Zbardhet raporti për Çefën e Lelçajn/ Komisioni hetimor: Ja shkeljet e dy anëtarëve të KLD-së, arsyet pse duhen shkarkuar

0
113

Gëzim Saliu

 KLD mori kompetencat e ministrit dhe Shkollës së Magjistraturës. Braho: Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj Çefës për shpërdorim detyrë në kohën kur drejtonte AKKP-në

komisioni hetimor i kldKomisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë zbardhi dje raportin, ku, sipas anëtarëve të majtë të tij, konstatohen shkeljet e Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt. Për kryetarin e komisionit hetimor për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Armando Subashi, KLD nuk ka kryer punën për pajtueshmërinë e anëtarëve. “Mosemërimi i kryetarëve të gjykatave ka mbajtur për kohë të gjatë si të komanduar dhe deleguar, por edhe kur janë emëruar është pretenduar që emërimi i tyre nuk është bërë sipas kritereve që kërkon ligji. Pak a shumë e njëjta situatë vërehet për pikë 7 që është promovimi i një sërë gjyqtarësh në kundërshtim me ligjin”, – tha ai. Sipas Subashit, pas shqyrtimit të këtij dokumentacioni, konstatohet se KLD-ja ka marrë kompetencat e ministrit të Drejtësisë. “Ligji parashikon që vendet vakante të shpallen nga KLD-ja, duke marrë parasysh propozimet e ministrit të Drejtësisë. Por, në disa raste, në Tiranë, rezulton se KLD-ja ka bërë shpalljen e vendit vakant pa marrë parasysh propozimin e ministrit të Drejtësisë”, – u shpreh deputeti socialist. Në të njëjtën linjë ai tha se nuk është marrë asnjëherë vendim për magjistratët. “Lëvizja e magjistratëve është bërë me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë në 2013”, – theksoi Subashi, duke shtuar se emërimi i gjykatësve nuk është bërë në bazë të testimit. Po ashtu, gjatë leximit të raportit, ligjvënësi i PS-së pohoi se KLD-ja ka marrë dhe kompetencat e shkollës së Magjistraturës, ku një pjesë e gjyqtarëve që kanë qenë në pjesën fundore të listës së kandidatëve janë emëruar gjyqtarë, ndërsa ata që kanë qenë të parët nuk janë emëruar.

 

Mbledhja

Në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor, kryetari Subashi tha se dhe kërkesat e ish-prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dhe ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj janë lënë në heshtje dhe pa u shqyrtuar për muaj me radhë nga KLD. Sipas tij, kërkesa e Ramës u mor në shqyrtim pas këmbënguljes së ministrit të Drejtësisë dhe më pas u rrëzua, ndërsa kërkesa e Becajt për ta kthyer në Gjykatën e Apelit edhe sot, pas një viti, theksoi ai, ende nuk është marrë në shqyrtim. Ndërkaq përfaqësuesi i LSI-së në komisionin hetimor, deputeti Spartak Braho tha se nga prokuroria e Tiranës konfirmohet se ndaj Çefës është regjistruar procedim penal për shpërdorim detyre. “Është regjistruar procedimi penal për veprën e shpërdorimit të detyrës e parashikuar në nenin 2498 të kodit penal. Aktualisht çështja vazhdon të hetohet. Bëhet fjalë për kohën kur ai ishte drejtor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe komisioni duhet ta marrë në konsideratë këtë informacion”, – u shpreh Braho. Ndërkaq, dëgjesa me dy anëtarët e KLD-së do të zhvillohet ditën e enjte, ndërsa kryetari Subashi ftoi anëtarët e opozitës që të jenë të pranishëm në seancë për të dhënë qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje. Komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj u ngrit përpara një jave nga Kuvendi, me kërkesë të mazhorancës, pas akuzave ndaj tyre për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit te detyrës në këtë institucion të rëndësishëm. Pas dëgjesës ndaj dy anëtarëve të KLD-së, komisioni do të përgatisë raportin përfundimtar, pasi mandati i këtij komisioni përfundon javën e ardhshme.

 

Raporti për shkeljet

Lidhur me pretendimin se dy anëtarët e KLD-së, z. Çefa dhe z. Lelçaj, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim të hapur me standardin kushtetues të paanësisë, jo vetëm që nuk kanë parandaluar përdorimin e KLD-së nga vetë anëtarët e tij, në funksion të interesave të tyre personale, por edhe kanë qenë pjesë përbërëse e këtyre procedurave të kundërligjshme, ku raporti përmend rastet e:

  1. Zgjedhjes së drejtorit të Shkollës së Magjistraturës në shkelje të ligjit, zgjedhjen e anëtarit të KLD-së, z. Ilir Mustafaj si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë, me vendimin nr. 349, datë 5.7.2013.
  2. Verifikimi i pajtueshmërisë së mandatit të anëtarit të KLD-së, në momentin e fillimit të ushtrimit të detyrës, mosemërimi si gjyqtar, brenda afatit ligjor të magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2012, 2013 dhe 2014.
  3. Marrja nga KLD e kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat administrative.

Po ashtu në raport theksohet se një tjetër shkelje është edhe marrja nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kompetencave të Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakant në gjykata. Sipas raportit, kompetencën ligjore për të propozuar shpalljen e vendeve vakant për gjyqtarë në gjykatat e rrethit gjyqësor dhe në gjykatat e apelit e ka Ministri i Drejtësisë. Në listën e shkeljeve raporti ka përfshirë edhe: 1. Mosemërimin e kryetarëve të 28 gjykatave në kundërshtim të hapur me ligjin, duke lejuar për shumë vite drejtimin e tyre nga kryetarë me mandate të paligjshëm, 2. Emërimin e kryetarëve të Gjykatave të rretheve Gjyqësore dhe të Apelit në kundërshtim me ligjin dhe 3. Shkeljet e ligjit për mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-Kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency