Patentat/ Kriteret e reja. Qeveria: Ulim me 20% vdekjet në rrugë. Xhafaj: Jeni kthyer në agjenci funerale?

0
152

Gëzim Saliu

 Të varurit nga alkooli dhe lëndët narkotike nuk mund të marrin leje drejtimi automjeti. Personat që do të merren me transport pasagjerësh do të pajisen me leje të veçantë drejtimi

komisioni i ligjeve Ligji për Kodin Rrugor do të ndryshojë në disa pika të tij që prekin veçanërisht kriteret për marrjen e lejes së drejtimit. Përkatësisht përmes ndryshimeve që propozohen nga Ministria e Transportit, të diskutuara dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve theksohet se personat që janë të varur nga pijet alkoolike si edhe nga lëndët narkotike nuk do të mund të marrin patentë. “Vlerësim të gjendjes së personit nga pikëpamja e varësisë nga alkooli ose nga lëndët narkotike. Pra, në këtë projektligj theksohet qartë në rast se personi që aplikon për t’u pajisur me një leje drejtimi ka varësi nga alkooli apo lëndët narkotike nuk do të pajiset me këto leje drejtimi”, – tha relatori i projektligjit, deputeti socialist Ulsi Manja. Po ashtu një tjetër ndryshim ka të bëjë me detyrimi për drejtuesit e mjeteve që t’i pajisin automjetet me ndenjëse të posaçme për fëmijët deri në 12 vjeç. “Personat që do merren me transport pasagjerësh do pajisen me leje të veçantë drejtimi. Projektligji ka nevojë për përmirësime të karakterit teknik. E mbështesim nismën e qeverisë për miratimin e projektit”, – bëri të ditur Manja.

 

Rastet e vdekjeve në rrugë

Ndërkaq, përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve në Komisionin e Ligjeve tha se qeveria parashikon që në këtë vit të ulë me 20% numrin e vdekjeve në rrugë. Kjo deklaratë ka shkaktuar reagimin e kryetarit të Komisionit Fatmir Xhafaj, i cili u shpreh jo pak i habitur nga një objektiv i tillë. “Pse keni filluar të parashikoni vdekjet në rrugë tani ju”, – pyeti duke mos kursyer as batutën me shprehjen: “Ju tani do bëni edhe rolin e agjencive funerale”. Debati mes Xhafajt dhe përfaqësuesit të Ministrisë vazhdoi edhe për pikën e propozuar për ndryshim në Kodin Rrugor që parashikon 10-fishimin e gjobave për kë shkakton dëmtime në rrugë. Funksionari i MT-së, mori si shembull në këtë rast vetë deputetët për papërgjegjshmërinë në timon, porse kreu i Ligjeve nuk nguroi të theksonte se si kjo ministri ashtu edhe ajo e Brendshme në çdo projektligj i referohen deputetëve dhe nuk merren me qytetarët. “Në Shqipëri janë 140 deputetë e ndërsa shqiptarë janë 1 milionë. Ligji bëhet për qytetarët, as për deputetët dhe as për drejtorët”, – tha ai.

 

Makinat me timon anglez

Gjatë diskutimit të ligjit, deputeti socialist Blendi Klosi ngriti shqetësimin e makinave me timon anglez. “Nuk do të jetë e mundur të shikohet nga përfaqësuesit e Ministrisë dhe në të ndjekim procedurat parlamentare për të futur një ndryshim. Në momentin kur ka qenë një kërkesë e asaj kohe e grupit tonë parlamentar që asaj kohe nuk u mor parasysh që të mos ketë makina me timon në krah të kundërt, në krahun e djathtë”, tha ai. Në përgjigje të tij, përfaqësuesi i MT-së theksoi se kjo kërkesë nuk mund të plotësohej pasi sipas tij, do të binte në kundërshtim me direktivat e BE-së. “Ato janë miratuar sipas standardit të BE-së, është shkelje e Ministrisë së Transportit. Në qoftë se ne do të pranojmë që këtyre ti bëhet modifikim, që do të thotë që nga sistemi anglez ta kalojmë në sistemin “shqiptar”, shklelen mbi tre direktiva dhe këtë e kemio të faktuar nga Brukseli. Ne kemi qenë me të njejtin mendim me ju, kemi kontaktuar me Brukselin, i kemi propozuar një gjë të tillë se si mund ta bëjmë, por teorikisht na kanë thënë se kjo është e pamundur”, u shpreh ai.

 

Debatet tek Ligjet

Përfaqësuesi i MT-së: Parashikohet dhe besoj se me 99.9% do të realizohet, që masa e aksidenteve do të ulet me 20%

Xhafaj: Pse keni filluar të parashikoni vdekjet në rrugë tani ju?

Përfaqësuesi i MT-së: Po.

Xhafaj: Po ë…

Përfaqësuesi i MT-së: Po, sepse neve shikojmë, jo ju lutem më dëgjoni…

Xhafaj: Në qoftë se ju do bëni edhe rolin e agjencive funerale…. ok, ok, dakord.

Përfaqësuesi i MT-së: Dhe vendosja e rripit, një deputet që sapo del nga një shqetësim që ka, mund të ketë një farë arsye dhe të marri pagën minimale ndërsa një person.

Xhafaj: Të lutem në Shqipëri janë 140 deputetë e ndërsa shqiptarë janë 1 milion.

Përfaqësuesi i MT-së: Po jo, se …

Xhafaj: Se e keni mësuar, ju dhe Ministria e Brendshme, deputetët, deputetët. Ligji bëhet për qytetarët, as për deputetët dhe as për drejtorët.

Blendi Klosi: Nuk do të jetë e mundur të shikohet nga përfaqësuesit e Ministrisë dhe në të ndjekim procedurat parlamentare për të futur një ndryshim. Në momentin kur ka qenë një kërkesë e asaj kohe e grupit tonë parlamentar që asaj kohe nuk u mor parasysh që të mos ketë makina me timon në krah të kundërt, në krahun e djathtë.

Përfaqësuesi i MT-së: Ato janë miratuar sipas standardit të BE-së, është shkelje e Ministrisë së Transportit. Në qoftë se ne do të pranojmë që këtyre t’i bëhet modifikim, që do të thotë që nga sistemi anglez ta kalojmë në sistemin “shqiptar”, shkelen mbi tre direktiva dhe këtë e kemi të faktuar nga Brukseli. Ne kemi qenë me të njëjtin mendim me ju, kemi kontaktuar me Brukselin, i kemi propozuar një gjë të tillë se si mund ta bëjmë, por teorikisht na kanë thënë se kjo është e pamundur.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency