Provat që “mbërthejnë” serbët/ UEFA merr vendimin më 23 tetor. Rama: Flamuri, alibi e dhunës dhe e racizmit serb

0
138

Qeveria e futbollit evropian ka lëshuar një deklaratë, në të cilën është shprehur se do të priten provat nga të dyja federatat dhe më pas do të vendosen edhe sanksionet për të dyja palët

trazirat serbi shqiperi flamuri sherri futboll kombetarja (5) Pas trazirave të ndodhura në ndeshjen Serbi-Shqipëri, tashmë do të pritet edhe vendimi nga Komisioni i Disiplinës në UEFA. Organizata më e rëndësishme e futbollit evropian ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të marrë vendim për ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë. UEFA ka filluar të mbledhë materiale për këtë ndeshje, e cila u ndërpre tri minuta para përfundimit të pjesës së parë, pasi tifozët serbë u futën në terren dhe sulmuan kuqezinjtë. UEFA ka njoftuar se të dy ekipet do të kenë kohë një javë që të dërgojnë provat e tyre, derisa vendimi do të merret me 23 tetor. “Shqipëria dhe Serbia kanë kohë shtatë ditë që t’i dërgojnë provat e veta, para se UEFA të marrë një vendim më 23 tetor”, – thuhet në njoftimin e UEFA-s. Ndërkohë që pas kësaj kanë nxjerrë edhe se për çfarë do të procedohet ndaj të dyja federatave. Lista për shkeljet që ka bërë Serbia është e gjatë, pasi duke filluar që nga tifozët edhe deri te Federata lejuan dhe mbyllën një sy për shumë veprime të palës së tyre. UEFA mësohet të ketë hapur inspektimin për disa thyerje të rregullores së saj. Hedhja e fishekzjarrëve në fushë apo edhe sendeve të tjera. Shqetësimi turmës me fyerjet apo thirrje raciste ndaj skuadrës mike. Hyrja e tifozëve në fushë duke shkaktuar edhe dhunë ndaj lojtarëve kuqezinj. Gjithashtu do të procedohet edhe për mosorganizim të mirë të instancave përgjegjëse për mbarëvajtjen e organizmit. Vendosja e lazerëve nga tifozët serbë në drejtim të skuadrës kuqezi është edhe një pikë tjetër. Kurse nga krahu tjetër pala jonë pritet të ketë procedim për faktin se pse skuadra jonë nuk ka pranuar të luajë dhe për shkak të banerit të ndaluar në fushë. Një disbalancë e madhe midis dy kampeve për sa u përket procedimeve, pasi pala pritëse duket se ka thyer një pjesë të mirë të rregullave. Nëse do të bëjmë disa përllogaritje të thjeshta, pritet që të kemi në dorë tri pikët, pasi shkeljet që ka bërë pala serbe janë të mëdha në numër dhe të patolerueshme. Thirrjet raciste, të dëgjuara para dhe gjatë lojës (“Vritni shqiptarët”) në kor nga i gjithë stadiumi, sipas nenit të 14-të të masave disiplinore nga statuti i UEFA-s, mund të dënojë Federatën Serbe, duke llogaritur se është e përsëritur sipas alinesë 3a: rasti i dytë dënohet me një ndeshje pa shikues dhe 50 mijë euro gjobë, ndërsa 3b, thotë: çdo rast tjetër, merret parasysh me një ndeshje pa lojë, mbyllje të stadiumit, ndërprerje të lojës, marrje të pikëve ose diskualifikim nga garat kualifikuese.

Alineja 4 e nenit 14-të thotë: nëse rrethanat e krijuara kërkojnë, komisioni disiplinor mund të ndërmarrë masa të tjera ndaj Federatës apo klubit, sikur luajtjen e një apo më shumë ndeshjeve pa shikues, mbylljen e stadiumit, humbjen e ndeshjes, marrjen e pikëve ose diskualifikimin nga garat.

Futbollistët serbë që sulmuan ata shqiptarë pritet të dënohen me 3 deri 5 ndeshje moslojë sipas nenit të 15-të të alinesë 1 ku thuhet për fyerje dhe sulm të futbollistëve në lojë, gjë që ka ndodhur ndaj Taulant Xhakës dhe Bekim Balajt.

Sipas nenit të 16-të, alineja 2 federatat janë përgjegjëse për futje apo tentim-futje në fushën e lojës, hedhjen e gjësendeve në lojë, hedhjen e sendeve, ndezjen e fishekzjarrëve, transmetimi i mesazheve politike (e vetmja pikë për çka kritikohet FSHF-ja), akte të dhunshme, fyerje gjatë himnit, çfarëdo mungesë e disiplinës në stadium dhe jashtë saj, të gjitha këto të shkaktuara nga shikuesit vendas. UEFA ka dy komisione që pritet të marren më çështjen e mbrëmshme: Komisioni i kontrollit, etikës e disiplinës dhe komisioni i ankesave. Format e dëshmive që pritet të merren parasysh janë raportet nga gjyqtari, delegati dhe vëzhguesi, si dhe video incizimet, ndërsa sipas ligjeve në fuqi pritet hapja e procedurave disiplinore brenda 4-5 ditësh dhe vendimet e para ku më pas do të procedohet edhe me vendimin përfundimtar.

 

10 thyerjet e rregullave të UEFA-s nga Serbia në ndeshje me Shqipërinë:

 

  1. Fishkëllehet nga gjithë stadiumi himni kombëtar shqiptar.
  2. Thirret në kor gjatë gjithë ndeshjes “Vrite shqiptarin”.
  3. Gjatë ekzekutimit të kornerit Ansi Agolli goditet me mjete të forta dhe materiale piroteknike.
  4. Nga tribuna hidhen mjete të forta në drejtim në bankinës së Shqipërisë.
  5. Tifozët serbë futen në fushë dhe sulmojnë fizikisht lojtarët e kombëtares shqiptare.
  6. Stafi i sigurimit të stadiumit, përveç që nuk ndërmerr asgjë për të mbrojtur lojtarët shqiptarë, bëhen bashkë me huliganët dhe fillojnë të sulmojnë lojtarët shqiptar.
  7. Lojtarët serbë tentojnë të grisin flamurin kombëtar shqiptar në fushë.
  8. Në tribuna digjet fanella e kombëtares shqiptare.
  9. Në korridor, duke ikur, lojtarët shqiptarë sulmohen nga policia dhe personat e sigurimit të stadiumit.
  10. Huliganët serbë në krye me Ivan Bogdanov futen në dhomën e delegatit të UEFA-s, duke e kërcënuar që të rifillonte ndeshjen.

 

FSHF: Autobusi është sulmuar gjatë udhëtimit

Ndërkohë që replikës së Federatës Serbe i është kundërpërgjigjur ajo shqiptare dhe me argumente të detajuara që vërtetojnë më së miri terrorin e ushtruar ndaj skuadrës kombëtare.

Është goditur gjatë udhëtimit për në stadium autobusi i kombëtares. Mjetit lëvizës iu gjuajtën tre gurë, të hedhur nga tifozët serbë.

Para fillimit të nxjemjes nga ana e ekipit tonë, një pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar e drejtuar nga presidenti Armand Duka është goditur me një copë betoni, e cila është marrë në dorëzim nga ana e delegatit të UEFA-s.

Në çdo dalje të ekipit shqiptar apo individëve të tij, në fushën e lojës gjithçka bëhej agresive dhe tejet acaruese nga ana e tifozerisë vendase.

Pas përfundimit të nxjemjes, lojtarët janë goditur me një breshëri monedhash, çakmakësh dhe sendesh të tjera, përpara se të hynin në tunelin e hyrjes në stadium.

Për të gjithë periudhën që u zhvillua nxjemja zyrtare përpara ndeshjes, koret fyese prej afro 30.000 zërash me fjalët “vritini shqiptarët” apo “vdekje shqiptarëve” ishin mbizotëruese.

Në rrethimin anësor të tribunës së majtë, mbi kangjella ishin me dhjetëra tifozë, të cilët në sytë e policisë vazhduan të qëndronin të paprekur deri në fund të minutave që u luajtën.

Përpara fillimit të ekzekutimit të himneve, banda frymore ekzekutoi një marsh nacionalist, i cili nuk ishte i përfshirë në programin zyrtar dhe krijonte një emocion të jashtëzakonshëm nacionalist në stadium.

Himni kombëtar i Shqipërisë është vërshëllyer masivisht, aq sa ishte i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe TV.

Në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarrë, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar nga pamjet filmike. Tre lojtarët që dolën në nxjemje, pas fillimit të ndeshjes u goditën me sende të forta, aq sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj.

Në fushë, kanë hyrë civilë dhe kanë goditur lojtarët shqiptarë me grushte dhe karrige. Për më shumë, lojtarët tanë janë goditur edhe nga personeli i sigurisë.

Gjatë tunelit, që të çon në dhomat e zhveshjes, futbollistët shqiptarë janë goditur vazhdimisht nga tifozët, forcat e sigurisë në stadium dhe policët.

Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të prokurorit të Beogradit (sipas deklaratës së policisë) i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një për një, së bashku me sendet personale.

FSHF është e mendimit se të gjitha veprimet e renditura më lart nuk i kanë shërbyer mbarëvajtjes dhe zhvillimit normal të ndeshjes.

 

Platini: E pafalshme dhuna në Beograd

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, e ka përshkruar si “të pafalshme” dhunën në Beograd me rastin e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë. “Futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit e politika nuk duhet të përzihet në sportin tonë”, – ishte mesazhi i Platinisë që ishte i përcjellë nëpërmjet Twitterit nga Pedro Pinto. Kujtojmë se tifozët serbë kanë sulmuar futbollistët shqiptarë, në ndeshjen e mbrëmshme futbollistike në mes të Serbisë dhe Shqipërisë dhe nga kjo ka ardhur deri tek ndërprerja e ndeshjes nga ana e gjyqtarit Martin Atkinson.

 

Policia, kontroll të imtësishëm lojtarëve kuqezi

Policia serbe si duket nuk kishte se ku të kapej dhe vendosi që të kontrollonte në detaje futbollistët e kombëtares shqiptare, tek të cilët dyshonin se ishte komanduesi i fluturakes që barti flamurin shqiptar në stadiumin e Partizanit në Beograd. Këto janë disa nga fotografitë ku shihen lojtarët tanë duke u kontrolluar nga policia serbe, pas ndërprerjes së ndeshjes në mes të Serbisë dhe Shqipërisë. Merret vesh se lojtarët e kombëtares u frikësuan që serbët mund t’i vendosnin në bagazhet e tyre ndonjë mjet të ngjashëm dhe filluan të fotografonin çdo lëvizje të tyre gjatë kontrolleve.

 

Tare: Humbi futbolli, krenar për djemtë

Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, Igli Tare, ka dënuar ngjarjet që ndodhën parmbrëmë në Beograd, në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Drejtoi sportiv i Lacios ka deklaruar se ka qenë një rast i mirë për të dy shtetet që tregojnë se futbolli mund të bashkojë njerëzit, e jo të bëjë ndarje. Tare thotë se kuqezinjtë nderuan fanellën dhe flamurin kombëtar në fushë. “Me dëshpërim të thellë them se mbrëmë humbi futbolli. Kam shpresuar se gjithçka do të përfundojë në rregull, por nuk ishte kështu. Ishte një rast i madh për të dyja shtetet për të treguar se më 2014, futbolli mund edhe të bashkojë, jo vetëm të ndajë, dhe në fund nuk ia dolën”, – ka thënë Tare. “Sigurisht, jemi krenar nga origjina jonë, djelmoshat kanë nderuar fanellën dhe flamurin në fushë. Kam shpresuar se do të fitojë futbolli, por nuk ishte kështu edhe për faktin se stadiumin dhe qyteti nuk ishin të përshtatshëm për të qenë pritës i një ndeshje të tillë”, – tha ai. Ballafaqimi mes Serbisë dhe Shqipërisë është ndërprerë në minutën e 42-të për shkak se futbollistët shqiptar u sulmuan nga serbë.

 

Federata Serbe: Gjithçka ishte një “provokim”

Federata Serbe e Futbollit ka deklaruar se tifozët serbë ranë pre e provokimeve të lojtarëve shqiptarë. Ndeshja e mbrëmshme ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre në minutën e 42-të, pasi serbët sulmuan futbollistët e Shqipërisë. FSF përmes një njoftimi ka thënë se sjellja e reagimi i federatës dhe lojtarëve shqiptarë kishin për qëllim ndërprerjen e ndeshjes. “Sjellja e reagimi i Federatës dhe lojtarëve shqiptarë kishin një qëllim, ndërprerjen e ndeshjes. Provokimi me avion të komanduar, ‘stil shqiptarësh’, mund të përdoret sërish”, – është thënë në njoftimin e Federatës Serbe. Sipas këtij njoftimi, tifozët që hynë në fushë, kishin vetëm një qëllim, largimin e flamurit nga fusha. “Tifozët tanë ranë pre e provokimeve”, – thuhet ndër të tjera në reagimin e FSF-së. Zyrtarët e Federatës Serbe shpresojnë se me këtë deklaratë do të mund të përsërisin ndeshjen, por duke parë çfarë ndodhi, gjasat janë të pakta.

 

Balaj: Tentuan të merrnin flamurin, bëmë detyrën duke e mbrojtur

 Sulmuesi kuqezi, Bekim Balaj, një ndër protagonistët në Beograd, ka takuar familjen pas kthimit në Shqipëri. Pak më i qetë ai ka treguar atë që ndodhi në fushë dhe në korridoret e stadiumit. “Momentin që ulën flamurin, menduam se do t’ua dorëzonin arbitrave ose loja do të vazhdonte normalisht, por më pas turma u irritua dhe futbollistët nuk reaguan mirë dhe ne e kishim detyrë të mbronim flamurin. Unë jam i bindur që çdo shqiptar do të reagonte ashtu siç bëra unë”. Balaj thotë se janë pritur me shumë egërsi nga tifozeria që nuk ka ndalur thirrjet kundër tyre, ndërsa janë sulmuar edhe në tunel. “Qëkur u futëm në stadium thirrjet ishin pafund “vdekje shqiptarëve”. Nga rrëmuja nuk e kuptoje nga të vinte goditja. Në momentin e hyrjes në tunel ka pasur goditje nga të gjithë”, – tha 23-vjeçari duke shtuar se janë kontrolluar edhe futbollistët për shkak se dyshohej se ky ishte një veprim i realizuar nga ekipi shqiptar. “Kontrolli që u bë, pasi ai flamur ishte i sajuar nga futbollistët apo stafi ynë”. Bekim Balaj ishte ndër protagonistët në fushë me lojën e tij në ato 40 minuta, ku kuqezinjtë u përpoqën të shënonin disa herë.

 

Lorik Cana goditet nga një ultras, asnjë masë

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka marrë një goditje të rëndë me këmbë në stomak kur po shkonte drejt tunelit të stadiumit. Përveç gjuajtjeve të objekteve në drejtim të lojtarëve, gjithashtu Loriku u godit nga një tifoz me fytyrën e mbuluar, i cili sot lirshëm endet në vendlindjen e tij.

 

Në stadium, tifozët serbë me fuçi

Kjo ndeshje është zhvilluar në kuadër të grupit I kualifikues të Kampionatit Evropian të Futbollit, që mbahet në vitin 2016 në Francë. Arbitri i takimit ishte anglezi Martin Atkinson. Pardje, në valën e incidenteve që përfshinë ndeshjen Serbi-Shqipëri, ku ‘surpriza’ ishte dhe ulja në fushën e gjelbër të flamurit me drone, u vu re dhe një fuçi benzoli në mes të stadiumit. Pamjet që tregojnë qartë fuçinë kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, madje këtë gjë e kanë fokusuar dhe kamerat. Sipas dyshimeve, huliganët serbë në ndeshjen ndaj Shqipërisë mund të kenë planifikuar ndonjë ‘sulm’ të mundshëm. Pas arrestimit të disa tifozëve, atyre u janë sekuestruar shumë armë të ftohta, molotovidhe spraj. Futja e fuçisë në stadiumin, përbën një akt të rëndë nga ana e sigurisë së palës serbe.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency