INSTAT: 2009-2013, periudha “e artë” e tregtisë së jashtme shqiptare

0
116

–  Sa dhe kush përfiton nga shitjet në eksport të naftës që nxirret nga nëntoka jonë?

dogana-1 Instituti i Statistikave publikoi dje ecurinë e tregtisë së jashtme për periudhën e viteve 2009-2013. Ndryshe nga publikimet mujore, ky format sjell një rreshtim më të detajuar të importeve dhe eksporteve për një periudhë 5-vjeçare. Sipas të dhënave të INSTAT-it, u vu re një rritje mesatare vjetore e eksporteve me 25.1%.

Në rastin e importeve, përveç ritmit vjetor rënës të vitit 2009, rishfaqet një ritëm rënës që prej vitit 2012, ndërsa në vitet 2010-2011 importet njohën rritje. Për periudhën 2009-2013, rritja mesatare vjetore është 3,6%. Gjatë kësaj periudhe deficiti tregtar është përmirësuar, duke shënuar ulje mesatare vjetore me 3,4%.

Grup produktet që dominojnë më tepër importin gjithsej për periudhën 2009-2013 janë: “Produkte minerale”, “Makineri, pajisje mekanike dhe elektrike” dhe “Metale bazë dhe artikujt prej tyre”. Për vitin 2013 këto grup produktesh zunë respektivisht 17,9, 11,8% dhe 9,7% të importit gjithsej.

 

 Disa nga gjetjet kryesore janë:

– Gjatë periudhës 2009-2013, eksportet në vlerë kanë shënuar rritje të konsiderueshme drejt Italisë, Spanjës, Kinës dhe Kosovës. Në krahasim me pesë vite më parë, harta e eksporteve shqiptare duket se është diversifikuar ndjeshëm.

– Në vitin 2013 eksportet me Italinë zunë 46,3% të eksporteve nga 62% që zinin në vitin 2009; me Spanjën zunë 9,8% të eksporteve nga 1,2% që zinin në vitin 2009; me Greqinë zunë 3,2% të exporteve nga 7,4% që zinin në 2009.

– Grup produktet që dominojnë më tepër importin gjithsej për periudhën 2009-2013 janë: “Produkte minerale”, “Makineri, pajisje mekanike dhe elektrike” dhe “Metale bazë dhe artikujt prej tyre”. Për vitin 2013 këto grup produktesh zunë respektivisht 17,9%, 11,8% dhe 9,7% të importit gjithsej.

 

Çfarë është rritur tek eksportet shqiptare?

Lajmi përtej lajmit është të shihet se çfarë e ka shkaktuar këtë rritje kaq mbresëlënëse të eksporteve shqiptare dhe mundësisht, cilat janë përfitimet e Shqipërisë nga kjo rritje.

Sipas sajtit Reporter.al, kryefjala në këto eksporte është grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Ndërsa eksportet shqiptare janë rritur nga 790 milionë euro në vitin 2009 në 1.76 miliardë euro në vitin 2013, pra janë rritur me 970 milionë euro, eksporti i këtij grupi magjik është rritur nga 156 milionë euro në 710 milionë euro. Shkurt, më shumë se gjysma e të gjithë rritjes së eksporteve i përket këtij grupi. I njohur formalisht si “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, në rastin e Shqipërisë ky grup do të thotë më shumë minerale dhe naftë dhe më pak energji elektrike. Mineralet, veçanërisht krom e bakër kanë pësuar rritje. Grupi tjetër me rritje po kaq spektakolare është grupi “Materjale ndërtimi dhe metale”. Bëhet fjalë për çelik.

Gjithçka duket se sillet përreth naftës së fushës së Patos-Marinzës, një fushë e zbuluar në vitet 1960, e cila e arriti pikun e parë të prodhimit në vitin 1976. Piku i parë i prodhimit njihet kështu në ciklin e industrisë së naftës, pasi me teknologjinë e asaj kohe, u nxor sasia maksimale e prodhimit të mundshëm pas të cilit prodhimi bie me shpejtësi.

Pas vitit 2004, Shqipëria filloi të nxjerrë naftë me metoda sekondare, një metodë e re dhe e kushtueshme. Te faqja në internet e kompanisë Bankers Petroleum ka një përshkrim të kësaj historie. Në vitin 1995, disa kompani ndërkombëtare nënshkruan një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare për zhvillimin e vendburimit të Patos Marinzës. Për më shumë se nëntë vjet, çmimi shumë i ulët i naftës në tregun ndërkombëtar bëri që ky konsorcium të mos bënte asgjë deri sa hoqi dorë në vitin 2004.

Pas kësaj çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar u rrit aq sa nafta e Patos Marinzës, e cila ka kosto shumë të lartë nxjerrëse, u bë me leverdi. Rezultati qe që prodhimi i Patos-Marinzës u rrit nga 600 fuçi në ditë në 20 mijë fuçi në ditë. Në vitin 2005 p.sh., nafta e Patos-Marinzës u eksportua përkundrejt çmimit 30 dollarë për fuçi. Vitin e kaluar çmimi i shitjes qe 85 dollarë për fuçi.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria e bazon ekonominë e vet në një masë të konsiderueshme në një sektor apo një produkt.

Pas vitit 1976, kur Shqipëria arriti të prodhojë 2.6 milionë tonë naftë në vit, (afërsisht 40 mijë fuçi nafte në ditë), prodhimi i naftës filloi të bjerë me shpejtësi deri sa ra nën 1 milionë tonë në vit në dekadën e fundit të komunizmit. Në të njëjtën kohë, çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ra gjithashtu me shpejtësi nga 35 dollarë të kohës për fuçi në më pak se 10 dollarë.

Bumi i naftës i viteve të fundit në Shqipëri ka dhënë sakaq përfitime për ekonominë, sido që shumë më të vogla në përmasa se sa bumi i viteve 1970.

Buxheti i shtetit ka siguruar një pjesë jo të vogël të të ardhurave të veta në formën e rentës minerare. Gjatë vitit të kaluar, sipas kësaj kompanie, të ardhurat e buxhetit të shtetit nga renta minerare qenë 94 milionë euro ndërsa kompania punësoi në mënyrë direkte dhe indirekte 2300 vetë.

Problemi është se situata po ndryshon. Sipas analizave të fundit, tregu ndërkombëtar i naftës po dobësohet dhe çmimet po bien. Kjo është pasqyruar edhe në çmimin e eksportit të naftës shqiptare, e cila, në tremujorin e fundit qe 79 dollarë për fuçi nga 86 dollarë që qe vitin e kaluar. Çmimi është ende i lartë dhe rënia është shumë më e përmbajtur se sa ajo e viteve 1980. Gjithsesi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që çmimet e naftës në tregun ndërkombëtar do të vijojnë të jenë të ulëta për katër vitet e ardhshme për shkak të kërkesës më të dobët dhe ofertës më të madhe.

Se çfarë pasojash do të ketë kjo situatë për ekonominë shqiptare mbetet për t’u parë. Por fakti është që sërish Shqipëria ka bazuar rritjen e vet të eksporteve dhe të prodhimit të brendshëm bruto thjeshtë në lëndët e para, naftë apo minerale, pa arritur të bëj hapin cilësor dhe të kthehet në një ekonomi eficense apo novacioni. Duke qenë akoma e varur ke lëndët e parë, ekonomia shqiptare nuk ndryshon shumë nga ajo e shumë vendeve Afrikane, të cilat edhe pse të pasura në burime natyrore mbeten të varfra dhe të pazhvilluara, sepse nuk dinë transformojnë këto burime në kapital investues dhe njerëzor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency