Plani i qeverisë/ Si do të bëhet heqja e përkohshme dhe e përhershme e makinave të vjetra nga qarkullimi

0
183

Hiqen makinat me vit prodhimi para 1990-ës. Heqja e përkohshme nga qarkullimi për makinat e prodhuara në vitet 1991, 1992 dhe 1993

makinat e vjetra Makinat e vjetra do të hiqen përkohësisht ose përgjithmonë nga qarkullimi. Këshilli i Ministrave pritet të miratojë deri në fund të vitit një vendim të posaçëm për heqjen e makinave të vjetra nga qarkullimi. Burime pranë Ministrisë së Transporteve thanë dje për gazetën se do të propozohet që për makinat e prodhuara para vitit 1990 të bëhet heqja e përhershme nga qarkullimi. Nga vendimi i qeverisë pritet të preken edhe makinat e prodhuara gjatë viteve 1991, 1992 dhe 1993, ku ka një propozim për heqjen e përkohshme nga qarkullimi për 2-3 vitet e ardhshme. Duke i nxjerrë përkohësisht nga qarkullimi, qeveria parashikon që individët të blejnë mjete të viteve të prodhimit pas vitit 1995. Por çfarë parashikon ligji aktual, kur bëhet heqja nga qarkullimi i makinave?

 

Heqja e përhershme e mjeteve nga qarkullimi

Heqja e përhershme nga qarkullimi bëhet kur mjeti eksportohet ose del jashtë përdorimit. Në rastet kur mjeti eksportohet, personi i interesuar dorëzon aplikimin pranë drejtorisë rajonale ku mjeti është i regjistruar, për shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe deklaratën e marrjes së përgjegjësive administrative, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja. Po kështu dorëzohet certifikata e pronësisë së mjetit, targat e mjetit dhe kartën e identitetit. Nëse personi është shtetas i huaj, jorezident në Shqipëri, si dokument identifikimi duhet fotokopje e noterizuar e pasaportës dhe, ose e kartës së identitetit. Kur mjeti i eksportuar është regjistruar në një shtet tjetër, dokumentet zëvendësohen me vërtetimin origjinal të regjistrimit të lëshuar nga autoritetet e shtetit që ka bërë regjistrimin, si dhe fotokopjen e dokumenteve të qarkullimit të lëshuara për mjetin. Kur mjeti del jashtë përdorimit, personi i interesuar dorëzon aplikimin pranë drejtorisë rajonale për shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe deklaratën e marrjes së përgjegjësive administrative, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja, lejen e qarkullimit të mjetit, certifikatën e pronësisë së mjetit, targat e mjetit dhe kartën e identitetit.

 

Heqja e përkohshme nga qarkullimi i mjeteve

Në rastet kur kërkohet çregjistrimi i përkohshëm i mjetit, personi i interesuar dorëzon aplikimin pranë drejtorisë rajonale për shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe deklaratën e marrjes së përgjegjësive administrative, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja, lejen e qarkullimit të mjetit, targat e mjetit dhe kartën e identitetit Zyra e regjistrimit bën shënimet në regjistrin elektronik të heqjes së përkohshme nga qarkullimi të mjeteve me dokumentet e dorëzuara, krijohet fashikull, i cili së bashku me targat e mjetit, ruhet në arkiv, në dosarë të veçantë. Në rastet kur kërkohet riregjistrimi i mjetit, personi i interesuar dorëzon: aplikimin pranë drejtorisë rajonale për shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe deklaratën e marrjes së përgjegjësive administrative, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja, dokumentin e çregjistrimit të përkohshëm si dhe kartën e identitetit Zyra e regjistrimit bën shënimet në regjistrin elektronik të heqjes së përkohshme nga qarkullimi të mjeteve dhe me dokumentet e dorëzuara i sistemon në fashikullin e krijuar për heqjen e përkohshme të mjeteve nga qarkullimi, të cilin e sistemon në dosjen e mjetit si dhe i dorëzon lejen e qarkullimit dhe targat e mjetit.

 

Udhëzimi për regjistrimin e makinave

Dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar mjetet e reja, të blera jashtë shtetit:

– Dokumenti i fitimit të pronësisë, sipas legjislacionit përkatës, me anë të të cilit është fituar pronësia e mjetit. Me formë të fitimit të pronësisë do të kuptojmë:

– faturë dhe, ose kontratë të fitimit të pronësisë

– aktin e trashëgimisë për fitimin e pronësisë

Dokumenti teknik i origjinës së mjetit, i lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes, e ngarkuar prej tij, në origjinal (certifikata e përputhjes). Dokumenti i zhdoganimit nga autoriteti shqiptar, që nënkupton:

– dokumentin administrativ të vetëm DAV në origjinal. Dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar mjetet e reja, të blera në vend:

-Dokumenti i fitimit të pronësisë, sipas formës dhe mënyrës që parashikon Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë. Nëse shitësi është subjekt i TVSH-së, si dokument i fitimit të pronësisë duhet edhe fatura me TVSH. Dokumenti teknik i origjinës së mjetit, i lëshuar nga prodhuesi ose agjencia e shitjes, e ngarkuar prej tij, në origjinal (certifikata e përputhjes).

Dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar mjetet e përdorura, të blera jashtë shtetit:

– Dokumenti i fitimit të pronësisë

– Dokumentet shoqëruese me treguesit teknikë dhe të pronësisë së mjetit, të lëshuara nga organet zyrtare të shtetit nga vjen mjeti, në origjinal.

– Dokumenti i zhdoganimit nga autoriteti shqiptar

Dokumentacioni i nevojshëm për të regjistruar mjetet e përdorura, të blera në vend:

– Dokumenti i fitimit të pronësisë, sipas formës dhe mënyrës që parashikon Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë. Nëse shitësi është subjekt i TVSH-së, si dokument i fitimit të pronësisë duhet edhe fatura me TVSH.

– Dokumentet shoqëruese me treguesit teknikë dhe të pronësisë së mjetit, të lëshuara nga organet zyrtare të shtetit nga vjen mjeti, në origjinal.

– Dokumenti i zhdoganimit nga autoriteti shqiptar.

Personi i interesuar, që do të kuptohet individi, subjekti ose përfaqësuesi ligjor i tyre, paraqet:

– aplikimin pranë drejtorisë rajonale për shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe deklaratën e marrjes së përgjegjësive administrative, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja;

– për subjektet, ekstrakt i QKR-së në origjinal dhe autorizim për personin që do të kryejë veprimet, nëse nuk është përfaqësuesi ligjor i subjektit;

– kartën e identitetit. Për shtetasit e huaj, rezidentë në Shqipëri, duhet leja e qëndrimit e lëshuar nga organet kompetente të Ministrisë së Brendshme, fotokopje e noterizuar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency