Raportimet e mediave të huaja

0
169

AS: UEFA mund të përjashtojë të dyja skuadrat nga eliminatoret, Washington Post: Shikoni si futen huliganët serbë në stadium

trazirat serbi shqiperi flamuri sherri futboll kombetarja (3) Një paralajmërim i frikshëm vjen nga e përditshmja spanjolle “AS” lidhur me atë që mund të jetë vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s me datë 23 tetor. E përditshmja sportive në faqen e saj shkruan se UEFA dhe FIFA kërkojnë të bëjnë shembull Serbinë dhe Shqipërinë, që ngjarje të tilla si ajo e Beogradit të mos përsëriten më, dhe një nga masat që mund të marrë është përjashtimi nga eliminatoret e Euro 2016 të të dyja federatave. Si presidenti i FIFA-s, Sep Blater gjithashtu dhe ai i UEFA-s, Mishel Platini i cilësuan si të turpshme ngjarjet e Beogradit, duke qenë dakord për një çështje për herë të parë pas plot 6 muajve, pas polemikave për Botërorin e Katarit, gjyqtarëve apo dhe përdorimit të teknologjisë. As madje duke ju referuar burimeve pranë UEFA-s, bëri me dije se kjo e fundit ka vendosur të japë një ndëshkim shembullor. Pavarësisht se në shkrimin e të përditshmes spanjolle analizohen dhe llogaritjet jo të sakta të qeverisë së futbollit evropian, në momentin e hedhjes së shortit, ku vendosi të mos përballet në fushën e lojës vende si Gjibraltari me Spanjën, apo Azerbajxhani me Turqinë, ndërsa nuk ndoqi të njëjtën linjë me vendet e ballkanasit. Vende që ashtu siç shkruan “AS” janë dhe vatra më e nxehtë e konflikteve në Evropë, sidomos mes kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve me serbët.

 

Washington Post: Ja si huliganët hynë në stadium, Bogdanov kërcënon delegatin e UEFA-s

Një video, e publikuar më parë nga gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post”, zbardh dy minutat më vendimtare të trillerit në Beograd. Në video, shihen haptazi se si tifozët-ultras serbë kanë kaluar perimetrin që u lejohet, duke hyrë në fushë, pa u penguar dhe pa u ndjekur nga sigurimi privatë i stadiumit, por edhe nga forcat speciale të policisë, transmeton “Telegrafi”. Kujtojmë se pas futjes së tifozëve serbë në fushë dhe sulmit ndaj futbollistëve shqiptarë, pasoi edhe me ndërprerjen e ndeshjes nga ana e gjyqtarit anglez, Martin Atkinson. Bogdanov, prania e të cilit i çuditi të gjithë, pasi ishte i dënuar, besohet se ka sulmuar edhe delegatët e UEFA-s.

Besohet se Bogdanov në momentin kur u përplasën lojtarët për flamur dhe kur huliganët hynë në fushë, ai shkoi te delegati, për ta kërcënuar. Bogdanov besohet se i ka thënë delegatit që të mos e ndërpresë ndeshjen, në të kundërtën ai do të kishte probleme, teksa delegati refuzoi ta bënte këtë dhe ftoi policinë për ta mbrojtur. Delegati danez besohet se këtë incident e ka shkruar ashtu sikurse incidentet tjera dhe këto pritet të dënohen nga UEFA në raportin disiplinor.

 

 Mediat fqinje i hedhin fajin Shqipërisë për ngjarjet

 “Kanali 5” i Maqedonisë ka shkruar se flamuri në stadiumin e Beogradit ishte një provokim ndaj vendasve. “Nën minutën 42, u shfaq një objekt fluturues me flamurin e Shqipërisë së Madhe dhe të Serbisë së Vogël. Kur Stefan Mitroviç kishte kapur flamurin, disa futbollistë shqiptarë ia kanë rrëmbyer atë dhe kështu kishte filluar përleshja, me çka edhe gjyqtari ka ndërprerë ndeshjen”, – shkruan media maqedonase.

 “Alsat-M” nga ana tjetër, media shqiptare në Maqedoni thotë se flamuri është i shenjtë dhe nuk duhet të prekej.

 Agjencia greke “ANA-MPA” raportoi shkurtimisht mbi ngjarjet në stadiumin e Partizanit, vetëm duke njoftuar se një ndeshje braktiset për shkak të flamurit, kurse mediat e tjetra pjesa më e madhe i hedhin fajin Shqipërisë, duke e etiketuar si provokatore.

“Pobjeda” e Malit të Zi, ka bërë të ditur vetëm se “takimi është ndërprerë kur mbi fushën e futbollit është shfaqur një objekt i vogël fluturues me flamurin shqiptar”.

Ndërsa, “Vijesti” ka shkruar: “Në stadiumin e mbushur të ish-APJ-së, në një kohë është shfaqur një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe – pas kësaj çdo gjë ka ndryshuar”.

 

 Deklarata të futbollisteve

 Kukeli: Nëse do të kishte pasur tifozë shqiptarë, përmasat tragjike

Futbollisti i kombëtares shqiptare, në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, është shprehur i habitur me gjithë atë që ka ndodhur në stadiumin në Beograd.

“Nuk dua ta miratoj atë që ka ndodhur, sepse skena e sportit nuk është e duhur për të zgjidhur konflikte politike. Në Beograd kjo çoi deri aty, saqë njerëz të ndryshëm nuk ishin më zot të emocioneve të tyre. Është një mrekulli që nuk ndodhi diçka më e keqe. Të dy vendet nuk është dashur të lejohen nga UEFA të luajnë në grupin e njëjtë. Ka qenë e ditur se do të ketë tensione. Në retrospektivë duhet thënë se ishte fat i madh që fansat tanë nuk e kishin të lejuar të udhëtojnë me ne. As që mund të merret me mend se sa dramatike do të ishte zhvilluar krejt kjo. Kapiteni Ivanoviç erdhi në kabinën tonë, kërkoi falje dhe u përpoq të na bind të vazhdojmë lojën. Por, kjo ishte e pamundshme. Kam edhe miq serbë, njoh shumë serbë në Zvicër, dhe kjo mbrëmje nuk do të ndryshojë asgjë në raportin tim me ta. Në Beograd një pakicë e njerëzve shkaktoi dëm të madh. Kurrë nuk kam menduar se do ta përjetojë një horror të tillë në një ndeshje futbolli. Nisa të frikësohem kur pashë se personeli i sigurisë vetëm shikonte dhe nuk ndërmori asgjë kundër fansave serbë, të cilët të papenguar mund të futeshin në fushë, na kërcënonin dhe godisnin. Kur vendosëm të tërhiqemi në kabinë mbrojtësit e rendit jo vetëm që shikonin, por edhe na sulmonin. Ishte diçka që s’mund të merret me mend”, – është shprehur mes tjerash, përfaqësuesi i Shqipërisë, Burim Kukeli, për gazetën “Tages Anzeiger”.

 

Xhaka dhe Shaqiri: Në Beograd nuk u luajt futboll

Ylli shqiptar i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka kritikuar ashpër Serbinë për dhunën e përdorur nga tifozët e saj në stadium në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Xhaka ashpër ka kritikuar Serbinë në një intervistë për “Blick”, ku edhe ka folur për heroizmat e vëllait të tij, Taulantit. “Ajo që ndodhi në Beograd nuk ka të bëjë asgjë me futbollin. Shqiptarët u sulmuan me gurë dhe karrige. Më vjen keq”, – deklaroi Xhaka për portalin zviceran “Blick”.

“Shqipëria u kthye në Tiranë në orën 3 të mëngjesit. Ata u pritën nga tifozët dhe atmosfera dukej e mrekullueshme. Taulanti u lëndua lehtë në fytyrë, por nuk ka ndonjë problem të madh”, – u shpreh lojtari. Ndërsa Xherdan Shaqiri deklaroi se ngjarjet në stadiumin e Partizanit në Beograd nuk kanë të bëjnë me futbollin. Mesfushori shqiptar i Bajernit të Mynihut, i cili aktivizohet për kombëtaren e Zvicrës, është pyetur për incidentet e ndodhura të martën mbrëma. Dhe ai ka komentuar shkurtimisht se UEFA nuk është dashur të lejojë që incidentet të kishin shkuar aq larg. “Kjo nuk ka asgjë të bëjë me futbollin. UEFA kurrë nuk duhet të kishte lejuar që kjo të shkonte aq larg”, – ka thënë Shaqiri për gazetën zvicerane “Blick”.

 

Cana për L’Equipe: Propozova që ndeshja të luhej pa tifozë

Më tej Lorik Cana sqaron se që në hedhje të shortit, kishte propozuar që ndeshja të zhvillohej pa tifozë, për shkak të tensionit të lartë mes dy vendeve. Sa u përket akuzave serbe se shqiptarët ishin provokatorë, kapiteni kuqezi mohon diçka të tillë duke nënvizuar se qëllimi i futbollistëve shqiptarë ishte vetëm mbrojtja e jetëve të tyre. “Qëkur u hodh shorti mendova se do të ishte më mirë që ndeshjet të mos luheshin, pasi klima politike mes dy shteteve është e tensionuar. Unë nuk e kuptoj pse na quajnë provokatorë ne thjesht munduam të shpëtonim jetët tona. Kurrë nuk krijuam problem ne si skuadër apo ata pak tifozë shqiptarë që ishin ndryshe nga ç’bënë serbët dhe për ata duhet të ketë ndëshkim”, – tha ai.

 

Lila: Tifozi i droguar më motivoi për të kënduar më fort himnin

Andi Lila rrëfen disa nga prapaskenat në takimin e luajtur në Beograd me Serbinë. Lojtari i kombëtares shqiptare tha se që para fillimit të takimit, atmosfera nuk ishte aspak e mirë. 28-vjeçari u shpreh se gjatë ekzekutimit të himnit këndoi me sa fuqi kishte, por nuk dëgjohej për shkak të zhurmës së madhe nga ana e tifozerisë serbe. Kur po këndonim himnin kisha përballë një djalë të ri serb, i cili me siguri ishte i droguar, pasi gjatë gjithë kohës vetëm më shikonte dhe kafshonte duart. Diçka e tillë më motivonte më shumë dhe e këndova himnin me sa fuqi kisha”, – deklaroi Lila në emisionin “Opinion”.

 

Lala dhe Kapllani: Jemi goditur nga policët dhe me sende të forta

Ngjarjet e paprecedenta në sfidën eliminatore Serbi-Shqipëria vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave kryesore në Evropë. Prestigjiozja gjermane “Bild”, duke e qenë e paanshme në trajnimin e çështjes, ka ofruar për lexuesit e saj deklaratat e futbollistëve apo ish-futbollistë të Bundesligës, shqiptarë apo serbë, për episodet e dhunës të stadiumit të Beogradit, që nuk kishin të bënin aspak me anën sportive. Në prononcimin e tij mbrojtësi i Frajburgut, Mitroviç, këmbëngul se nuk kishte ndërmend ta zhubroste flamurin ku shfaqej harta e Shqipërisë etnike, thjesht dëshironte t’ua dorëzonte zyrtarëve të ndeshjes, ndërsa Altin Lala, ish-kapiteni legjendar i Hanoverit, tregon tmerrin që ai dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar përjetuan në stadiumin e ferrit. “Ishim të tmerruar për vdekje. Pata shumë fat që nuk më ndodhi gjë. Një urrejtje të tillë nuk e kam përjetuar kurrë. Edhe forcat e sigurisë, që kanë për detyrë të mbajnë rregull, na goditën. Në tunel kam parë oficerët e policisë që godisnin lojtarët tanë”.

Ndërsa “Frankfurter Allgemeine Zeitung” sjell deklaratën e Edmond Kapllanit, që aktivizohet me FSV Frankfurt. Sipas 32-vjeçarit, “kuqezinjtë u goditën me mjete të forta dhe shishe. Ishte një eksperiencë e hidhur të cilën nuk dëshiron ta përjetojë në të ardhmen.

 

Mediat serbe bëjnë gënjeshtarin, Ronaldo nuk ka folur për dhunën në stadium

Mediat serbe e kanë quajtur shpifje të mediave shqiptare deklaratën e djeshme të Kristiano Ronaldos. Sipas tyre, ylli i Portugalisë dhe i Realit të Madridit nuk ka bërë asnjë deklaratë, sipas së cilës, ka frikë gjatë udhëtimit të tij në Serbi, por këto janë lajme të rreme që shpiken nga mediat shqiptare. “Ronaldo nuk e ka komentuar fare ndeshjen Serbi-Shqipëri. Deklarata e tij është e shpifur nga mediat shqiptare. Po ta dinte të vërtetën e ngjarjes në Beograd, Ronaldo me siguri se do të kritikonte mysafirët për provokimet që kanë bërë, sepse ai e di çfarë do të thotë të jesh i provokuar në fushë”, – shkruajnë mediat serbe. Por ndryshe nga çfarë shkruajnë mediat e Beogradit, CR7 është shprehur i habitur me atë që ndodhi mbrëmjen e së martës gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri dhe ashtu siç e pësuan kuqezinjtë, mund ta pësojë edhe Portugalia kur të luajë në Beograd.

 

Baku: Nga burime brenda UEFA-s, Shqipëria merr tri pikët në tavolinë

Shqipëria do të marrë tri pikët në tavolinë. Kështu mendon gazetari dhe analisti i njohur sportiv Ervin Baku. Në një postim të tijin në Facebook, ku shfaqet edhe me një fotografi bashkë me Presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, ai shprehet i bindur se vendimi i 23 tetorit do të jetë në favor të kuqezinjve. Sipas tij, kjo bindje i vjen pas burimeve të sigurta evropiane që zotëron. Kujtojmë që Baku ka punuar disa vjet si korrespodent i një medie shqiptare në Strasburg dhe Bruksel. “Shqipëria, pasi triumfoi kundër Serbisë dhe nacionalizmit serb të martën në Beograd, do të fitojë më 23 tetor 2014 tri pikët në tavolinë. Kam siguri të plotë për këtë (nga burime evropiane, të sigurta). Më 24 tetor 2014, Shqipëria do të gdhihet me 7 pikë (golat 5-1), në krye të grupit I dhe Franca e Mishelit do të jetë edhe më afër”, – shkruan Ervin Baku në Facebook.

 

De Biazi: Në ndeshjen e kthimit tregojmë çfarë jemi

Tekniku i kuqezinjve, Xhani de Biazi, ka dalë sërish në mbrojtje të skuadrës së tij për atë që ndodhi në mbrëmjen e zezë të Beogradit. Në një intervistë dhënë për radio “CRC”, tekniku italian flet për momentet e tensionit, duke theksuar se policia nuk ndërhyri kur tifozët hynë në fushën e lojës, madje as kur kapiteni Lorik Cana u sulmua nga një prej tyre. “Në dhomat e zhveshjes nuk ndodhi asgjë, por në tunel po. Disa lojtarë u rrëzuan dhe të tjerët patën probleme. Në stadium kishte mijëra tifozë të karikuar, por unë u godita vetëm me një monedhë. Në qiell fluturonin gurë, por për fat të mirë nuk më preku asnjë”, – thekson De Biazi që kthehet pas në kohë për të folur edhe për shortin që vuri përballë dy kombëtaret. “Menjëherë pas hedhjes së shortit u çudita përse UEFA lejoi që Shqipëria dhe Serbia të luanin në të njëjtin grup. Kjo ishte një zgjedhje e gabuar”. Tekniku italian shton më tej se nuk beson që UEFA ta përsërisë ndeshjen, pasi nuk janë kushtet për të garantuar sigurinë. “Ne ishim në gjendje të mirë. Patëm dy raste për të shënuar dhe po luanim me kurajo. Jam i sigurt se për ndeshjen e kthimit shqiptarët do të respektojnë futbollin dhe nuk do të shfaqin parulla politike për hakmarrje. Objektivi ynë është që të tregojmë se jemi një shtet i rëndësishëm”, – përfundon De Biazi.

 

Hasi nuk do të dënojë Mitroviçin

Besnik Hasi nuk do ta dënojë Aleksander Mitroviçin, përkundër faktit se ky i fundit e goditi me grusht Taulant Xhakën. Për një gjë të tillë njoftoi zëdhënësi i Anderlehtit, David Stegen, sipas të cilit, marrëdhëniet mes të dyve do të mbesin të njëjta. “Ngjarja që ndodhi nuk do të ndikojë në marrëdhëniet në mes trajnerit dhe lojtarit tonë”, – u shpreh Stegen. “Besniku dhe Aleksander janë miq të mirë dhe ky incident nuk do të ndikojë në marrëdhënien e tyre”, – shtoi tutje zëdhënësi belg.

 

Shqiptarët e Zvicrës, protestë para UEFA-s

Shqiptarët që jetojnë në Zvicër në fundjavë do t’i dalin në ndihmë kombëtares shqiptare. Ata do të organizojnë një protestë para zyrave të UEFA-s për të kërkuar një vendim të drejtë nga ta. “Ne jemi duke organizuar një protestë para UEFA-s për të shtunën ose të dielën”, – ka thënë Benz. “Do të kërkojmë drejtësi nga UEFA pas asaj që i bënë serbët kombëtares”, – shtoi tutje biznesmeni kosovar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency