka, e kuptoj pozicionin tuaj dhe për të qenë bujar kisha ndërmend të bëja disa pyetje që lidhen kryesisht me shpurën tuaj që morët me vete kur ikën nga AKKP-ja në KLD, ku përfshihet dhe miku juaj që është sekretar i Përgjithshëm i KLD, por të jap fjalën që nuk do bëj asnjë pyetje.

Subashi: Kërkesa nuk ka bazë ligjore ndaj nuk hidhet në votim.

Çefa: Vendimet për të cilat më akuzon janë dhënë në vitin 2002 dhe janë dhënë nga një institucion tjetër që nuk ishte AKKP dhe kjo provohet me fakte. Akuzohem se kam marrë shpurën time, mikun time sekretar të Përgjithshëm. Sqaroj se ai nuk ka punuar në AKKP, ka ardhur nga institucion tjetër dhe u është nënshtruar procedurave të konkurrimit. negativisht. Akuzohem për dhënie pronash baxhanakut, unë nuk kam baxhanak. Unë nuk jam palë me ndonjë parti politike, nuk kam qenë asnjëherë anëtar, ky është qëndrim subjektiv juaji, kam punuar dhe kur partia juaj qeveriste vendin. Nuk jam përfshirë asnjëherë në çështje politike, zoti Manja e di mirë sepse ka kam pasur bashkëshorten e tij vartëse në AKKP. Nuk janë palë me mua deputetët e asnjë partie politike.

Balla: Çështja në fjalë, për të cilin ju jeni në akuzë nga prokuroria e Tiranës që ka filluar procedimin penal ndaj jush nuk është e vitit 2002, por janë të vitit 2011 kur ju keni qenë në detyrë, madje me një shkresës tuajën me datën 23.10.2011 u është njoftuar palëve, sigurisht i takon prokurorisë të vërtetojë lidhje familjare me ju, nuk është ushtruar iniciativa ligjore kundër vendimit të ZRPP-së Durrës. Ky veprim i kryer nga ju ka qenë në koherencë të plotë me gjykimin në Gjykatën Kushtetuese në atë periudhë të së drejtë së drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së dhe e keni shfrytëzuar këtë të drejtë, por e keni shfrytëzuar për arsye personale. Ajo që dua t’ju them është që nisur nga verifikimit, i takojnë prokurorisë, rezulton se me veprimet e mos veprimet tuaja duke qenë në detyrën e drejtorit të AKKP-së ke favorizuar të afërm të familjes suaj, parashikohet që sipërfaqja e njohur bazuar në dokumente të falsifikuara të jetë afërsisht 2 mijë hektarë, e cila mund të përllogaritet në një vlerë të përafërt në 100 milionë euro. Pyetja ime, sigurisht që këto janë konstatime dhe i bashkohem lutjes së zotit Braho që qofshi i pafajshëm në këto 100 milionë euro pasuri, po ajo që do të dojë të dija nga ju, është se ju jeni një zyrtar i lartë i këtij shteti, a keni menduar që ditën që prokuroria e vendit fillon një hetim ndaj jush për shpërdorim detyre, korrupsion, të jepni dorëheqjen për t’u lënë institucioneve të drejtësisë ta hetojnë këtë çështje.

Çefa: Unë sigurisht që e kam të qartë të gjithë këtë situatë dhe e kam një përgjigje shumë të qartë dhe shumë të sinqertë për të dy rastet që ju përmendët po në qoftë se është e mundur se unë jam vënë në dijeni të faktit se ju keni marrë vendim zyrtar nga prokuroria a mundem të njihem me mënyrën se si është formuluar ajo shkresë. Unë nuk di nëse ka ndonjë akuzë ajo shkresë, do doja ta lexoja atë shkresë.

Balla: Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, kthim përgjigje, datë 7.10.2014, në përgjigje tuajën ju informojmë se AKKP ka depozituar kallëzim penal. Më poshtë prokuroria mbi këtë bazë ka regjistruar kallëzimin penal. Besoj se ju jeni jurist dhe e kuptoni që kallëzimi penal ndaj jush ka filluar dhe ka filluar hetimi.

Çefa: Ju faleminderit, pikërisht se jam jurist e kërkova ta lexoni atë shkresë, sepse në asnjë nga ato fjalë që lexuat nuk pashë emrin Elvis Çefa.

Balla ndërhyn jashtë mikrofonit: Më fal, më fal pak këtu.

Subashi: Z. Balla, ja ta mbrojë ai njëherë.

Balla: Lodrat e fjalëve mund t’i bëni gjetkë. Ka depozituar kallëzim penal në ngarkim të ish-drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, Elvis Çefa.

Çefa: Ju faleminderit që lexuat, në fakt, është fakt i ditur botërisht që drejtoresha aktuale e AKKP-së që ka paraqitur një kallëzim penal në prokurori kundër personit tim. Në pjesën e dytë të shkresës, ndoshta zoti Manja na sqaron teknikisht mbi situatën, unë nuk pashë që ka filluar një procedim penal ndaj zotit Elvis Çefa, unë pashë që është regjistruar kallëzimi, pashë që ka filluar hetimi, por pa autor. Unë të paktën në dijeninë time nga miqtë e mi prokurorë.

Balla ndërhyn jashtë mikrofonit: Jo ore…

Çefa: Di që kur regjistrohet vepra pa autor, nuk do të thotë se ka filluar ndonjë hetim ndaj një personi konkret. Për të sqaruar pjesën tjetër, ju siguroj që çështje për të cilën AKKLP ka bërë kallëzim nuk ka të bëjë aspak me një vendimmarrje time për kthimin apo kompensimin e ndonjë prone në favor të asaj familje. E sqaroj edhe një herë vendimet për njohjen dhe kompensimin e asaj prone, 1 mijë e ca hektarë a 2 mijë hektarë, nuk e di me saktësi, janë dhënë në vitin 2002 nga ish-komisioni i kthimit të pronave në Durrës, unë kam filluar punë në vitin 2009. Venmdimin tim të cilit iu referuat për mos ushtrim iniciative ka të bëjë me një vendim tjetër negativ të marrë ndaj kësaj familje nga ish-zyra rajonale e kthimit dhe kompensimit të pronave, vendim i cili është lënë në fuqi nga unë. Jam i bindur se prokuroria do ta zbardhë këtë çështje kategorikisht, se nuk ka rrugë tjetër, por besoj se edhe ju vetë e keni shumë të lehtë që të shkoni te AKKP dhe t’i evidentonit të gjitha këto shkresa. Këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe mbaj përgjegjësi edhe para ligjit, edhe për dëshmi të rreme, përpara këtij komisioni nëse nuk është kështu.

Balla: Në fakt, shqetësimi im ishte dhe ju e prekët sadopak kur thatë që miqtë tuaj në prokurori, ky është problemi që unë kam. Qëkur një person në hetim thotë kam informacion nga miqtë e mi në prokurori që unë e kam emrin, por te dosja tjetër, ky është një problem që unë ju bëra pyetjen. Duke qenë se jeni hetim për një çështje, sa për sipërfaqen, ju them se dokumentacioni është i vërtetë dhe janë 1200 hektarë të kthyera, dhe personi në fjalë ka pasur të drejtën t’i kthehen 220 hektarë, dhe një ditë të bukur në vendimin që ju i keni firmosur janë bërë 1220 hektarë.

Çefa ndërhyn jashtë mikrofonit: Zoti kryetar, ju lutem tani.

Balla: Po ta mbaroj, ja ta mbaroj.

Subashi: O zoti Çefa, po ju lutem flisni me leje.

Çefa jashtë mikrofonit: Kjo është një shpifje.

Subashi: Zoti Çefa, ju lutem mos ndërhyni pa leje, ju po e shikoni që unë po jua jap fjalën sa herë që doni dhe po flisni sa të doni.

Çefa: Kemi një shpifje.

Balla: Unë po lexoj një kopje të kallëzimit.

Çefa ndërhyn sërish jashtë mikrofonit.

Subashi: O zoti Çefa, të lutem mos fol pa leje.

Balla: Mos u nxeh, mos u nxeh. Këtu thuhet se nga 220 hektarë janë shtuar 1220 hektarë, është shtuar i njish këtu. Këta një mijë hektarët e tjera është futur një pjesë pylli pa fund atje. Pyetja ime është shumë e qartë a të vret ndërgjegjja, duke qenë ende nënkryetar i KLD-së nëse keni përfituar 100 milionë euro?

Subashi: Më në fund u qartësua situata, pyetja është konkrete.

Çefa: Situata ishte e qartë që në fillim, dhe nuk kishte nevojë për asnjë interpretimi. Unë e sqarova se nuk kam kthyer për asnjë rast një sipërfaqe të atillë, aq më pak ndonjë të afërmi tim. Unë i quajta se janë shpifje, se me të vërtetë janë shpifje dhe jua them me përgjegjësi të plotë.

Ndërhyn Subashi: Është e qartë, është e qartë.

Çefa: Kam qenë për tre vjet e gjysmë në drejtimin e AKKP-së dhe kam kaluar me mijëra çështje nëpër duar dhe ju siguroj se kam informacion të vazhdueshëm për të diskutuar çdo gjë sa u përket pronave. Pretendimet e drejtoreshës i quaj shpifje, sepse kam informacion të sigurt që kanë shkuar persona të veçantë, me vullnet për të gërmuar në ato arkiva, për të gjetur diçka me Elvis Çefën.

Subashi: Meqenëse ju u referoheni shpeshherë praktikave të mëparshme të KLD-së, a njiheni ju me raportin që ka përpiluar komisioni hetimor nga zoti Spahiu që është miratuar edhe nga Kuvendi?

Çefa: T’ju them të vërtetë nuk jam njohur me materialin, jam njohur thjesht përmes mediave, thjesht si spektator.

Subashi: Atëherë i kuptoj përgjigjet që po jepni sot, se po të ishit njohur me atë dokument zyrtar, që prezumohet se është pjesë e detyrave të KLD-së, jam i bindur se shumë nga këto problematika që po diskutojmë sot nuk do ishin. Besoj se do ju ndihmonin lidhur me antikushtetutshmërinë e këtij komisioni dhe më të drejtën që ka komisioni për të shkarkuar ata anëtarë të KLD-së që i ka miratuar vetë.

Çefa: Një komision tjetër i mëparshëm, që mund të ketë qenë edhe ai antikushtetues nuk justifikon një komision tjetër antikushtetues. Unë kam bindjen time për kushtetutshmërinë e këtij komisioni. Nëse do më lejoni, unë do citoj mendimin e një kolegu tim, që sot ka një karrierë të admirueshme lidhur me këtë komision do doja ta citoja: Ndryshimi i ligjit, i nenit 1 të tij, bëhet fjalë për ligjin e KLD-së, nuk mund të prekë dy anëtarët e KLD-së. Nuk mund të bëhet ndërhyrja kushtetuese për efekt të ndryshimit të mandateve, thotë kolegu, për shkak të ndryshimit të ligjit. KLD është organ kushtetues dhe anëtarët e tij kanë mandate kushtetuese, aktiviteti i të cilit është baza e sistemit të së drejtës. Mendoj se Kuvendi ka vendosur gabim për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, duke parë me kujdes Kushtetutën, nuk gjen asnjë pikë ku i jepet e drejta Kuvendit për të shkarkuar anëtarë të KLD-së, Kushtetuta i ka dhënë Kuvendit vetëm të drejtën për të zgjedhur tre anëtarë të tij. Të nderuar anëtarë të komisionit hetimor, të nderuar përfaqësues të medias, më lejoni të them që fjala që sapo lexova është thënë në mbledhjen e KLD-së të datës 20 korrik 2006 nga anëtari i KLD-së i asaj kohe dhe sot kryetari i këtij komisioni Armando Subashi.

Subashi: Faleminderit edhe një herë dyfish edhe për faktin se vazhdimisht sot më keni cituar në veprimtarinë e vendimmarrjen time në KLD. Rastet janë të ndryshme, në atë rast nuk u ushtrua procedurë kontrolli, por Kuvendi tentoi të ndërpriste mandatin e dy anëtarëve, prandaj kam thënë që është antikushtetues atëherë. Ndërsa ky rast është tjetër.

 

 Votimi në Kuvend/ Miratohet me 75 vota buxheti faktik, marrëveshja me KFW me 74 vota

Kuvendi miratoi dje me 75 vota pro buxhetin faktik të vitit 2013 në seancën plenare të radhës. Sipas projektligjit, shkeljet administrative dhe moszbatimi rigoroz i ligjit të buxhetit gjatë vitit të kaluar kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 230 milionë dollarë. Ndërkaq projektligjin “Për kujdesin paliativ në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka të bëjë me sëmundjet pashërueshme, mori 77 vota. Nga ana tjetër “ratifikimi i marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave,e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KF-W Frankfurt AM MAIN, Për financimin e Programit “Fondi i investimeve sociale IV” mori vetëm 74 vota, ku deputeti Kosta votoi kundër në parim dhe në tërësi nuk shprehu qëndrimin me votë. Me 75 vota u miratua projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të letër marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për zhvillimin e agrikulturës, për Programin “Malet drejt tregut”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency