Standard.al

Vjedhja në banka/ Ndërhyn në llogaritë e mbi 20 klientëve, drejtori përvetëson mbi 100 mijë euro

Sonila Mesareja

 Prokuroria e Pogradecit: Skema e përdorur nga drejtori i arrestuar Spartak Tupe në përvetësimin e parave nga llogaritë e klientëve, banka denoncoi vjedhjen

vjedhje banke Vjedhjet në banka nga vetë punonjësit apo drejtuesit e tyre janë shndërruar në trendin e kohëve të fundit në vendin tonë. Nuk ka muaj që të mos denoncohet apo arrestohet ndonjë punonjës për vjedhje të tilla, ndërsa shumat e denoncuara të vjedhura janë të konsiderueshme. Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Spartak Tupe, ish-drejtues i filialit të një banke të nivelit të dytë në këtë qytet, i akuzuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” të mbi 100 mijë eurove nga llogaritë e klientëve të ndryshëm. Është e vërtetuar që ish-drejtori i filialit të bankës ka ndërhyrë në llogaritë e të paktën 20 klientëve. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar dje nga forcat e policisë së Komisariatit të Pogradecit. Nga hetimi ka rezultuar se, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në këtë bankë, personi i dyshuar ka kryer transaksione nëpërmjet llogarive bankare të personave të ndryshëm, me qarkullim monetar rreth 600 mijë euro. Nga këto lëvizje, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Tupe ka përvetësuar mbi 100 mijë euro. Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit të depozituar nga drejtuesit ekzekutiv të Bankës.

 

Hetimi, vjedhjet në llogaritë e klientëve

Nga hetimi ka rezultuar se ndër llogaritë e përfshira në skemën e aplikuar nga ish – Drejtori i Bankës së nivelit të dytë, Dega Pogradec, Spartak Tupe, është edhe llogaria bankare e klientit B. B. Në deklarimet e tij të datës 2.7.2014, shtetasi B. B. shpjegon: “Në muajin nëntor 2013 kam çelur një depozitë me afat 12 mujor për shumën 2.500.000 lekë. Depozitimin e kam kryer nëpërmjet dokumentit “derdhje cash”. Nëpërmjet aktit “Procesverbal për sekuestrimin e provës materiale”, të datës 16.05.2014, pranë bankës, janë sekuestruar regjistrime video të kryera nga sistemi i siguri / mbikëqyrjes që operon pranë saj në degën Pogradec, ku rezulton e regjistruar paraqitja pranë kësaj dege banke e shtetasit B. B. dhe kryerja e veprimeve bankare për të cilat ai deklaron. Llogaria e klientit është debituar në shumat respektivisht 1.000.000 dhe 685.000 lekë, dhe të dy këto xhirime janë kryer drejt llogarisë së klientit I. P. Debitimi i llogarisë së klientit B. B. është ndarë në 2 pjesë dhe një gjë e tillë është bërë për të evituar nevojën për autorizim nga një punonjës i dytë në degën e bankës, pasi shuma maksimale e lejueshme nga sistemi pa nevojë autorizimi për xhirimet e brendshme është 1.000.000 lekë. Këto veprime janë regjistruar në sistemin kompjuterik që operon “Banka ……”, nga përdoruesi Spartak Tupe, por nuk përmbajnë nënshkrimin e klientit. Nëpërmjet këtyre dy veprimeve është realizuar rikthimi i vlerave të përvetësuara më parë nga llogaria e klientit I. P. Shuma prej 1.685.000 Lekë, e përvetësuar nga klienti B. B. është ricikluar brenda skemës për të mbuluar gjurmët, dhe për të fshehur përvetësimin e mëparshëm ndaj klientit I. P. Referuar dokumentacionit të lëvizjeve të llogarisë rezulton se nëpërmjet veprimit bankar “Xhirim i brendshëm”, të datës 13.12.2013, llogaria e klientit B. B. është debituar për shumën 95.000 Lekë, shumë e cila ka kaluar në favor të llogarisë që i përket klientes M. O. Ky veprim është kryer dhe regjistruar në sistem nga përdoruesi Tupe, por mandati i veprimit nuk është printuar. Nëpërmjet këtij veprimi është realizuar rikthimi i vlerave të përvetësuara më parë nga llogaria e klientes M. O. Shuma prej 95.000 lekësh, e përvetësuar nga klientja B. B. është ricikluar brenda skemës për të mbuluar gjurmët, dhe për të fshehur përvetësimin e mëparshëm ndaj klientes M. O. Pranë kësaj banke është sekuestruar edhe dokumenti “mandat i veprimit bankar “xhirim i brendshëm””, date 13.12.2013. Nëpërmjet këtij veprimi, llogaria e klientit B. B. është debituar në shumën 400.000 Lekë, shumë e cila ka kaluar në favor të llogarisë që i përket klientit E.T. Ky veprim është regjistruar në sistemin kompjuterik me të cilin operon “Banka ……”, nga përdoruesi Spartak Tupe, por nuk përmban nënshkrimin e klientit. Referuar dokumentacionit të lëvizjeve të llogarisë të klientit B. B. rezulton se nëpërmjet veprimit bankar “xhirim i brendshëm”, datë 17.12.2013, llogaria e shtetasit B.B është debituar për shumën 72.000 Lekë, shumë e cila ka kaluar në favor të llogarisë së klientit E. T. Në lidhje me këtë veprim bankar, shtetasi B. B/ shpjegon se shtetasin E. T. “nuk e njoh dhe rrjedhimisht nuk kam asnjë lloj marrëdhënie”, duke theksuar se “pasi e studioj me qetësi mandatin e veprimit bankar “xhirim i brendshëm”, datë 17.12.2013, konfirmoj se nënshkrimi nën emrin tim tek ky dokument nuk është lënë nga ana ime”.

 

Ekspertiza

Nëpërmjet aktit “Vendim për caktimin e ekspertit”, të datës 10.7.2014, është urdhëruar kryerja e Ekspertimit Grafik Krahasues të dokumentit “Mandat i veprimit bankar “Xhirim i brendshëm””, date 17.12.2013. Referuar aktit te ekspertimit grafik nr. 8020, date 25.7.2014, rezulton se “nënshkrimi në emër të B. B.”, vendosur nën rekuizitën “nënshkrimi i klientit”, në dokumentin objekt “xhirim i brendshëm”, më datë 17.12.2013, nuk është nënshkrimi i B. B. …”. Pra, provohet se nënshkrimi i klientit është i falsifikuar. Në sistemin kompjuterik që operon “Banka ……”, veprimi bankar “Xhirim i brendshëm”, datë 17.12.2013, është kryer dhe regjistruar nga përdoruesi Spartak Tupe. Referuar dokumentacionit të lëvizjeve të llogarisë së klientit B. B., rezulton se nëpërmjet veprimit bankar “xhirim i brendshëm”, të datës 26.12.2013, llogaria e klientit B. B. është debituar për shumën 240.000 lekë, shumë e cila ka kaluar në favor të llogarisë së klientit E. T. Ky veprim është kryer dhe regjistruar në sistem nga përdoruesi Tupe, por mandati i veprimit nuk është printuar.

 

Akuza

Nëpërmjet këtyre veprimeve bankare, shtetasi Tupe ka realizuar përvetësimin e shumave respektive 400.000, 72.000 dhe 240.000 lekë nga llogaria e klientit B. B. në përfitim të klientit E. T. Me të njëjtën skemë, rezulton provuar se ish-drejtori i kësaj banke të nivelit të dytë ka vepruar edhe me llogaritë bankare të rreth 20 personave të tjerë. Ndërkohë, po shqyrtohen edhe të tjera, për të cilat po vijohet me grumbullimin e provave. Nga analiza e provave te grumbulluara edhe për këto episode provohet se nga ana e ish-drejtorit Spartak Tupe janë kryer veprime të kundërligjshme, sikurse parashtrohet edhe në kallëzimin e “Banka Societe Generale”.

 

Comments are closed.