DHUNA SERBE/ Tirana zyrtare, notë proteste: Hedhim poshtë baltosjen politike

0
153

Erneta Shevroja

dhuna serbeRama: Qeveria serbe ndoqi tifozët, ne zgjodhëm të ndiqnim Evropën

 Vizita në Beograd, Rama: Kthimi mbrapa është i papranueshëm, qesharake që njerëzit zgjedhin të kapen pas një flamuri

 Pavarësisht nga deklaratat shumë të ashpra dhe fyerjet që zgjodhën autoritetet serbe, qeveria shqiptare tregon një pozicion të qartë në qëndrimin e saj për dhunën që treguan serbët në ndeshjen e 14 tetorit. Edhe një herë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se Shqipëria ka zgjedhur rrugën e vet evropiane dhe shpreh keqardhje që figurat më të larta politike të Beogradit ndoqën tifozët dhe sjelljen e tyre brutale, që u shfaq në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Rama foli edhe për vizitën e planifikuar në Beograd. “Më vjen keq që qeveria serbe zgjodhi me retorikën e saj që të ndjekë tifozët serbë. Kurse ne zgjodhëm rrugën tjetër, rrugën e të sjellit si evropianë, zgjodhëm të mos i përgjigjeshim retorikës nacionaliste dhe brutale, zgjodhëm që të vazhdonim rrugën tonë drejt së ardhmes dhe që të vazhdojmë punën për paqen dhe për dialogun midis gjithë vendeve të rajonit”, – tha Rama në një intervistë për “France 24”. Kreu i qeverisë i cilësoi “qesharake” deklaratat se flamuri ishte ai që provokoi tifozët serbë të shfaqnin sjelljet brutale, të hidhnin fishekzjarre në fushë dhe të goditnin futbollistët e kombëtares sonë. “Para se të shfaqej flamuri me Shqipërinë etnike, – bëri të ditur Rama, – në stadiumin dëgjoheshin thirrjet “vdekje shqiptarëve”. Është qesharake që njerëzit të kapen pas një flamuri, i cili fluturoi mbi një stadium ku valëviteshin mijëra flamuj serbë dhe ku nuk kishte asnjë tifoz shqiptar, sepse na u ndalua që tifozët shqiptarë të ishin të pranishëm, pikërisht për të evituar që ndeshja të degradonte. Dhe, mbi të gjitha duhet theksuar, gjithashtu, se deri në atë moment, kishin ndodhur dhe shumë gjëra të tjera, dhe unë kam parë gjithnjë që kur në Evropë kur këndohet himni i një kombi mbahet qetësi, ndërsa në stadium himni ynë u shoqërua nga thirrjet “vdekje shqiptarëve”, – theksoi Rama.

 

Vizita në Beograd

 Pas ndeshjes së ndërprerë të mbrëmjes së të martës, pyetja që i drejtohet Kryeministrit është nëse do të anulojë vizitën e tij historike në Serbi?! Për televizionin francez, Kryeministri Rama ka deklaruar: “Kthimi mbrapa është i papranueshëm. Ne zgjodhëm që të vazhdonim rrugën tonë drejt së ardhmes dhe që të vazhdojmë punën për paqen, kooperimin dhe për dialogun midis gjithë vendeve të rajonit ku mbas 100 vitesh, është në vitin e saj të parë pa asnjë konflikt. Ndaj dhe ky kthim mbrapa është i papranueshëm ashtu sikurse këto diskutime të ngritura nga hiçi të një flamuri që provokon nderin e një kombi”, – u shpreh Kryeministri. Rama mohoi edhe zërat se një ndër personat që u kujdes që flamuri shqiptar të valëvitej në stadiumin e Beogradit ishte vëllai i tij, Olsi Rama. Kreu i qeverisë tha se vëllai i tij ishte një ndër 50 njerëzit të pajisur me biletë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe i cilësoi pretendimet qesharake. “Ata u kontrolluan në aeroport, u kontrolluan edhe në hyrje të stadiumit dhe nuk kishte asnjë shans që të mund të fusnin aty brenda një dron dhe ta telekomandonin”, – qartësoi Rama.

 

 Nota e protestës/ MPJ: Udhëheqësit serbë të dënojnë aktet antishqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme i dorëzoi dje ambasadorit serb në Tiranë notën e protestës për deklaratat e papranueshme të zyrtarëve më të lartë politikë të Beogradit. Në një komunikatë për shtyp, Ministria theksoi se deklaratat e zyrtarëve serbë shkelin etikën e marrëdhënieve diplomatike midis shteteve sovrane, duke mos dëshmuar lartësinë e një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ministria u ka kërkuar udhëheqësve të shtetit serb të tërheqin deklarata fyese ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe të dënojnë dhunën e ushtruar mbi futbollistët e Kombëtares sonë. “Ftojmë udhëheqësit e lartë të Serbisë të kthjellohen dhe të tregojnë maturi, duke dënuar aktet antishqiptare që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, si bllokimin në aeroportin e Beogradit të gazetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë që shoqëronin ekipin kombëtar, djegien e flamurit shqiptar në stadium, thirrjet për 40 minuta për vrasjen e shqiptarëve dhe dhunën patologjike të ushtruar mbi sportistët e kombëtares shqiptare”, – thuhet në deklaratën e MPJ-së. “Deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë bien ndesh me etikën më bazike të marrëdhënieve diplomatike dhe reciprocitetin e mirësjelljes, vetëpërmbajtjes dhe respektit midis shteteve sovrane. Për më tepër, ato nuk dëshmojnë lartësinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE”, – vijon deklarata në notën e protestës dorëzuar ambasadorit serb në Tiranë, Miroljub Zariç.

 

 

Kukan: Sporti, jo zgjatim i politikës

Pothuajse të gjithë ndërkombëtarët shprehin të njëjtin mendim. Ata dënojnë dhunën në stadiumin në ndeshjen Shqipëri-Serbi, ndërsa japin mesazhin se sporti kurrsesi nuk duhet të ngatërrohet me politikën. Anëtari i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, në një postim në rrjetin social Twitter, ka ripërsëritur qëndrimin e tij. Ai shkruan: “Më lejoni të përsëris atë që kam thënë gjithmonë: sporti nuk është zgjatim i arenës politike”.

 

DASH: Dhuna dhe jotoleranca shkelën sportin

Departamenti i Shtetit në SHBA komentoi dje ndeshjen që u ndërpre për shkak të dhunës. Zëdhënësja e DASH, Jen Psaki, tha se dhuna dhe infoleranca shkelën potencialin që ka sporti për t’i bashkuar njerëzit. “Është diçka shumë e pafat që kjo ndeshje futbolli u ndërpre nga dhuna. Sportet kanë një potencial shumë të madh dhe të vërtetuar për të bashkuar njerëzit kudo, edhe përtej kufijve. Dhe kur dhuna dhe mungesa e tolerancës shkelin një potencial të tillë, është zhgënjyese për të gjithë – sportistët, spektatorët, tifozët, dhe vendet e tyre”, – u shpreh zëdhënësja e DASH.

 

Deputeti gjerman: Bashkimi Evropian nuk do pasardhës të Millosheviçit

Deputeti kristian-demokrat gjerman, Stefan Shwarz, i ka konsideruar sjelljet brutale të tifozëve serbë si një tregues jo i denjë. Ai ka dënuar dhunën e huliganëve serbë ndaj futbollistëve të kombëtares dhe thirrjet raciste. Në një postim në rrjetin social Twitter, deputeti gjerman u shpreh se thirrjet e vazhdueshme raciste “Vritini shqiptarët” nuk kanë vend në një shtet që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë më me çështjen e flamurit, që sipas autoriteteve serbe, ishte një provokim i hapur. Schwarz bën një paralelizëm duke u shprehur se Bashkimi Evropian nuk e do një pasardhës të Millosheviçit në BE.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency