Identifikohet origjinali/ Zbulohet flamuri i Themistokli Gërmenjit që ndau  Korçën nga Greqia

0
157

Frederik Stamati

 Flamuri qe ngriti Themistokli Germenji

Viti 1916 i dha Korçës një vend nderi dhe tërheqës në historinë e Shqipërisë, krahinën autonome. Nuk do ta komentoj se si ndodhi, kjo është çështje historie dhe u takon historianëve të thonë fjalën e tyre. Jo se nuk e kanë bërë, madje në ata pak rreshta që do të më duhet të shkruaj për lidhjen e ngjarjeve do të bazohem pikërisht në studimet e tyre.

Ishte viti njëmijë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetë. Luftë në të gjithë Evropën: luftonte Antanta me Bllokun Qendror. Në atë kohë Shqipëria e jugut mbahej e pushtuar nga Greqia. Franca ishte zgjeruar edhe në frontin e lindjes. Italia mbetej neutrale. Ekzistonte mundësia që Armata franceze e lindjes të mbetej e izoluar. Por erdhi një ditë që edhe Italia të përfshihej në luftë në krahun e Antantës. Ajo pushtoi Shqipërinë e jugut. Francës i interesonte krahina e Korçës, edhe ajo në varësinë greke, ku do të bashkohej me frontin aleat të Italisë. Trupat e saj lëvizën drejt perëndimit, drejt Korçës të cilën edhe e pushtuan. Administrata greke u përzu. Erdhi momenti kur u harmonizuan interesat e patriotëve shqiptarë me ato të forcave antigreke. Ky ishte rasti! Dhe ky rast u shfrytëzua. Shqiptarët kërkuan pavarësinë e krahinës nën autoritetin francez. Për hollësira të mëtejshme dhe saktësime që shuajnë kuriozitetin e ndezur të ngjarjes mund të konsultohen botimet e specialistëve të fushës.

Me sa del nga dokumentet, personazhi kryesor i ngjarjes ishte Themistokli Gërmenji. Me 10 dhjetor 1916 u nënshkrua një protokoll zyrtar midis përfaqësuesve shqiptarë të kryesuar nga Themistokli Gërmenji dhe kolonelit Dekoen, komandanti francez i zonës së Korçës, sipas të cilit zona e Korçës shpallej krahinë autonome. Në një nga pikat e protokollit përcaktohej edhe flamuri i krahinës autonome, që do të ishte flamuri shqiptar në të cilin do të bashkëngjitej një shirit me të tria ngjyrat e flamurit francez.

Po atë ditë në ballkonin e ndërtesës së famshme, kati i dytë i së cilës u shemb misteriozisht ca kohë më parë, u ngrit nga Themistokli Gërmenji flamuri shqiptar. Në të dyja fotot shoqëruese të këtij shkrimi paraqitet momenti i ngritjes së flamurit. Negativi i fotos më të mirë është bërë nga Marubi, bazuar në një foto origjinale, ndërsa e dyta është e arkivit të Zotit Niko Kotherja.

Krahina autonome e Korçës nuk e pati jetën e gjatë. Intrigat e mbyllën Themistokli Gërmenjin mbas dyerve të hekurta të ruajtura me ushtarë. Ai u gjykua në Selanik nga një gjykatë ushtarake franceze e Armatës së Lindjes, u deklarua fajtor si bashkëpunëtor me ushtritë e Boshtit qendror dhe u pushkatua menjëherë me 9 nëntor 1917. Më vonë u deklarua i pafajshëm dhe u varros me një ceremoni madhështore në Korçë. Mbi varrin e tij u ngrit një monument, ai që është edhe sot, u vendosën kurora me lule dhe përkujtohet me nderime në ditë të shënuara. Po asgjëkund nuk thuhet se sa plumba u gjetën në trupin e tij…

Kur u largua nga Korça koloneli Dekoen e mori me vete flamurin e dhjetë dhjetorit të njëmijë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetës, pikërisht atë flamur të parë që ngriti Themistokli Gërmenji në ballkonin e ndërtesë dykatëshe. Me sa duket ndërgjegjia e pastër e kolonelit Dekoen binte ndesh kryekëput me vendimin e nxituar të gjykatës ushtarake të Selanikut. Ndryshe ai nuk do të merrte e të ruante me kujdes një simbol të një tradhtari. Dhe nuk e mori fshehurazi. Ai bisedoi paraprakisht me parinë atdhetare të Korçës për këtë gjest jo koleksionisti, por shpëtimtari. Ai do ta kthente flamurin porsa në Shqipëri të krijoheshin kushtet për ta ekspozuar në një muze. Kështu, si një njeri i kulturuar, mendoi për kulturën historike shqiptare. Ai përsëriti në të njëjtin nivel dashamirësi gjestin e Konsullit austriak Kviatovski me kambanën e Krujës dhe të Komandantit të regjimentit 6 te vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austro-hungareze Richard Dimmel me flamurin e regjimentit vullnetar. Shpëtimi i flamurit të Themistokli Gërmenjit është ndjenjë shpirtërore e kolonelit Dekoen.

Dhe ja, erdhi një ditë që në Tiranë u hap Muzeu kombëtar. Kjo ndodhi në vitin 1922. Drejtori i parë i atij muzeu Viskë Babatasi ndërmori përpjekjet për rikthimin në Atdhe të flamurit të famshëm. Nuk e dimë se si u njoh ai me faktin, kjo do të duhet të jetë temë e një studimi më të hollësishëm, ndoshta edhe të pamundur, por në Arkivin e Shtetit ruhet kjo shkresë me të cilën lidhet fillimi i ngjarjeve:

ASH Fondi 195, Viti 1922, Dosja 178, Faqe 1

“Muz. Shqip.

No. 5.

Zoti Kolonel Descoins,

Komandant

i divizionit

Algjerian,

etj, etj, etj.

    Tiranë më 17 shtator 1922.

 

    Zoti Komandant

Duke e ditur nga patriotë të vërtetë se sa i interesuar jeni ju për begatinë e Shqipërisë, kam nderin t’ju bëj me dije se prej pak kohësh u përurua në Tiranë një “Muze shqiptar”.

Kur u larguat nga qyteti i Korçës  ju keni marrë me vete një flamur shqiptar me premtimin mirëdashës francez, se ditën që Shqipëria do të ketë muzeun e vet, ju do ta ktheni atë si kujtim të ngjarjeve që kanë kaluar mbi kurrizin e vendit tonë të mjerë.

Duke parë interesin moral që keni pasur gjithnjë për Shqipërinë, dëshirojmë të besojmë se ju do ta përmbushni premtimin tuaj, duke qenë të sigurtë se ndjenjat tuaja mirëdashëse ndaj vendit tonë do të mbeten të njëjta dhe se Shqipëria e ndihmuar moralisht nga patriotë të vërtetë, premton që për pak kohë të ecë në rrugën e saj drejt lirisë, barazisë e vllazërisë.

Ju lutem Zoti komandant pranoni nderimet dhe respektin tim.

 

            Drejtori i Muzeut shqiptar në Tiranë,

V. B.”

 (Viskë Babatasi, F. S.)

Ndërkohë vitet kalonin dhe gradat ushtarake rriteshin. Këtë e kuptojmë nga letra e përgjigjes e ushtarakut Dekoen, që tashmë ishte gjeneral i Brigadës së parë të Kavalerisë algjeriane. Gjithashtu në letër shprehet edhe shqetësimi i Dekoen për ruajtjen e sigurtë të flamurit. Ja se çfarë shkruan:

MPJARKIVI Viti1922 

 “KAVALERIE  D’ALGERIE    

   Bayonne  6 nëntor 1922

                   1re  BRIGADE

  LE GĖNĖRAL

   Zotëri,

Doktor Burear më shkruan se ju ka bërë me dije për dëshirën time për t’ju a kthyer flamurin që u shpalos në Korçë më 10 dhjetor 1916 për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Nuk dëshiroja që ky kujtim i çmuar të rrezikonte të humbiste, prandaj po u a sjell vetë.

Besoj se do të jem  në Paris në fund të javës së ardhshme.

Sapo të mbërrij do t’ju shkruaj apo telefonoj për të caktuar një takim me ju e për t’ju dorëzuar flamurin.

Ju lutem të besoni në shprehjen e ndjenjave të mia të devotshme

Gjenerali Dekoen

37, rruga Viktor Hygo në Bayonne”, (shqip Baione, F. S.)

Ndërkohë  Legata shqiptare në Paris, e informuar për përpjekjet e  Viskë Babatasit njoftonte  me një letër Pandeli Evangjelin, në atë kohë minister i Punëve të Jashtme të Shqipërisë:

“No. B. I-3703

LEGATA SHQIPTARE                                                                           

 Paris më 20 nëntor 1922

            Num: XC-113

  Zoti Ministër

Kam nderin t’ju informoj, se kam mësuar nga burime të sigurta që Drejtori i Muzeut të Tiranës i ka drejtuar një letër Gjeneralit Descoins, (Dekoen, F. S.), me anën e së cilës i kërkon Flamurin Shqiptar, të kravatuar me ngjyrat franceze, që u ngrit me rastin e shpalljes së pavarësisë në qytetin e Korçës.

Nga ana tjetër, duke e ditur se Gjenerali Descoins ka refuzuar ta dërgojë në Tiranë me postë këtë objekt të çmuar, u interesova për këtë çështje dhe bashkangjitur i nderuar Shkëlqesi, mund të gjeni letrën e fundit që më ka shkruar Gjenerali Descoins.

Ju lutem Zoti Ministër pranoni shprehjen e konsideratës time më të lartë.

                      (Firmosur nga Xh. Dino)

Shkëlqesisë së tij

Zotit Pandeli Evangjeli

Ministër i Punëve të Jashtme”

Dy javë më vonë gjenerali Dekoen i dërgoi një letër Presidentit. Po cilit president? Nuk thuhet ne korespondencën që ruhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Por në korespondencën pasardhëse të Xhemil Dinos kuptohet që është  fjala për Kryetarin e Kuvendit. Po e citojmë:

MPJARKIVI. Viti 1922. Dosja 48. Faqe 2

“KAVALERIA E ALGJERISË    

  Algjer, më 4 dhjetor 1922

         Brigada e I-rë

 

GJENERALI

                        I nderuar President,

Kur u largova nga Korça, në marëveshje me miqtë e mij shqipëtarë, unë mora me vete flamurin që patriotët e Korçës e kishin valavitur me 10 dhjetor 1916, për të shpallur Pavarësinë e vendit të tyre.

E mbajta, por thjeshtë për ta ruajtur, pasi kjo emblemë ju përket juve: ajo bën pjesë në trashëgiminë tuaj kombëtare.

Para disa javësh Z. Viskë Babatasi shprehu dëshirën për ta patur këtë flamur, e për ta vendosur në Muzeun Historik të Tiranës, ku ai ka pa dyshim një vend nderi.

Unë nxitova t’i paraprij kësaj dëshire. Duke ardhur në Paris, e dorëzova flamurin në duart e Shkëlqesisë së Tij Z. Xhemil Dino, i cili  mori përsipër që ta çojë në destinacion.

Duke i a kthyer objektin e çmuar që më ishte besuar, i  dhashë edhe urimet e mija, urimet e një miku të orëve të para, për lumturinë dhe begatinë e Atdheut tuaj.

Dëshiroj Zoti President, që po ato urime, t’i a shpreh edhe Shkëlqesisë tuaj, së bashku me ndjenjat e mija plot respekt dhe devotshmëri.

Gjenerali Dekoen”

Ja dhe letra pasardhëse, që gjithashtu ruhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë:

“MINISTRIA E P. TË JASHTME

      PROT No B. I-3703

      ARITUR MË 20-XII-1922

 

LEGATA E SHQIPËRISË  

  Paris, më 6 dhjetor 1922

      Num: XC- 129

 

                 Zoti Ministër,

Kam nderin t’ju komunikoj se Gjenerali Descoins, (Dekoen, F. S.), ma ktheu flamurin shqiptar me kravatë franceze, që u ngrit në Korçë më 10 dhjetor 1916.

Gjenerali, duke dorëzuar në duart e mija flamurin historik, mbajti një fjalim shumë prekës. Ai më dorëzoi gjithashtu një letër për Shkëlqesinë e Tij, Kryetarin e Kuvendit.

Kemi shkëmbyer me njeri-tjetrin vizita shumë të përzemërta.

Me konsideratën më të lartë për ju Zoti Ministër.

             (Firmosur Xh. Dino)

 

Shkjëlqesisë së Tij

Zotit Pandeli Evangjeli

Ministër i Punëve të Jashtme

                                    T i r a n ë

 

  1. S. Jam shumë i lumtur që mund t’ju a dorëzoj flamurin nëpërmjet të Zotit Justin Godart. Nuk mund të paraqitej një rast më i mirë nga ky.”

             (Firmosur Dino)

Dhe nga kjo letër kuptohet se u mendua dhe u vendos që flamurin ta sillte në Tiranë Justin Godart. Dhe ashtu u bë.

Se si ndodhi mund ta kuptojmë nga kujtimet e Justin Godart dhe korespondenca zyrtare e kohës. Le ti’ rreshtojmë ngjarjet sipas datave:

            KUJTIMET e Justin Godart. 

Marrë nga Justin Godart. Ditarët shqiptarë-mars 1921-dhjetor 1951. Shtëpia Botuese DITURIA.

18 dhjetor 1922: “Me pëlqimin e tij (Kryeministrit Puankaré)  unë kam sjellë me vete edhe flamurin historik shqiptar, që u ngrit në Korçë.”

20 dhjetor 1922:  “Ceremonia e dorëzimit të flamurit historik të Republikës së Korçës u la të bëhet nesër në orën një e gjysmë”. (Sipas dokumenteve që ruhen në Arkivin e Shtetit doprëzimi i flamurit u bë në orën 14. F. Stamati).

21 dhjetor 1922, e enjte:  “Erdhën deputetët e Korçës. Unë mora në krah flamurin dhe kaluam me madhështi nëpër qytet. Para muzeut ishte i rreshtuar një batalion me ushtarë dhe banda muzikore. Ushtoi Marsejeza, u paraqitën për nder armët dhe unë kalova me hap të rëndë drejt vendit ku rrinin ministrat dhe turma e popullit. Fola shkurt dhe në thelb thashë se nëse flamuri shqiptar, me kordelen trengjyrëshe të Francës në shtizë ishte një relike e një të kaluare të lavdishme, sot unë e quaj atë si një simbol të së ardhmes dhe shpreh vullnetin e Francës që në mirëdashjen e saj për përparimin të shohë gjithnjë ngjyrat e flamurit të saj të bashkuara me ato të Shqipërisë. Pas kësaj i dhashë flamurin Pandeli Evangjelit, i cili m’u përgjigj shkurt. Në emër të Parlamentit Ali Këlcyra mbajti një fjalim shumë të bukur dhe prekës në frëngjisht. Në të gjithë këtë manifestim ka një entuzizëm të madh dhe të sinqertë të turmës për Francën. Mandej e vendosëm flamurin në muze.”

Po atë ditë ministri i Ministrisë së  Punëve të Jashtme të Shqipërisë i dërgoi këtë mesazh të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në legatën tonë në Paris:

“No. B. I. -3703/II

Shkurtim            21 dhjetor 1922

=======

Njoftohet marj’e

Kurierit dërguar me

  1. Godart

           Zotit të ngarkuar me punë!

Dorëzimi i flamurit të Korçës Muzeut Kombëtar të qytetit tonë, i la vendin një ceremonie prekëse të organizuar sipas programit të bashkangjitur. Fjalimet emocionuese që nderonin mbështetjen e përzemërt që na dha Franca gjatë pushtimit, i entuziazmuan shumë të pranishmit. Për këtë arsye fakti që  Z. Godart e solli këtë flamur është një rast i lumtur për ne dhe duhet t’ju përgëzoj që ditët të përfitonit.

Përshëndetje të përzemërta.

                         Ministri i Punëve të Jashtme

 

      Zotit Xh. Dino

I ngarkuari me punë i Shqipërisë

                     Në Paris”

Po atë ditë Legata Shqiptare në Paris urdhërohet të njoftojë gjeneralin Dekoen me anë të këtij mesazhi:

“ No 3871/B I

    Tiranë më 21 / 12 / 1922

                                            L e g a t a    S h q i p t a r e

                                                8 Avenue C a n o e n s

                                                      P A R I S

Lutemi të informoni Gjeneralin Descoins, (Dekoen, F. S.) se vendosja e flamurit në Muzeun Kombëtar nga Z. Godart nxiti një ceremoni prekëse. Stop.”

(Firmosur nga Pandeli Evangjeli)

Një ditë më vonë Pandeli Evangjeli i shkruan një letër falenderimi gjeneralit Dekoen:

       “No B. I- 3703/III

22 dhjetor 1922

      Zoti Gjeneral

E lexova me kënaqësi të madhe letrën tuaj ku më njoftoni se i është dorëzuar Zotit Zhemil Dinos flamuri që u ngrit në Korçë më 1916 për shpalljen e pavarësisë së këtij qyteti, vatër e nxehtë e lëvizjes kombëtare shqiptare.

Dorëzimi i kësaj relikeje Muzeut kombëtar të qytetit tonë, u festua me një ceremoni solemne e prekëse, ku fjalime emocionuese, që dilnin nga vetë zemra e oratorëve, festuan çmimin e vyer të emblemës së pavarësisë sonë; të këtij simboli të gjallë që do t’u kujtojë brezave të ardhshëm manifestimin e parë e më bujar të miqësisë tonë me Francën, tashmë të palëkundur, të lidhur mes trazirave të përgjakshme që tronditën të gjithë Evropën. Na vjen jashtzakonisht keq që ju nuk mundët ta nderonit me praninë tuaj këtë ceremoni, duke qenë dhe përkrahësi fillestar i saj.

Për këtë arsye dëshiroj t’ju shpreh me anë të kësaj letre mirënjohjen e sinqertë të gjithë popullit shqiptar për përpjekjet fisnike që keni shpalosur për çlirimin e kombit tonë fatkeq nga zgjedha e pushtuesve, si dhe falenderimet për kujdesin me të cilin e keni ruajtur këtë relike të çmuar që ka shënuar lidhjet e para të një miqësie të përzemërt mes dy vendeve tona.

Pra, i lumtur që shoh tek ju mikun besnik e të devotshëm të orëve të para, orë kritike e të rrezikshme, ju lutem Zoti Gjeneral të pranoni shprehjen e konsideratës time të lartë.

 

Ministri i Punëve të Jashtme”

Më tej vazhdon mbyllja e procedurave zyrtare të ngjarjes:

“No B. I- 3890

           22 dhjetor 1922

S h k u r t i m

Lajmërohet marje e

Kurierit dërguar me

  1. Godart.

            Zoti i Ngarkuar me Punë!

 

E mora postën që i a kishit besuar Zotit Godart, e ju falenderoj.

Bëra çfarë është e mundur për të marrë të dhënat që më kërkoni.

Ju lutem, pranoni Zoti i Ngarkuar me Punë , përshëndetjen time të

përzemërt.

         Ministri i Punëve të Jashtme

 

Zotit Xh. Dino

I ngarkuari me Punë i Shqipërisë

             në P A R I S”

Në korespondencën që ruhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ruhet edhe një dokument i shkruar frengjisht, i cili i përket po kësaj dosjeje, por që nuk ka datë. Numuri i faqes është në vijueshmëri të dokumentacionit të  mësipërm. Po e citojmë me shpresë se ndoshta me kohë do të gjindet një mundësi për ta vendosur në rrjedhën e vet kohore:

             “Shkëlqesisë së tij

  1. Xhaferr bej Ypi

                                                            Kryetar i Këshillit të Ministrave

                                                             të Republikës Shqiptare”

A mos vallë e gjithë kjo korespondencë i ka qenë paraqitur Kryeministrit të asaj kohe, Xhaferr Ypit?

Jam njohur me këtë korrespondencë katër vjet më parë, kur kërkoja dokumente për flamurin e njëmijë e nëntëqint e dymbëdhjetës. Katër vjet me rradhë e kam kërkuar këtë flamur pa identitet për ta përcaktuar midis flamujve të Muzeut kombëtar, të dorëzuar pa dokument në fondin etnografik të Institutit të shkencave. Asnjë e dhënë, asnjë përshkrim, asnjë foto. Iu drejtova miqve të mi në Francë me shpresën se do të mund të më ndihmonin. Iu drejtova edhe studiuesve francezë të interesuar për dokumente shqiptare, por asgjë. Dhe ja befas, rasti, apo fati, ndriçuan enigmën e pazgjidhur. Në albumin e botuar nga Fototeka “Marubi” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ishte edhe fotoja aq shumë e kërkuar që sqaroi rastin. Ishte fotoja e Marubit, e momentit të ngritjes së flamurit, flamur në të cilin dallohej një xhufkë e vetme, e varur në një cep. I dija përmendësh dhe me të gjitha detajet imazhet e flamujve që ruhen në Fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, sepse i kam shpëtuar vetë nga prishja. Hapa menjëherë dosjet dhe bëra krahasimet dhe llogaritjet e domosdoshme. Ndonëse fotografia është e vjetër dhe bardh e zi dhe flamuri i varur dhe pak i përthyer, dallohet mirë e vetmja xhufkë në të njëjtin pozicion, ndërsa raportet gjatësi: gjerësi ndryshojnë me vetëm pesë të qindtat.

Për hollësi të tjera mendova tu drejtohem pasardhësve të gjeneralit Dekoen, madje dërgova edhe një letër rekomande në adresën e vitit 1922, por posta ma ktheu mbrapsht. Ngulmova edhe në rrugë të tjera, por të gjitha përpjekjet e mija për të rënë në kujtimet e kolonelit Dekoen që do të na kënaqnin kureshtjen me të dhëna të veçanta për flamurin nuk dhanë asnjë rezultat. Mbetej vetëm negativi i Marubit, ai negativ i marrë mbi një foto të asaj dite dhe të paraqitur në ekspozitën e 25 vjetorit të pavarësisë e që ruhet ne fototekën e Shkodrës. Një foto tjetër e atij momenti, e që është siguruar nga studiuesi Niko Kotherja, por e dobët në cilësinë e saj, paraqet të njëjtin çast, por të marrë nga një drejtim tjetër. Në të dyja fotografitë shihet Themistokli Gërmenji, koloneli Dekoen dhe flamuri në shtizë, në të dyja rastet pa shiritin trengjyrësh që simbolizonte flamurin francez. Këto dy dokumente të vetme filmike , por me forcë vendimi gjyqësor, vërtetojnë se në momentin e ngritjes flamuri nuk e ka patur shiritin trengjyrësh: ky është shtuar më vonë, por se kur, nuk e dimë ende. Madje fatkeqësisht edhe sot ne nuk e gjejmë këtë shirit të dorëzuar në vitin 1922 në Muzeun kombëtar.

Për hir të së vërtetës dhe për të hequr çdo iluzion, duhet të sqaroj se po këtë flamur e kam paraqitur edhe si të përdorur nga  Qeveria shqiptare gjatë vitit 1913. Krahasimet janë bërë me një fotografi të realizuar gjatë vitit 1913 nga koloneli Thompson, kur ai ishte në Vlorë për të organizuar xhandarmërinë shqiptare. Një foto, natyrisht të marrë nga diku, ma ka dërguar Z. Robert Elsie, sipas kërkesës time. Ndërsa negativi origjinal ruhet në Holandë. Në këtë fotografi një sy shumë i stërvitur mund të dallojë turbullt shqiponjën dy krenore të spostuar disi dhe kjo është shenja e vetme për ta përngjasuar flamurin që ruhet në fondin etnografik, me flamurin e ngritur pranë ndërtesës së doganës në Vlorë. Ka edhe një krahasim tjetër me anë të raporteve të segmenteve të dritareve të ndërtesës, me ato të flamurit. A është i njëjti flamur dhe në se është kështu, si ra në duart e Themistokli Gërmenjit? Nuk mund ta thom dot. Sidoqoftë përkatësia ndaj qeverisë së Vlorës është një hamendësim, ndoshta i detyruar nga varfëria e të dhënave, që kërkon studime të mëtejshme. Ndërsa dokumentacioni që u paraqit më lart flet qartë për një flamur të dorëzuar në Muzeun kombëtar në vitin 1922 dhe që është ai i Themistokli Gërmenjit.

Së fundmi dua të shtoj se sipas studiuesit Jaho Brahaj ky është një nga flamujt që futi dikur në Shqipëri Aladro Kastrioti. Identifikimin ai e bën nëpërmjet teknikës së qëndisjes. Dhe në këtë rast mund të shtrohet edhe hamendësimi që të kemi pasur dy flamuj “binjakë” të përgatitur nga e njëjta dorë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency