Standard.al

Skandali në BSH/ Mbyllen hetimet për 15 zyrtarë, veçohet çështja për Fullanin dhe Bitrajn

Sonila Mesareja

fullani hde bitrajAkuza e plotë/ Ligji i Bankës së Shqipërisë, si ndodhi vjedhja, zbulimi, kallëzimi dhe rolet e të gjithë të pandehurve të akuzuar se krijuan kushtet për vjedhjen e 713 milionë lekëve. Vijojnë hetimet për katër të pandehurit e tjerë

 Pas tre muajsh hetimesh intensive, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për pjesën më të madhe të të arrestuarve për supervjedhjen e ndodhur në Thesarin e Shtetit, ndërkohë që është veçuar dosja për ish-guvernatorin Ardian Fullani, si dhe të vetëdeklaruarin për vjedhjen Ardian Bitraj, si dhe të akuzuarit si bashkëpunëtorë të tij Mimoza Bruzia dhe Kleves Bejtaj. Dje, Prokuroria e Tiranës ka depozituar për gjykim në Gjykatën e Tiranës kërkesën ndaj 15 ish-zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Ndërkohë, ende po vijojnë hetimet për 4 të pandehurit e tjerë. Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të vjedhjes së 713 milionë lekëve, 15 ish-zyrtarët çohen në gjykatë me akuzën “Shpërdorim detyre”.

 

Hetimi

Sipas akuzës, në datë 21.7.2014, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 5454, viti 2014, për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim të detyrës” dhe “Moskallëzim të krimit”, në ngarkim të personave nën hetim Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Disa ditë më pas, konkretisht më datë 30.7.2014, është regjistruar emri i personave nën hetim Dorian Çollaku, Bashkim Xhilaga, Petrit Ramohitaj, Lavdim Cani, Myzejen Belba, Dhimitër Davidhi, Liljana Tusha, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”. Në vijim të hetimeve, në datë 28.8.2014, janë regjistruar emrat e personave nën hetim Gentian Jahja, Ilir Dedja, Emiljano Lamçe, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Fatbardha Gurthi dhe Mehdi Molla, me detyrë inventarizues në Bankën e Shqipërisë.

 

Ligji dhe funksionet

Banka e Shqipërisë rregullon veprimtarinë e saj me ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997, shtuar një dispozitë transitore, neni 76/1, me ligjin nr. 8384, datë 29.7.1998. Banka e Shqipërisë aktualisht funksionon në katër ambiente, në ish-hotel “Dajti”, ish-vila “Gold”, ish-selia e kompanisë “VEFA” dhe në Linzë, vend në të cilin ka ndodhur dhe vepra penale. Në këtë të fundit gjendet departamenti i Emisionit, i cili përfshin disa sektorë, ndërmjet tyre arka stok dhe arka për veprim. Rezulton e provuar se departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin “X” Linzë në janar 2013, në përbërje të të cilit funksionojnë krahas të tjerave edhe të ngarkuarit me vlera në arkën për veprim dhe në arkën stok. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma transit që në organizmin e vjetër quhej “Rondo”. Por, pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma tranzit, organizimi i punës në këto tre arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore si udhëzime apo rregullore por ka vazhduar me rregulloret e vjetra e konkretisht me vendimin e këshillit mbikëqyrës nr. 04, datë 16.1.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit” si dhe udhëzimit nr. 1798 datë 6.11.2001 “Mbi përdorimin e çelësave të arkave me vlera monetare. Arka Stok është një ambient magazinimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për tu hedhur në qarkullim, pra lek i ri i pa hedhur më parë në qarkullim. Ky lek vjen nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat Banka e Shqipërisë ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Në përbërje të arkës stok kanë qenë shtetasi Ardian Bitraj (i arrestuar në këtë procedim penal) si dhe punonjësit Lavdim Cani dhe Myzejen Belba. Në gjuhën bankare ky ekip quhet treshe e ngarkuar me vlera dhe merr në dorëzim fondet e prodhuara dhe pasi vërteton gjendjen fizike të mallit me dokumentacionin shoqërues bën hyrjen në ambientet e arkës stok. Me tej me urdhër të guvernatorit ngrihet një komision për kontrollin sasior dhe cilësor të fondeve. Ky komision hap 20% të të gjithë ngarkesës së ardhur dhe verifikon cilësinë dhe sasinë sipas kontratës me firmën prodhuese. Më pas përpilon procesverbalin me dokumentacionin shoqërues dhe ia përcjell departamenteve të kontabilitetit dhe administrimit. Pasi komisioni i jep vlefshmërinë ngarkesës së kontrolluar, fondet hidhen në sistem nga Zyra e Arkës Stok dhe konsiderohen fonde të gatshme për t’u hedhur në qarkullim. Arka stok i hedh të gjithë fondet në sistem, pra aq sa është bërë porosia sipas kontratës. Hedhja e tyre në qarkullim shoqërohet me një urdhër të nxjerrë nga Guvernatori, në të cilin përcaktohet data e hedhjes në qarkullim, njëkohësisht pasi është bërë dhe njoftimi i publikut nga Banka e Shqipërisë. Arka stok furnizon me fonde arkën për veprim, e cila është në të njëjtin departament me arkën stok. Në përbërje të arkës për veprim janë po tre punonjës, përgjegjësi i zyrës i quajtur Petrit Ramohitaj dhe dy specialistët të ngarkuar me vlere, Mimoza Bruzia dhe Liliana Kola. Të tre këta formojnë treshen e ngarkuar me vlera, ashtu si tek arka stok. Të dy arkat përfshihen brenda Departamentit te Emisionit. Të tre këta shtetas janë të ndaluar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

Roli i Bitraj

Sipas akuzës, shtetasi nën hetim Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të “arkës stok” dhe asaj “për veprim” që gjenden pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas ka përvetësuar shuma të mëdha parash veprime të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Personi nën hetim Ardian Bitraj ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë “arkës stok” dhe asaj “për veprim”, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej arkës stok në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë duhet të asgjësoheshin. Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues e në vijim si person nën hetim shtetasi Ardian Bitraj i cili ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje mekanizmin e vjedhjes. Nga deklarimet e shtetases nën hetim Mimoza Burzia pranohet fakti se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj vidhte shumë parash në arkën për veprim por nuk e kallëzuar këtë fakt.

 

Veprimet e Bitrajt dhe provat

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, që mbikëqyrin ambientet e brendshme të Godinës së Departamentit të Emisionit, ka rezultuar se shtetasi Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht në datë 15.7.2014, rreth orës 08:45 min ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok (transit). Ky veprim i këtij shtetasi është në kundërshtim me udhëzimin nr. 741 datë 28.3.2014 “Mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë”. Sipas këtij udhëzimi, konkretisht nenit 5, pika 2 “përdorimi dhe administrimi i çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”, çelësat e dhomës së transitimit, përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit. Më tej në pikën 3, germa “c” përcaktohet se: Çelësat e dhomës së transitimit, të mbyllur në pliko të veçantë, depozitohen dhe ruhen ne kasafortë në arkën për veprim. Treshja e arkës për veprim, ku bën pjesë dhe shtetasja Liljana Tusha, vendos plikon në kasafortë brenda mjediseve të dhomës kasafortë të arkës “për veprim” dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e menaxhimit të çelësave. Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre si dhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar, dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësoj shuma të mëdha parash. Po kështu në detyrën e kontrollorit mbikëqyrës në Departamentin e Emisionit, ushtron detyrën dhe i pandehuri Bashkim Xhilaga. I pandehuri Bashkim Xhilaga me detyrë e kontrollorit mbikëqyrës në Departamentin e Emisionit, i ushtron funksionet dhe detyrat e tij në mbështetje të rregullores nr. 26 datë 27.3.2014 “Mbi organizmin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit” të miratuar nga këshilli mbikëqyrës. Siç është provuar nga hetimi si në arkën stok ashtu dhe në arkën për veprim janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që janë lejuar nga kontrollori i pandehuri Bashkim Xhilaga për shkak të mosushtrimit të funksioneve të tij. Si rezultat i kësaj, përgjegjësi i arkës stok shtetasi Ardian Bitraj, ka arritur të përvetësojë nga të dy arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 700 milion lekëve. Nga këqyrja e dokumentuar rezulton se arkat e prekura në arkën për veprim kanë dhe mangësi fizike në pamje të jashtme, pra ju mungojnë shirita që ishin të vendosura në dy anët e arkës, rrethana të cilat ishin lehtësisht të konstatueshme. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar e provuar se i pandehuri Bashkim Xhilaga në cilësinë e kontrollorit nuk ka ushtruar kontroll zbatimin e rregullave të arkës, për sa i përket moskontrollit të gjendjes fizike të arkave si dhe mbikëqyrjen me respektimin e procedurave të brendshme midis tre të ngarkuarve me vlera monetare në arka. Gjithashtu në Departamentin e Emisionit vepron edhe departamenti i mbrojtjes dhe sigurisë, ku i pandehuri Dhimitër Davidhi, punonte si vëzhgues operator. I pandehuri Dhimitër Davidhi, kishte për objekt pune vëzhgimin e pamjeve të kamerave në pjesën e brendshme të të dy arkave asaj për veprim dhe arkës stok. Nga këqyrja e pamjeve filmike konstatohet se shtetasi nën hetim Ardian Bitraj pasi është futur në ambientet e arkës stok, ka marrë shuma të konsiderueshme parash, i ka nxjerrë jashtë saj dhe i ka vendosur ato në një kasafortë personale. Ky fakt nuk është konstatuar nga i pandehuri Dhimitër Davishi i cili ka qenë mbikëqyr në ambientet e godinës nëpërmjet monitorëve që ndodhen në katin e dytë të kësaj godine. Nga aktet rezulton se i pandehuri Dhimitër Davidhi ka qenë në shërbim referuar grafikut të punës, dhe pamjeve filmike por detyra e tij e përcaktuar në aktet përkatëse ligjore e nënligjore nuk është respektuar. Më tej kur konstatohen shkelje të rregullores, vëzhguesi, i pandehuri Dhimitër Davidhi duhej të njoftonte menjëherë drejtuesin e sektorit. Nga procesverbali i këqyrjeve të pamjeve filmike rezulton se i pandehuri Dhimitër Davidhi ka mosvepruar në shkelje të akteve nënligjore duke shkaktuar pasoja të rënda, e konkretisht vazhdimin e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së parave nga Banka e Shqipërisë.

 

Shkeljet e Çollakut

Në detyrën e drejtorit të departamentit të Emisionit, ka qenë i pandehuri Dorian Çollaku. Siç konstatohen aktet nënligjore që ka funksionuar ky departament nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve është mundësuar dhe kryerja e veprimeve kriminale, vjedhjes së shumave të mëdha në Bankën e Shqipërisë. Urdhri nr. 1798, datë 6.11.2001 i Bankës së Shqipërisë mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit deri në datë 28.3.2014 (dalja e udhëzimit nr. 741), flet për çelësa “dublikatë” dhe jo për çelësa “aktiv”. Siç shihet ky udhëzim nuk rregullon asnjë procedurë mbi përdorimin dhe administrimin e çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”. Për sa më sipër provohet se Departamenti i Emisionit nga data 1.1.2013 deri në datë 28.3.2014, në kohën që drejtohej nga i pandehuri Dorian Çollaku, ka funksionuar pa udhëzime e rregullore konkrete. I pandehuri Dorian Çollaku duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të arkave me vlera monetare pranë këtij Departamenti. Nga këqyrja e arkës për veprim datë 4.8.2014, rezulton se në këtë ambient nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të arkës transit dhe stok. Mosmarrja e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit nr. 741 datë 28.3.2014 ngarkon me përgjegjësi direkte drejtorin e departamentit të Emisionit, të pandehurin Dorian Çollaku, i cili me mosveprimet e tij i ka krijuar kushtet shtetasit Ardian Bitraj të vazhdojë kryerjen e veprimeve kriminale, vjedhjen e parave nga arka stok në Departamentin e Emisionit. Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre si dhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, deklarimeve të shtetasit Petrit Ramohitaj në cilësinë e përgjegjësit të arkës për veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar, dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësoj shuma të mëdha parash. Siç është provuar nga hetimi si në arkën stok ashtu dhe në arkën për veprim janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisionit që drejtohej nga i pandehuri Dorian Çollaku. Nga hetimet e zhvilluara rezulton e provuar se si në arkën për veprim ashtu dhe në mjediset e tjera të përcaktuara në udhëzimin nr. 741, dt. 28.3.2014, mungonte e gjithë infrastruktura për mirëfunksionimin e këtyre arkave me vlera monetare, gjë e cila ka sjellë edhe pasojën e ardhur vjedhja në të dy arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 715 milion lekëve. Pra, sipas akuzës, ky i pandehur me dashje direkte ka mosvepruar duke shkaktuar dhe ardhjen e pasojës, vjedhjen e shumës prej 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë.

 

Shkeljet në inventarin e vitit 2013

Referuar urdhrit të guvernatorit, nr. 2650 prot., dt. 2.12.2013 “Për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetar në Bankën e Shqipërisë dhe degët e sajë”, për kryerjen e inventarit të vlerave monetare në arkën për veprim, të degës qendrore të Bankës së Shqipërisë, Komisioni i ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga të pandehurit Bahri Allushi, kryetar, Fatbardha Gurthi anëtar, Ilir Dedja anëtar dhe Mehdi Molla anëtar. Inventarizimi i vlerave monetare, referuar urdhrit të guvernatorit dhe raportit përfundimtar të këtij komisioni, rezulton se veprimtaria ka filluar me datë 9.12.2013 dhe ka përfunduar kontrollin me datë 24.12.2013, si në degën qendrore ashtu edhe në të gjitha degët. Referuar dokumentacionit që përmban praktika e inventarizimit të kryer në arkën për veprim, rezulton se me datë 6.12.2013, gjendja kontabël e vlerave monetare në arkën për veprim, në total ka qenë 23.099.500.303.00 lekë, dhe referuar inventarizimit fizik të kryer me datë 9.12.2013, e njëjta shumë, pasqyrohet edhe gjendje fizike në këtë arkë, që do të thotë se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare. Referuar raportit përfundimtar, në numrin e llogarisë 101001 ku mbahet gjendja totale kontabël e vlerave monetare në “lek”, pasqyrohet shuma e sipërpërmendur dhe në tabelat ku pasqyrohet gjendja e inventarit të arkës për veprim, sipas kategorive, më datë 9.12.2013, për prerjet 5.000 (pesë mijë) lekëshe, gjendja fizike ka qenë 2.202.184.00 (sasi), me vlerë 11.010.920.000.00 lekë. Nga aktet e hetimit paraprak rezulton se në muajin dhjetor 2013, përgjegjës i “Arkës për veprim” në Departamentin e Emisionit, ka qenë i pandehuri Petrit Ramohitaj, se bashku me dy kolegët e tjerë të ngarkuar me vlera, personat nën hetim Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola. Nga këqyrja e kolive në arkën për veprim, rezulton se tetë kolitë e prekura (në të cilat janë vjedhur lekët) kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare, do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin me të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21.7.2014. Komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolite me vlera monetare në brendësi te tyre dhe konkretisht 8 (tete) arkave te dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin. Verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5% e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga të pandehurit Bahri Allushi, Fatbardha Gurthi, Ilir Dedja dhe Mehdi Molla.

 

Shkeljet në inventarin e vitit 2012

Referuar urdhrit të guvernatorit, nr. 2601 prot., dt. 10.12.2012 “Për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë”, për kryerjen e inventarit të vlerave monetare në arkën për veprim, të degës qendrore të Bankës së Shqipërisë, komisioni i ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga të pandehurit Gentian Jahja, Emiljano Lamçe anëtar, Ilir Dedja anëtar dhe Mehdi Molla anëtar. Inventarizimi i vlerave monetare, referuar urdhrit të guvernatorit dhe raportit përfundimtar të këtij komisioni, rezulton se veprimtaria ka filluar me datë 14.12.2012 me degën e thesarit Shkodër dhe ka përfunduar kontrollin me datë 24.12.2013, në Arkën për veprim në degën qendrore të Bankës së Shqipërisë. Referuar dokumentacionit që përmban praktika e inventarizimit të kryer në arkën për veprim, rezulton se në datë 21.12.2013, gjendja kontabël e vlerave monetare në arkën për veprim, në total ka qenë 15.768.016.100.00 (pesëmbëdhjetë miliard e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë milion e gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind) lekë, dhe referuar inventarizimit fizik të kryer në datë 24.12.2013, e njëjta shumë, pasqyrohet edhe gjendje fizike në këtë arkë që do të thotë se nuk ka diferenca në vlera monetare. Referuar raportit përfundimtar, në numrin e llogarisë 101001 ku mbahet gjendja totale kontabël e vlerave monetare në “lek”, pasqyrohet shuma e sipërpërmendur dhe në tabelat ku pasqyrohet gjendja e inventarit të arkës për veprim, sipas kategorive, në datë 9.12.2013, për prerjet 5.000 (pesë mijë) lekëshe, gjendja fizike ka qenë 1.158.959.00 (sasi), me vlerë 5.794.795.000.00. Nga aktet e hetimit, rezulton se në muajin dhjetor të vitit 2012, përgjegjës i “Arkës për veprim” në departamentin e Emisionit, ka qenë i pandehuri Petrit Ramohitaj, së bashku me dy koleget e tjera të ngarkuar me të pandehurit Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola. Komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 (tetë) arkave të dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin, në kundërshtim të Rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë) të pikës a) nenit 12, kreu III. Verifikimi me përzgjedhje, jo më pak së 5% e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha kolitë. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do të krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në kohë me të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga të pandehurit Gentjan Jahja, Ilir Dedja, Emiljano Lamçe dhe Mehdi Marku. Në këtë konkluzion arrihet duke ju referuar procesverbaleve të deklarimit të personit nën hetim Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, për faktin se vjedhja në arkën për veprim, është kryer në kohën kur Ardian Bitraj ka qenë përgjegjës i arkës për veprim, pasi vetëm në këtë periudhë, ai ka pasur mundësi veprimi për të vjedhur shuma të konsiderueshme nga arkat (kolitë) e parave me prerje 5.000-lekëshe, siç është pasqyruar edhe në procesverbalin e këqyrjes me datë 22.7.2014, procesverbalet e marrjes provës materiale dt. 2.9.2014 për disa shënime të mbajtura nga Myzejen Belba. Nëse inventari fizik do kryhej sipas rregullores miratuar me vendimin nr. 82, dt. 15.11.2006 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nga ana e inventarizuesve nuk do të vinin pasojat në vijimësi.

 

Shkeljet e Elivar Golemit

Sipas akuzës, moskryerja e detyrave në zbatim të ligjit, duke mos u ushtruar kontrolle nga ana e departamentit të Kontrollit të drejtuar nga inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi, e emëruar në këtë detyrë nga Parlamenti në vitin 2011, ka lejuar që njëri nga punonjësit e departamentit të Emisionit dhe konkretisht personi nën hetim Ardian Bitraj, prej disa vitesh të përvetësojë nga arka stok dhe arka për veprim shuma të konsiderueshme parash. Sa i përket të pandehurës Elivar Golemi, nga aktet rezulton se në asnjë rast nuk ka raportuar periodikisht Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka audituar departamentin e emisionit e konkretisht arkën për veprim dhe arkën stok që konsiderohen si pika rreziku. Edhe për këto arka nuk është kryer audit që nga viti 2011, duke i lënë dorë të lirë vjedhjes së shumave të parave nga këto arka. Duke vlerësuar provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, deklarimet e dhëna nga shtetasi Ardian Bitraj, i cili shpjegon se ka realizuar vjedhjen si rezultat i mungesës së rregullave dhe akteve nënligjore në departamentin e emisionit, mosmarrja e masave për aktet rregullative, moszbatimi i udhëzimeve të miratuara, refuzimi i rekomandimeve të inspektorit të Përgjithshëm për mirëfunksionimin e departamentit të emisionit, pasqyrojnë faktin se mosveprimet e të pandehurës Elivar Golemi janë kryer me dashje dhe kanë lejuar vjedhjen e parave nga arkat e departamentit të emisionit.

 

Të pandehurit

  1. Elivar Golemi, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  2. Dorian Çollaku, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  3. Petrit Ramohitaj, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  4. Bashkim Xhilaga, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  5. Lavdim Cani, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  6. Myzejen Belba, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  7. Liljana Kola(Tusha), hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  8. Dhimitër Davidhi, hetuar me masë sigurimi arrest në burg
  9. Gentian Jahja, me masë sigurimi arrest në shtëpi
  10. Bahri Allushi, me masë sigurimi arrest në shtëpi
  11. Ilir Dedja, me masë sigurimi arrest në shtëpi
  12. Fatbardha Gurthi, me masë sigurimi arrest në shtëpi
  13. Emiljano Lamçe, me masë sigurimi detyrim paraqitje
  14. Mehdi Marku, me masë sigurimi arrest në shtëpi
  15. Mehdi Molla, me masë sigurimi arrest në shtëpi

 

Akuza

“Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal

 

 

 

Comments are closed.