Qeveria nxiton për rritjen e taksimit mbi duhanin

0
126

cigaretteKomisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje një ndryshim në vendimin e qeverisë për akcizat. Sipas projektligjit të miratuar nga Komisioni i Ekonomisë, operatorëve ekonomikë do të lejohet të importojnë vetëm 5% më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës cigare nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi.

Sipas variantit të propozuar nga qeveria, në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 15 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës.

Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, vlerën prej 5% e konsideroi natyrale, ndërsa importet fiktive të kompanive që sipas tij kanë nisur që nga muaji gusht i konsideroi abuzive në kurriz të buxhetit të shtetit.

Sipas kreut të Komisionit, informimi i kompanive të cigareve për ndryshime të barrës fiskale çon në deformim të tregut. “Në muajin dhjetor të vitit 2013 u importuan rreth 90% më shumë cigare sesa në muajin dhjetor të vitit paraardhës, pas informimit të kompanive që operojnë në këtë sektor se do të rritet akciza e cigareve në janar të vitit 2014. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit. Duhet t’i japim fund abuzivizmit”, – deklaroi Braçe.

Por sipas zëvendësministrit të Financave, Ervin Mete, i cili paraqiti ndryshimet ligjore në Komision, informimi i operatorëve ekonomikë është detyrim që rrjedh nga ligji për Këshillin Ekonomik Kombëtar.

Po ashtu, Braçe i kërkoi qeverisë që në një periudhë kohe afatshkurtër të sjellë amendimet e nevojshme për tarifimin e përshkallëzuar të akcizës së cigares. Sipas Braçes, nuk mund të vijohet me akcizë fikse për duhanin, pasi në bazë të përllogaritjeve, për cigaret më të shtrenjta akciza llogaritet diku te 34% ndërsa për cigaret e lira ajo shkon deri në 61%.

Zv.ministri Mete arsyetoi se kjo është në kuadër të politikave të qeverisë për të ulur numrin e duhanpirësve në vend, por ky arsyetim u kundërshtua nga Braçe, sipas të cilit nuk ka arsye pse një që ka më pak të ardhura të paguajë më shumë akcizë, në kuadër të politikës së qeverisë për t’i dhënë ato duhanit.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë debatit në komision ishte edhe kontrolli i shitjeve të duhanit. Përmes disa fotove, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë i kërkoi ministrisë së Financave të kontrollonte abuzivizmin në treg. Sipas Braçes, kushtet në të cilat tregtohet duhani, përvese përbëjnë problem për shëndetin e qytetarëve shmangin edhe detyrimet fiskale si TVSH-në dhe tatim-fitimin.

Sipas projektligjit të ri me hyrjen në fuqi të ligjit, akciza për duhanin do të bëhet 5500 lekë për 1000 copë, nga 4500 lekë për 1000 copë që parashikonte ligji aktual.

Më pas, akciza e duhanit do të pësojë sërish rritje në vitin 2016. Sipas projektligjit, në 2016-ën akciza për 1000 copë cigare do të shkojë në 6000 lekë ose 6 lekë për një copë cigare. Rritje parashikohet edhe në vitin 2017, ku akciza për 1000 copë cigare do të shkojë në 6500 lekë.

Komisioni po ashtu miratoi shfuqizimin e dispozitës për rimbursimin e akcizës për produktin “Bio” që gjendet në karburantet finale që hidhen për konsum. ndryshimet e tjera është edhe heqja e minimumit të gjobës përkatësisht, prej 1 000 000 milionë lekësh ose 200 000 lekësh, për zbatimin e ligjit të akcizës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency