Standard.al

“Tërheqja” e mazhorancës/ Amendamenti i PD-së në Kuvend, Bylykbashi: Nuk është ofertë, por detyrim i vonuar

Erneta Shevroja

 “Vonesa për të përfshirë në punime propozimin për rregulloren e Kuvendit është një shkelje tjetër e Kushtetutës nga mazhoranca”

Oerd Bylykbashi Për demokratët, përfshirja në kalendarin e punimeve të Kuvendit të një prej propozimeve të tyre nuk është ofertë, por është një detyrim që e parashikon Kushtetuta. Kuvendi ka përfshirë në planin e tij të punimeve një amendament të Partisë Demokratike, i depozituar 9 muaj më parë, për rishikimin e rregullores së Kuvendit. Njëra nga pikat ka të bëjë me kohën e barabartë që duhet të ketë një përfaqësues i demokratëve për të folur aq sa edhe Kryeministri Edi Rama. Po ky vendim nuk është pritur nga demokratët ashtu siç besohej se do të pritej. Sipas deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, përfshirja në kalendar e amendamentit të depozituar 9 muaj më parë, nuk është një ofertë, por një detyrim që mazhoranca e kryen me shumë vonesë. “Kjo është pikërisht pengim i hapësirës. Pra, nuk është ofertë, është detyrim kushtetues i vonuar. Nuk i pengon gjë ta miratojnë amendamentin”, – tha ai për “Ora News”. Në këtë kontekst, Bylykbashi theksoi se edhe ky fakt është një tjetër shkelje e Kushtetutës. “Kanë shkelur Kushtetutën, të drejtën e një deputeti për të propozuar iniciativa ligjore, rregulloren e Parlamentit që rregullon procedurat dhe afatet për futjen në program, kalendar e në seancë të nismave ligjore”, – u shpreh deputeti demokrat. Ndër të tjera, ai përmendi edhe rezolutën e të Këshillit të Evropës dhe progres-raportin e KE-së, që i kërkon shumicës qeverisëse t’i sigurojë hapësirën e duhur opozitës në Kuvend. Deputetët e opozitës prej 3 muajsh kanë bojkotuar çdo seancë të Kuvendit dhe komisionet parlamentare që nga goditja e deputetit demokrat në Kuvend. Sipas tyre, akti i dhunës në Kuvend ishte i mirëkoordinuar dhe përbën një veprim në vazhdimësi të mazhorancës së majtë për t’i mbyllur gojën opozitës, gjë që është hedhur poshtë nga Kryeministri Rama dhe përfaqësuesit e lartë të mazhorancës. Ndërkaq, kërkesa e futur në axhendën e Kuvendit nga ana e të majtëve është depozituar prej 9 muajsh, ku një ndër pikat ishte që një përfaqësues i demokratëve të kishte kohë të barabartë me Kryeministrin për të folur.

 

Amendamenti

Përfshirja e amendamentit të depozituar nga deputeti Oerd Bylykbashi në punimet e tri javëve të ardhshme të Parlamentit u komentua si hapi i parë konkret që bën mazhoranca për të ftuar opozitën të thyejë bojkotin. Edhe kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, këtë javë u shpreh se dera e Parlamentit është e hapur për deputetët e opozitës. Kjo thirrje iu drejtua të djathtëve edhe dje gjatë punimeve të komisionit hetimor për verifikimin e veprimtarinë e punës së nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa dhe anëtarit Lulzim Lelçaj. Bojkoti parlamentar i opozitës ka qenë edhe pika kryesore ku Komisioni Evropian në progres-raportin vjetor të publikuar pak ditë më parë, ishte përqendruar si një çështje që duhet të marrë zgjidhje, duke kërkuar dialog dhe konsensus mes palëve.

 

 Kryeparlamentari/ Meta ftohet të vizitojë Beogradin, bashkëpunim më i ngushtë mes dy popujve

Pas Kryeministrit Rama, Ilir Meta mund të jetë zyrtari i dytë më i lartë i shtetit që do të vizitojë vendin fqinj, Serbinë. Dje, në një takim me homologen serbe në Gjenevë, Maja Gojkoviç, kreu i Kuvendit ka marrë një ftesë për të vizituar Beogradin. Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç, ka shprehur kënaqësinë për vullnetin e qartë dypalësh për forcimin e marrëdhënieve duke vënë në dukje se të dy vendet gjenden sot në një moment pozitiv të procesit të integrimit evropian. Gjithashtu, ajo është shprehur për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy institucioneve parlamentare, si një mesazh për një bashkëpunim më të ngushtë edhe mes dy popujve. Ndërsa Kryeparlamentari Ilir Meta ka vënë theksin në pasojat që krijohen nga bashkëpunimi mes dy parlamenteve. Ai mësohet të jetë shprehur se bashkëpunimi institucional mes Shqipërisë dhe Serbisë ndikon në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Gjithashtu, edhe Meta ka ftuar homologen serbe, Maja Gojkoviç, që në një të ardhme të afërt të vizitojë Tiranën. Dy homologët janë takuar në Gjenevë, në kuadër të punimeve disa ditore të Asamblesë së Unionit Ndërparlamentar.

 

 Ambasadori i Gjermanisë/ Hoffman: Numri në rritje i azilkërkuesve, dramatik. Rrezikohen vizat

Ambasadori i Gjermanisë në vend, Helmut Hoffman, e ka cilësuar problematike çështjen e krijuar me azilkërkuesit nga Shqipëria në vendin e tij. Sipas tij, numri në rritje i azilkërkuesve nga Shqipëria është dramatik dhe se vendi rrezikon heqjen e vizave nëse vazhdohet me këtë ritme. “Kjo përbën një problem për ne. Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani ka pasur një tendencë dramatike në rritje. Gjermania është një nga ato vende që ka tradite të japë azil politik për ata që e argumentojnë këtë kërkesë. Por të gjitha aplikimet verifikohen saktë dhe me kujdes. Nëse shikoni statistikat, maksimumi 1 në 100 azilkërkues, merr statusin e azilantit politik. Pra konkluzioni është i qartë, kemi të bëjmë me një migrim ekonomik. Praktika tregon se të gjitha ato shqiptarë që janë përpjekur të marrin statusin e azilantit, janë kthyer në Shqipëri. Ndaj ne shpresojmë që situata të përmirësohet dhe ky numër të bjerë, sepse është e qartë që nëse tendenca rritet kemi një rrezik serioz për liberalizimin e vizave”, – tha Hoffman nga Shkodra. Më tej, ambasadori shtoi se është e domosdoshme që të ulet numri i azilkërkuesve. “Ndaj ne shpresojmë shumë që kjo situatë të përmirsohet, pra ky numër të bjerë, sepse është plotësisht e qartë nëse kjo tendecë vazhdon të rritet përbën një rrezik për procesin e liberalizimit të vizave”, deklaroi ambasadori gjerman.

Comments are closed.