Llogaritjet/ Pensioni që përfitojnë emigrantët me kontributet që kanë derdhur në Shqipëri  

0
134

Shuma në lekë e pensionit është në vartësi të pozicionit të punës që keni pasur para datës 31.12.1993 dhe pagat reale mbas datës 1.1.1994

pensionista Emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, mund të përfitojnë pension të plotë ose të reduktuar.Të marrim shembullin e një emigranti, që ka 26 vite pune në Shqipëri dhe 3.000 ditë pune në Greqi. Në ç’moshë duhet të dalë në pension e sa përfiton? “Sipas informacionit të dhënë, ju e keni plotësuar moshën për pension në Shqipëri, më datë 23.3.2011. Po kështu keni plotësuar vjetërsinë kontributive për pension të pjesshëm pleqërie, pasi për pension të plotë, sikurse theksohet në nenin 31 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kërkohet mosha 60 vjeç gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim. Me vjetërsinë e punës që keni në Shqipëri, ju përfitoni një pension të pjesshëm të barabartë me 74,3% të pensionit të plotë që do t’ju takonte me vjetërsinë e plotë prej 35 vitesh (raporti është 26:35 =74,3%). Përcaktimi bëhet në nenin 34 të ligjit të mësipërm ku theksohet se personi i siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi, ka të drejtë të përfitojë pension të pjesshëm, kur të arrijë burri moshën 65 vjeç dhe gruaja moshën 60 vjeç. Pensioni i pjesshëm caktohet si pjesë e pensionit të plotë. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35. Shuma në lekë e pensionit është në vartësi të pozicionit të punës që keni pasur para datës 31.12.1993 dhe pagat reale mbas datës 1.1.1994. Për sa i përket pensionit në Greqi, bazuar në legjislacionin grek, nuk keni plotësuar numrin e domosdoshëm të ditëve të punës (mbi 4.000 ensima) për të pasur pension në atë vend. Ashtu si me Italinë, dhe me Greqinë, ende nuk ka një marrëveshje dypalëshe qeveritare, për njohjen dhe totalizimin e periudhave kontributive, të punuara përkatësisht në Greqi dhe Shqipëri. Mund të them se jeni tepër e vonuar në aplikimin për pension në Shqipëri (në rast se nuk keni aplikuar ende), duke qenë se ka kaluar më shumë se një vit nga dita e lindjes të së drejtës. E drejta për përfitimin e pensionit, ju lind që nga dita e aplikimit”, – shprehet eksperti Naim Balluku. Ky përcaktim është në nenin 62 të ligjit ku thuhet: “Personit, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre. Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet”.

 

Emigrantët

Në çdo moment të jetës së tij, personi duhet të jetë i siguruar. Personat, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, duhet të jenë klientë të skemës së sigurimit vullnetar për të qenë në vazhdimësi të siguruar. Shumë persona të larguar nga Shqipëria kanë një vjetërsi pune në qendra të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë. Aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi por që ju mungojnë 1 ose disa vite sigurimi. Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm. Shumë persona mund ta kenë plotësuar vjetërsinë për 15 vjet pune për të marrë një pension të pjesshëm, por është më me interes të plotësojnë 35 vjet pune për të marrë një pension të plotë pleqërie. Edhe këta individë mund “të blejnë vitet e punës” menjëherë, për t’u shtuar vitet e siguruar të punës. Për të gjithë emigrantët, me interes do të ishte edhe njohja me vazhdimësinë e sigurimit vullnetar duke paguar kontribute, çdo vit. Parapagimi i shumës vjetore ka një ulje prej 6%, gjashtë mujore 3% dhe tremujore 1.5%. Një kategori relativisht e madhe personash është në kushtet e emigracionit ilegal si dhe e regjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respektive si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale me këto vende. Kjo kategori është e interesuar të përfshihet në skemë. Kategoria e punonjësve sezonalë ose dhe part-time, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore. Kategoria e grave shtëpiake, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore. Është në interes të gjithë personave, që skema ju ofron këtë shërbim, të njihen me mundësinë e pagesave dyfish, trefish deri në pesëfish të kontributit minimal, sipas mundësive financiare, për të përfituar deri në pension maksimal të pleqërisë. Në rast fatkeqësie, kur personi pëson aksident apo sëmuret, në kushtet e të qenët i siguruar dhe që plotëson kriteret, ai mund të marrë pension invaliditeti gjatë gjithë jetës së tij. Në rast fatkeqësie ekstreme, vdekja e personit të siguruar, shoqëron dhënien e pensionit familjar për bashkëshorten dhe fëmijët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency