Rinas/ Azil politik në Francë me dokumente të falsifikuara, arrestohen 4 persona

0
208

 Sonila Mesareja

dokumente false falsifikimPolicia: Përmes pagesës në shuma të konsiderueshme, deri në destinacionin përfundimtar, donin të përfiton azil politik. Tahsim Shima dyshohet personi që organizonte këtë skemë mashtrimi

 Me dokumente të falsifikuara, duke paguar personat që u ofronin mundësinë, katër persona ishin përgatitur për të kërkuar azil politik në Francë. Por, ata janë ndaluar në kohë në Rinas falë hetimeve policore. Bëhet fjalë për katër persona, mes të cilëve tre pjesëtarë të një familje, të cilët janë arrestuar në flagrancë në aeroportin “Nënë Tereza” nga Policia e Tiranës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të kërkuar azil politik në Francë. Sipas burimeve policore, në pranga kanë rënë, Tahsim Shima, 48 vjeç, banues në Tiranë, si dhe pjesëtarët e familjes, Ani Çerpja, 22 vjeç, Renard Çerpja, 20 vjeç, Fatmira Çerpja, 42 vjeç, që të gjithë lindur dhe banues në Tiranë.

 

Arrestimi

Sipas policisë, arrestimi i tyre u krye pasi, nga hetimet e realizuara me metoda proaktive, ka rezultuar se këta persona përdornin dokumente të falsifikuara, për të kërkuar azil në Francë, përmes pagesës në shuma të konsiderueshme, deri në destinacionin përfundimtar. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar, u sekuestruan një sërë dokumentacionesh të falsifikuara në emër të shtetasve të ndryshëm, në bagazhin e Tahsim Shimës, dokumenta të cilat do të përdoreshin për azil në vendet e Bashkimit Evropian, nga familja Çerpja. Po ashtu, gjatë ecurisë së hetimit ka rezultuar se Tahsim Shima, ka krijuar një skemë mashtrimi për organizimin dhe dërgimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, për përfitimin azili. Nga hetimi i kryer për të arrestuarit e mësipërm, rezultoi se familja Çerpja do të udhëtonte me linjën ajrore ‘ADRIA Airways’, me destinacionin Frankfurt Gjermani dhe më pas Francë.

 

Sekuestrimi

Nga kontrolli i ushtruar në bagazhet e tyre, u gjetën disa dokumente, konkretisht vendim Gjykate i Rrethit Gjyqësor Tirane me datë 03.10.2014, e përkthyer dhe e noterizuar, për familjen e shtetasit Avni Çerpja, e cila dyshohet e falsifikuar; vërtetim i datës 15.10.2014, i lëshuar nga komisariati i policisë nr. 4 Tiranë, për familjen e shtetasit Avni Çerpja, e cila dyshohet e falsifikuar; vërtetim i datës 10.10.2014, i lëshuar nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, për familjen e shtetasit Avni Çerpja, e cila dyshohet e falsifikuar; vendime Gjykatash të Rrethit Gjyqësor Tiranë në emër të personave të ndryshëm, të cilat dyshohen të falsifikuara; vërtetim i datës 15.10.2014, i lëshuar nga komisariati i policisë nr 4 Tirane, për familjen e shtetasit Avni Çerpja, e cila dyshohet e falsifikuar; vërtetim i datës 10.10.2014, i lëshuar nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, për familjen e shtetasit Avni Çerpja, e cila dyshohet e falsifikuar; 4 pasaporta biometrike së bashku me biletat dhe siguracionet e jetës; sasia prej 3380 Euro; si dhe 4 telefona celularë. Për këtë çështje, materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer kjo në bashkëpunim.

 

Spanjë/ Grabitën dhe mbytën të moshuarat, pranga në Barcelonë autorit të dytë

Interpol ka vënë në pranga në Barcelonë të Spanjës autorin e dytë të dyshuar për grabitjen dhe më pas mbytjen e dy të moshuarave në Durrës. Policia e Shtetit bën me dije se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Madrid, kapet në Barcelonë të Spanjës autori kryesor i vjedhjes më dhunë kryer në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e dy grave të moshuara në Durrës më datën 2.9.2014. Sipas të njëjtit burim policor, në Barcelonë është arrestuar shtetasi Indrit Shaqja. “Më datën 14.10.2014, në Barcelonë/Spanjë, pas një bashkëpunimi të shkëlqyer të Interpol Tirana me Interpol Madrid, u kap dhe u ndalua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të shtetasit Indrit Shaqja, 41 vjeç, banues në Shijak, Durrës” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr. 747, datë 20.9.2014 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasit Shaqja, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhje me pasojë vdekje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 141 dhe 25 të Kodit Penal. Në orët e para të mëngjesit të datës 2.9.2014, shtetasi Indrit Shaqja, akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Velson Elmazi, kanë hyrë me forcë në banesën e shtetaseve Gjenovefa e Elsa Vava. Pasi i kanë lidhur dy të moshuarat, u kanë marrë lekët, si dhe dyshohet të kenë marrë monedha floriri. Si pasojë e dhunës së ushtruar, të dyja gratë e moshuara kane gjetur vdekjen.

 

Tiranë/ Abuzimi me faturat ndaj klientëve, pranga faturuesit të OSHEE-së

Policia e Tiranës ka arrestuar dje një faturuesit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili dyshohet se abuzonte me faturat. Sipas burimeve policore, Amarild Varfi është arrestuar pas denoncimit të OSHEE-së. Padia e OSHEE-së mësohet se është ngritur pasi një qytetare ka paraqitur edhe një video ku dukej faturisti Amarild Varfi teksa i kërkonte ryshfet. Drejtuesit e OSHEE-së sapo morën dijeni për këtë fakt reaguan menjëherë, duke kryer pezullimin e tij nga detyra dhe padinë në prokurori. Pas kësaj ngjarje, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaron se nuk do të tolerojë askënd që shkel ligjin dhe abuzon me detyrën në dëm të interesave të qytetarëve. Të gjithë punonjësit e kësaj shoqërie vlerësohen mbi bazë të performancës si dhe korrektesës në detyrë. Ftojmë qytetarët që të depozitojnë ankesat dhe pakënaqësitë e tyre në të gjitha zyrat e Kujdesit ndaj Klientit.

 

 Vlorë/ OSHEE: Arrestohet pronari i firmës AFA Construction

Një tjetër arrestim është kryer në qytetin e Vlorës. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike kallëzoi penalisht pronarin e firmës AFA Construction, Flamur Kadëna. Pas ndërtimit të një pallati në Vlorë, Kadëna ka kryer lidhjen e energjisë elektrike për të gjithë banorët pa asnjë kontratë me OSHEE-në. Pas evidentimit të këtij rasti flagrant, specialistët e OSHEE kanë bërë ndërprerjen e kësaj lidhjeje të paligjshme, por ndërtuesi Kadëna e ka rilidhur sërish. Menjëherë më pas është bërë edhe denoncimi i tij në organet e rendit dhe policia kreu arrestimin në kushtet e flagrancës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency