Standard.al

Vrasja e Artan Santos/ Dëshmitari: “I njoh vrasësit, emrat i di edhe policia”

Dëshmitari i vrasjes së bankierit denoncon në media indiferencën dhe shpërfilljen e strukturave antikrim

Motorri-i-vrasesve-te-Santos Më se tre muaj e gjysmë pas vrasjes mafioze të bankierit Artan Santo, një qytetar, i cili ka ndeshur në indiferentizmin e policisë dhe strukturave të tjera antikrim, ka zgjedhur të publikojë në një media elektronike disa fakte të reja rreth autorëve të dyshuar. Qytetari, i cili nuk e fsheh mosbesimin ndaj policisë dhe veçanërisht ndaj drejtorit të Përgjithshëm të saj, Artan Didi, bashkë me dyshimet e tij për sjelljen e njerëzve, drejtues të strukturave antikrim, që ka kontaktuar, nuk e fsheh as pakënaqësinë, që nuk po mundet të përfitojë edhe shpërblimin prej 100 mijë eurosh, të vënë për ata që ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes apo identifikimin e autorëve të ekzekutimit të Artan Santos. Qytetari, emri i të cilit nuk bëhet publik, ka dëshmuar në televizionin “News 24” rreth të dhënave të rëndësishme që i ka kallëzuar edhe në polici për personat e përfshirë, sipas tij, në atentat. Dëshmitari bëri të ditur se që në datën 25 gusht 2014, ka komunikuar më drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për të gjitha të dhënat e shumta që disponon, të cilat, sipas tij, mund të zbardhin misterin e autorëve dhe motivin e ekzekutimit të bankierit Santo. “I njoh vrasësit e bankierit Artan Santo. Kam kallëzuar më 25 gusht emrat e autorëve tek drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kallëzova emrat e autorëve të Artan Santos, tregova madje dhe targën e motorit të autorëve. Kam pritur reagimin e policisë ndaj autorëve, por pas heshtjes iu drejtova një prokurori në Tiranë. Më pas iu drejtova televizionit tuaj”, – ka deklaruar midis të tjerave qytetari për TV “News 24”.

 

Kur dhe si je vënë në dijeni të kësaj çështjeje?

Dëshmitari: Unë motorin e kam parë edhe përpara vrasjes. Kam shkuar përqark dhe kam parë disa herë. Ditën që u bë vrasja shkova të shikoja ku parkohej ditë për ditë dhe nuk ishte. Shkova edhe më pas, ditë për ditë atje dhe në krye të 14 ditëve ka dalë motori i modifikuar.

 

Gazetari: Çfarë modifikimi i kishin bërë motorit?

Dëshmitari: Para vrasjes motori pjesën e parme dhe të pasme e ka pasur të bardhë, pas vrasjes e kanë bërë të zezë dhe disa modifikime të tjera të vogla që nuk i dallon. Aty u vura në dyshim. Më pas shkova te një miku im në Tiranë për darkë. Atje ku kam dëgjuar një bisedë familjare, që gruaja e këtij zotërisë që ka motorin i ka thënë nënës së vetë që bankierin e ka vrarë, sepse më ka marrë 300 mijë euro. Po për këtë nuk kam prova që ta vërtetoj që gruaja e shoferit i ka thënë nënës së vetë. Më pas aty u sigurova më shumë dhe lajmërova policinë, e kam marrë në telefon Artan Didin (drejtor i Përgjithshëm i Policisë) dhe i thashë kam zbuluar vrasësit e Artan Santos në këmbim të 100 mijë eurove. Ai pranoi, më tha, më jep emrat. I dhashë emrat, më pas ai kërkonte prova të tjera. Kështu që, unë vazhdova, pasi unë njihja një mikun e tyre (të autorëve) më pas e kam konfirmuar me miqtë e tij. Njoha një mikun e tyre, mikun e vrasësve edhe i thashë që për mua 99 për qind ata janë. Ai ma konfirmoi duke thënë se ata janë vrasësit dhe se për arsyet e mija personale nuk bashkëpunoj, nuk i denoncoi. Ia tregova dhe këtë Artan Didit që miku i tyre e konfirmon që janë ata, dhe më pas ai kërkoi sërish prova. Nëpërmjet një mikut tim i kam dërguar emrat dhe mbiemrat. E kam parë motorin më datë 16 qershor edhe motorin me targë edhe ata pa kokore, kemi bërë marrëveshje që s’do i zbuloja askujt. Më tha mos hiq dorë, ata janë por që do e kem të vështirë se policia nuk ka dëshirë ta zbardhë.

 

Gazetari: Keni pasur kontakte me njerëz të tjerë?

Dëshmitari: Unë me Artan Didin kam vënë kontakte. Ia kam dhënë emrat. Nuk kam interes. Po të kishte interes, për 24 orë me provat që kam dhënë unë, duhet t’i kishte kapur. Nuk ka interes.

 

Gazetari: Po pse iu drejtove shtypit?

Dëshmitari: Më vjen inat, e kam bërë marrëveshjen me policinë që këta janë emrat dhe do të japin në këmbim 100 mijë euro, as nuk më thotë që këta janë, do ta mbajë njëfarë kohe këtë muhabet dhe pastaj ta humbi, prandaj i jam drejtuar shtypit që të konfirmohet është apo jo. Unë për veten time jam i sigurt tre herë.

 

Gazetari: E ke takuar ndonjëherë Artan Didin?

Dëshmitari: Më ka kërkuar dy herë të takohet ai, por miku im nuk më ka lejuar, pasi ne e kemi hedhur hapin e parë, kemi treguar emrat, ai duhet të hedhë hapin e vet, të bëjë arrestimet, pastaj të takohemi. Duhet të jetë reciproke, nëse nuk bashkëpunon ai përse duhet të takohemi.

 

Gazetari: Ke frikë të takosh Artan Didin?

Dëshmitari: Frikë nuk kam, por nuk kam dhe arsye, unë i jap emrat dhe ai nuk bën punën. Për çfarë ta takoj? Nuk kam besim.

 

 Reagon Policia e Shtetit/ “Për çdo informacion, është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin”

Policia e Shtetit bën me dije se për ngjarjen në fjalë kanë ardhur me dhjetëra informacione, të cilat pretendohet se jepen të dhëna të vlefshme për hetimin dhe se prej saj është administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që i është dhënë asaj. Por policia sqaron se është e detyruar me ligj që të bëjë vlerësimin e burimeve dhe të vërtetësisë së tyre.

“Policia e Shtetit ka strukturat e saj të specializuara të cilat bëjnë verifikimin e të gjitha informacioneve të marra nëpërmjet metodave dhe mjeteve të përcaktuara në ligj. Të gjitha informacionet që jepen në Policinë e Shtetit kalojnë detyrimisht në këtë proces duke përfshirë edhe ato që mund t’i jepen drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet telefonit nga njerëz anonim”, – thuhet midis të tjerave në deklaratën e Policisë së Shtetit. Sipas deklaratës, për çdo informacion, është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin e tij dhe mbi këtë bazë së bashku me prokurorin e ngarkuar për këtë çështje përcaktohet edhe plani i veprimit që do të ndiqet. “Policia është e vetëdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias dezinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës”, tërheq vëmendjen më tej, deklarata e Policisë së Shtetit. Në lidhje me dëshminë e qytetarit që pretendon se i njeh vrasësit e bankierit të ndjerë Artan Santo, ka reaguar dje edhe Prokuroria e Përgjithshme. “Po vlerësojmë maksimalisht çdo të dhënë. Hetimi për vrasjen në bashkëpunim me Policinë”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Bankieri Artan Santo, drejtori i “Credins Bank” u vra me armë zjarri nga dy persona të maskuar, paraditen e 26 qershorit, në zonën e ish-Bllokut, në zemër të kryeqytetit, pranë selisë qendrore të bankës “Credins”, teksa ishte duke hyrë në institucion.

 

Comments are closed.