Standard.al

Mbledhja e grupit të PS-së/ Radhët e kërkesave për punësim vazhdojnë në PS, Majko, 20 minuta për të dalë nga selia

Gëzim Saliu

Diskutimet në mbledhjen e grupit, socialistët vendosin të enjten për dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë

TAKIMI I GRUPIT PARLAMENTAR TE PARTISE SOCIALISTE SELIA PANDELI MAJKO ETJ (4) Edhe pse kanë kaluar më shumë se 1 vit nga qeverisja e mazhorancës së majtë, grumbullimi i qytetarëve, kryesisht militantë socialistë, para selisë së PS-së vazhdon në të njëjtën formë. Nisur nga fakti se e hëna e mbledhjes së grupit parlamentar është dita më e përshtatshme për të zhvilluar një takim të mundshëm me deputetët dhe ministrat socialistë, holli dhe oborri i jashtëm i selisë së purpurt gjendet gjithnjë i mbushur nga qytetarët e shumtë, ku sigurisht kërkesa kryesore mbetet e njëjtë: punësim. Me dosje në duar, dokumente të ndryshëm apo edhe letra rekomandimi, ata presin përfaqësuesit e PS-së, si kur mbërrijnë ashtu edhe kur ikin nga selia e PS-së, pas mbylljes së mbledhjes së grupit. Parashtrimi i kërkesave në pak sekonda apo minuta në rastin më të mirë, është i vështirë, por gjithsesi për ta, marrja e një premtimi apo refuzimi i jep përgjigje hallit të përditshëm të punësimit.

 

Takimet

Në nisje të mbledhjes së djeshme pjesa më e madhe e deputetëve mbërritën në PS nga pjesa e prapme e saj, duke hyrë nga lokali që ndodhet brenda selisë së PS-së e shmangur kështu kontaktin me qytetarët e ndryshëm që prisnin në pjesën përpara. Por nuk munguan edhe “guximtarët” socialistë, që kaluan radhët e gjata me deklaratën “flasim pas mbledhjes së grupit”. E kështu ndërkohë që në katin e dytë të godinës së PS-së, ligjvënësit socialistë së bashku me ministrat e kësaj force politike po diskuton axhendës e seancës së ditës së enjte në parlament, diskutimet në radhët e qytetarëve që prisnin një kat më poshtë nisnin e shtoheshin. Ishin nga të gjitha zonat vendit, Veri, Jug, Shqipëri e mesme. Ndërkohë që mbyllja e punimeve të mbledhjes së grupit kuptohet lehtë nëse je pranë selisë së purpurt, pasi rreshti i gjatë i qytetarëve që presin në katin e parë nisin e grumbullohen në derën, e cila të ngjit në katin e dytë të selisë. Të parët që zbritën shkallët ishin ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputetja Luiza Xhuvani, të cilët duke dalë nxitimthi nuk ndaluan mes radhëve të qytetarëve, të cilët nga ana tjetër nuk është se u ndaluan nga këta të fundit. Pas tyre zbritën me radhë deputetët e tjerë të PS-së, ku u vu re se një pjesë e mirë e tyre nuk nguruan t’i kthenin përgjigje qytetarëve. Në këtë mes nuk “saga” e takimeve të deputetit socialist Pandeli Majko, të cilit iu deshën thuajse 20 minuta për të përshkuar rrugën nga holli i brendshëm i PS-së deri në derën e jashtme të selisë. Po ashtu edhe ministri Veliaj, i thirrur nga Majko, u desh të japë “sqarime” tek një i ri i cili kishte shprehur më parë rezerva për kërkesën e tij. Ndërkohë që deputetët e tjerë nuk nguruan që përgjigjen e tyre ta kthenin në pak sekonda, duke u përpjekur të shmangnin pjesën tjetër të qytetarëve që prisnin në radhë.

 

Mbledhja

Ndërkaq, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, e cila zgjati për më pak se 15 minuta, ligjvënësit e PS-së diskutuan axhendën e seancës së ditës së enjte. Burime pranë selisë rozë bën të ditur se pjesë kryesore e këtij diskutimi ishte buxheti faktik e ndërsa në mungesë të kryeministrit Rama, socialistët vendosën që verdiktin për dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë ta vendosin në dy ditët në vijim, me shumë mundësi ditën e seancës parlamentare. Edhe pse në diskutimet paraprake në ambientin e selisë së purpurt, sipas burimeve, vota e mazhorancës së majtë do të jetë kundër dekreteve të kreut të shtetit.

 

 KE financon “Lungomaren”/ Rama: Sigurojmë gjelbërimin dhe zgjerimin e hapësirës ranore

Komisioni Evropian do të jetë pjesë e financimeve për projektin e vijës bregdetare të Vlorës, “Lungomare”. Ky fakt u bë i ditur dje nga vetë kryeministri Edi Rama me anë të një mesazhi në rrjetin social FB, ku sipas tij KE ka dhënë miratimin e saj përfundimtar për të qenë pjesë e projektit. “Lajm i mirë: Komisioni Evropian jep miratimin përfundimtar të pjesëmarrjes në financimin e projektit të Vijës Bregdetare të qytetit të Vlorës”, citohet në mesazhin e Ramës. Me tej, kryeministri ka theksuar se me këtë projekt do të sigurohet dhe gjelbërimi me mbledhjen e pemëve dhe zgjerimi i hapësirës ranore. “Me financimin e qeverisë do të sigurohen sipas projektit të Vijës Bregdetare Vlorë edhe pemët e larta 6m edhe zgjerimi i hapësirës ranore”, u shpreh Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Harvardit. Projekti “Lungomare”, do ti jap një pamje të re vijës bregdetare të Vlorës. Prej kohësh, ka nisur nga puna dhe zbatimi i tij, duke prishur edhe shumë ndërtime pa leje dhe me leje, të cilat pengonin projektin.

 

 ILDKPI dhe OSBE/ Ganaj: 55 kallëzime dhe 240 gjoba. Raunig: Rezultate në dënimin e zyrtarëve të korruptuar

Kreu i Prezencës së OSBE-së në vend, Florian Raunig, kërkoi dje në takimin me inspektorin e Përgjithshëm Shkëlqim Ganaj dënime konkrete për zyrtarët e akuzuar për korrupsion. “Këto përpjekje duhet të mbështeten më tej nga e tërë korniza antikorrupsion, përfshirë qeverinë, Kuvendin dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë, duhet të bëhen përpjekje duke arritur rezultate konkrete në dënimin e zyrtarëve publikë të dyshuar për korrupsion, pavarësisht nivelit dhe lidhjeve të tyre politike. Pavarësia, integriteti dhe bashkëpunimi i institucioneve, përfshirë gjyqësorin, janë thelbësore për uljen e qëndrueshme të korrupsionit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike”, – tha ai. Nga ana tjetër, Raunig vlerësoi rolin e ILDKP-së në luftën kundër korrupsionit, ku theksoi se është rritur numri i zyrtarëve të lartë të kontrolluar si dhe denoncimet në Prokurori nga ILDKP. “Rritja e numrit dhe e nivelit të zyrtarëve që do të kontrollohen plotësisht, numri i rasteve të denoncuara deri më tani në Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe gjobat, tregojnë se ILDKPKI-ja po luan një rol më aktiv në përpjekjet kundër korrupsionit”. Ndërkaq Inspektori i Përgjithshëm Ganaj tha se në shtatë muajt e fundit ILDKPKI-ja ka bërë 55 kallëzime penale dhe ka gjobitur 240 zyrtarë. “Kjo shifër është më e lartë se numri i denoncimeve dhe gjobave të vendosura nga ky institucion në dhjetë vjet”, u shpreh ai.

 

 Përgjimet e deputetëve/ Braçe: Duhet të ndryshohet ligji

Deputeti socialist Erion Braçe kërkon ndryshimin e ligjit për përgjimin e komunikimeve telefonike. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Braçe shkruan se e drejta e 29 institucioneve për të përgjuar është një shkelje e të drejtave dhe lirive të çdo shtetasi shqiptar. “E drejta e pakufizuar e 29 institucioneve për të përgjuar gjithkënd e pa asnjë garanci ligjore, vijon të jetë në fuqi dhe kërcënon shumë rëndë të drejtat dhe liritë e çdo shqiptari apo të huaji në këtë vend. Përtej ndjekjes ligjore penale ndaj cilitdo që është përfshirë në krimin e përgjimeve, duhet urgjentisht ndryshimi i ligjit dhe kthimi i tij në standardin evropian që mbron liritë dhe të drejtat e qytetarëve!!”, – shkruan Braçe në “Facebook”, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se fshihet pas përgjimeve ku janë përfshirë disa zyrtarë të lartë të politikës.

 

 

Comments are closed.